|
Foto: Kjo kopertine e dhimbshme libri. | Shteti kundër
Libri u botua nga Albin, me 1996
(Fragmente)
PER NJE “SQARIM”
Ditën e hënë, më 26 shkurt, isha mësues dezhurn. Këtë shërbim do ta kryeja gjatë gjithë javës. Duhej të kishte qënë rreth orës dymbëdhjetë e gjysëm, kur hyj në minilaboratorin e biologjisë, një dhomë e vogël, ku rrija më shpesh për të korigjuar hartimet apo medituar. Në sallën e mësuesve gjithnjë pihej duhan, ja pse më duhej të zgjidhja ecejaket në hollin e ftohtë ose këtë dhomë të heshtur. Më vonë do të merrja vesh se drejtorit të shkollës kjo gjë nuk i kishte pëlqyer fort.
Në minilaborator ishin tre kolegë dhe sekretarja, në të vërtetë miq të mi. Sapo kisha hyrë, kur dikush prej tyre foli se në Tiranë kishte plasur një bombë. Bombë? Kisha nxjerrë një zë të sunduar nga alarmi e që tërhoqi vëmendjen e tyre. Nga e dëgjuat? Na tha një nxënës, erdhi përgjigja, por aspak në tonet e zërit tim. U përmend edhe emri i një nxënëseje të vitit të tretë që u kish thënë se kishte parë në TVSH presidentin Berisha në vendngjarjen e krimit. Megjithatë, në atmosferën e asaj bisede ndjeva se kishte edhe mjaft dyshime për vërtetësinë e ndodhisë. Provova një lloj qetësimi. Mos qoftë e vërtetë, shqiptova. Në ka ndodhur gjë do të politizohet shumë.
Kristofor Bushi, kolegu im i biologjisë, u kthye vrrik nga unë dhe më pa me sytë të tejhapur nga habia: Ç’lidhje ka kjo me politikën? Nuk iu përgjigja. Fori, siç edhe e thërrisnim intimisht, ishte një dëshmitar pasionant i sektit të Jehovait dhe politika për të ishte një gjë që ndodhte në ndonjë planet të largët të kozmosit, por kurrë në Shqipëri dhe në botë.
Më pas biseda hyri në rutinë, në mbarim të gjashtë orëve grumbullova të tetëmbëdhjetë regjistrat e shkollës, i dorëzova në sekretari dhe bashkë me dy maturante që i ushtroj për gazetari, dola. Në udhëkryqin e parë u ndava me to dhe ndoqa rrugicën, sepse ajo më nxirrte më lehtë në tregtoren ambulante të lagjes. Ishte një rregull imi i vjetër, sepse çdo ditë duhej të bëja edhe pazarin për familjen. Tek sa u ktheva në brylin e sokakut (kështu i quajmë në Berat këto rrugica të shtruara me kalldrëm) syri më zuri si në flu një veturë të murrme, me një targë të verdhë shtetërore e me një djalë shtatlartë që rrinte në kembë tek dera e saj gjysmë e hapur.
Natyrisht nxitoja. Atë pasdite, përveç shumë orëve që më duhej të punoja për hobinë time të gazetarit, kisha ftuar për në orën pesëmbëdhjetë e tridhjetë, në një drekë, dhendërin tim Ardin dhe të vëllanë e tij, kthyer një ditë më parë nga Italia, ku punonte si emigrant. Madje ai të nesërmen në mëngjez edhe do të rikthehej sërish në gadishullin fqinj, në Komo, ku edhe jetonte.
