Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Dite rendomesisht shqiptare, e megjithate 31 janari eshte dite historike


Dita, 30 janar 2000



DITE RENDOMESISHT SHQIPTARE E MEGJITHATE 31 JANARI ESHTE DITE HISTORIKE


Nesër zbret në aeroportin e Rinasit i dërguari më i lartë i bashkësisë së vendeve më të zhvilluara të kontinentit tonë, Romano Prodi. Sigurisht ai nuk është një Zeus, aspak nuk është një hyjni apo i Shenjtë, ca më pak nuk mbart me portretin e tij imazhin e fryrë të atyre ardhësve nga Beogradi, Moska apo Pekini, të cilëve për dekada të tëra moniste u është shtruar rruga e hyrjes në Tiranë me shaje të kuq pionierësh dhe lule të hedhura mbi supe, mbushur me mijra punonjës të ndërmarrjeve të prodhimit dhe veteranë, mbrojtur nga reparte të tëra ushtarake, shtruar me sixhade qindrametërshe dhe dëfruar me ahengje koncertesh.
Romano Prodi nesër zbret në Rinas dhe hyn në Tiranë pa asnjë nga këto trille ceremonish të krypta servilizmi dhe hipokrizie.
Nuk pritet, doemos, që sapo të brezë e të vërë kembë në dheun tonë ai të ulet ngadalë në gjunjë e të bëjë gjestin papnor të puthjes së tokës së shqiptarëve. E megjithatë hapi i tij i hedhur nesër në tokën shqiptare kësaj rradhe përbën histori.

Por si po e presim

Shumë kohë para se bullgarët të pranoheshin në NATO, Klubi Atllantik i këtij vendi nismoi kompozimin e një kenge rap kushtuar posaçërisht kësaj ngjarjeje. Kenga është punuar mbi një motiv të Çajkovskit dhe ka për autor dhe ekzekutues një nga kengëtarët pop-rrok më të njohur të vendit, Stefan Valdobrev.
Në Shqipëri disa dyzina orësh pasi Romano Prodi në mbledhjen e Ministrave të Jashtëm të BE kishte deklaruar se “të premten do të shkoj në Tiranë për të nisur zyrtarisht negociatat për Marrëveshjen e Asociim – Stabilizimit” dhe se “kjo është mënyra më e mirë për të ndihmuar Shqipërinë në ruajtjen e stabilitetit dhe të ardhmes së saj”, në vendin tonë është kompozuar një “muzikë” tjetër.
Ka patur këto zhvillime nga jeta politike: Midis shumicës qeverisëse dhe opozitës është deklaruar nga njëra palë prishja përfundimtare e marrëveshjes së arritur në qershor të vitit të kaluar për reformimin e përbashkët dhe me konsensus të institucioneve dhe shoqërisë shqiptare me standartet e Bashkimit Evropian. Jo pak atë kohë hamëndësuan se prej të paktën dy politikanëve kryesorë të vendit pakti mes tyre nuk ishte veç një mënyrë për të bindur, qoftë edhe formalisht, komunitetin ndërkombëtar për dëshirën e përbashkët për integrimin në BE. Po të ishte kështu patjetër që atmosfera e marrëveshjes, në pamundësi të mos thyhej përgjatë të gjithë periudhës së gjatë të provës, të paktën do të rrinte e paciflosur gjer më 1 shkurt, çast kur miku i lartë nga Brukseli të kishte ikur. Kjo mënyrë të sjelluri mund të mos quhet doemos hipokrizi, sepse të gjitha partitë politike shqiptare e duan sinqerisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe mosgrindja para fytyrës së mikut do të ishte një shenjë e sigurtë respekti dhe mikpritjeje. Mirëpo nuk ndodhi aspak kështu, marrëveshja nuk pati aq grahmë jete sa t’i shërbente këtij çasti të bukur simbolik, edhe pse në pamje të parë disi më shumë protokollar. Madje prishja e atmosferës bashkëpunuese që u nxit gjashtë muaj më parë nga vetë ky akt emancipimi shkoi tepër larg. Në fjalorin dhe gjestet e politikës është rishfaqur fjala “bojkot”, kangrena e vjetër që bloi për një dekadë të tërë imazhin normal të Shqipërisë dhe shendetin e saj të pakët kombëtar.
Nga jeta shpirtërore-Pas ekzekutimit mafioz në mes të Tiranës të një zyrtari të lartë të administratës së Komunitetit Musliman çdo ditë e më shumë disa media e njerëz e ngasin plagën e ngjarjes së rendë, duke thënë se jo vetëm vrasësi, por edhe i vrari janë mafiozë e njerëz të lidhur me celulat apo skuadronet e terroristëve islamikë. Madje edhe zyrtari i ri i zgjedhur në vend të të parit akuzohet se ka nxitur një vrasje në qytetin e Lushnjës në mes të vitit 1997. Duke besuar një nga përfaqësuesit e këtij Komuniteti, i cili deklaroi se lideri i tyre shpirtëror, Hafiz Sabri Koçi, nuk është një administrator, por thjesht një patriark i kësaj bashkësie të madhe në Shqipëri, nuk të mbetet gjë tjetër veç të shtangesh nga habia se si mund të ndodhin këto ngjarje të zeza tamam në ditët që paraprinë ardhjen e Kryetarit të Komisionit Evropian në Shqipëri. Edhe atëhere kur hidheshin njëra pas tjetrës në erë shtylla të tensionit të lartë, nuk kanë qënë grumbulluar në vendin tonë kaq tmerre njëherësh.
Nga jeta e institucioneve-Pikërisht dyzetë e tetë orë pasi Romano Prodi të zbresë në aeroportin e Rinasit dhe të nisë fillimin historik të veprimeve që do të na hapin rrugën e përpjekjeve për të hyrë një ditë në familjen e madhe të Bashkimit Evropian, edicionet informative të televizioneve si edhe gazetat hodhën në opinion një fakt të padëgjuar përgjatë gjithë periudhës pluraliste: kryetari i Këshillit të qarkut të Shkodrës u zëvëndësua, sepse kishte rënë “në gjak” dhe pas një periudhe ngujimi, për të shpëtuar jetën e tij dhe të familjes ishte arratisur (në mes të “demokracisë” së vendit të vet) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe personi në fjalë nuk vinte nga periferitë e Malësisë, as nga mjedise të pashkolluara, përkundrazi ishte një përfaqësues i lartë i kulturës së qytetit të tij.
Por edhe pse kjo nuk ishte pak dhe dëshmonte fort se sa lilipute është struktura aktuale e Shtetit shqiptar dhe e institucioneve të tij përballë Kanunit mesjetar të Lekë Dukagjinit, në ekrane dhe faqe gazetash u shfaq në të njëjtën ditë edhe një pamje akoma më tronditëse: ishte fotua e një polici, që mbante një revistë në duar. Djalë i bukur, shtatlartë, me një uniformë që i rrinte hijshëm. Deçitura poshtë saj “Polici…., i ngujuar nga gjakmarrja”. Opinionin e kishte zgjuar deklarata e tij më e fundit se përderisa Shteti nuk e mbronte dot ai ishte detyruar të ngujohej bashkë me uniformën e tij, simbol të nëpërkembur të Shtetit, dhe armën.
Ndërkohë një gazetë njoftonte se “buxheti” i trafikut të drogës që vinte nga Shqipëria ishte dy herë më i madh se vetë Buxheri i Shtetit.
Nga kronika-Lajmet më të fundit të 29 janarit janë “Zbulohen kufomat pas tre ditësh”, “Plaku godet gruan e tij me çekiç”, “Vetëvaret 35-vjeçari, italianët, i refuzuan vizën”, “Mbyten në pus”, “Gjendet i vdekur në rrugë një 51-vjecar”,
“Qëllon me armë, tentoi grabitjen”, “Borxhet, sëpatë në kokë, 40-vjeçarit”, “Ekzekutohet 28-vjeçari, për një rrip toke”, ”E kapin me 50 kg drogë, u ikën policëve”, “Grabitje me maska në Durrës”, “Pezë, 2 vëllezër vriten për një copë tokë”, “Përdhunon 5 vjeçaren, arrestohet manjaku endacak”, \"Arrest me burg tre vrasësve me pagesë”.

