Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Korrupsioni qe te ndjek edhe ne boten tjeter

Korrieri, 26 qershor 2006

“Në dy pika kalon një drejtëzë dhe vetëm një“ thotë një aksiomë e patundshme e gjeometrisë. Në vetëm një pikë kalojnë pafundësisht me miliona. Duke marrë kurajë nga fakti që brenda një jave autori i këtyre rradhëve nuk ka parë vetëm një varrezë publike në një qytet, por dy të tilla në dy qytete të mëdhenj të Shqipërisë, u ul të shkruaj këtë artikull, duke menduar se tema e pikasur e ka vërtet një problem.
Një javë më parë në Berat në një nga dy varrezat e tij publike, ku shërben një qytetar i vjetër, pjesëtar i një fisi të njohur si njerëz me dhunti punëdashjeje dhe shpirt të mirë, gjithçka vijonte si më parë. Domethënë përveç rregullit të mëparshëm, akoma dy lëfytë të shtrembër tubash nxjerrin disa currila ujë në hyrje të varrezave, një zonjë e një zotëri të sjellshëm shisnin lule dhe mirëmbajtësi që të ofron menjëherë informacion se ku gjendet ky apo ai varr. Ky shërbim i fundit është edhe më i nevojshmi, sepse edhe kujtesë të fortë të kesh rrugicat mes parcelave me kohë janë zhdukur dhe nëpër ato shtigje të dikurshme kalimi tanimë ka vetëm varre të rinj. Eshtë një peripeci e vërtetë të shkosh atje ku dëshiron të ledhatosh butësisht apo do të puthësh foton e të dashurit tënd që nuk jeton më. Do të kërcesh nëpër buzë varresh të tjerë, ndonjëherë edhe gati mbi bazamentet e shtrateve të tyre, sepse hapësira ndarëse tashmë është sa për një kembë fëmije. Gjendesh në një xhungël të vërtetë, sepse të shtrenjtët tanë të paharruar tani në vitin 2006, n banesën e tyre të fundit janë vendosur rrëmujshëm, në një kaos të vërtetë. Nuk ka ndarje as me parcela, as me numura, as me rreshta. Gjithkund nuk gjendet asgjë shenjë orientuese. Varrezat tona publike janë më keq se qytetet, ku ne të gjallët akoma jetojmë në bashkësi e grumbuj shtëpish ku ende pjesa dërmuese e rrugëve nuk kanë të afishuar publikisht emra, nuk kanë numura vetë shtëpitë. Të vdekur e të gjallë jemi aty e aty, pamje pothuaj e njëjtë në mbitokë dhe nëntokë. Ne që akoma nuk kemi shkuar në ato hapësira të heshtura në hyrje apo dalje të qyteteve tona, prej më shumë se pesëmbëdhjetë vitesh presim të marrim më në fund një kartë identiteti. E theksojmë: kartë identiteti. Eshtë dokumenti më elementar që përdor një shoqëri në fazat e para të organizimit të saj qytetar.
Një javë më parë në njërën nga varrezat publike të Beratit bari i gjatë gjer në gju dhe çdo bimë tjetër e egër që harbon pas shirave të pranverës nuk kishte mbuluar vetëm hapësirat e ngushta mes varreve, por edhe vetë këta të fundit. Askush nuk i kishte shkulur edhe kur i binin mbi fytyrë fotos së ndjesëpastit. Nëpër këtë vapë në atë shkurrim të përgjithshëm një apo dy gjemba nëpër kembë ishin më e vogla gjë që mund të të ndodhte papritur, sepse më e përhapura ishte frika se mos shkelje ndonjë gjarpër dhe po të të ndodhte kafshimi i tij, qe ne mungese te ujit helmi eshte i koncentruar, ishe tamam në vendin e duhur për t’i dhënë fund jetës.