Në kthimin e nxituar për në shtëpi u ktheva një çast tek një miku im i vjetër (Tefik Molishti), për të cilin sapo mora vesh se ishte i sëmurë me grip, bëra një pazar të thjeshtë dhe rreth orës 14.30 duhet të kem qënë në shtëpi. E kisha harruar ngjarjen e ndodhur në Tiranë dhe vetëm mania ime e vjetër, tek pashë në kuzhinë aparatin e televizorit, më bëri ta risillja në kujtesë. E pyeta vajzën e madhe nëse kishte dëgjuar për një bombë të plasur në Tiranë. M’u përgjegj se diçka të tillë e kishte thënë një shoqja e tyre në klasë. Atëhere kaloj kanalin televiziv nga MCM (që preferojnë vazhdimisht të dy vajzat e mia) tek RAI. Kontrolloj menjëherë teletekstin dhe vërtet, ajo që nuk e besoja, kishte ngjarë. Videoteleteksti italian shenonte orën 11.10 dhe menjëherë sqaronte se një autobombë kishte shpërthyer në kryeqytetin shqiptar, se kishte të vrarë e të plagosur, se krimi kishte ndodhur para një tregëtoreje të madhe të firmës shumë të lulëzuar “Vefa” dhe se presidenti shqiptar Berisha kishte bërë për këtë gjë përgjegjës ish-policinë sekrete të regjimit komunist.
Por isha i lodhur. Zakoni im skrupuloz ishte që menjëherë ngjarjen ta fiksoja në ditarin politik, veç kjo gjë nuk ndodhi. Kisha vetëm tyre ditë që isha kthyer në shkollë, pas një të ftohti të rendë që më kish prekur të dy bazat e mushkrive. Dhjetë ditë kisha qënë në shtrat me kura intensive.
Deri sa të vinte ora e drekës me të ftuarit duheshin vetëm tridhjetë e pesë minuta. I thashë vajzës së madhe të më ngrinte nga shtrati kur të vinin ardhësit dhe shumë shpejt më koti ai gjumë i trazuar nga pafuqia dhe stresi. Në çastin kur ai po më mundëte, ndjeva zërin e vajzës që po më thirriste: Babi, të kërkojnë dy njerëz! Iu ankova, si rendom ata që zgjohen dhunshëm nga gjumi, se përse më ngrinte. Janë dy njerëz si në moshën e xhaxhi Mozit! Vëllait tim të vogël, ajo më foli me të butë e disi për të justifikuar ngritjen. Ashtu siç isha, dal në korridor e i afrohem derës paksa të lënë hapur. Mendova se do të ishin prindër nxënësish ose ndonjë që dëshironte të publikohej në shtyp hall apo padrejtësi.
Pas derës vërtet rrinin dy njerëz, njëri djalë i ri, tjetri rreth të tridhjetë e pesave. Tek i pari më bëri përshtypje një xhakaventë e zezë e tek tjetri fytyra e rrumbullakët. I riu kishte një vështrim të pafajshëm e i vjetri të squllët e gati të pakuptimtë.
-Ju kërkojnë në Policinë Kriminale për një sqarim të vogël-tha xhakaventua.
-Kush jeni ju?
Vala e alarmit më kishte goditur në gjoks dhe përgjumja tashmë nuk ekzistonte më.
-Jemi Policia Kriminale dhe ju kërkojmë në komisariat për një sqarim-përsëriti i riu.
Alarmi më ishte kthyer në zëmërim.
-E di unë “sqarimin” tuaj-iu përgjigja-Më pritni se erdha!
Hyra në shtëpi dhe vesha pantallonat xhins. Në sirtarin e komodinës time, në dhomën e gjumit, mora një pako aspirina dhe një banknotë dyqindlekëshe. “Mos u vononi!” më kishte thënë një çast xhakaventua, siç duket eprori i fytyrërrumbullakëtit. Në ato dy-tre minuta të shpejta vajza e madhe, e ngrirë në korridor, tashmë ishte zhdukur. Ndoshta ishte në kuzhinë, ku duhej të ishte edhe e vogla. Tek vishja këpucët sportive, në derë u dha ime shoqe. Ishte kthyer nga puna. Po u thoshte dy civilëve të policisë të hynin brenda e të pinin një kafe. Ishte krejtësisht e zbehtë në fytyrë. Ata refuzuan dhe unë, në korridor, kur ajo më pyeti se cilët ishin ata, ia ktheva vrulltaz: Janë të Policisë Kriminale. Ajo u trondit dhe më pyeti se çfarë donin.
