Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Perballja dy plus dy

“Korrieri”, 28 janar 2007

Vemendja ndonjëherë përqendrohet edhe kur një budalla hedh një gur në lumë e jo më kur para opinionit publik dhe nën dritën e plotë të diellit kryejnë gjeste politikanë të stërvitur. Duke e ditur se në fushën e lojës për të grumbulluar e ushtruar pushtet asgjë nuk është e kuturumtë shoqëria ku ky pushtet ushtrohet, është e detyruar të vëzhgojë, të analizojë e dalë patjetër në një qendrim miratues apo refuzues. Nuk mund të shpëtonte nga i njëjta rregull edhe takimi Nano-Berisha. Ai ishte me të vërtetë spektakolar dhe plotësisht jashtë rutinës. I përfolur se do të merrte një ditë të pavonuar një formë të caktuar, kryesisht kombinim veprimesh në distancë, ai rezultoi me rreshtim krah për krah. Firmosur edhe me një deklaratë të përbashkët.
Gjesti ishte fort i paparashikueshëm sa që prej asaj dite ka mundur të gëlltisë kaq shumë hapësirë mediatike sa nuk dihet ende nëse gara elektorale në proçes do ta ketë të njëjtin fat. E kemi fjalën jo për volumin e zënë në ekran apo në faqe gazetash, por për mbetjen e gjurmës në kujtesën popullore. Aq jashtë të priturës ishte ajo që ndodhi me dy njerëzit emblemë të Shqipërisë së pasvitit 1990 saqë hynë në punë që atë natë vëzhguesit më të hollë e analizuesit më të mirë të vendit. Dhe duhet thënë se ata kësaj rradhe vetëtinë me inteligjencën e tyre. Pa e vënë në dyshim efektin bujë të takimit Berisha-Nano kësaj rradhe patëm një rast të gëzuar të shihnim se sa shumë është rritur profesionalizmi i një grupi publicistësh. Tashmë ata kanë jetë në profesionin e tyre sa edhe vetë politikanët. Janë brezi i pasnentëdhjetës dhe konkurojnë në peshën e ndikimit në opinionin publik. Politika duhet të druhet të paktën pej tyre, sepse tashmë dinë të të zbërthejnë fije për fije.
E megjithatë dy përfaqësuesit më historikë të pluralizmit të dytë shqiptar kryen një veprim që i ekspozoi fort para gjykimit. Sa favore sillte ai aksion për gjithsecilin veç e veç apo për ata të bashkuar nuk ka aspak dyshim se edhe autorët dinë jo pak. Megjithë nanuritësit përreth dhe militantët që ua mburrin njëqind për njëqind gjithsecilit, vetë protagonistët njohin gjithçka që e përftuan si plus dhe minus. Një pjese të konsumatorëve pasivë të politikës u duket se të dy liderat historikë të gjysmëmasave të trendafiltë e të kaltërtë, tek lëshuan në eter grupe fjalësh argumentuese apo justifikuese të veprimit të kryer, janë të çorientuar. Nuk e diktojnë dot se një pjesë e të thënave publike shërbyen për të reklamuar gjestin dhe përmbajtjen e tij. Politika duke patur treg merr herë pas here edhe tiparet e mallit. Nano dhe Berisha dhe kushdo tjetër në vendin e tyre do ta reklamonte veprimin si të përzgjedhurin me dëshirë, si një hallkë të menduar mirë e mirë në një strategji të tërë largamëse.
Nisur nga kjo sipërfaqe disa prej nesh shkuan gjer në shprehjen e merakut (pati që edhe u alarmuan) se nga takimi Berisha-Nano tanimë mund të vijnë prapaskena të hatashme, ditë shqiptare të trazuara, kërcënime kombëtare, rreziqe të mëdha në formë kataklizmash. Në të vërtetë ajo që ndodhi dhe pothuaj përmbysi traditën e këtyre gjashtëmbëdhjetë viteve shumëpartitizëm nuk duket aspak se ka qënë një veprim i zgjedhur me pëlqim nga dy politikanët e fortë. Ata kanë qënë të imponuar të vepronin ashtu. Ishin të detyruar. Nuk qenë Fatos Nano dhe Sali Berisha që në mënyrë të drejtpërdrejtë krijuan rrethanat e asaj marrëveshjeje. Ishin rrethanat që i kishin shtyrë në këtë pakt. Nuk ishin ata që po ndërtonin një kulisë, ishte zhvillimi i situatave politike që u la këtë rrugëdalje. Ajo që ngjau nuk ishte pjellë e një intrige, ndjenje paturpësie apo shfaqje e qëllimtë pamoraliteti. Shtrengohemi të mbrojmë mendimin se ata të dy ishin të detyruar ta bënin atë pakt, me çdo çmim që ai të ishte. Sa fitonin apo humbnin nga kjo gjë është temë tjetër. Porse Sali Berisha dhe Fatos Nano nuk janë nga ata që në politikë kanë dalë për të humbur, luftojnë e do të luftojnë për të fituar. Nuk bëjnë më pak edhe të tjerët. Por rrethanat dy “të vjetërve” këtë mundësi u dhanë dhe ata nuk e anashkaluan, nuk e nënvleftësuan. E bënë sa dhe si mundën. Në dorë mund të kishin detaje të gjestit të kryer, mënyra të paketimit të tij për publik, por kurrsesi ekzekutimin e vetë përmbajtjes së gjestit.