Këtë të diel, pra dje, më 25 qershor, shkuam në një nga varrezat e metropolit tonë të madh të Tiranës, në varrezat e Sharrës. Pra në ato që herë pas here thirren edhe varrezat e Yzberishtit apo të Kombinatit. Pak ditë më parë mediat për këtë supervarrezë publike flitnin për mungesë të plotë trualli për të porsaardhurit e përditshëm si edhe për një polemikë përcëlluese mes dy institucionesh. Gjithçka edhe këtu vijonte të ishte si më parë, domethënë fëmijë që të turren të të shesin tufa lulesh. Në rast se nuk do të marrësh një furgon për të shkuar në varrezë e zgjedh ta bësh rrugën në kembë, të jesh i sigurtë që ke hyrë mes varreve një kilometër më parë. Me dhjetra e dhjetra dyqane apo punishte të improvizuara të ofrojnë variante pa fund varresh, lloje pllakash, tipe fotosh, modele shkronjash. Me qindra skelete varresh me emrat e jetëhumburve janë aty, duke u punuar, para syve të tua. Gjithkund nëpër këtë botë para varrezave dhe vetëm para tyre vendosen dyqane që shesin lule, asnjë metër më tej. Ne në Tiranë nuk e kemi këtë fat. Në metropolin tonë më të përparuar lulet nisin të shiten që në stacionin qendror urban të lagjes së madhe e shumë të popullur të Kombinatit. Deri tek varrezat janë dy kilometra rrugë. Në mos të zë të qarët këtu, i sigurtë je se ca nga kujtimi për të dashurit e tu dhe ca edhe nga frika prej botës së përtejme ngashërimi të ka shpërthyer aty ku nis kilometri i dytë, ai i rrugës së ngushtë ku në çdo çap i gjen tek kembët të gjitha modelet e varreve të mermerta dhe të gjitha llojet e porcelaneve që ta ngurosin foton me pamjen e mirëfilltë të një mehrumi. Po e zëmë se nuk e dimë se çfarë bëhet në lagjet e tjera të Tiranës, por aty ku banon firmosësi i këtij shkrimi, e shumta nja pesëdhjetë metra larg, në anë të rrugës ka një dyqan funeral. Aty nuk gjen vetëm adresën e numurin e telefonit, të gashme makinën e shërbimit mortor dhe si edhe punonjësin, por edhe vetë dhjetë apo njëzetë arkivole. Madje të gjithë ata janë të ngritur në kembë dhe rrinë me kapakët hapur. Reklamimi i tyre ka si rregull që tabutet të shihen prej klientit që nga jashtë, kur ai shëtit me gruan, fëmijët apo nipin. Arkivoli trajtohet si një mall, përshembëll i përafërt me akulloret, kokoshkat apo suxhukët. Ka zyra funerale që tabutet me kapakë të hapur gjatë gjithë ditës e deri në orët e vona të natës i nxjerrin për reklamë jashtë dyqanit, buzë trotuarit. Ato rrinë atje në kembë, në gjendje gatishmërie të plotë dhe duket sikur nuk presin gjë tjetër veç që ti, me të kaluar aty afër e marrësh zemër nga kjo pamje, të shkosh menjëherë në shtëpi e të dredhësh kembën.
