|
Televizioni francez LCI, Kryeministri shqiptar dhe Kosova
Ballkan, 29 prill 2006
Ditën e enjte, 27 prill, televizioni francez LCI transmentoi edhe një koment rreth vizitës së kryeministrit shqiptar në Paris. Ishte një paketë informative me dimensionin e 1 minute e 54 sekondave. Zoti Sali Berisha ndërkohë i kishte dhënë një intervistë edhe të përditshmes së njohur të Francës, po ashtu gazetë edhe me prestigj ndërkombëtar, “Le Figaro”. Ditën e premte, më 28 prill, përmbajtjen e kësaj interviste e bënë të njohur për publikun shqiptar disa nga tonat të përditshme. Duke menduar se e rrisim edhe më kuotën e informacionit për publikun po qëndrojmë disa çaste edhe në komentin e medias elektronike LCI.
Ky kanal televiziv francez është tërësisht i karakterit informativ dhe punon njëzetë e katër orë për njëzetë e katër. Kryesisht struktura e tij programore është e thjeshtë: çdo një gjysëm ore pesëmbëdhjetë minuta janë lajme, pjesa tjetër komente, debate dhe intervista. E veçanta e kësaj medieje elektronike është se çdo ngjarje e rendësishme transmentohet “live”, pra në vendin dhe kohën reale. Kjo është edhe epërsia e këtij stacioni ndaj kanaleve televizive kolege si edhe arsyeja përse ndiqet vazhdimisht nga një audiencë e rendësishme e opinionit publik francez. Karakteristika të tilla e bëjnë me ndikim të madh çdo fjalë që në LCI formulohet nga stafi i tij shumë i specializuar në cilësinë e informacionit dhe të analizës. Po ashtu e bëjnë shumë të përfillshme influencën e çdo deklarate që në atë ekran jep një person i ftuar. Parë nga ky kend përballimi i një interviste “live” me LCI nuk është aspak punë e lehtë. Para mikrofonit të një gazetari që punon për një të përditshme ke mjaft kohë e gjen jo pak mënyra të saktësosh, plotësosh e korregjosh. Para kamerës së LCI ky “favor” është i pamundur. Ajo është një makinë e madhe që nuk ndalet as për të marrë frymë.
Ndërsa më 27 prill ky televizion intensivisht informativ i kishte vënë në dispozicion kryeministrit shqiptar një minutë e pesëdhjetë e katër sekonda më 11 mars të këtij viti, saktësisht në orën 20.51, i kishte hapur vend vetëm pesë sekonda. Ishte dita kur bota mori vesh se Sllobodan Millosheviçi kishte vdekur në burg nga një infarkt në zemër. Televizioni LCI me këtë rast citoi deklarimet e Havier Solanës, Xhek Strout, Ursula Plasnikut, Milan Kuçanit, Riçard Hollbrukut, Agim Çekut, Azem Vllasit dhe ministrit të Jashtëm të Francës, Filip Duste-Blazi. Ajo që stacioni televiziv LCI kishte veçuar nga deklarimet e kryeministrit shqiptar ishin futur në frazën “Në Tiranë kryeministri shqiptar Sali Berisha tha se “vdekja e xhelatit të Ballkanit është një lehtësim për familjet e qindra mijrave viktimave të barbarive të tij”.
