|
Nje mendim per “kolonet“
Korrieri, 27 mars 2006
NJE MENDIM PER “KOLONET”
Çështja e legalizimeve të banesave, pra e kthimit në normalitet ligjor të ndërtimeve ilegale në troje të tjetërkujt por jo të atyre që janë vendosur aty, në rrethinat e Tiranës, Durrësit apo kudo tjetër, bëri që politika të nxjerrë në sipërfaqe papritmas fjalën “kolonë“. U tha nga njëra palë se këtë e kishte shqiptuar për herë të parë në media një eksponent rival. Kur kjo fjalë kishte depërtuar në opinion drejtpërdrejtë nga debati në një ekran të rendësishëm kombëtar, televizion që shihet ngulshëm edhe në Kosovë e Maqedoni, nuk kishte patur ndonjë reagim të posaçëm. Mbase duke kuptuar se më shumë se ndonjë skelet platforme raciste termi "kolonë" ishte një gafë e rendomtë personash publikë nga ata që çdo javë shfaqen në ekrane minimumi dy-tre orë dhe me këtë rast hedhin në treg jo më pak se pesëdhjetë deri gjashtëdhjetë mijë fjalë. Rikujtesa e ngjarjes bënte pjesë në skemën e kapërximit sa më butë nga mazhoranca të një ngjarjeje jo fort të pritur: institucioni i Presidentit kishte rikthyer për ripunim e mbështetje më të madhe politike projektligjin për legalizimin e zonave informale. Përveç dy-tre ditëve përdorim e instrumentalizim politik jo fort kembëngulës, e ndeshur në heshtje nga pala partiake e sulmuar dhe e mbetur pa mbështetje nga gazetat dhe televizionet më kryesore, fjala “kolonë“ iku pa kthyer kokën prapa. E braktisur. Dhe në fakt ajo duhet "harruar".
E thënë në ngut e sipër dhe e rifutur po aq ngutshëm nga loja politike fjala “kolonë“ nuk është prodhim autentik i trojeve tona. Ajo nuk gjendet në arkivën historike të kombit edhe sikur të vësh një tabor të tërë njerëzish që të shfletojnë malin e dosjeve të saj. Po ashtu përdorimi i kësaj fjale nuk ka qënë as mjet i pëlqyer nga politikanët tanë të pluralizmit. Ajo po ashtu nuk ka qënë farë që mund të mbillej mes nesh as nga shkrimtarë, publicistë, veprimtarë socialë apo klerikë fetarë. Mes shqiptarëve këtej e përtej kufirit mbijnë edhe farëra të këqija, vese droge, prostitucioni apo korrupsioni, por kurrë përbuzja e thellë për "tjetrin”. Ca më pak për bashkëkombasin. Aq më shumë kur fjala është e rendë dhe përbuzëse si ajo “kolonë“.
Ndoshta nuk ishte koha për lojën kalimtare të politikës me këtë fjalë të fundit, por le t’ja lëmë këtë gjë ndërgjegjes dhe mirëkuptimit të atyre që e futën në përdorim dhe vetë u tërhoqën. Po kalojmë ca ditë ku nuk mungojnë të mpleksura lajmet e bukura (përshembëll kumti i ardhur nga Brukseli për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit), me një sfond të hirtë ku grupe të veçuara periferikë të shoqërisë apo individë anonimë përpiqen të ndezin moskuptime të thella mes masës së besimtarëve myslimanë dhe atyre të krishterë. Nga lufta me simbolet fetare, përgjithësisht kryqe që hiqen e vihen, këto ditë u kalua deri edhe në prodhimin e “shkendijave” me kryefigurën e pajtimit kombëtar, Nënë Terezën.
Edhe një herë apo dy herë rradhazi u provua se Tirana apo Shqipëria mund të ketë një apo edhe pesë Bathore, por nuk ka realisht asnjë “kolon“. Rrethinat e kryeqytetit apo të portit të madh të Durrësit nuk kanë patur e nuk do të kenë kurrë as “fshatarë“ dhe as “malokë“. As të padëshiruar të ardhur nga jugu i vendit apo të tjerë të mbërritur masivisht nga veriu. Madje me fjalën “kolonë“, siç edhe u përdor vetëtimshëm tranzit nga një pjesë e vogël e politikës, u la të kuptohet se me atë emërtoheshin bashkëkombas të zhvendosur pas viteve nentëdhjetë nga zonat verilindore të vendit. Po të jetë plotësisht kështu, pra që epiteti iu vu të zhvendosurve nga hapësira më e varfër e shtetit, atëhere shqiptarët kanë aq fort mirësi e vullnet të deklarojnë sëbashku se në atdheun e tyre të përbashkët nuk ka absolutisht asnjë “kolon”.
