Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“Shpendi” qe rri mbi Tirane

“Ballkan”, 8 janar 2006

Para se të ishte një libër me titullin “Krahët e Shpendit”, botuar në Tetovë gjatë vitit 2005, para edhe vetë 7 korrikut 2004, ditë kur Shqipëria e shpalli “Dëshmor i Atdheut”, më tej viteve 2003 dhe 2002, deri më 1 korrik 2001 kur dha frymë, tiranasi Skerdilajt Llagami ka qënë e mbetet një shpirt që vërtitet papushuar mbi qytetin e tij dhe kryeqytetin e shqiptarëve. Nuk fluturon mbi Tiranë thjesht se është një Shpend, emër lufte me të cilin priti në gjoks në ditën e 1 korrikut dy predha fisheku snajper. Nuk fluturon në qiellin e Tiranës sepse kështu e ka përfytyruar edhe i jati i tij, Bardhyl Llagami, duke shkruar për të birin librin prekës “Krahët e Shpendit”. Tridhjetë e dy vjeçari Skerdilajt para se të jetë një Shpend mbi Tiranë është një shpirt që jeton në amëshim. Eshtë një shpirt me krahë. Ndoshta në formën e një ëngjëlli. Natyrisht jo të gjithë e ndjejnë rrahjen e lehtë të krahëve të tij, si të jenë vetëm flatra ajri. Jo të gjithë mund ta shohin me sytë e mendjes së tyre, sepse është i tejdukshëm si kristal. Nuk e ndjejnë apo e shohin dot për asnjë lloj paaftësie njerëzore. Nuk e ndjejnë e nuk e shohin thjesht për një pamundësi: nuk e kanë ditur se babai i Dëshmorit të Atdheut ka botuar për të birin e vetëm një libër me poezi dhe kështu nuk i kanë lexuar as tufat e tyre të mbledhura si buqeta në kapitujt “Shqipëria do të bëhet”, “Je zemra ime” dhe “Anash, bir i nënës”. Shumë prej nesh nuk e ndjejnë dhe as e shohin dot të fluturojë mbi Tiranë shpirtin e Skerdilajt Llagamit edhe pse nuk kanë patur rastin të shkojnë në shtëpinë e thjeshtë, gati përdhese, të Llagamëve, në rrugën Mihal Duri, numur 43 e të prekin një çast vështrimin e nënës së tij, Lumturisë. Madje duhet edhe akoma më shumë mund njohjesh të tjera që më në fund brenda vetes të të ndodhë mrekullia magjepëse e shfaqjes se atij shpirti që trupin prej katër vitesh të shkuara e ka lënë larg, në një vend që gati prek qiellin, në një mal të lartë, tanimë të mbuluar krejtësisht nga bora.
Për një ndjesi thjesht intime dhe krejtësisht personale për autorin e këtyre rradhëve shpirti i Skerdilajt Llagamit herë pas here fluturon mbrëmjeve tiranase mes dy fashave me dritë të dy projektorëve të fuqishëm që netëve përndritin anë e kend qiellin e kryeqytetit shqiptar. Në kohën e Luftës së Ftohtë në kontinent dhe të diktaturës tek ne projektorë të tillë kontrollonin hapësirat detare të porteve, zonat kufitare, qytetet turistike prej ku nga pushuesit mund të ndodhnin arratisje. Në vite me turbullira rajonale apo pasiguri të brendshme ata ndizeshin edhe mbi Tiranë. Por pas dhjetorit 1990 historia e këtyre projektorëve ushtarakë ka përfunduar në arkiva dhe në jetë kanë dalë disa projektorë të rinj: ata të lirisë dhe të gëzimit njerëzor, projektoret e vendeve që kanë rrëzuar muret ndarës dhe ngarendin drejt familjes së madhe të Evropës së Bashkuar. Fashat e shndritshme të dy projektorëve që gjithë natën vërtiten mbi qiellin e Tiranës i takojnë një diskoteke të madhe, e cila ka gjetur këtë gjuhë dritash për të ftuar bujtësit e vet.