Thashë: Nuk e di, por ndërkohë silhueta e gërmave të një artikulli të botuar muaj më parë në gazetën “Populli PO”, më kishte pushtuar ankthshëm trurin. Kjo thirrje nuk më ndjell për mirë, i thashë gruas. Hiç p[r mirë, përsërita automatikisht e pavullnetshëm. Në rast se unë nuk kthehem pas një ore, atëhere në numuratorin telefonik ke adresat fonike të të gjithë gazetave dhe lajmëroi menjëherë.
Jam gati, u thashë dy kobndjellësve dhe dola në shkallë. Gruaja m’u lëshua në trup dhe më kapi fort, që të mos më linte. Unë ja hoqa duart dhe i thashë të mos bëhej merak. Mbaj mend se shqiptova “Nuk mund të hahem me shtetin”. Më duket se ajo iu drejtua thekshëm dy civilëve nëse kishin ndonjë dokument nga prokurori për të më marrë. Xakaventua përsëriti formulën abusive se më thërritnin në komisariat vetëm për një “sqarim” dhe asgjë tjetër. Do të kthehesha.
Veç gruaja nuk u besonte më. Ajo m’u hodh me klithmë në trup e thirri: “Mos shko!” E kapa nga dy krahët dhe e shtyva në korridor. Pastaj mbylla fort derën, duke e lënë atë brenda. Nuk doja të na shihnim t’u luteshim.
Tashmë isha bërë gur. A ndoshta hekur. Më pak se pesë minuta kishin mjaftuar të mësohesha me këtë gjendje të re të jetës time....
.......................
Tregon vajza e vogël, Besiana
Në mëngjez u ngrita e trembur. Isha e sigurtë se kisha parë një ëndërr të keqe. Vrapova në dhomë për t’ja treguar babit, duke menduar se ishte një parashikim, por dhoma ishte krejt bosh. Kuptova gjithçka. U vesha shpejt e shpejt, mbusha çantën me libra dhe u nisa për në shkollë. Nuk doja që njerëzit të mendonin se kjo ngjarje do të na thyente. Rrugës eca me kokën lart, duke shikuar me përçmim ata që më njihnin dhe ulnin kokat.
Në shkollë pritja e ngrohtë e mësuesve më befasoi, por më shumë përshtypje më bëri mësuese Luçi. Ajo nuk më priti as sa të hyja në klasë. Me lot në sy filloi të më pyeste dhe të më jepte kurajë. Më tha se kisha bërë mirë që s’kisha munguar dhe se i gjithë Berati (e jo vetëm ajo) e dinte se kush ishte Ylli Polovina. Pastaj më puthi dhe më përqafoi, duke dhënë të fala për mamin.
Në klasë, sapo hyra, filluan debatet. Nga tridhjetë e pesë nxënës, vetëm dy veta m’u dukën dyshues: F.K. dhe R.Ç. Ata ishin të vetmit që nuk duartrokitën…..
Nga ditari i vajzës së madhe, Albanës
(27 shkurt, të nesërmen e ngjarjes)
Nuk duhej absolutisht të mungoja në shkollë. Ndaj në mëngjez u vesha dhe u nisa. Tek po më çonte Ardi me makinë, pashë se disa më dallonin që larg e kur afrohesha, ulnin kokat sikur s’më shihnin. Kish të tjerë që më ndiqnin veç me sy e nuk më përshendetnin edhe pse i salutoja, e kish të tjerë që salutonin pak (sa për të mos dalë bosh). Ata përshendetnin dhe ulnin kokat menjëherë që të mos i shihte njeri. I thashë vetes “E, Alba, u bëre kulake tani!”