Gjithçka kishte ngjarë sepse tashmë në skemën e lojës politika shqiptare janë bërë disa ndryshime. Nuk ka ikur asnjë politikan i vjetër apo i ri, po ashtu nuk ka ardhur rishtazi ndonjë tjetër. Thjesht ka një rirreshtim të tyre. Dhe kjo ka ndodhur jo në prapavijë, por bash mu në front. Duke filluar nga jo më shumë se një apo dy muaj përpara u ngjizën përfundimisht raportet e marrëveshjes për konkurencë në grup nga Edi Rama dhe Ilir Meta. Ata tashmë rivalizojnë çiftin Nano-Berisha. Me një fjalë nuk ka një të fortë që konkuron një sivëlla tjetër po aq të fortë. Janë dy që përballen me dy. Pra këto javë të fundit kanë hyrë në përleshje katër të fortë. Beteja nuk do të mbarojë nesër.
Dinamika e skemës së rivalizimit politik që nga viti 1991 në Shqipëri ka ndryshuar shumë. Në fillim janë bërë përpjekje që situatën ta vinte në dorë vetëm një individ. Pas kësaj, kryesisht pas vitit 1997, kanë qënë dy apo e shumta tre (Berisha, Nano, Meta). Katër të fortë njëherësh të rreshtuar në vijë të parë nuk kemi patur kurrë. Mirëpo këta politikanë me energji, etje pushteti dhe teknika konkurence fort të spikatura në rast se do ta kryenin ambicien e tyre veç e veç do të kishim me siguri një kaos të vërtetë. Atëhere po, do të ishte rrumpallë. Një situatë e tillë e paqartë e kakofonike do ta dëmtonte zhvillimin e vendit, jo prirja për një rreshtim sa më harmonik siç po ndodh aktualisht. Me pasoja në drejtpeshimin e përgjithshëm të pluralizmit shqiptar do të ishim edhe në rastin e funksionimit të skemave të tjera. Këto janë provuar dhe nuk zunë vend. Kështu u tentua që rirreshtimi të ishte Nano-Rama-Meta përballë Berishës si edhe Berisha-Nano-Meta ballë për ballë Ramës.
Në takimin e shumëdiskutuar mes dy liderve historikë të të kaltërve dhe të trendafiltëve ka lëvizje të detyruar jo sepse ky veprim ishte parazgjedhur me muaj të tërë përpara. Thonë përshembëll se Fatos Nano me zgjedhjet e humbura më 3 korrik 2005 ka bërë një gjest të koordinuar me rivalin e tij për t’ja lënë në kembim të postit të presidentit. Kjo është fantapolitikë. Rozët dhe shefi i tyre humbën, pra u mundën. Projekti i një bashkëpunimi (në limite të caktuara) i Fatos Nanos me Sali Berishën ndodhi kur i pari u gjet në rrethanat e dorëheqjes dhe të trysnisë që iu bë të rrijë larg shtabit të partisë së vet. Ndërkohë shefi i të kaltërve nuk do të kishte aspak nevojë për manovër me rivalin e tij historik në rast se do të kishte një shumicë të sigurtë që në mos të ndryshonte kushtetutën të mos gjendej i kërcënuar nga provokimi i zgjedhjeve të parakohshme me shkak përfundimin e mandatit presidencial. Ai me siguri nuk do të shkonte gjer në atë dalje krah për krah nëqoftëse do të kishte atë shumicë delikate që ka, por opozita (përshembëll) do të kishte pranuar alternativën e zgjedhjes së një presidenti konsensual. Pakica e fortë parlamentare nuk heq dorë nga tentativa për rrëzuar qeverinë e Berishës brenda këtij viti, pra në gjysmën e legjislaturës. Si duhet të veprojë ndryshe lideri i shumicës veç të gjejë hapësirën më të mundur për ta shmangur? Fatos Nano pas mungesës së tij tepër të gjatë në fjalimin e tij të parë në Kuvend anësoi me dinakëri në favor të rozëve, gjë që shkaktoi një sulm të fortë nga blutë. Megjithatë kjo nuk ja përmirësoi gjendjen ku ndodhej, nuk ja zgjeroi hapësirën e kufizuar ku po luan që pas humbjes dhe dorëheqjes. Si mund të vepronte ndryshe veç me çdo përpjekje për të dalë nga izolimi i konkurentëve brenda llojit dhe nga vetizolimi i tij hedonistik? Ndërsa nuk ja zgjati dorën as Rama dhe as Meta atëhere ai mirëpriti atë të Berishës. Ky i fundit e pranoi vetë se e kishte telefonuar i pari që të takoheshin në Pallatin e Brigadave. Kështu shefi historik i të majtëve paskomunistë shkoi atje ku në rrethana jo të ngjashme do ta kishte shmangur apo kryer në tonalitete krejt të tjera. Eshtë tjetër gjë që dy prijësit rivalë prej gati dy dekadash kanë shkuar më parë tepër larg në djallëzimin e njeri-tjetrit, sidomos në përdorimin e fjalorit të tyre dhe kjo ua rrit përmasën e pjesës së dobët të gjestit.
Sali Berisha është i detyruar të merret vesh e koordinojë nga afèr me Fatos Nanon, Edi Rama me Ilir Metën. Politika është burim aleancash të pafund në përshtatje të rrethanave. Nesër ato mund të ndryshojnë, për pasojë do të duken silhueta të tjera rreshtimesh. Në rastin aktual çdo gjë ka qënë e natyrshme: është prodhuar një ekuilibër i ri politik dhe jo një prishje e tij. Të tjerat, pra përkufizimet “politika e re” përballë “politikës së vjetèr”, janë pjesë e teknikave të konkurencës. Shqipëria tashmë është më shumë e vetëdijshme se i duhen vlerat e reja kudo ku gjenden, në çdo moshë e individ. Ja përse kjo katërshe dy plus dy, e futur në betejë të ndërsjelltë, e monitoruar profesionalisht nga analistët dhe e mbajtur më shumë nën kontroll nga institucionet tona akoma të brishta, është një vlerë e re që do të na maturojë me përvojë.


Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com