Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Mosrrofte revolucioni!

Korrieri, 10 prill 2007

Jo çdo popull di të bëjë revolucion ose e kryen atë njëlloj si të tjerët. Kur ky revolucion është social, pra një përmbysje sistemi, ka ndodhur që francezët me revolucionin e tyre borgjez t’i hapnin rrugë zhvillimit dhe rusët më 1917 kthimit mbrapa. Për shkak të një morie të tërë faktorësh, mes të cilëve kryesori ai i nivelit të qytetërimit, shqiptarët kanë bërë shumë luftra çlirimtare, por revolucion social vetëm një: atë të dhjetorit 1990. I quajturi revolucion i qershorit 1924 ka mbi ball më shumë një emërtim të sforcuar politik se sa një realitet. Ishte në thelb një luftë për pushtet me përdorim force. Vëllamë i tij ishte edhe ai i kryer nga Ahmet Zogu. Përmbysja bolshevike e vitit 1944 nuk kishte pothuaj asnjë element të qënësishëm revolucioni social. Në rast se kishte një pamje maska e tij ishte e një kundërrevolucioni. Ky kundërzhvillim u fsheh dhe u piratua nëpërmjet njërës nga ngjarjet më rrezëllimtare të historisë sonë: luftës çlirimtare kundër fashizmit.
E bëmë këtë hyrje sadopak shpjeguese jo për të dëshmuar se ne shqiptarët nuk kemi aq shpirt revolucionar sa edhe mjaft popujt të tjerë, por sepse tashmë duhet thënë “Shumë mirë që nuk e kemi më këtë shpirt përmbysës!” Revolucioni ynë u bë në dhjetor 1990 dhe prej këtij çasti vetëm revolucion, por as metoda revolucionare nuk na duhet më. Kur në gjuhë të disa përfaqësuesve të politikës deri ca kohë më parë hynte dhe dilte termi kërcitës “revolucion i trendafiltë”, model ukrainas apo gjeorgjanas, nuk ishte veç projekt kamuflimi më i butë i një tentative force për marrje pushteti.
Tani që Shqipëria përfundoi zgjedhjet lokale të 18 shkurtit, edhe pse me çudinë e saj pa akoma rezultatet zyrtare, tërthorazi jemi rindeshur me mendësinë e “revolucionit”. Tani nuk bëhet fjalë për modele që i kemi parë më dukshëm në vitet 1997 apo 1998 apo në forma me të skithta më parë a më pas. Përshembëll teknikat e manipulimeve të rezultateve zgjedhore dhe të shndërruarit në dhjetë përqind kur je vetëm pesë e në pesë ku je hiç nuk janë gjë tjetër veç forma të revolucionit bolshevik. Mirëpo rezultatet e votimeve të 3 korrikut 2005 dhe ato të dy muajve më pas, me korektesën e tyre relative, i dhanë një goditje psikologjisë së frymës revolucionare, duke e kaluar edhe më fort shoqërinë tonë në kursin e shndërrimit evolucionar. Kjo do të thotë se një parti apo bashkim i tyre që rezulton në shumicë nuk vjen në pushtet, por në qeverisje. Pra nuk merr të gjithën, por pjesën e vet. Raportet mes këtyre dy koncepteve, duke i përzjerë pa dashje e jo rrallë ngatërruar qëllimisht, kanë qënë një nga dëshmitë se si ne shqiptarët deri tani kemi zëvendësuar evolucionin me revolucionin. Apo kemi gatuar një sallatë të tyre. Në një vend normal në pushtet është vetëm populli, i cili me të drejtën ekskluzive të votës cakton administratorët e përkohshëm të punëve të veta (por jo administratorët e jetës së tij). Pikërisht e drejta e administrimit të efektshëm të punëve të popullit ka të bëjë me nevojën për ta rinovuar funksionimin e Shqipërisë dhe të shoqërisë së saj. Rinovimi i përhershëm, modernizimi apo ecja me kohën, kryhen vetëm nëpërmjet reformave. Mirëpo janë pikërisht reformat ato që nuk po na ecin. Janë këto motorra zhvillimi që nuk po ndizen. Ose që sa ndizen shuhen. Kjo ndodh sepse si dikur me fjalën “revizionist”, sot veshim çdo gjë me emërtimin “reformë”.
