Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

18 shkurti si provim i veshtire

“Korrieri”, 10 shkurt 2007

Fushatat zgjedhore nuk janë periudhat më të mira për të nxjerrë një opinion sa më real mbi klasën politike. Në kësi rastesh ajo është e futur në një situatë të veçantë të jetës së saj, ku ka me bollëk adrenalinë agresiviteti, manie për të prodhuar zhurrmë, pasioni për t’u dukur gjithsecili më i mirë se tjetri, kuturisja për të premtuar të parealizueshmet, kënaqësia për të sajuar të pavërteta, lehtësia për të bërë gafa nga më të hatashmet. E mira do të ishte që pikërisht në periudha fushatash elektorale politikanët të dëshmonin të kundërtën e asaj që u duket. Në fund të fundit në periudhat “e qeta” pa zgjedhje të afërta ata stërviten pikërisht për të shkëlqyer maturi në çastet e mpikut të konkurimit. Mirëpo në shoqërinë tonë me demokraci fillestare akoma shpresohet të mblidhen vota dhe konsensus me pak program dhe shumë teknologji trullosjeje e jo kthjellim të mendjeve.
Duke e dëshiruar që fushatat zgjedhore të përhapnin mes shoqërisë shqiptare gjendjen e normalitetit, qetësinë shpirtërore, besimin dhe sigurinë për të ardhmen, një tension i natyrshëm garues do të depërtonte te njerëzit e thjeshtë, te votuesit dhe jovotuesit. Të vjen keq që ky tension i shkarkuar nga shumica e klasës sonë politike mbi shoqërinë tonë edhe njëherë tjetër dëshmoi se akoma gjendemi në buzë të të padëgjuarës. Pak ditë më parë një njeri nga ata që kanë mend dhe e zotërojnë arsyen bëri pyetjen “Do të ndodhë ndonjë trazirë?” E kishte fjalën për turbullim rendi publik në ndonjë qendër votimi apo edhe ndonjë për shfaqje të veçuar dhune. Një vit e gjysëm më parë u vra me armë një komisioner republikan edhe pse përgjithësisht zgjedhjet u vlerësuan ndërkombëtarisht dhe ishin pozitive. Ndërkohë një publicist i njohur si shbirrues gjakftohtë jo shumë ditë të shkuara botonte një shkrim, në të cilin besonte se në mbrëmjen e 3 korrikut 2005 në një qytet në fashën e madhe të banuar mes Tiranës dhe Durrësit kishte patur një çast kur ishin bërë gati për përleshje dy grupe të armatosura të dy kandidatëve rivalë për deputet. Publicisti shprehej i gëzuar që më në fund njeri nga politikanët konkurues ishte tërhequr dhe kështu nuk kishte ngjarë hapja e zjarrit të kryqëzuar si edhe imazhi tronditës nga Shqipëria nuk pati marrë udhët e botës. Çuditërisht ai përgjërohej që një shembull i tillë të ndodhte edhe në Tiranë, ku më 18 shkurt njeri nga dy kandidatët për kryetar bashkie të mos hezitonte të hapte rrugë. Nënteksti ishte psikozë. Ishte merak se mos nëpër natën e së dielës do të bënin hije edhe silhuetat e dy grupeve të armatosura të palëve rivale bash mu në mes të kryeqytetit tonë.
Në të vërtetë psikoza e rrezikut të dhunës rri pezull që nga fillimi i dekadës së fundit, e ndërprerë më në fund si realitet në fund të vitit 1998. Edhe pse ajo nuk ka ndodhur kurrë më pas, ende trazon me kujtimin e saj të keq edhe 18 shkurtin e vitit 2007. Nuk ka asnjë dyshim që këtë të dielë nuk ka për të ngjarë asgjë që kupton e nënkupton përdorim dhune. Politika shqiptare tashmë nuk e do dhe as e preferon këtë mënyrë të marrjes së votës. Në rast se bëhet fjalë për shpërdorime të kësaj vote vitet e pluralizmit kanë dhënë “përvojë” për mënyra përherë e më të sofistikuara. Nuk është çështja vetëm te “blerja” e komisionerëve apo te manipulimi elektronik. Nuk ndodh rrallë që nga një kompjuter në një shtëpi në fund të Afrikës të vjedhësh një bankë në mes të Nju Jorkut. Kush e ka vesin e vjedhjes e gjen vetë mënyrën më të mirë. Duket nuk e kanë kuptuar këtë zhvillim të ri ata që në një zonë zgjedhore u rrëmbyen nga psikoza e përdhunimit të votimeve nëpërmjet nxjerrjes nga zyra të një kompjuteri të tërë, futja në një makinë dhe transportimi i tij për diku. Por gjithçka ishte moskuptim që në çastin e parë, sepse për t’i manipuluar rezultatet me tre apo katër përqind, sa edhe kësaj rradhe është marzhi i diferencimit për të dalë fitues, nuk është aspak e nevojshme të ngresh në mënyrë groteske kompjuterin në krah. Bëhet pa lëvizur ai nga vendi asnjë centimetër më tej.
Në rast se psikoza e dhunës duhet të tejkalohet, sepse është e pamundur edhe sikur t’u krisë në kokë ndonjë klani apo qendre antishqiptare përreth kufijve tanë, ajo e mosbesimit reciprok kësaj rradhe ka marrë përmasa të pashoqe. Tanimë nuk kërkohet të kontrollohen vetëm llojet e çertifikatave, firma që do të prodhojë fletët e votimit, por deri edhe te boja e gishtit. Flitet që do t’u hiqen edhe celularët anëtarëve të komisionit, sepse dyshohet që me ata telefona të lëvizshëm do të kombinohen e koordinohen manipulime të rezultateve zgjedhore. Duket fare e pabesueshme por me sa shihet do të ngjajë edhe një kulmim i mosbesimit mes klasës sonë politike: gazetat thonë se rozët kanë porositur 150 mijë dollarë mikrokamera për të vëzhguar e regjistruar çfarë realisht do të ndodhë më 18 shkurt në qendrat e votimit.