Pas një muaji e gjysëm nga ky çast 1 minutë e 54 sekondat e tjera të 27 prillit, në qendër të të cilave ishte shefi i kabinetit aktual qeveritar, folën sërish në favor mediatik të tij dhe sidomos të çështjes së statusit të ardhshëm të Kosovës. Përse komenti i dendur në informacion i televizionit francez LCI mund të mbahet shenim si një ngjarje mjaft pozitive në imazhin e Shqipërisë dhe të politikës së saj të jashtme? Patjetër jo vetëm për faktin se u tha që kryeministri ynë kishte ndërmarrë në Paris një vizitë për të bërë lobing për vendin e tij si edhe për Kosovën. Ky doemos ishte një kumt mjaft i dobishëm. Patjetër pozitiviteti i komentit intens të LCI nuk ishte vetëm edhe tek ndonjë sekuencë e shpejtë pamjesh të kontaktit të kryetarit të qeverisë sonë me ndonjë personalitet të spikatur publik të Francës. Ndryshe nga “Le Figaro” që e zgjeroi interesimin e saj për temën e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit apo edhe me çështjen e përmbushjes nga Shqipëria të standarteve për t’u integruar në Bashkimin Evropian, televizioni LCI vuri në qendër temën e statusit të ardhshëm të Kosovës. Që në batutat e para gazetarja, e cila bënte komentin, nënvizoi se pa diskutim që në atë vizitë në Paris kryeministri shqiptar Sali Berisha ishte bërë avokati i parë i të ardhmes së bashkësisë shqipfolëse. Në vijim telekomenti vuri në dukje se përballë qendrimeve të ministrit të jashtëm të Serbi-Malit të Zi, Vuk Drashkoviç, dhe numurit një të qeverisë shqiptare kishte mjaft distancë dhe se me këtë rast Filip Duste-Blazi, ministri i jashtëm i Francës, u kishte bërë thirrje të dy palëve për më shumë moderim në qendrimet e tyre. Deri këtu gjithçka shkon në rrjedhën e informimit të ekujlibruar dhe të njoftimit të faktit se Parisi kërkon të luajë një rol konstruktiv për temën e zgjidhjes së statusit të Kosovës. Franca të paktën që prej vitit 1999, ku në Rambuje u zhvilluan bisedimet e njohura, ka qënë një vend prej të cilit shqiptarëve u kanë ardhur lajme të mira. Në Paris mes shumë të tjerëve është vendosur edhe Ismail Kadare, roli ndikues i të cilit në opinionin publik francez për pavarësimin e Kosovës është tejet i madh. Pak ditë më parë nga Parisi shkrimtari ynë me reputacion të gjërë ndërkombëtar i dha radios “Zëri i Amerikës” intervistën e tij, ku argumentonte se dy shtete shqiptare në Ballkan shkonin në favor të rritjes së stabilitetit në rajon.
Televizioni LCI, duke nënvizuar ato çaste largësinë e madhe të qendrimeve mes kryeministrit shqiptar dhe ministrit të jashtëm të Serbi-Malit të Zi, të parit në intervistim i çeli vend zotit Berisha. Ky në frëngjisht e fare qartë që në batutën e parë deklaroi se “për mendimin tim çështja e pavarësisë së Kosovës është e panegociueshme”. Menjëherë më pas theksoi fjalinë e dytë: “Nuk ka zgjidhje tjetër. Pavarësia e Kosovës do ta ndihmojë shumë Sërbinë të shkëputet më shpejt nga e kaluara e saj dhe të ecë drejt të ardhmes që meriton”. Për baraspeshim informimi dhe për të dëshmuar largësinë e dy qendrimeve menjëherë në vijim televizioni LCI transmentoi intervistën me Vuk Drashkoviç. Ky paraqiti mendimin se “Kurrë shqiptarët e Kosovës nuk do të kenë një vend në Kombet e Bashkuara. Asnjëherë Serbia nuk do të pranojë shpalljen në Ballkan edhe të një shteti tjetë shqiptar. Nuk mund të stabilizohet rajoni duke poshtërruar serbët”. Pyetjes së gazetares se mos bëhej fjalë me këtë rast për të vënë në jetë ëndërrën e një “Shqipërie të Madhe”, kryeministri shqiptar iu përgjegj sërish fare qartë se pavarësimi i Kosovës është në të kundërt të idesë së krijimit të ndonjë “Shqipërie të Madhe”. Në “Le Figaro” kryetari i qeverisë aktuale kishte argumentuar në mënyrë lakonike se “Ideja e Shqipërisë së Madhe nuk ekziston. Shqiptarët e Kosovës duan të bashkohen me BE-në, me Evropën e jo me Shqipërinë”.
Në atë vetëm një minutë e pesëdhjetë e katër sekonda të komentit të televizionit francez LCI drejtuesi i edicionit të lajmeve njoftoi se revista e njohur e vendit të tij “Politika Ndërkombëtare” kishte botuar më gjërë një intervistë me kryeministrin shqiptar dhe se në emisionin “Kioska” javën e ardhshme autorët që kishin shkrime në atë revistë do të shkembenin mendime.
Eshtë një rast jo aq i shpeshtë kur ndërhyrja mediatike e një qeveritari shqiptar për çështjen e statusit të ardhshëm të Kosovës në një vend shumë të rëndësishëm të Bashkimit Evropian, me lidhje historike të natyrshme edhe me popullin serb, mbërrin një maksimum aq spetakolar të rezultatit pozitiv. Në 1 minutë e 54 sekonda të dendura me informacion epërsia me figurë dhe fjalë e Sali Berishës përkundrejt palës tjetër ishte mjaft e dukshme. Madje kryeministri shqiptar duke kumtuar deklarimet e tij kombëtarisht mjaft të palëkundura ishte tejet i qetë dhe buzagaz, cilësi që kur gjendet në Tiranë nuk e ka përherë.
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|