Vëzhgoheni lojën politike! Sot hidhen ide që nga parlamenti dydhomësh e deri tek urgjenca e reformës zgjedhore. Po të dëgjosh Sabri Godon, inkurajuesin e legjislativit dydhomësh, si edhe kundërshtuesit e tij, dallon qartë se kemi të bëjmë me projektin e një reforme të vërtetë të institucionit numër një të Shqipërisë, Kuvendit. Kur dëgjon disa të tjerë, të cilët tashmë janë shumuar, të cilët thonë se “do të kryejmë reformën zgjedhore” dhe me këtë rast vënë në dukje që ajo të jetë e llojit proporcional, mazhoritar apo i përzjerë, kupton menjëherë se, ashtu siç e mendojnë, vetëm reformë e vërtetë nuk është. Eshtë ndryshim patjetër, por jo reformë. Proporcional, mazhoritar apo miks ky është një mekanizëm rutinë i përshtatjes së interesave partiake me zhvillimet e elektoratit. Vetëm kaq. Që kjo “reformë” të ketë vlerë reformimi duhet sipërmarrë si një kompleks i të gjithë infrastrukturës mendësore dhe teknike, ku përfshihen që nga kartat e identitetit, te regjistri themeltar elektronik e deri te komisionet zgjedhore pa mujsharë partiakë, por vetëm me teknicienë. Dhe vërtet kjo gjë bëhet për dy-tre muaj, para apo pas zgjedhjes së Presidentit të ri?
Te ne duke qënë se në treg gjen edhe speca e domate, tranguj e rrush të thatë, ndërtohen pallate e rrugët janë të mbushura gjer në fyt me makina, shkohet në verë në plazh e në dimër luhet domino a tavëll, shumëve u lihet përshtypja se duhet të ketë energji dhe ujë të pandërprerë, mundësisht edhe liberalizim të vizave dhe...ç’duhet më tepër (!?). Mirëpo as korenti njëzetë e katërorësh dhe as uji i rrjedhshëm përditshëm, as edhe vizat hyrëse në Perëndim nuk realizohen pa bërë reformat e vërteta. Si mund të besohet se punët janë aq të thjeshta sa të pranohet e stërthëna “do të kemi energji elektrike brenda këtij viti”? Sapo deklarohet kështu një gjë është e qartë si drita e diellit: nuk do të ketë reformim të vërtetë të sistemit tonë energjetik.
Në shoqërinë shqiptare këto reforma të vërteta (përshembëll të gjitha llojet e shërbimeve, duke filluar nga ai shendetësor që vijon i patrazuar të jetë në krizë të plotë e deri tek ai i kaosit të vazhduar urban me qytete pa lagje dhe shtëpi pa numura) rezultojnë aq të ndërlikuara sa i vetëm asnjë nuk mund t’i kryejë. Po ashtu nuk mund t’i realizojnë as vetëm të gjitha partitë sëbashku pa bashkëpunim me elitat kombëtare dhe vetë shoqërinë. Edhe pse deri tani disa pak minireforma kanë lëvizur nga vendi në të dy legjislaturat e pas vitit traumatik dhe “revolucionar” 1997 opozita ose është përjashtuar e shmangur, ose e ka mobilizuar veten fare pak. Kjo ka ndodhur jo vetëm për arsyen e keqkuptuar se kush merr shumicën e votës popullore duhet të përgjigjet për të gjitha dhe në këtë mbingarkesë të thyejë qafën, por edhe sepse kështu besohet sinqerisht. Nuk ka patur vetëm luftë për të vënë nën kontrollin partiak apo të një individi të gjitha autoritetet e tjera, por edhe “frymë revolucionare” se një person apo një parti e koalicion i tyre i ka të gjitha cilësitë e vullnetin, energjinë dhe inteligjencën për ta reformuar të gjithë shoqërinë shqiptare. Ky është një iluzion. Do ta vazhdojmë këtë vetëgënjim?
