Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

NJĖ SURPRIZĖ QĖ FSHIHET NĖ JAVOREN VJENEZE “DAS INTERESSANTE BLATT” NĖ NUMRIN E SAJ TĖ 28 NĖNTORIT 1912
FESTAT 28-29 NĖNTORIT 1945 DHE LOJA E ENVER HOXHĖS ME FJALĖN DEMOKRACI Pjesa e dytė
FESTAT 28-29 NĖNTORIT 1945 DHE LOJA E ENVER HOXHĖS ME FJALĖN DEMOKRACI Pjesa e parė
LAJMI I SAJUAR MBI NGRITJEN E FLAMURIT DHE SHPALLJEN E PAVARĖSISĖ NĖ DURRĖS
AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISĖ ITALIANE ME MBIEMRIN ĒIFTELIA (Pjesa 2)
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Ardhja e pese nenshtetasve te rinj

“Korrieri”, 4 shkurt 2007

Këto ditë kur përveç garës elektorale në Shqipëri pritet edhe kryelajmi për statusin e ri të Kosovës në Tiranë ka ndodhur edhe një ngjarje tjetër. Me një ceremoni që nuk mundi dot të depërtojë gjer në të drejtën e lajmit të parë në mjediset e një ministrie të rendësishme të vendit, në prani të disa anëtarëve të qeverisë, shumë dashamirësve dhe drejtorit të Institutit Kombëtar të Diasporës, iu dhanë pasaportat e nënshtetasit shqiptar pesë tetëmbëdhjetë vjeçarëve. Natyrshëm lexuesi mund të pyesë: Përse dhënia e disa pasaportave për pesë të rinj paska marrë rëndësinë e një ceremonie kaq të spikatur? Kjo bujë mos është një nga ngrefosjet tona tipike apo mos aktiviteti hyn tërthorazi në skemat e konkurimit zgjedhor? Herë të tjera ka ndodhur që pasaportën shqiptare e kanë marrë edhe personalitete të shquara me origjinën tonë kombëtare dhe shumë syresh as kanë patur gëzimin e ndonjë rreshti lajm. Sot ka edhe pasardhës të dokumentuar figurash historike që prej shumë dekadash e deri shekujsh jetojnë në vende të huaja, por këtë pasaportë të thjeshtë nuk e kanë marë akoma. Mjaft prej tyre shprehin dëshirë e mall tua japin këtë dëshmi zyrtare të identitetit pa as më të voglën ceremoni. Madje ka edhe gjëra të mahnitshme, por edhe të çuditshme njëkohësisht. Shumë vite më parë Presidenti Meidani, me kërkesën e tyre dhe në lejim të ligjit të vendit, ka pajisur me pasaporta shqiptare 18 qytetarë bullgarë, kryesisht banues në Sofje, të cilët janë përfaqësues të bashkësisë së vjetër shqiptare të dy-tre shekujve të shkuar si edhe të emigruar pas viteve nentëdhjetë. Nuk jemi ne të vetmit që e bëjmë këtë gjë, sepse fqinjët tanë e kryejnë aksionin e ruajtjes së identiteti shumë më efektshëm e mjaft më me vështrim të largët se ne. Kujtojmë Greqinë me homogjenët e saj, po ashtu edhe Malin e Zi apo sidomos Maqedoninë. Shtetas shqiptarë dhe njëkohësisht maqedonas nuk gjenden pak buzë liqeneve të Prespës dhe Ohrit, por edhe në Tiranë e kudo. Asgjë nuk ka për t’u shqetësuar kur bëhet fjalë se këto dyshtetësi kryhen sipas standarteve të bashkimit tonë të madh evropian, BE-së.
Që të mos shkojmë më tej në këtë temë, sepse do të dalë në mënyrë të sigurtë se në Shqipërinë e pa kartave të identitetit patjetër nuk ka si të ketë edhe ndonjë strategji në këtë drejtim, rikthehemi te pesë tetëmbëdhjetë vjeçarët që pak ditë më parë u shpallën publikisht nënshtetas shqiptarë. Ata nuk janë banorë të vendit e shtetit tonë, pra Shqipërisë. Ndërkohë nuk janë qytetarë të ndonjë vendi a shteti tjetër. Nuk janë nga ata të cilëve kudo në botë u thuhet “janë të huaj”. Këta pesë të rinj flasin gjuhën tonë shqipe. Dhe duke qënë se