Në supervarrezën publike të Sharrës ka patur tre çesma, tani nuk ka asnjë. Thonë që për të vdekurin uji është sevap, i pamungueshëm. Edhe gjarpëri kur dëshiron të të pickojë, thotë urtësia popullore, nuk të nget kur pi ujë. Mirëpo në varrezën e mësipërme nuk gjen asnjë pikë, përveç ndonjë pellgu me llum të zi. Për të larë varret e të dashurve jo vetëm furça apo ilaçi pastrues, por edhe uji sillet nga shtëpia. Pesë litra plot mbartëm me çanta kësaj rradhë. Bari kudo në varreza ishte “gjer në brez”. Për të prerë ato shkurre duhen vegla, ndonjë guxon dhe vjen nga shtëpia edhe i pajisur me ndonjë sqepar, por shumica për të bërë këtë pastrim nga barërat e deri ferrat që bëjnë shtat, duhet të paguajë disa fëmijë që gjenden aty të gatshëm për të ndihmuar. Ata fëmijë që të vërsulen për të të shitur lule që dy kilometra larg nga portat hyrëse të varrezave publike të Sharrës e deri aty brenda parcelave të saj janë pjesa më e dhimbshme e kësaj pamjeje dhe punën e bëjnë meritueshëm. Nuk ndjen asnjë siklet që i paguan ata hallexhinj që jeta i mundon që në moshë të vogël. Ata kanë për pastrimin nga bari një tarifë që zakonisht është njëmijë lekë të vjetra dhe nga kjo pranverë plot me shira duken të lumtur. Ata të mitur me sqepar në dorë, më shpesh fëmijë që në ato duar mbajnë çantat me libra për në shkollë, kanë po ashtu një tarifë tjetër për pastrimin e vetë skeletit të varrit, të emrit dhe fotos së të ndjerit (dymijë lekë të vjetra). Kësaj rradhe prej grupit tonë të vogël u paguan vetëm dy pastrime nga bari, sepse larja e pastrimi i vetë varreve u bë nga ne me ujin e sjellë nga shtëpia. Porse një parcelë më lart rezultoi që bari ishte më i gjatë dhe fëmija në rolin e punëtorit të shërbimit komunal kërkoi dyfishin. Vërtetë kishte dy here me shume punë, shkurret kërkonin jo duart e tij, por një buldozer. Në të gjithë parcelën ishte bërë livadh dhe vetëm kokat e fotove të të vdekurve dukeshin. Këtu madje për familjarët e ardhur kishte edhe rradhë pritjeje. Fëmija me sqepar në dorë mbaronte me njërën familje pastaj fillonte me shërbimet për tjetrën. Mirëpo pasi bari i pastruar lihej anë rrugës, duke qënë se askush më pas nuk e heq prej andej, ai sërish mbin dhe shumë shpejt çdo gjë nis nga e para. Pakujdesi publik mbretëron. Në të gjithë atë supervarrezë të Sharrës nuk duket asnjë punonjës shërbimi. Të tillë doemos që ka dhe paguhen për mirëmbajtjen e varrezave. Por ndërsa në Tiranë dhe çdo qytet tjetër gjen fsheshaxhinj që bëjnë ndershëm atë punë mundimshme të pasmesnatës, në varrezat tona shërbimi për ata që nuk jetojnë më, e shumta dy apo tre ditë për pastrimin nga bari dhe dy apo tre orë çdo ditë për kujdesje varresh, nuk funksionon. Përtacia kryhet qëllimisht, është një mënyrë e shëmtuar për të nxjerrë ca lekë nga dhimbja e njerëzve.
Mirëpo përveç ndjesëpastëve që i kanë njerëzit e tyre në Shqipëri, janë me dhjetra mijra varre të atyre që degët e familjes i kanë përhumbur nëpër emigracion.
Nuk ka ves më të keq se korrupsioni kur ai bëhet në shuma të mëdha dhe me fondet publike. Nuk ka turp më të madh kur këtë e ushtron qetësisht edhe roja e një spitali apo punëtori i shërbimit të një varreze. Në një parcelë të sipërme të Sharrës, tek kërkonim për të vënë lule tek një nga të paharruarit tanë, kthyem rrugë disa here gjer sa më në fund ia gjetëm varrin. Rrugicën e mëparshme e kishin zënë me varre të tjera. Mirëpo në atë rrugë gjithë dimrin kanë rrjedhur e çurgojnë ujra. Edhe në ato tokë që nuk kullon kurrë “bisnesi” i shpirtërave të vdekur kishte bërë “investime”.
Kur e mbaruam këtë vuajtje të shumëfishtë e bëmë ta linim mbrapa tek dalja e varrezave nuk gjetëm asnjë çesmë të lanim duart. E vetmja që kishte ekzistuar deri disa muaj më parë ishte taposur. Sigurisht që edhe ajo të nxirrte lekë.


Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com