Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

ĒFARĖ FSHIHET PAS MUNGESĖS SĖ FOTOS PĖR NGRITJEN E FLAMURIT NĖ 28 NĖNTOR 1912?
AMERIKĖ, PSE TĖ DUAN KAQ SHUMĖ SHQIPTARĖT
FLAMURI QĖ U NGRIT NĖ VLORĖ DHE KASTRIOTI I PESTĖ, ALEANDRO
22 NĖNTOR 1944, QYTETI I TIVARIT: ARRATISJA E BALLIT KOMBĖTAR NĖPĖR NJĖ DET TĖ MINUAR
PASARDHĖSIT NĖ ITALI TĖ SKĖNDERBEUT NĖ KRYE TĖ MBROJTJES SĖ PAVARĖSISĖ SĖ PORSASHPALLUR
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Rinia qe zhurrmon te ish-Blloku

Ballkan, 23 prill 2006

Të gjithë shqiptarët nuk mund ta shohin dot, por ata që herë pas here vijnë në Tiranë patjetër bëhen dëshmitarë të pamjes. Në të gjithë hapësirën e ish-Bllokut, pikërisht atje ku para vitit 1990 ishte vendosur e ruhej në mënyrë të hekurt lagjia e udhëheqjes komuniste të kohës, është rikrijuar një lagje tjetër. Mund të quhet e pasdiktaturës. Në të vila e anatemuar e Enver Hoxhës përbën një kend të harruar dhe ndërtesë inferiore para grehinave të mëdha e moderne. Lagjes i ka mbetur emri klandestin i Bllokut, kurse në të vërtetë mund të quhej edhe një Broduej shqiptar. Për ironi dhe po aq sfidë përballë ish-vilës së Hoxhës gjendet Banka Amerikane e Shqipërisë. Kryekomunisti shqiptar e luftoi gjithë jetën “imperializmin amerikan”, por ishte ky që fitoi. Madje në triumfin e tij ka edhe diçka tjetër të veçantë: bashkë me sistemin e shoqërisë së hapur ndryshoi edhe jeta e shqiptarëve. Lagja e shtrenjtë e luksoze e ish-Bllokut përbën edhe një nga fotot e jetës së re të vendit paskomunist. Ajo ngjan që është “kapitaliste”, por jetë amerikane në të nuk duket se bëhet. Gjithçka është pamje e plotë e një jete tipike shqiptare: e zhurrmshme, vetpëlqyese, përtace e zbavitëse gjer në pakuptim. E shumta kjo amalgamë mund të emërtohet “jetë shqiptaro-amerikane”. Domethënë frekuentuesit atje para kanë sa amerikanët, porse jetën e bëjnë si shqiptarët.
Këtu klubet e panumërta janë gjer në fyt me të rinj që ditë e natë rrufisin pije gjithfarësh dhe harrxhojnë para si të jenë bij milionerësh. Nëse Shqipërisë, në mungesë të Bursës së saj, do t’i duhet të matë pulsin e qarkullimit të parasë, më mirë se tek kjo lagje nuk do të gjendëte kurrë një pikë verifikimi. Po ashtu në këtë hapësirë do të testoheshin fare bukur përmasat e lumë apo përroit të të ardhurave të ndershme në këtë vend si edhe të atyre ardhur informalisht. Por gjithsesi nuk është kjo tema kryesore e këtij shkrimi. Dëshira është të individualizojmë një fakt tjetër: vetë rininë tonë.
Nuk mund të mohohet se ndryshe nga dy dekada më parë, kur regjimi e mbante të mbyllur intelektualisht dhe në nivel varfërie, liria e shoqërisë së hapur i dha mundësira të mëdha gjeneratës së re për të realizuar veten. Ishin kryesisht të rinjtë që i dhanë forcë e shpresë Lëvizjes së Dhjetorit, ishin po ata që krijuan diasporën e re, e cila u bë ndihmësi ekonomik më i madh i Shqipërisë. Janë po ata që vetëm si studentë në Evropë përbëjnë aktualisht shifrën e pothuaj njëzetë mijëve. Janë prej tyre edhe ata që, pasi përfundojnë këto studime, rikthehen në vendin e tyre për ta ushtruar profesionin e nxënë në Perëndim. Të rinjtë shqiptarë, ndryshe nga më parë si edhe ndryshe nga shtresat më moshërritura të vendit, e kanë një ëndërr individuale dhe sociale. Ata dëshirojnë të jenë realizuesë për veten dhe të dobishëm për shoqërinë e vendin e tyre. Por që të gjithë këta zor se përbëjnë figurat tipike të frekuentuesve të bar-eve të ish-Bllokut. Këta të fundit janë një pjesë tjetër e gjeneratës së re shqiptare.