nuk i përkasin asnjë shteti tjetër dhe as deri pak çaste më parë edhe Shqipërisë, nuk do të thotë aspak se jetojnë në Mars apo në Hënë. Jetojnë në Kosovë. Banojnë në një territor dhe në një hapësirë që vend është, por shtet jo. Quhet dhe është protektorat. Për fat i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Të pesë të rinjtë quhen Kaltrina Krasniqi, Fiona Beqiri, Tringë Qerreti, Jetmir Rexhepi dhe Agron Agani. Dhënia e nënshtetësisë shqiptare për ta ka një histori të vetën, por edhe një simbolikë që nuk bën ta anashkalojmë pa e regjistruar në kujtesë: u krye paralelisht me lëvizjen nëpër trojet shqipfolëse dhe në të gjitha qendrat më të mëdha të vendimmarrjes globale të lajmit të quajtur “Paketa Ahtisari”. Kjo paketë ka vënë në lëvizje të gjithë botën politike dhe karuselin gjigand të medias. Për të gjen editoriale që nga e përditshmja e madhe amerikane “The Los Angelos Times” e deri tek televizioni kontinental “Euronews”. Fjala “Kosovë” dhe “shqiptar” janë në ritmikën më kulmore të citimit.
Kështu “paketa” me pesë të rinjtë kosovarë që pak ditë më parë u bënë shtetas shqiptarë do të mbesë në hije. E megjithatë ajo ka një logjikë dhe një histori mbresëlenëse. Pesë te rinjtë nga Prishtina e Peja janë karateistë tashmë të njohur në Ballkan, Evropë dhe deri në botë. Ata janë pjesëtarë të ekipit shqiptar të këtij sporti, në përbërje të të cilit janë 22 anëtarë, shumica nga vendi ynë. Deri sa pesë bashkëkombasit tanë nga Kosova nuk kishin mbushur moshën tetëmbëdhjetë vjeç nuk përbënte asnjë problem ligjor pjesëmarrja e tyre në ekipin e Shqipërisë. Që të mund të vazhdonin të garonin bashkë me ditëlindjen e bukur të tetëmbëdhjetë viteve duhej të pajiseshin me një pasaportë. Mirëpo e thamë që Kosova vend është, popull ka, histori të vetën po ashtu, himnin e flamurin e saj po e bën gati, por shtet nuk është. Po e pret. Të dy milionë banorët e saj kanë vetëm një mbishtet, OKB-në. Për pasojë qytetarët pajisen vetëm me një dokument-pasaportë të UNMIK-ut. Ligjërisht ata konsiderohen qytetarë të Kombeve të Bashkuara, pra qytetarë të botës, por të Kosovës si shtet i veçantë jo. Me dokumentin e UNMIK-ut mund të qarkullosh në disa shtete të kontinentit, por në rast se do të përfaqësosh vendin tend nuk ja del dot, sepse OKB nuk ka as ekip sportiv përfaqësues, as orkestër, as panair ndërkombëtar libri e kështu me rradhë. Dilemën që deri tani e kanë shqiptarët nuk e vuan si hall pakica serbe. Të gjithë ata janë të pajisur me pasaporta jugosllave dhe kartën e UNMIK-ut e refuzojnë, nuk e njohin. Kështu serbët në Kosovë nuk e kanë aspak problem në rast se u duhet të garojnë në të gjitha llojet e ekipeve, sepse me të mbushur tetëmbëdhjetë vitet marrin pasaportën e Beogradit, duke u konsideruar kështu në të gjithë botën si qytetarë të Sërbisë. Halli dhe problemi u ka mbetur vetëm shqiptarëve, atyre që përbëjnë pothuaj nentëdhjetë përqind të popullsisë. Nuk mohojmë se me qindra nga këta bashkëkombas kanë marrë e akoma marrin edhe tani një pasaportë jugosllave. E bëjnë nga nevoja dhe si rrugëdalje prej statusit të zgjatur të vendit të tyre. Jo sepse janë mohues të kombësisë. Paguajnë nën dorë nga (përshembëll) gjashtëqind euro dhe trafikantët e identitetit ua sigurojnë një pasaportë në gjuhën cirilike.
