Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

TA SHPĖTOJMĖ BALLISTIN MORINA APO.... Tė shpėtojmė prej tij?
PROVOKUESIT SHQIPTARĖ TĖ HISTORISĖ KOMBĖTARE DHE KROATI MILAN SHUFLAJ
PARTIZAN-KOMUNIZMI I JAUP LILĖS: LUFTĖTAR DHE QYTETAR I PĖRRUNJUR I ATDHEUT
SKĖNDERBEU ME LIDHJE TĖ SHUMĖFISHTA ME SLLAVĖT
KUJTESA KOMBĖTARE NĖN AGRESION
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Kuotat roze dhe Sadije Agolli

Korrieri, 4 qershor 2006

Për mbi një orë drejtuesi i emisionit televiziv e pyeti Dritëro Agollin për gjithçka që një jetë 75-vjeçare mund të përmbante brenda atij protagonisti të zëshëm të Shqipërisë së kohëve moderne. Shkrimtari i shquar të gjithave iu përgjegj “pa iu dridhur qerpiku i syrit”. U rënqeth i gjithë dhe nisi t’i dridheshin nga emocionet çdo tipar i fytyrës kur në fund të intervistës së gjatë studioja, regjistruar vite më parë me zërin e tij, transmentoi një poezi që Dritëroi ja kishte kushtuar shoqes së tij të jetës, Sadijes. Poeti ynë i madh e ka dëshmuar katërcipërisht me jetën e tij se në asnjë grimë të saj nuk ka shtuar rradhët e sharlatanëve apo të vagabondëve. Dritëro Agolli në çdo faqe të librave të tij me poezi a prozë ka provuar po ashtu se sa shumë e do një bimë që çel syth, një lule që hap konxhe, një agim dite e një mesnatë, rënie të butë bore apo brerim shiu, hënë e zog që kendon buzë një pylli, lumë që shushurin, një fëmijë që gugat, një plak në buzërrugë e një bujk mbi parmendë, një shtëpi e një fis që i ka hapur derën në kembët e malit të Korabit apo në një lendinë të Korçës a Dropullit. Ai është bërë poet sepse ka lindur i tillë, nga kjo dashuri për botën, për njerëzit, natyrën.
E megjithatë atë mbrëmje të pak ditëve më parë ai dëshmoi se e donte shumë, gati në mënyrë marramëndëse gruan e tij, Sadijen. Ishte një dashuri e bukur, të cilën vitet nuk e kanë mpakur, veç shumuar e rinuar. Dhe nga një skenë e tillë nuk të lind vetëm mendimi se një emër i madh me veprën e tij të pazakonshme nuk mund të eklipsojë bashkëshorten e tij. Ai gjen rast ta lartojë atë. Njeriu i madh, por kur ka edhe shpirt të mirë, e di që në të shumtën e herëve shoqja e tij e jetës zgjedh rrugën e anonimatit për ta lënë bashkshortin të realizojë gjer në fund ëndërrën që ka patur. Nga një dashuri kaq e bukur dhe shpirtgjërë e 75-vjeçarit Dritëro Agolli kupton se sa punë e drejtë është ta ngresh lart gruan, ta nderosh atë duke e dashuruar. Për një mbrothësi të burrit sa ëndërra e karriera të merituara gratë i kanë sakrifikuar! Sa të tjera janë vetfikur në emër të perspektivës dhe të një jete më të mirë të fëmijëve! Nga ai poet i madh që atë mbrëmje si fëmijë emocionohej për vargjet kushtuar bashkëshortes së tij të buis mendimi se diçka të tillë të përafërt mund e duhet të bëjë edhe një shoqëri si e jona. Në rast se ajo dëshiron të jetë jo vetëm humane, por edhe e drejtë dhe largpamëse, duhet patjetër ta dojë gruan gjer në përmasat e një dashurie. Ne nuk duhet vetëm t’i mbulojmë ato me përkëdheli brenda katër mureve të shtëpisë, por me vlerësime reale para të gjithë opinionit publik. Me inkurajime patjetër.
Për fat të keq shoqëria shqiptare ka nyje të forta të kulturës maskiliste. Maskilizmi është një problem botëror, ai vijon në forma të ndryshme prej mijra vjetësh. I quajturi revolucion feminist, një përpjekje për të ekuilibruar sa të jetë e mundur më shumë, ka qënë e mbetet i vonuar në Shqipëri. Përvoja pothuaj një gjysëm shekullore e të quajturit emancipim realkomunist, edhe pse ishte një hop progresiv kur u ndërmorr, përfundoi në të kundërtën e qëllimit. Femra shqiptare jo vetëm u ideologjizua, por edhe u maskilizua, përfundoi me kominoshe dhe krahë e pulpa me muskuj të tejfryrë. Kështu në thelb shoqëria jonë u maskilizua dy herë më tepër, madje u maskilizua e gjitha.