Sepse ishte vetëm 32 vjeç kur dha jetë dhe se në gjithë vitet e moshës së tij të re pati ëndërruar për një Shqipëri të tillë, të përndritur nga thirrjet për gëzim, sepse pikërisht për këtë ëndërr luftoi dhe e blatoi atë jetë të vetme në altarin e kombit të vet, andaj na duket sikur gjendet i gjallë dhe me buzën në gaz mes fashave me dritë të dy projektorëve që rrinë zgjuar gjithë natën mbi kryeqytetin shqiptar. Por shpirti i Shpendit me siguri ka qënë edhe mes gjithë fishekzjarreve që hodhëm për vitin e ri 2006. Ai përherë është atje ku gjendet drita.
Ndoshta ky vit, 2006, do të sjellë me vete edhe ngjarjen e pritur të vendosjes së trupit të tij në varrezat e vendlindjes, Tiranës. Fisi i tij i Llagamëve ka treqind vjet që banon këtu, ardhur nga trojet e Kosovës. Dymijë e gjashta mbase mbart me vete edhe lajmin e bukur se në shtëpinë e thjeshtë të Llagamëve do të gjejë mundësi e kohë të trokasë e bujtë si mik edhe ndonjë nga drejtuesit e lartë të shtetit tonë, prani që për fat të keq deri tani, ndoshta për rutinë, ka munguar. E gjithë jeta e tridhjetë e dy vjeçarit Skerdilajt, emër me origjinë ilire, është simbol lufte për demokracinë. Në këtë botë ka plot njerëz të kurajshëm që jetën e tyre e kanë dhënë për idealet kombëtare apo për një të ardhme më të mirë të popujve. Në këtë botë madje ka edhe emra simbole që jetën e kanë flirtuar për ideale ideologjike, shpesh utopike, të parealizueshme dhe në mos të shtrembëra. Një i tillë ka famë botërore e quhet Ernesto Çe Guevara. Shqiptarët e kanë vuajtur realkomunizmin dhe nuk kanë nevojë për kumte ideologjikë. Ata tani marrin prej kontinentit amë, Evropës, demokraci. Marrin dhe japin demokraci edhe me fqinjët. Një mbartës e luftëtar i kësaj epoke demokracie është edhe Skerdilajt Llagami, emri në luftë i të cilit, nga viti 1999 deri më 1 korrik 2001 ka qënë Shpendi. Duhet ta njohësh të gjithë jetën e tij, që në ditët e para të shembjes së diktaturës në Shqipëri për të kuptuar se më 1 korrik 2001 u ndërpre jeta e një misionari demokracie që prej njëmbëdhjetë vitesh, që nga dhjetori i Lëvizjes Studentore 1990.
Shpendi ishte një pseudonim lufte, por po të jetonte do të ishte sërish emri i tij i paqes. Në fund të fundit Skerdilajt Llagami ka qënë Shpend që prej ditës kur ka kuptuar se realkomunizmi duhej rrëzuar në emër të lirisë së bashkëkombasve të tij. Ai ka qënë Shpend edhe në Shqipërinë e përfshirë nga trazirat dhe destabilizimi i vitit 1997 dhe kur luftoi për ruajtjen e rendit publik. Skerdilajti ka qënë Shpend edhe kur bashkëkombasit e tij duhej të çliroheshin nga një diktator tjetër famëkeq, i gjendur tani në bankën e akuzës penale ndërkombëtare të Gjykatë së Hagës, Sllobodan Millosheviçi. Ai u bë Shpend edhe kur bashkëkombas të tjerë duhej të fitonin të drejtat e tyre demokratike. Ja përse Skerdilajt Llagami si edhe shumë shokë të tij, një pjesë edhe dëshmorë, luftuan për paqen. Ata mund të mos quhen paqeruajtës. Me këtë emër të nderuar nuk ka vetëm nga vende të zhvilluara demokratike. Grupe ushtarake paqeruajtëse ka nëpër botë dhe nga vendi ynë. Skerdilajti duke mos u quajtur dot saktësisht një paqeruajtës është padyshim një paqebërës.