Sepse gjendet kjo rrumpallë e tipit ballkanik është i bukur gjesti i pesë të rinjve nga Kosova dhe i atyre përfaqësuesve të administratës së shtetit që ndihmuan të pajisen ata me një pasaportë të Shqipërisë. Kishin plot tre vite që e kërkonin, bënin lutje dhe mbushnin formularë pa fund, njërin pas tjetrit, me të gjitha llojet e kollonave nga lart poshtë e nga e majta djathtas. Nuk ishin pesë të rinj të zakonshëm dhe anonimë, as ca romantikë të patriotizmit sa për t’u dukur. Ishin pesë të rinj bashkëkombas që janë talente sportivë dhe fitues çmimesh shumë të larta. E reja Tringë Qerreti në vitin 2004 në një kampionat të karatesë u shpall në profilin e garës së saj kampione e botës. I riu Agron Agani në garën evropiane të vitit 2005 u nderua me titullin e nënkampionit të kontinentit. Dhe meqë të pesë talentet bënin pjesë në ekipin e Shqipërisë të gjithë këta tituj i merrte vendi ynë, na njiheshin vetëm neve, nënshtetasve që kemi Tiranën kryeqytet. Mirëpo nëpër disa zyra ca të lajthitur (e pakta) që nuk e kuptonin se në një rast të tillë po të linin vetëm një kafe pa pirë në vetëm një ditë ose të hiqnin dhjetë minuta nga loja me letra në kompjuter duhej t’i bënin vetë të gjitha procedurat, të rinjve nga Kosova vetëm sa t’u merrnin firmat dhe pastaj të vraponin tua jepnin në dorë pasaportën shqiptare. Fantazmagoriku ynë nëpunës i këtij lloji, por kësaj rradhe njeri punëtor që thjesht nuk kuptonte asgjë se çbëhet, edhe pse dekreti i Presidentit Alfred Moisiu kishte dalë dhe të firmosur e kishte në dosje, tamam pas ceremonisë së kuptimtë të shpalljes së nënshtetësisë, pengonte dhënien e pasaportave. U desh deri ndërhyrja e nënministrit Gjergj Lezhja që kalvari i gjatë burokratik i pesë të rinjve që na nderojnë të zgjidhej përfundimisht.
Çfarë thonë pesë të lumturuarit pas asaj që ndodhi? Nuk po i shkruajmë, sepse një shkrim ka kufijtë e vet dhe ky që po lexoni duhet tani të mbyllet. Me fjalorin e tyre ditën e marrjes së pasaportës së shtetasit të Shqipërisë ata i vunë emrin “ditë historike”. Nga një gjendje e tillë emocionale dikush prej tyre tha se tani ndihej “shqiptar i vërtetë”. Me këtë term që i takon vjershave të periudhës së Rilindjes, ai kishte parasysh se “shqiptar i vërtetë” ishte ai që bashkonte në një të qënit banor i Shqipërisë dhe i Kosovës. Tringa nuk e lë pa thënë se vërtet federata kryesore botërore e sportit të karatesë për një sportist shqiptar njeh vetëm si shtet Shqipërinë, por në Tokio, vendlindjen e mjeshtërisë së adhuruar prej tyre ka një federatë botërore që e njeh Kosovën si shtet dhe të pesë kur shkojnë atje garojnë edhe për ngjyrat e “shtetit” të tyre. Kur më pas i pyet se në ditën kur atdheu do t’u pavarësohet a do të largohen nga ekipi i Shqipërisë dhe, tashmë të pajisur me pasaportë të shtetit të tyre të mëvetësishëm, do të garojnë vetëm për ngjyrat e Kosovës, të japin këtë përgjigje: Do të garojmë e përfaqësojmë edhe Shqipërinë, edhe Kosovën. Ja pra përse ata pesë tetëmbëdhjetëvjeçarë e kishin për zemër dyfjalëshin “shqiptar i vërtetë”. E kishin fjalën për bashkimin e madh shpirtëror, duke qënë gjithsecili vend shtet më vete.
Kjo ishte “paketa” e tyre. Dhe ka për të fituar.


Ylli Polovina


















Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com