Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Nje mysliman ne token e Krishtlindjeve

Botuar ne Korrieri me 5 janar 2007

Ambasadori shqiptar në Vatikan, Rrok Logu, bisedën e nisur në mjediset modeste të përfaqësisë sonë në një lagje të Romës në afërsi të Selisë së Shenjtë, e vazhdoi me të njëjtin pasion dhe kembëngulje edhe ndërsa nisëm të pijmë një kafe në Via della Conciliazione. Ky është bulevardi i madh dhe njëkohësisht rruga që të çon në Shën Pjetër, në vetë zemrën e territorit të vogël të shtetit katolik. Ndërsa para nesh ngrihet imponues kompleksi i ndërtesave dhe i sheshit të njohur në të gjithë botën ajo temë për të cilën shkembejmë mendime bëhet edhe më e kuptimtë.
Ambasadori është i ri, një intelektual me emër të mirë në qytetin e tij të Shkodrës, anëtar i spikatur i forumit të tyre katolik. Në të vërtetë (dhe kjo përbën një fakt tepër interesant) ambasadorët e Republikës së Shqipërisë në Vatikan kanë qënë emra të gjetur mënçurisht dhe që kanë krijuar njeri pas tjetrit një traditë me të cilën kombi ynë mund të ndihet mirë. Jeta e kësaj përfaqësie diplomatike shqiptare pranë Selisë së Shenjtë është shumë e re dhe kryesisht lidhet me pasrënien e diktaturës. Por te Rrok Logu gjithçka është e qartë sikur të ketë një jetë të tërë që punon aty. Kjo ndodh edhe sepse shqiptarët si komb e popull në mënyrë të vijueshme kanë patur vëmendjen e duhur të dinë se ç’ka ndodh në Vatikan dhe të kuptojnë peshën e dukshme të ndikimit të tij jo vetëm në zhvillimet kontinentale apo botërore, por mbi të gjitha në të ardhmen e tyre. Për fat të mirë po largohet përherë e më shumë hija e gjatë e asaj kohe kur për një gjysëm shekulli u shtrenguam të bëheshim armiq me të gjitha besimet fetare dhe qendrat e tyre të pushtetit. Atëhere përfunduam akoma më armiq edhe me Vatikanin. Çlirimi prej asaj kohe ka ndodhur i shpejtë, veç me sa duket gjurmë të zbehura të lendimeve të dikurshme akoma do të ndeshim edhe për ca kohë.
Menjëherë pas dhjetorit të vitit 1990 për shqiptarët ndodhi një zhvillim i madh në raportet e ndërsjellta të mirëkuptimit dhe bashkëpunimit me Vatikanin, ndryshim pozitiv që kulmoi me vizitën e Papa Vojtilës sapo regjimi totalitar ra. Në fillim të vitit dymijë në marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë u realizua hopi tjetër: shenjtërimi i Nënë Terezës. Me autoritetin e vet botëror dhe fuqinë mediatike globale Vatikani theksoi përkatësinë e saj shqiptare. Një kërcim i ri i hovshëm, i treti, duhet të ketë ndodhur disa muaj më parë. Këtë gjë jo shumë e dinë edhe pse nuk janë të paktë ata që e nuhatin. Por sigurisht më mirë se kushdo e di ambasadori Rrok Logu. Ai e përjetoi ngjarjen e re personalisht kur në tetor të vitit 2006 paraqiti para Papa Benediktit XVI letërkredencialet e tij si përfaqësues i Republikës së Shqipërisë. Një fragment informues rreth këtij zhvillimi të ri mes Tiranës dhe Vatikanit nëpërmjet medias opinioni ynë e ka marrë vesh dhe në kujtesën e të gjithëve kjo ka mbetur e ngulitur me kumtin shumë inkurajues: Papa i bëri thirrje Bashkimit Evropian për ta pranuar Shqipërinë në bashkësinë e vendeve të saj të zhvilluara jo vetëm sepse ky komb e ka patur përherë kahjen evropiane si prirjen e tij të palëkundshme të zhvillimit, por sepse është një popull që ruan si vlerë të madhe tolerancën ndërfetare. Papa Benedikti XVI në takimin e tij me ambasadorin Rrok Logu vuri në dukje se mes shqiptarëve mirëkuptimi dhe bashkëjetesa mes dy feve të krishtera, katolicizmit dhe ortodoksisë, si edhe besimit mysliman, janë vlera të nevojshme për Evropën. Dihet tashmë që kjo deklaratë ishte aq fort e pazakonshme saqë e shpërndau nëpër botë vetë agjensia prestigjioze e lajmeve France Presse.
