Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Rikthimi tek emri

Revista “Shqip”, 12 prill 2006

Jeta e çdo emigranti, po të hidhej në letër, do të përbënte një roman triller aq rënqethës sa nuk do të shkulej dot më nga kujtesa e lexuesve. Kjo jetë po të hidhej në celuliodin e një filmi do të përlotëte gjithkend. Po të tregohej me notat e një kenge melodia dhe e qara do të merrte kontinentet. Po të ndodhte të rrëfehej në sallën e një parlamenti do t’i motivonte deputetët normalë të kësaj bote të hartonin e miratonin për emigrantët ligjet më humane.
Kësaj rradhe lexuesin e revistës “Shqip” do ta njohim me një emër, të cilin për plot dymbëdhjetë vite bashkëkombasi ynë e humbi. E kemi zgjedhur këtë rast jo sepse ai është më përfaqësuesi i emigracionit. E kemi veçuar jo sepse ka vuajtur dhimbjen më të shpeshtë që shoqëron refugjatët shqiptarë në dhe të huaj: atë që e lanë vendin e tyre jo sepse nuk e desh[n dhe e duan, por thjesht sepse kërkojnë një jetë më të mirë. E përzgjodhëm personazhin tonë sepse paraqet një nga shembujt më kuptimplotë të jetës së detyruar të një emigranti për të mbetur në klandestinitet. Në anonimat. Në bodrum të pallateve shumëkatësh apo në zgafellat e nëndheshme të magazinave të mëdha plot dritë.
Emri i të përzgjedhurit tonë është Jorgaq Gogu. Ai po mbush të gjashtëdhjetë vitet. Eshtë artist. Skulptor, gdhendës në dru dhe piktor. Para viteve nentëdhjetë ka qënë pjesëmarrës në shumë ekspozita kombëtare. Kundër të gjitha skemave të metodës së atëhershme të realizmit socialist. Në realkomunizëm guximi i tij shqetësonte autoritetet, nervozonte rivalët, i nxinte në fytyrë ambiciozët boshë. Djali i tij, Toni, në dhjetor 1990 mori pjesë aktive në grevën e urisë së studentëve për pranimin e pluralizmit. Në vitin 1992 Jorgaq Gogu kaloi si klandestin kufirin drejt Greqisë dhe qendroi në Athinë për dymbëdhjetë vite. Aty krijoi jo më pak se njëmijë punë dhe të gjitha i përfunduan në anonimat. Në Athinë klandestini Jorgaq Gogu mbeti dyfish i tillë, sepse jo vetëm nuk pati dokumenta lejeqendrimi ngaqë punëdhënësit nuk pranonin ta siguronin, por edhe sepse për dymbëdhjetë vite nuk e lejuan as emrin e tij ta vinte në fund të krijimeve të veta. Një pjesë e krijimeve të tij nuk janë ekspozuar vetëm në Larisa apo në disa qyteza greke, por edhe në mes të Athinës.

Ooooooooooo

Në mes të vitit dymijë një pronar i një kafeneje të madhe në kryeqytetin grek, duke dashur ta ristrukturonte atë dhe kështu të rigjallëronte bisnesin e vet, pra të nxirrte më shumë fitime, i ofroi punë: gjithë tavanin ta pikturonte me një murale, kurse në një nga faqet anësore porositi tre piktura, secila në telajo me sipërfaqe pothuaj katër metra katrore. E gjithë kjo punë do t’i shpërblehej me pesëqind mijë dhrahmi. Jorgaq Gogu u gëzua dhe e filloi me entuziazëm krijimin. Puna me muralen në tavan i dha mundime të mëdha fizike. Një ditë i shkaktoi edhe rënien nga shkalla dhe thyerjen e kembës së djathtë. Pronari i kafenesë, edhe pse tashmë artisti klandestin nga Tirana e Shqipërisë kishte zënë shtratin e gjymtyrën e thyer e mbante të mbështjellë në allçi, iu lut ta vijonte me tre pikturat në telajo. Jorgaq Gogu i punoi ato me shpirt ndër dhembë. Forcë i dha natyra e tij kembëngulëse dhe modeste, pasioni i përhershëm për të punuar si edhe shifra e shpërblimit, gati sa dy rroga mujore. Më në fund Gogu e mbylli krijimin e vet dhe bashkë me rinovimet e tjera teknologjike kafeneja e madhe e grekut, e ristrukturuar dhe e mbushur tashmë plot me zëra bujtësish, rifilloi aktivitetin fitimprurës. Veç jo ditën e përurimit dhe as javën e parë pas tij. Madje as në përfundim të muajit të parë dhe as në mbyllje të të dytit Jorgaq Gogu nuk mori dot hakën e vet të punës. Nuk ia dhanë. Përpjekjet e tij për të marrë “bukën e gojës” nuk mund të shkonin më tej se debati me pronarin mashtrues. Artisti Gogu nuk mund të shkonte të ankohej në polici. Ishte i dënuar klandestin.
Kështu gjithë jetën Jorgaq Gogu nuk do të harrojë dot këtë episod të hidhur. Si edhe shumë ngjarje të tjera. Madje tek të “të tjerat” gjendet edhe i gjithë thelbi i idesë kryesore të kësaj sprove shkrimi për jetën e tij. Një episod si i mësipërmi po të ishte i veçuar nuk do të përbënte asnjë problem për të vënë kujën. “Kuja” është se kjo dramë e shfrytëzimit e ndoqi nga pas artistin shqiptar për dymbëdhjetë vite.