Një dyzinë ditësh më parë ndodhi që njeriu i parë i opozitës bëri publike një ofertë për të bashkëpunuar me pozitën për të gjitha reformat e bllokuara apo që po shtyhen me gjoja. Ai përcaktoi disa nga ato drejtime, ku shoqëria shqiptare duhet jo të revolucionarizohet, por të evoluojë natyrshëm dhe me ritëm të shpejtë. Numuri një i shumicës e pranoi gatishmërinë e përfaqësuesit politik të gjysmës së elektoratit, sepse edhe ai i njeh ato dhe nuk është se dëgjoi ndonjë gjë të re. Në përgjigje bëri vetëm (kush e di përse nuk e shmangu) një ironi për teknikën e shpalljes së ofertës opozitare nëpërmjet një letre. Disa ditë më pas, ndërsa opinioni liberal i vendit priste që të niste puna konkrete për këtë aleancë trasversale të të gjitha partive për të rënë dakort e kryer me vullnet të përbashkët të gjitha reformat kyçe të vendit, nga numuri një i opozitës rrodhi nëpër eter kushti se me që nuk po bihej dakort në rendin e ditës mbetej trysnia për zgjedhje të parakohshme. Kështu gjithçka bëri rrotullimin tonë tipik, atë në vend.
Ndërkohë kishte ndodhur edhe një ngjarje tjetër. Në një televizion shumë të ndjekur, në Top Channel, u ballafaquan tre drejtorë të Koorporatës Energjetike të Shqipërisë. Aktuali, Gjergji Bojaxhi, dhe dy nga paraardhësit, Andis Harasani dhe Dritan Prifti. Kush e ka ndjekur atë debat nuk mund të mos vinte re se megjithë që vinin nga parti shumë rivale dhe dy rozët madje janë edhe politikanë aktivë, inteligjenca dhe mirëkuptimi teknik i të treve ishte shkëlqimtar. Nuk kanë qënë një apo dy vetë që atë mbrëmje kanë shprehur entuziazmin se sa mirë do të ishte të bashkëpunonin që të tre. Duke mos e lënë këtë ide të bjerë në nivelin e një keqkuptimi saktësojmë se e drejta për ta administruar dhe përgjegjësia për KESH-in është e atij ekipi, i cili është në qeveri. Kumti i mrekullisë që tre drejtorët e KESH-it përcollën në opinion ishte se tanimë ekzistojnë të gjitha kapacitetet për të kryer madhoren, reformën e vërtetë të sistemit energjetik. Kjo mungesë e ka shndërruar energjinë elektrike jo në pengues të zhvillimit tonë, por deri në atentator të tij. Sepse po u besua “revolucionarisht” se gjithçka zgjidhet me patjetër heqje e vënie individësh do të ndodhë ajo që ngjau me KESH-in disa kohë më parë: larguan qindra e qindra punonjës dhe Koorporata gjithsesi shkoi në buzë të krizës.
Pas këtij tetëmbëdhjetë shkurti e dëshmie të qartë se shqiptarët duan ekuilibër politik asnjë mbipushtet nga parti dhe individë të veçantë nuk autorizon statusin për të realizuar të vetëm reformat e vërteta të shoqërisë e vendit tonë. Nën siglën e eurointegrimit këtë gjë mund ta nisin e çojnë deri në fund, të patrazuar nga ndërrimet qeveritare, vetëm grupe të posaçme bashkëpunimi elitar e gjithpartiak. Ndryshe nga disa analiza që pas zgjedhjeve të fundit janë përpunuar në zyra partiake dhe nga shenjat e para rezultojnë se ata që u besojnë po vetrrokullisen drejt shtigjeve të mbyllur, me një vetëdijë të bukur, të cilën mund ta kenë vetëm popujt që kanë vuajtur diktatura të gjata, shqiptarët janë bërë gati për reformimin e vërtetë. Po presin.


Ylli Polovina




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com