Hyrja apo ikja e shpejtë e kësaj fjale vërteton se shoqëria shqiptare është refuzuese për politizim të çështjeve që kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me identitetin dhe integritetin e saj kombëtar. Ajo e pranon lojën e politikanëve në terrene të tjera, atje ku nevojitet konkurenca. Për gati pesëmbëdhjetë vite politikushtrimi ka vepruar brenda dhe jashtë sinorëve të saj. Përshembëll në çështjen e pronave. Pa e zgjidhur dot atë duke lënë të pakënaqur jo një të dhjetën e popullit, por gjysmën e saj. Mirëpo një shoqëri e hapur nuk ka shenjë kryesore të identitetit të saj ekzistencën e më shumë se një partie politike. Themeli dhe identiteti i saj është prona. Madje prona e ligjshme. Tani që sërish parlamentit shqiptar iu ofrua mundësia për ta riparë projektligjin e legalizimeve të zonave informale është një rast fatlum që të funksionojë për çështjen e pronave një tryezë gjithpartiake. Nëse Shqipëria dëshiron të kryejë një reformë të vërtetë e thelbësore kjo e pronave është mirëfilli e tillë. Tryezat e mirëkuptimit gjithpartiak kanë qënë të domosdoshme në vitin 1991 apo 1997, por në rast se atëhere ato u mobilizuan për të ruajtur rendin publik, tani bëhet fjalë për të mbrojtur e zhvilluar edhe rendin shoqëror demokratik. Partitë tona politike, po ta kenë këtë vullnet, kanë aq urtësi sa të gjejnë konsensusin më të mirë për pronarët e vjetër dhe ata që kërkojnë të pronësohen. Dhe po të bëhet fjalë për bashkëkombasit tanë verilindorë, të cilët kanë të drejtën e ligjshme të dalin nga varfëria, nuk gjendet pronar i mëparshëm që nuk gjen dot përmasën e tolerancës.
Dikush nga njëra palë partiake ofroi bashkëpunim ekspertësh, një tjetër tha se projektligji i mëparshëm i legalizimeve të zonave informale ishte më i miri. Një i tretë nguli kembë se jo i mëparshmi, por ai i hartuar sëfundi ishte më i përsosuri. Një i katërt e pasoi garën e çuditshme duke shtuar se po nuk u zgjidh çështja e votimit të fshehtë në Kuvend as që mund të ketë prej partisë së tij pjesëmarrje në një tryezë të mundshme gjithpartiake për pronat e legalizimet e zonave informale. Kështu një valë e re politizimi ra sërish mbi një nga nyjet më të vështira ku ka mbetur e lëmshuar kokë e kembë shoqëria shqiptare.
Sa do të pritet të dilet prej saj? Një pjesë e politikushtruesve në vend që të bëjnë këtë fugë e të vetëlidhen e kanë fare të lehtë të rrinë jashtë dhe me duar të lira të kryejnë një nga veprat më historike të vendit të tyre. Kuvendi mund ta vijojë debatin për rregulloren e vet, tryeza gjithpartiake dhe ekspertët e tyre e të qeverisë po ashtu. Si qenkan kundër, ato janë dukshëm pjesë të natyrshme të njëra-tjetrës.
Ata që kanë ardhur nga verilindja apo veriu presin. Presin edhe pronarët e ligjshëm. Në emër të legalitetit as njëra palë nuk është “kolonë” dhe as pala tjetër “kulake”. Kush më mirë se kjo Shqipëri që po demokratizohet, do t’ua zgjidhë hallet? Cili qytet më mirë se Tirana do të japë shembëllin se di të bashkintegrojë ata të “jugut” me të “veriut”, “gegët” me “toskët”? Ka patur e ka akoma njerëz e lobe të huaja që ndarjen e vendit tonë në dy pjesë e kanë gjetur tek vija gjeografike e lumit Shkumbin. Kurse në të vërtetë pak më sipër, në metropolin e Shqipërisë moderne Tiranë-Durrës, gjendet realisht vija e bashkimit të shqiptarëve të veriut dhe të jugut.
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|