Ooooooooooooo


Kur kishte hyrë në vendin fqinj, të parin shtet të huaj që kishte parë, Jorgaq Gogut i patën bënë përshtypje stabiliteti, infrastruktura dhe portokallet me fruta në buzë të trotuareve. Prej kësaj befasie i kishte ndodhur gati një trandje, nj[ shok i vërtetë. Ishte mahnitur e mbetur pa gojë. Kjo gjendje i zgjati pothuaj gjithë muajin e parë. Në vendin e vet kishte dy vite që bashkë me bashkëshorten kishte dalë në asistencë dhe shuma e mbledhur e atyre thërrimeve nuk i mjaftonte vetëm njërit dhe jo më gjithë familjes prej katër frymësh. Kështu si mjet jetese, por edhe angazhimi të ri shpirtëror ata u muarën me praktikimin e besimit protestant, kishë kjo aktive në Tiranë ato vite të para të paskomunizmit. Sidoqoftë edhe kjo jetë bashkë edhe me ndonjë ndihmë ushqimore që merrte nga besimi i ri në ato çaste kur edhe tregu ishte akoma tejet i varfër, nuk ia zgjidhën problemin e jetesës. Varfëria e përgjithshme nuk ia lehtësonte edhe shitjen e ndonjë pune, kështu që vendosën ikjen në Greqi si mënyra e vetme që kishin. Kufirin e para e kaloi bashkëshortja e Jorgaq Gogut, Manoja. Më pas e guxoi kokëkrisjen e klandestinitetit edhe vetë piktori bashkë me njërin nga fëmijët. Në Athinë gjetën me qera një kthinë në lagjen Nealjosa. Ishte një dhomë brenda të cilës nuk gjendej asgjë, ishte krejtësisht bosh. Një bashkëkombas u dha një sustë shtrati. E shtruan me gazeta dhe e hëngrën të ulur përdhe kafshatën e parë të asaj strehe. Një ndihmë modeste financiare, borxh i përkohshëm, prej një emigranti tjetër shqiptar u dha dorë të blinin rrobat e fjetjes dhe disa orendi të tjera nga më të nevojshmet. Një punë si shtëpiake e bashkëshortes së tij tek një jurist grek, për shkak se ky ishte ndjeshëm ksenofob dhe ndihej nervoz nga prania e një të huaje, ishte ndërprerë me kohë. Në ato ditë shumë të vështira rasti i favorshëm piktorit Jorgaq Gogu i erdhi nga një dyqan rreth pesëdhjetë metra larg strehës së tyre. Ajo ishte një magazinë që shiste piktura dhe pronar i saj ishte një vendas me profesion gjysmë shofer dhe gjysmë mekanik. E quanin Stathi. Ishte edhe amator i pikturës. Pra ishte edhe gjysëm piktor. Zakonisht guxonte të riprodhonte ikona.
Duke druajtur, cilësi kjo e karakterit të Jorgaq Gogut, por më së shumti prej faktit që nuk dinte greqisht, prezantimin me athinjotin ja bëri një bashkëkombas. Stathi e dëgjoi me vëmendje çfarë i tha tjetri dhe nuk shfaqi asnjë shenjë mosbesimi kur iu shpjegua se emigranti para tij ishte një piktor profesionist. Kërkoi menjëherë që ky të rivinte të nesërmen në orën pesë të pasdites dhe kur i papuni i ardhur nga Tirana i mbërriti në dyqan në orën e saktë, bashkë zbritën në bodrumin e ndërtesës. Këtu Stathi nxorri një copë dërrasë dhe një portret të Shën Mërisë me Krishtin fëmijë në duar. I tha shkurt “E bën dot këtë?”. “E bëj” ishte akoma më e shkurtër përgjigja. Pas fjalëve “Pas dy orësh do të vij” greku u largua nga bodrumi dhe u ngjit lart në dyqanin e vet. Poshtë, nën dhe, Jorgaq Gogu për disa çaste u vërtit para dhe mbrapa nëpër bodrum. I kërkohej të vizatonte një ikonë dhe këtë punë nuk e kishte bërë asnjëherë më parë. Porse për fat kishte punuar për njëzetë vite si disenjues në kombinatin e tekstileve dhe e njihte fare mirë teknikën zbatuese të portreteve. Iu fut punës pa u vonuar. Në fillim bëri skicën, më pas nisi pikturimin e rrobës që mbante në trup Shën Mëria. Ishte një e kuqe me zbehje e njëherësh shkëlqime të befta.