Sapo vajta në klasë pashë se ajo ishte ndarë në dy grupe. I pari prej dy vetësh dhe i dyti 29 vetësh. Grupi i parë, ose më saktë një nga vajzat, po thosh se njeriu nuk njihet menjëherë,se babi i Albës ka bërë diçka që e morën brenda. Dhe gurpi i dytë po i mbyste në llafe, duke thënë se Ylli Polovinën e njeh gjithë Berati e veç ajo s’e paska njohur....
.................
Nga rrëfimi i gruas
Në orën 13 të së martës u bëra gati të ikja me autobuz, por ndërkohë erdhi Mozi, vëllai i vogël i Yllit, Çimi, vëllai pas tij, Dragush Polovina (kushëriri i parë) dhe me veturën e Arturit u nisëm për në Tiranë. Në orën 17.00 në komisariatin e policisë nr. 3 Ylli nuk fuguronte i regjistruar. Me mendimin se mos kishin gabuar në leximin e emrave, u kthyem të nesërmen në mëngjez. Asgjë. Asgjë të martën, asgjë edhe të mërkurën në mëngjez. Nuk na besohej. U kthyem në komisariat në drekë. Nisi rileximi i regjistrit. Më në fund polici ngriti supet “Më vjen keq, pse mos të tregoj, e kam për detyrë”.
Nga ditari i Albanës
(29 shkurt)
Benzi “Policia 200” vazhdon të vërtitet rreth pallateve dhe Benzi i bardhë me targa shtetërore është pothuajse tërë kohën tek sheshi para se të vesh në gjimnaz.
Rastësi?
Jo. S’është e mundur.
S’ka kuptim përse na ndjekin, ç’kemi bërë ose më saktë ç’ka bërë babi që të meritojë këtë?
Një grua dibrane mes njerëzve tha: S’kanë ç’t’i bëjnë! Ylli është avokat i vetes, por jeta qenka një prostitutë!
.........
Lirimi
(Tiranë).
Befas ra dera. Vrapova për ta hapur dhe para meje u shfaq xhaxhi Loli.
-Ta liruan babin!-thërriti ai-Shpejt se po vjen!”-dhe me vrull të madh rendi drejt aneksit. Mua s’më besohej.
Në atë çast u hap dera dhe një burrë i gjatë hyri brenda. Ishte daj Fredi. “E ke poshtë!” ma bëri me kokë ai.
“Fluturova” jashtë derës dhe para meje u shfaq imazhi aq i dashur. Humba në një përqafim të pafund dhe ishte pikërisht në atë çast, që i premtova vetes se do të bëhesha avokate.
Besiana
...Mirënjohje për të gjithë ata gazetarë që i njihja me emër e mbiemër, por nuk i njihja si persona. Për një javë tashmë i njoha siç njihet motra, vëllai, me emër, pa mbiemër.
Mirënjohje për të gjithë ata gazetarë nëpër botë që çanë terrin e indiferencës. Tashmë provova që Shqipëria po hyn në Evropë. Jo zyrtarisht, realisht.
Mirënjohje veçanërisht zonjës Helenë, gazetare e Artikullit 19! Tepër e vëmendshme, kurajoze dhe e çiltër. Do të desha t’i kërkoj falje si shqiptare, jo për fajin tim, për fajin e ndonjë “gazetari” jo të pavarur, i cili gëzohej se u arrestua një koleg. Do të desha t’i kërkoj falje edhe për faktin se në Shqipëri ende nuk janë mësuar të japë mend një grua, sado e mënçur qoftë!
V.O.
Gazetarët vendas nuk i permend me emra jo se i harroj, por sepse nuk më është larguar stresi se janë në rrezik në çdo moment.