Për paqebërësit dhe llojet e tyre ka nëpër botë ende plot polemika. Përshembëll ndahen opinionet për ndërhyrjen ushtarake të SHBA dhe Koalicionit Antiterror në Irak. Disa vite më parë po kështu ndaheshin përtej kufijve tanë edhe gjykimet për ndërhyrjen e armatosur të NATO-s kundër diktatorit shoven Millosheviç. Gjithsecili është i lirë të ketë mendimin e tij. Nga ana e vet shqiptarët e besojnë se ka raste kur për paqen e të gjithëve ndërhyhet përkohësisht edhe me armë ndaj një personi që ka krijuar një regjim dhune ndaj një populli tjetër. Shqiptarët paqeruajtës besojnë shumë edhe tek paqebërësit, me apo pa armë qofshin. Ata kanë një kompani të tillë dhe në vendin mik të Irakut.
Në llojin e vet është prej një paqebërësi edhe jeta e tiranasit Skerdilajt Llagami. Përtej kufijve tanë mbase edhe për rastin e tij ka opinione të ndryshme. Disi më pak gjykime të ndryshme mund të gjenden edhe mes nesh. Duhet mirëkuptim dhe durim për të shpjeguar se nuk meriton nderim në familjen tonë të madhe të popujve ballkanas një njeri që lufton për një Serbi të Madhe, Kroaci, Greqi, Maqedoni apo Shqipëri të Madhe. Njerëz të tillë nuk janë as paqeruajtës, as paqebërës, por vetëm e vetëm paqeprishës. Porse kush në kohën e duhur lufton me mjetet e duhura për lirinë e bashkëkombasve të tij deri në cakun që të mos shkelë e dhunojë liritë e shenjta të popujve të tjerë, ai sigurisht është një paqebërës i madh.
Besojmë se një paqebërës i madh është dhe do të mbetet edhe shqiptari nga Tirana Skerdilajt Llagami. Eshtë fat i keq dhe aspak përherë i dëshiruar që për të mbrojtur veten apo bashkëkombasin të duhet për disa çaste të rrëmbesh një armë. Kjo është gjëja më pak e uruar. Arma vret dhe të vret. Veç lum kush e merr atë për ta përdorur vetëm në emër të lirisë dhe demokracisë dhe në çastin e duhur e lë mënjanë. E dorëzon. Ndahet prej saj. Kjo sjellje nuk është hipokrizi, është dituri dhe largpamje. Bëhet që të jetë i fortë jo vetëm një kombësi dhe një vend, por të gjithë popujt e shtetet e rajonit, të jetë i fortë e në miqësi i gjithë Ballkani.
Ndoshta edhe për këtë simbolikë autori i këtij shkrimi dëshiroi ta botonte shkrimin për Skerdilajt Llagamin në të përditshmen “Ballkan”. Shkrimet për të kudo kanë ndenjur mirë, sepse mjaft gazeta e publiçistë kanë botuar për dëshmorin tiranas. U zgjodh “Ballkan” ndoshta edhe për një arsye tjetër: autori ka parandjere një ëndërr sikur shpirti i paqebërësit Skerdilajt nuk është parë vetëm në qiellin e Tiranës apo të Prishtinës. Sipas ëndërrës së tij mes fashave të dritës një ditë “Shpendi” do të fluturojë lirisht mbi të gjithë Ballkanin që tashmë është i lirë nga regjimet dhe diktatorët. Ai do të rrahë krahët e tij si flatra edhe mbi Beograd, mbi Sarajevë, mbi Zagreb, mbi Shkup, mbi Podgoricë, mbi Athinë...
Të gjithë ballkanasit edhe pse trupi i tij është i tejdukshëm si kristali, do ta njohin dhe shohin sepse prej gëzimit të lirisë së të gjithëve ai do të ketë buzën në gaz.


Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com