Por, siç edhe thamë pak më lart, Ambasadori ynë mbase di edhe hollësi të tjera, për të cilat me siguri ka informuar qeverinë e tij, veç ndërsa pinim kafen në Via della Conciliazione na pohoi një përshtypje personale. Gjatë takimit kishte përjetuar një çast mbresëlënës. I ishte dukur, madje për këtë gjë ishte shumë i sigurtë, se në sytë e Papa Benediktit XVI kishte dalluar jo vetëm njëherë shkendija dashurie për Shqipërinë e shqiptarët. Për të mos shkuar më tej në këtë shteg, sepse ndokujt kjo përshtypje mund t’i duket efekt i thjeshtë emocioni apo edhe mbase një lloj mënyre për të bërë diplomaci, ravijëzojmë se ndjenja të dukshme miqësore për shqiptarët ka dëshmuar disa herë edhe pararendësi i tij, Papa Pali II. Përveç një humanizmi të natyrshëm të krerëve të besimeve fetare, një gjeostrategjie politike të tyre caktuar, Shqipëria dhe shqiptarët janë atdheu i lindjes së humanistes së krishterë më të famshme të shekullit të shkuar, Nënë Terezës.
Secila nga këto arsye veç e veç apo edhe të gjitha bashkë nuk duket se gabojnë në pohimin se në Vatikan tashmë i kanë përcaktuar Shqipërisë dhe gjithë shqiptarëve një rol të veçantë né zhvillimet e ardhshme në kontinent. Patjetër këtu nuk bëhet fjalë se do të jemi ndonjë “fanar ndriçues” për zhvillimin ekonomik, kulturor apo demokratik të Perëndimit. Këtu ne nuk japim “dritë”, por marrim. Fjala është se një kontribut modest në Bashkimin Evropian ne gjithsesi mund ta dëshmojmë. Bashkëjetesa jonë fetare dhe raportet e mira e të shendosha mes dy feve të krishtera dhe atij mysliman provojnë se jo shpallja e ndonjë kryqëzate apo fushate vetizoluese ndaj qytetërimit islamik, por hapja dhe toleranca e ndërsjelltë mund të dekurajojnë revanshin e radikalizmit terrorist të modelit të Alkaedës. Kontribut ne mund të japim edhe kundër çdo lloj praktikimi të ashpër të besimit mysliman në rastet kur qytetërimin e vet nuk e konsideron pasuri të zhvillimit të larmishëm botëror, por e zbaton si një ideologji që ka për mision t’i kundërvihet e shkatërrojë qytetërimin demokratik perëndimor.
Ambasadori Rrok Logu mund të mos ketë gabuar në përshtypjen apo intuitën e vet edhe për një arsye tjetër. Ndërsa pinim kafe njëqind metra larg kompleksit dhe sheshit të njohur të Shën Pjetrit, zemrës së Vatikanit dhe rezidencës historike të Papëve, ai pohoi jo vetëm se ishte një shqiptar i besimit katolik. Ambasadori tha po ashtu se i respektonte dhe i donte shumë myslimanët dhe se këtë kulturë të vendit e qytetit të tij të Shkodrës kishte gëzim të madh që e ruante si vlerë shpirtërore dhe model pune edhe në Misionin e Republikës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë. “Unë jam përfaqësues i vendit dhe i shtetit tim” pohoi, “jo i ndonjë feje të caktuar”. Në një farë mënyre bëri theks te ideja se ishte mjaft i gëzuar që personalisht i përkiste besimit katolik, por mbetej akoma më i gëzuar se si të gjithë bashkëkombasit e tij mbartëte pranë Selisë së Shenjtë dashurinë edhe për ata të fesë myslimane. Duke qënë drejtues misioni diplomatik pranë Vatikanit ai punonte për të mbrojtur edhe vlerat e spikatura evropiane të myslimanit shqiptar. Ca më tepër për këtë të fundit ndihej i angazhuar që të shkurajonte ata qëllimkëqinj apo thjesht të sipërfaqshëm që nën formulime të shtrembëruara të përcaktimeve për Shqipërinë si “vend mysliman” hidhnin mbi të imazhe të gabuara.
Ambasadori Rrok Logu mund të mos ketë gabuar në përshtypjen shqiptardashëse që ka marrë nga takimi i parë me Papa Benedikti XVI edhe sepse që prej fillim tetorit 2006 e deri në fundnentor ai pa se si u përgatit dhe u zhvillua vizita e kreut të fesë katolike në Turqi. E kërcënuar nga radikalë, e nëmur nga terroristë të ndryshëm që veteklarohen myslimanë, e nëpërfolur si e pamundur për t’u kryer edhe nga gjesti aviondevijues i një emigranti turk në Shqipëri, misioni i tij u krye në suksesin më të plotë. Papa ia doli sepse mbartëte mbi vete jo mesazhin e konvertimit të popujve myslimanë në të krishterë, por dëshirën e hapët për të bashkëjetuar e të dy palët ndihmuar progresin e zhvillimit botëror.