Nesër Romano Prodi zbret në Rinas

Duke hedhur gjithsesi hapin e tij historik. Ai është një njeri i mençur dhe përvoja e gjatë e administratorit shtetëror dhe e politikanit e ka mësuar të dallojë Tiranën e nesërme pa atë re gllabëronjëse pluhuri e zmogu që sot e kapullon të tërën për t’ja marrë frymën. Ai i sheh ndryshimet befasuese në këtë qytet, edhe pse mendimi i parë që do t’i delte thellë nga ndërgjegjia e tij ambientaliste do t’i propozonte mbylljen e këtij qyteti deri sa parametrat e ndotjes së ajrit të tij të bëheshin të pranueshëm për qeniet njerëzore të humbellave kontinentore e jo më për një popull që inspiron të hyjë në Bashkimin Evropian.
Ai e di gjithashtu se pas zallamahisë që bën gjithkund nëpër Shqipëri anormaliteti dhe kaosi buisin edhe konxhet e shoqërisë së nesërme më të mirë, ai dhe njerëzit e stafit të tij dallojnë lajmin e gëzueshëm se dy ditë para se ai të vinte këtu në Shqipëri ishte dhënë leja për bankën e parë shqiptare dhe se në Rinas kishte mbërritur grupi i punës i Lokheed Martin, i cili do të zbatojë në vijim MasterPlanin për trafikun ajror 2003 –2006.
Romano Prodi e kupton pa shumë mundim se si thjesht për qëllime politike një çast historik të vendit tend, siç është çelja zyrtare e bisedimeve për Marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit, mund ta ngresh gjer në solemnitet dhe po kaq lehtë ta fundosësh në batak. Në vendin e vet të lindjes, por edhe atje ku punon, në zemër të kontinentit, kësaj mënyrë ushtrimi të politikës i thonë politikanizëm. Ky formulim e ky koncept në Shqipëri nuk njihet, sepse tek ne ashtu siç anormalja bashkëjeton me normalitetin dhe i mvesh kësaj të fundit vetëm zhelen e vet, ashtu edhe politikanizmi bashkëjeton me politikën dhe e prezanton atë faqe botës të futur kokë e kembë në kostumin e tij kllounesk.
I nderuari i lartë që në vendin tonë ka shkelur veç për mirë, duke deklaruar se fillimi i bisedimeve dhe jo prishja e tyre është mënyra më e mirë për të ndihmuar Shqipërinë, e ka lënë të gdhendur qartaz mesazhin e tij. I kthjellët është edhe ai kumt, i cili çeljen zyrtare të bisedimeve e ka formuluar si të vetmen rrugë për ruajtjen e stabilitetit të vendit tonë. Me fillimin e këtyre bisedimeve dhe vetë gjithë proçesin e gjatë e kompleks të integrimit në BE Romano Prodi ka rilevuar edhe mesazhin tjetër: këto bisedime janë rruga për të ardhmen e shqiptarëve.
Patjetër Kryetari i Komisionit Evropian nuk është as Zeus dhe as ndonjë hyjni tjetër, nuk është as Papë që të ulet një gjynjë sapo zbret nga avioni e të puthë tokën e shqiptarëve. Këtë tokë duhet ta puthim ne.


Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com