|
Shkelqimi dhe renia e nje kortezie politike
Dita, 16 qershor 2003
Më 12 qershor opinionin e stresuar nga ndeshja e egër politike në të quajturin Komisioni Hetimor Parlamentar AntiRama e befasoi prania e ish-Presidentit Sali Berisha në festën e 12 vjetorit të Partisë Socialiste. Këtë gjest të tij mirësjelljeje ai e kishte lajmëruar një ditë më parë, duke ua thenë gazetarëve në një nga konferencat e tij të shpeshta për shtyp, prej të cilave mbi horizontin e Shqipërisë në shumicën e rasteve bubullijnë vetëm fjalë të ashpëra kundër qeverisë dhe kryebashkiakut Rama. Madje lideri i pjesës më të madhe të opozitës, para se të kumtonte këtë veprim të bukur, i kishte shpallur betejë totale edhe Ilir Metës. Tamam kur dukej se ky front i tejgjerë i përplasjes njëherësh me tre më të fortët e socialistëve po ngrinte shkulm mbi kokat tona, Sali Berisha buzëqeshi disa here rradhas, kërkoi disa çaste fjalët e përshtatshme dhe më në fund njoftoi publikisht se nuk do ta refuzonte ftesën e ardhur nga PS për të marrë pjesë në përvjetorin e saj. Argumentimin e gjestit të tij, një lloj justifikimi edhe për anëtarësinë e partisë së tij, ishte “duhet respektuar pluralizmi”.
Kështu edhe vajti mes njerëzve që nuk u lë fjalë e akuzë pa u thënë. Ngjarja tërhoqi vëmendjen maksimale të medias, ato regjistruan çdo batutë që u tha përgjatë kortezisë së takimit me rivalin e tij Fatos Nano, njeriun nismëtar të kësaj kulture të re politike. Ishte ai i pari që mori pjesë në përvjetorin e trembëdhjetë të Partisë Demokratike. Madje në historinë e pluralizmit shqiptar janë socialistët nismëtarë të takimeve me konkurentët e tyre, në këtë kolanë i pari hyri Pandeli Majko.
Gjatë pjesëmarrjes së mirësjellshme të Sali Berishës mes Fatos Nanos dhe përfaqësuesve më të lartë të shumicës qeverisëse nuk u shfaq vetëm Edi Rama. Ky, po të ishte i pranishëm, do të kishte një rast të pazakonshëm dhe origjinal për publicitet, shumë më interesant se ai megafoni që nderi para mikrofonëve dhe kamerave në komisionin hetimor të qeverisur kundër tij nga një kryetar që në çdo tre fraza njera ishte “do të të fusim brenda ne burg”. Prania e Ramës në rrethin e atyre që në 12 vjetorin e socialistëve shqiptarë pritën qetësisht dhe sjellshëm shefin e opozitës demokratikase do të mbartëte me vete një përfitim të shpejtë dhe imediat për kryebashkiakun. Kjo nuk do t’i mungonte edhe në rast se e sfidonte me mostakim apo edhe po qe se kurajonte t’i shtrinte dorën me kortezi.
Sidoqoftë kësaj rradhe festa e socialistëve jo vetëm për vëzhguesit e politikës, por edhe për një pjesë të opinionit që ka nge ta kundrojë këtë poteremadhe, do të mbahet mend nga prania në të e Sali Berishës. Ky, i ndjerë keq se si do të uronte rivalin e vet, kryeministrin të cilit i kërkonte përditë dorëheqjen, bëri si bëri dhe formuloi një kritikë, në të vërtetë një lloj shakaje “Mos i shko skuadrës së futbollit nga pas, dy herë nga një gol e humbi pa shkak”. Ky qortim me pak “thumb” u mirëprit pa sajuar asnjë kundërpërgjigje shpotitëse nga kryeministri. Ky e mbylli dialogun e shkurtër me fjalët paqësore “Festës i shkon edhe humori”.
Por me sa duket shkelqimi i gjestit të rrallë të kortezisë politike të kryer më 12 qershor, një “diamant” në kronikën brutale të ndeshjes ndërpartiake në Shqipëri, do ta kishte jetën vetëm kaq. Ai do të shpërndahej me kuriozitet dhe dëshirë përgjatë të gjitha edicioneve informative të mbrëmjes dhe natës së 12 qershorit, pastaj edhe në orët e para të mëngjezit të nesërm. Por po këtë mengjez gjithçka u fik, ra e pajetë si ngricë në faqet e para të dy gazetave partiake, “Rilindja Demokratike” dhe “Zeri i Popullit”. E para nuk botoi asnjë rresht për këtë ngjarje të bukur të pluralizmit tonë akoma në hapat e para dhe që pikërisht për këtë arsye ka nevojë për inkurajimin e veprimeve të tilla. Gazeta më e madhe e opozitës i kishte të faqosura mirë e bukur të gjitha temat e nevojshme për kursin e saj politik, duke mbajtur në shenjë si përherë prej disa muajsh, Edi Ramën. Dhe çdo fjalë e gjest që kishte realizuar një ditë më pare shefi i saj. Por mirësjellja e Sali Berishës që vajti në festën e 12 vjetorit të PS ishte eliminuar. Zor se këtë gjë ta ketë bërë me kokën e vet stafi i gazetës, duhet të ketë ardhur urdhëri nga vetë bujtësi i rrallë i festsocialistëve. Ka gjykuar se i zemërohen militantët radikalë, ata që e akuzuan për tradhëti kur bëri paqen e shkurtër me Fatos Nanon.
Për këta militantë mëngjërisht të skajshëm ka kohë që punon edhe “Zeri i Popullit”. Më 13 qershor ajo bënte të njëjtën gjë si kolegia, por në formë të kundërtë: publikonte si shkrimin dhe titullin më të madh të faqes së parë “Nano në sy Berishës: Ne do fitojmë”. Pra delte se edhe në këtë çast kortezie shefi i socialistëve “ja kishte plasur mu në fytyrë kundërshtarit”. Në të vërtetë çdo lexim dhe rilexim i fjalës së mbajtur nga Fatos Nano në këtë përvjetor dhe në prani të rivalit të tij, nuk kishte asnjë deklarim të tillë, as të tërthortë. Madje disa herë organizuesi i festës citonte aksionin përfshirës edhe të opozitës në zhvillimin e Shqipërisë.
Kësaj rradhe nuk besojmë se urdhëri gazetës i ka ardhur nga lart. Kur bëhet fjalë për të këputur një lule nuk duhen shumë duar.
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|