Një psikolog social në një libër të botuar sëfundi në një vend të europerëndimit, duke u përpjekur të analizojë shfaqjet e krizës mes brezit të ri, vinte në dukje se kur i riu tërhiqet pas jetës vanitoze e të zbrazët nga qëllimet sociale, zhndrohet pa u vonuar shumë në një “qënie antisociale”. Për të kjo donte të thoshte se tek i riu qëllimzbrazët degradimi shkon gjer në pëlqimin për akte dhune. Këtu nuk është fjala se të rinjtë e kafeneve të ish-Bllokut do të dalin në shesh e bëjnë edhe ndonjë kokëkrisje dhune si në Francë ku kundërshtuan një ligj punësimi të qeverisë, të cilën nuk e pëlqenin. Të rinjtë e lagjes Ish-Bllok nuk janë as revolucionarët studentorë të vitit 1968, që tronditën Evropën. Ata nuk janë as protestuesë të butë si hipitë apo autersajdët. Ata nuk janë kurrfarë kontestuesish të të metave të kësaj kohe, shoqërie apo politike. Kjo ndodh sepse ata janë thjesht konsumuesë të këtyre të metave, janë përfitues të veseve dhe kotësisë së saj. Jo vetëm në Tiranë, por edhe gjithkund në qytetet që mbushen ditë e natë me potere makinash personale, edhe një nxënës i thjeshtë gjimnazi nuk mund të niset në mëngjes në shkollë pa marrë “pagën” e ditës. Ajo në rastin më të keq, pra kur familja ka një minimum të ardhurash, është njëmijë lekë të vjetra. Pjesa dërmuese marrin dymijë. Ca ditë më parë në Tiranë një grua i rrëfente një shoqes së saj se i biri i kishte varur buzët që nga dhjetë euro, të cilën e kishte për “rregull” ditor, ajo i kishte dhënë vetëm një kartmonedhë dhjetëmijë lekësh. “Jo”, na tregonte pak kohë më parë një intelektual perëndimor tek pa ahengun e madh e të shpenguar tek Ish-Blloku, “unë veproj ndryshe”. Dhe teknika e tij ndryshe ishte “I jap diçka gjer në tetëmbëdhjetë vjeç, pastaj e lë të lirë ta nxjerrë pagën e vet e ta përdorë si t’i pëlqejë“. Pastaj tregoi edhe një “sekret” të vogël. Ai e punësonte të birin. Kjo donte të thoshte se në fund të javës si nxënës, të premten në mbrëmje dhe të shtunën, i biri i tij bënte punëtorin. “Të dielën, nga lodhja, im bir vetëm fle” qeshte tjetri, edhe pse më pas nga kjo ashpërsi e tij hoqi dorë duke thënë se gjithsesi fundjavët me punë për të birin ishin jo të shpeshta dhe ai e nxiste në uikend të shkonte me shokët nëpër eskursione apo diskoteka. Ajo që ai quante të rëndësishme ishte se energjitë e mëdha të të birit, pjesë e moshës së tij të artë, bënte çmos të harrxhoheshin në gjëra të dobishme. Për të i biri ishte një qënie sociale dhe ndaj shoqërisë kishte detyrime.
Nuk kërkon shumë mprehtësi për të kuptuar se në mes të asaj rinie të potershme e plengprishëse në Ish-Bllok energjitë harrxhohen jashtë çdo angazhimi social. Endërra e shumë prej tyre akoma ka mbetur tek gara e prishjes së përditshme të ca parave. Prandaj në jo pak të rinj të kësaj kohe ndihet turp të pohohet se “nuk kam para”. Në vendet e zhvilluara të Perëndimit ky pohim nuk përbën asnjë lloj turpi. Kështu linden e mëkohen lloj-lloj komplekse turpi. Ka të rinj që bëjnë jetë “moderne” pikërisht sepse ndihen me turp nga pjesa tjetër e Shqipërisë dhe e popullit të saj, e cila akoma jeton ngushtë e në mos në varfëri.
Ndoshta prandaj mes rinisë së zhurrmshme e konsumatore të Ish-Bllokut, numerikisht jo më pak se ata, enden në këtë lagje paskomuniste me paketa cigaresh në duar për të fituar bukën e gojës qindra të tjerë. I kanë sytë të bukur e shkëlqyes, e kanë trupin të drejtë e të fortë, ballin të gjërë e plot dritë. Kjo ndodh sepse ata me siguri e kanë një ëndërr. Të paktën atë të mbajtjes me ushqimin e ditës të familjes së tyre të ardhur ngutshëm nga veriu apo nga ndonjë skaj tjetër i Shqipërisë.

Ylli Polovina







Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com