Në këta vite të pasdiktaturës ka qënë vetë sistemi që i çeli rrugë emancipimit real, sepse në mënyrë të organizuar dhe me vetëdijë të plotë pothuaj asnjë strukturë epërore e shtetit, politikës apo edhe e shoqërisë nuk është marrë posaçërisht. Në pjesën dërmuese të rasteve fitoret e grave apo vajzave të veçanta këto gjashtëmbëdhjetë vite kanë qënë ekskluzivisht meritë e tyre. Tashmë sidomos në qytetet e zhvilluara është krijuar fizionomia interesante e një femre shqiptare që kërkon më fort protagonizëm shoqëror dhe kjo përbën novitet. Në thelb kjo është edhe “kryengritja” më e bukur që ka nisur të ndodhë mes nesh dhe në jo pak raste bëjmë sikur nuk e shohim. Në çdo sistem është e provuar se femrat shkëlqejnë atje ku mbi to nuk rendojnë paragjykime sociale apo përpjekje frenuese. Dihet që në të gjitha nivelet e arsimimit e të edukimit vajzat shkëlqejnë. Në Shqipëri mjedisi është mjaft tolerant edhe kur ato ngasin makina apo, siç po ngjan kohët e fundit, edhe kur ngarendin përqindjen e pirjes së duhanit. Ne meshkujt jemi “qerratenj” të mëdhenj. Nuk bëzajmë fort për duhanpirjen e tyre që sigurisht emancipim nuk tregon, por xhelozohemi nga pak kur ato duan të depërtojnë në fusha të ushtrimit të pushtetit. I pëlqejmë shqiptaret kur janë folëse televizioni, gjimnaste e valltare, kur luajnë tenis apo kendojnë, veç kur i aviten “sektorit mashkullor”, pushtetit politik e publik, plas hataja. Ato që mbushin e tejmbushin bangat e shkollave jashtë dhe brenda vendit, të gjitha ekranet televizive dhe plazhet, faqet e revistave, magazinat dhe dyqanet më të mëdha, mpaken e firojnë kur bie fjala për lista kandidaturash për deputete, këshilltare, struktura të larta partiake e shtetërore. Këtu ato nuk bëjnë, nuk kanë aftësi, nuk zotërojnë as të drejtë dhe as talent!! Kjo është në thelb e gjithë çudia dhe po ashtu i tërë absurdi. PIkërisht këtu, në fushën e pushtetit publik e politik, femrat kanë të drejtë të bëjnë e çojnë deri në fund një “kryengritje” të vërtetë. Një revolucion po të jetë e mundur.
Nuk e këshillojmë këtë rebelim të tyre kur bie fjala për të qënë më shumë shkencëtare, sepse në rast se ka pak të tilla përgjegjësia është e tyre. As për të patur Shqipëria më shumë shkrimtare apo publiciste, sepse sërish është përgjegjësia e tyre. Jo rrallë “mashkulli” dhe mendja e tij frenuese gjendet vetë brenda femrës. Për ndryshimin e madh, pra “revolucionin femëror”, e kemi fjalën vetëm për pushtetin politik ku qëllimisht femra shqiptare pengohet. Këtu për të nuk ka as tolerancë e jo më dashuri. Pikërisht këtu ekziston një rast kur “kryengritja” femërore shqiptare mund të ndihmohet edhe nga vetë shoqëria. Prandaj duhet të hyjnë masivisht në veprim “kuotat rozë“.
Këto kuota të trendafilta nuk janë shpikje shqiptare, por instrumenta që po i përdorin përherë e më shumë edhe shoqëri të zhvilluara të Perëndimit. Kjo do të thotë se duhet të vendosen disa rregulla favorizimi të përkohshëm të pjesëmarrjes së femrës në ushtrimin e jetës politike. Nuk ka aspak sa duhet gra në Gjykatën e Lartë, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, në Qeveri e kështu me rradhë, por për t’u hapur rruga e tyre edhe në këto struktura të rendësishme të shtetit, kyçi mbetet pjesëmarja e femrës në politikë. Nga sirtaret e pafund të kësaj të fundit dalin emrat që shtrijnë krahët e tyre gjithkund nëpër kyçet e grehinës së ushtrimit të pushtetit.
Kuotat rozë duhet pa u vonuar të veprojnë në të gjithë sistemin e përzgjedhjes e të garimit për parlamentarë qendrorë e lokalë. Përmasën e përqindjes së detyruar për pjesëmarrje femërore Kuvendi i Shqipërisë mund ta zgjedhë vetë. Në një vend të zhvilluar perëndimor ligji e ka rregulluar me formatin e përkohshëm që asnjë nga dy gjinitë, pra nga meshkujt e femrat, të mos zotërojë më shumë se dy të tretat e parlamentit. Mes nesh kuotat e trendafilta ka nisur brenda strukturave të veta t’i praktojë ndonjë parti politike, punë kjo mjaft e inkurajueshme. Tani lypet ta bëjë këtë e gjithë familja politike shqiptare. Ca më mirë që në krye të Kuvendit, ku kjo çështje nuk duhet anashkaluar, është një grua.
Për dobinë apo jo të kuotave rozë nuk përjashtohet asnjë debat, ai vijon edhe në vende shumë më të përparuar se ky yni, terreni pjellor i maskilizmit. Por kur kufizojmë skafet apo edhe tenderat, përse nuk i vendosim një kufi të edukuar edhe meshkujve.
Ata do të përfitojnë nga ky “revolucion” modern e do të harrojnë pak nga pak kohën kur politika tepër maskiliste përdorte pranga e kallashnikovë. Të paktën ky “rebelim” i fundit, përveç një pastrimi e gjenerimi të plotë të jetës shqiptare, do të ketë edhe më shumë aromë të kendshme parfumi.


Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com