Në Itali, në tokën e Krishtlindjeve, është tashmë në gjallim të madh kjo vetëdijë. Në qytetin e Barit një ditë para se nisnin festimet e kësaj feste, më 23 dhjetor, takuam miken e njohur të Shqipërisë Anna Maria Cislaghi. Ish-shefja e zyrës së marrëdhënieve me jashtë e kompleksit më të madh të panaireve në Italinë e Jugut, Fiera del Levante, muajt e fundit tashmë në pension, është një besimtare e krishterë shumë e përkushuar. Mirëpo ajo me disa bashkëbesimtarë të tjerë janë organizuar në një bashkësi që ka për qëllim njohjen e jetës dhe veprimtarisë së Sharl de Fuko-së (Charles de Foukauld). Ky është një francez pasanik që një shekull më parë braktisi kohëzbrazjen e jetës së tij të shkujdesur dhe u konvertua në një të krishterë të devotshëm. Për vite të tëra u vendos në një vendbanim të fisit nomad tuareg në një skaj shkretëtire në Algjeri dhe iu kushtua mbrojtjes së kësaj bashkësie myslimane. Në kujtimet e tij ai shkruan se frymëzimin për t’u bërë besimtar i krishterë e kishte patur kur kishte qënë i pranishëm gjatë një lutjeje myslimane. Ja si shkruan: “Islami shkaktoi te unë një trazim të thellë. Duke parë këtë fe dhe këta shpirtëra që jetojnë në praninë e përhershme të Zotit, pata thirrjen e brendshme për gjëra dhe të vërteta shumë më të mëdha se jeta mondane…”. Sharl De Fuko, i krishteri që deshi me gjithë shpirt myslimanët, më 13 nentor 2005 nga vetë Papa Benedikti XVI u shpall i Shenjtë.
Anna Maria Cislaghi që ka përqafuar përhapjen e këtij modeli jete është një e krishterë që të gjithë fëmininë e saj e ka kaluar në Kajro, ku i jati punonte në konsullatën italiane dhe ka parë me sytë e saj se si në kryeqytetin e Egjiptit jo pak myslimanë shkonin në vendet e krishtera të kultit dhe nderonin Shën Mërinë e Jezu Krishtin. Anna Maria nuk ta thotë njëherë, por ta përsërit kembëngulshëm “Kur dëgjoj të këlthasin se myslimanët janë një rrezik për Evropën jam gati të bërtas se për cilin rrezik imagjinar e kanë fjalën”.
Ka shumë arsye që të bëjnë të mendosh se mbresa e fortë që ambasadori Rrok Logu ka marrë nga takimi i parë me Papa Benedikti XVI të mos jetë i gabuar. Në Via della Conciliazione, në rrugën e madhe ku çdo ditë drejt sheshit të Shën Pjetrit shkojnë me dhjetra mijra vizitorë nga e gjithë bota, nderen në ajër pranë misioneve përkatëse diplomatike edhe flamujt e Argjentinës, Brazilit, Kinës, deri edhe të Sllovenisë dhe Kroacisë. Idenë se një ditë në këtë rrugë, të cilën të paktën çdo të dielë televizionet e fiksojnë dhe ia shpërndajnë imazhin në të gjithë globin, mund të vendoset edhe flamuri shqiptar apo sa bukur do të ishte të kishim për herë të parë një Kardinal shqiptar, le t’ja lëmë hë për hë ëndërrave të bukura që një ditë kanë të drejtën të realizohen. Ajo që duket e mundshme dhe e nevojshme me këtë gjendje të re shqiptardashjeje të dukshme në Vatikan dhe me misionin e njohjes së vlerave të vyera të euromyslimanit tonë, është një kërkesë gjithsesi modeste e Ambasadorit. Në misionin e tij ai është diplomati i vetëm dhe i duhet patjetër një koleg i dytë. Në librin e përfaqësive të huaja diplomatike pranë Selisë së Shenjtë një gjendje të tillë shumë minimale të personelit e ka vetëm Serbia. Boshnja ka dy diplomatë, po ashtu edhe Maqedonia. Ka tre Greqia.
Ndërsa bisedonim në Via della Conciliazione njëqind metra larg sheshit të Shën Pjetrit seç ka një besim personal Rrok Logu se eprorët e tij institucionalë dhe parlamentarë kanë për ta kuptuar.


Ylli Polovina





Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com