Stathi zbriti në bodrum pas dy orësh dhe me ta parë krijimin e shqiptarit preu shkurt vetëm fjalët “Në rregull. Po qe se dëshiron mund të fillosh punë që nesër”. Shtoi edhe “Puna fillon në orën tetë“. Pastaj Iku. Me të klandestini pa dëshirën e tij, Jorgaq Gogu, punoi plot gjashtë vite me pagesë ditore pesëmijë dhrahmi. Me euron e sotme kjo shumë mund të shkembehet me vetëm shifrën pesëmbëdhjetë. Me lekët tona do të thotë jo më shumë se tetëmbëdhjetë mijë lekë të vjetra.
Nga të gjashtë vitet, për shkak të rrezikut të kontrolleve, pesë i kaloi plotësisht në bodrum dhe prej andej për të shkuar drejt shtëpisë delte shkarazi, pa rënë në sy të njerëzve. Punët e tij që për gjashtë vite u ekspozuan dhe u shitën në dyqanin e madh diheshin si të Stathit. Sidoqoftë të dy e donin fort njëri-tjetrin. Jorgaq Gogu vetëm kur nisi viti i gjashtë i punës mundi të ngjitej nga bodrumi e të pinte kafen e mëngjezit në dyqan, bashkë me Stathin dhe disa miq të tij. Pa bëzarë se pikturat aty ishin t[ gjitha krijime të tij.
Punëdhënësi i dytë grek kishte mbaruar Akademinë e Arteve të Bukura në Athinë, por nuk merrej me pikturë. Bënte menaxherin e veprave origjinale. Gogun e ngarkoi të pikturonte rreth njëqind skica me temë sociale, të cilat autori i kishte bërë në Tiranë. E lejoi që në fund të punëve të vendoste emrin e tij, por me gërma greke. Studioja e re e punës sërish një bodrum, veç kësaj rradhe nën një dyqan qeramike. Punëdhënësi i ri në fillim i mori dymbëdhjetë krijime, duke i premtuar pesëdhjetë mijë dhrahmi e që të cilat i shiti në treg 50.000 dollarë. Por në fund Jorgaq Gogut nuk i dha asnjë qindarkë. Pas gjashtë muajve pune nën dhe menaxheri i dhelpërt nisi t’i shmangte pagesën mujore gjersa artisti shqiptar e braktisi. Ditët e fundit ky gjeti të futur në një furr të magazinës së qeramikës disa punët të tij, por me emrin e fshirë.
Punëdhënësja e tretë, një emër shumë i dëgjuar mes grave greke dhe madje evropiane, Meri Papakostandinu, skulptore, e futi klandestinin Gogu në një tjetër studio-bodrum, kësaj rradhe mes shesheve qendrorë Amerika dhe Omonia. Kjo punë e re e nëndheshme do të ishte pjesërisht e rendë sikur të mos i ndodhte që punëdhënësja e fuqishme, e cila merrte porosi për vepra publike në kryeqytetin grek, në përfundim të çdo pune të mos pyeste “E vure emrin tim nga mbrapa?” Kështu të gjitha krijimet dhe realisht pjesa më e arrirë e krijimtarisë artistike të Jorgaq Gogut në Athinë ka inicialet M.P. I gjithë ky anonimat për një pagesë pesë mijë dhrahmi në ditë ose jo më shumë se 75 euro në javë.
Pas kësaj ndodhie të fundit, me emrin për dymbëdhjetë vite të fshirë krejtësisht, Gogu u rikthye një vit më parë në Tiranë. Tani firmos qetësisht punët e tij në një nga studiot në qendër të kryeqytetit. Po rikthehet dalngadalë tek emri, edhe pse dalja nga klandestiniteti i gjatë psikologjikisht nuk është proçes kaq i lehtë. Kur rrëfen dramën e anomimatit të tij artistik për plot dymbëdhjetë vite ndihet relativisht i qetë e arrin të bëjë edhe shaka. Porse gjithçka ndryshon menjëherë në dridhjen e nervave të fshehtë në fytyrën e tij kur detyrohet të tregojë për stresin që kalonte çdo ditë në Athinë tek me vështrimin e ankthshëm në autobus apo trol kalonte në jo më tepër se një çerek ore distancën nga Stadiumi i Vjetër në Sintagma, tek Akademia, pastaj Omonia. Gjersa futej me ngut në studio. Në fakt në bodrum. Realisht në nëndhe.

Ylli Polovina





Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com