Tani duket sikur është gjysma e popullit që ruan gjysmën tjetër. Një shoqëri e tillë, po të ishte kjo një e vërtetë, është në sëmundshmëri e kolaps moral të rendë. Porse kjo psikozë vjedhjeje nuk mund dot t’i faturohet si përgjegjësi një populli të tërë. Ka të meta që një individ i merr në gen nga shoqëria ku jeton, ka vese që mbi shoqëri i përhap një individ me fuqi e pushtet të madh ndikues apo edhe një grup i tyre. Prej klasës sonë aktive politike shqiptarët kanë mësuar marrjen pjesë përherë e më mënçurisht në ndërtimin e një shoqërie sa më të lirë. Veç prej grupeve të veçanta të saj vijnë edhe mbrapshti e modele sjelljeje dhe veprimi që nuk duhen ndjekur. Kjo që po ndodh aktualisht, përhapja masive e psikozës së vjedhjes së mundshme të votës, është një kundërkulturë që urojmë të refuzohet sa më shumë dhe sa më shpejt nga gjenerata e re.
“Frika ruan vreshtin” thotë një fjalë e urtë. Mbase e gjithë kjo psikozë cubërie jep më 18 mars edhe një rezultat pozitiv: do të ketë shumë më pak se më parë vjedhës votash. Mund t’i gëzohemi kësaj? Për një ditë edhe mundet, por e keqja do të na mbesë Brenda vetes, më e fortë se kurrë. Vetëm te ne në Shqipëri inteligjenca njerëzore dhe forca e dinakërisë konsumohen njëzetë e katër orë për njëzetë e katër për të përcaktuar stinën, muajin dhe datën e zgjedhjeve. Strategët partiakë përcaktojnë në cilën orë do të mbyllen kutitë e vetë qendrat e votimit, ku do të jenë vendosur në terrenin e ndikimit të njëanshëm partiak këto të fundit, si do të ndryshojë edhe njëherë tjetër harta e ndarjes territoriale e bashkive dhe zonave elektorale, ku do të rrinë policët, çfarë pozicioni do të kenë tavolinat, kabinat e votimit, komisionerët, vëzhguesit, kush do të jetë te dera, cili te kutia, e kujt makina që do të transportojë proçesverbalet apo kutitë e mbushura me vota, cilët do të jenë shoqëruesit, çdo të ndodhë me ikjen dhe ardhjen e korentit, rënien e shiut, borën apo fryrjen e murlanit….
Si edhe më parë kësaj here ka tre muaj që energjitë e pjesës më të madhe të klasës sonë politike u harrxhuan në këtë luftë për të organizuar apo parandaluar rrezikun e vjedhjes së votës. Jo në zemër të eurokontinentit që nuk mund të besohet, por në asnjë nga vendet fqinj në gadishullin tonë nuk ka ndodhur të harrxhohet qoftë edhe një minutë për procedurat e zgjedhjeve. Ato janë rregulla të fiksuara njëherë e përgjithmonë dhe as mundohen të intrigojnë në vjedhje kutish. Intrigat i konsumojnë në lojën e garën politike me rivalët dhe shpesh ato janë fort të pacipa. Në Shqipëri, ku politikanët tanë si individë e formim intelektual nuk bjenë aspak më poshtë se të paktën homologët e pjesës ish-komuniste të eurokontinentit, ndodh që kapet veshi i majtë me dorën e djathtë. Disa prej tyre i kanë sytë vetëm te kutia.
Kjo psikozë vjedhjeje që ka zëvendësuar atë të kanosjes së dhunës bën përgjegjësen kryesore elitën tonë partiake. Atje gjenden fajtorët. Ndërkohë besojmë se atje, mes politikanëve tanë, janë edhe çliruesit nga kjo psikozë. Tetëmbëdhjetë shkurti, po të mos lërë nga pas ndonjë hije shpërdorimi votash, mund të shenojë kthesën. Siç ngadalë po zbojmë nga shoqëria jonë psikozën e përdorimit të dhunës, do të gjejmë te këta politikanë bashkëpunimin për të larguar pak nga pak edhe psikozën e vjedhjes së votës.
Tetëmbëdhjetë shkurti ngjan me tetëmbëdhjetëvjeçarët. Janë maturantë në shkolla, por edhe në jetë kanë më në fund moshën e pavarësimit nga prindërit. Siç këta të rinj japin njëherësh dy provime, një të tillë mund ta japë kësaj rradhe edhe klasa jonë politike.
Besojmë se do të ndodhë kështu, do të fillojë ndryshimi.
Në rast se “provimin” e pjekurisë klasa jonë politike e ka lënë për legjislaturën e ardhshme apo pak më vonë, do të ishte mjaft e dobishme të bënim një provë të tillë. Në zgjedhjet e ardhshme të konsiderojmë moshë të ligjshme për të votuar, formuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe ato zonalë, vetë komisionerët, jo ata që janë mbi tetëmbëdhjetë vjeç, por ata nën këtë moshë. Kufiri le të shkojë deri te fëmija e klasës së parë fillore.
Të jeni të sigurtë se pas këtyre votimeve më në fund do të mbërrijmë standartin që na kërkon BE: zgjedhjet më të lira dhe më të ndershme në historinë tonë.


Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com