Bardha
...Sikur atë ditë “shpresa” të merrte përmasa reale, do të ishte ndërtuar një univers i dytë. Kish veç telefonata që shpresonin, njerëz që shpresonin, ne të shtëpisë që shpresonim. Ardi që shpresonte mbi të gjithë dhe Zoti që shpresonte, pasi në atë absurditet as ai vetë nuk kishte fuqi. Kisha shumë frikë atë ditë. Gjendja e arrestit, që i vendosën babit më 2 mars, mund të ish veç fillimi i një rruge të errët e me kthesa, por shpresoja, Nuk dija saktësisht nëse gjyqi fillonte në orën 10 a në 11.00, por unë mbarova punët dhe përpiqesha të imagjinoja gjyqin. Në ato momente halla Rina më kishte thënë se atë natë, duke u gdhirë 12 marsi, kisha folur në gjumë “Liroheni, liroheni! S’ka faj! S’ka bërë gjë! Liroheni!”
Mundohesha të isha në rolin e avokatit, në rolin e gjykatësit e mbi të gjitha në rolin e babit. Isha shumë e tensionuar, prandaj rreth orës 12.00 Ardi më propozoi të dilnim xhiro që të hiqja mendjen. U kthyem rreth orës 14.15. Sapo shtrova tavolinën e u ulëm të hanim, ra zilja e telefonit. Më ngeci buka në fyt. Kjo telefonatë do të vendosë gjithçka. Mora frymë thellë e me zemër të ngrirë e ngrita receptorin. Sapo fola dallova zërin e mamit që tha :“Alba, u lirua!”
Unë kërceva përpjetë nga gëzimi e nisa të bërtisja. E pyesja për gjithçka në lidhje me babin e ajo më tha se rreth orës shtatë të mbrëmjes duhet të ishin në Berat. Më pas telefonin e mori Ardi, i cili po fluturonte nga gëzimi e i thosh mamit: Mos më gënje, betohu!
Megjithë porosinë e mamit që të mos bëja si e shkalluar, sapo dola tek dera e pashë Irenën (komshien), e cila kishte dëgjuar ulërimat e mia e më pyeti: Ç’kishe?!
Unë i bërtita: U lirua, moj, u lirua!
U shkrehëm të dyja në vaj dhe veç qanim e putheshim. Pastaj lajmëruam prindërit e Ardit, që u prekën e nisën të lotonin, lajmërova gjyshin, që s’e besonte e veç qante, lajmërova halla Rinën, që shkuli shkallën me ulërima. Në atë moment e kuptova se fjala shpresë kishte marrë përmasa reale.
Pastaj erdhi ora shtatë, kur ndjeva hapat e Besit. Fluturova drejt derës, duke lënë pas ata dhjetra njerës, që kishin ardhur për babin. Në derë doli Besi e gëzuar. Pa e puthur fare i thashë “Ku e ke, moj!?” Motra më tha: “Tek shkallët!” Dola nga dera me vrap dhe në errësirën e shkallës m’u shfaq babi. Në ato momente u hap dera e fqinjit dhe fytyrën e tij e zbuloi drita e neontë. M’u duk sikur ç’kaluan ish veç një ëndërr e keqe dhe babi e la pas atë errësirë, atë absurditet për të dalë në dritën, në jetën e vërtetë.
Iu hodha në krahë plot mall dhe nisa të qaja. Kur vendosa kokën time në krahërorin e tij, ndjeva atë ngrohtësi atërore, që s’mendoja se do ta zbuloja ndonjëherë. Shpatulla e tij të gjëra kërkonin të më mbronin, të më mbronin nga kjo botë mizore, ndërsa në sytë e tij të kaltër e të lotuar pashë të ardhmen. S’ngopesha duke e puthur e përqafuar. Ashtu siç nuk e kisha puthur e përqafuar për 16 vjet rresht.
Më në fund arrita të shpërthej malin e ankthit që kish lëshuar rrënjë në shpirtin tim.
Alba
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|