|
Eskavatoret elektorale
Dita, 5 korrik 2003
Asnjëherë në karrierën e saj të silurimit politik të një personi kundërshtar Partia Demokratike dhe drejtuesi i saj nuk kanë harrxhuar kaq shumë energji, nuk kanë përdorur me bollëk dhe inteligjencë kaq mjete mediatike, kaq kembëngulje e kokëfortësi bashkë, nuk kanë investuar kaq fort shpresa fitoreje, shpikur e përdorur dredhi nga më të hollat, mbajtur ritëm të lartë sulmi përballshëm dhe goditje në brinjë, zhbirruar në dokumenta, fotografuar e projektuar nëpër konferenca shtypi, takime ndërkombëtare, ekrane dhe zyra prokurorish, se sa kryetarin e bashkisë së Tiranës. Ka qënë një sulm politik mjaft intensiv, krahasim për nga virulenca ai ka në Shqipërinë paskomuniste vetëm një: aksionin disavjeçar për të rrëzuar moralisht, përndarë nga partia e kolegët, dinamituar me krizë mosbesimi dhe shkatërruar psikologjikisht, Fatos Nanon. Sigurisht në karrierën e Sali Berishës kjo mbetet sipërmarrja e tij më gjigande, më e shtrira në kohë, më kembëngulësja, madje e paralajmëruar ditë më parë se shumë shpejt do ta rinisë që nga pika e saj e fillimit: nga dosja e hartuar prej Blerim Çelës.
E megjithatë Fatos Nano ja ku është tani, krejt i padëmtuar nga kjo mënyrë se si lideri aktual i opozitës e ushtron politikën ndaj rivalëve. Kryesocialisti më shumë është dëmtuar, siç ndodh me të gjithë njerëzit publikë, nga mënyra e administrimit të vetvetes, por jo nga mllefi i kundërshtarit të tij. Hë për hë i paciflosur në asnjë kend të statujës së tij faraonike përfundoi pas një komisioni hetimor parlamentar edhe Edi Rama. Ky në fund të atij bombardimi të përditshëm disamujor, i kryer ditën dhe natën, gjeti një mënyrë për të shpallur triumfin e tij. Duke qënë edhe artist, por edhe një “djall” i vërtetë, ai shkoi në zemër të Kosovës, në Prishtinë, në ngjarjen më të shenjtë të mbarë shqiptarëve për këtë vit, tek koncerti kushtuar Nënë Terezës në prag të shenjtërimit, dhe para gjithë kombit të lidhur me transmentim satelitor, kendoi kengën rrep, mjaft interesante dhe moderne, “Tirona” (titull që më pas vijon me disa rreshta të hartuara si në festivale pionierësh “Tirona, ti je në zemrat tona”).
Me dramat dhe tragjeditë e renda, nëse ke zemër të fortë, gjithnjë është mirë të ndahesh me të qeshur, por kjo e fundit, e qeshura, e vlen ca më shumë kur ndahesh me të vjetrën. Ky ishte me sa duket vetë mesazhi dhe simboli e eksibicionizmit i Edi Ramës në Prishtinë, po ashtu edhe thelbi i artë i gjetjes artistiko-politike të kengës “Tirona”. Tani që përherë e më shumë ai ngre dhe kendon para bashkëqytetasve projektin e tij të metropolit më të madh mbarëshqiptar, kryebashkiakun mund ta thërresësh edhe Edi Tirona. Tifozët e tij politikë mbase janë gati ta bëjnë atë sloganin e tyre për fushatën e afërt elektorale.
Por papritur ka ndodhur diçka që e ka nxjerrë përkohësisht jashtë vëmendjes qytetarin e parë e të zhurrmshëm të Tiranës. Ndërsa stuhia apo stihia e komisionit hetues parlamentar kundër tij ka shumë ditë që është fikur e ka nemitur puls, në politikën shqiptare ka nisur një furtunë tjetër: ajo që pritej e parashikohej më pak, por që nga disa ngacmohej më shumë. Ky ciklon i ri rrezikon mjaft ta lerë pas perdeve për jo pak kohë Edi Ramën dhe aksionin më të madh të opozitës për zgjedhjet lokale: mundjen me vota të kryebashkiakut si individ si edhe, ç’ka është më e rendësishmja, si “model të qeverisjes socialiste”, siç edhe është pranuar nga udhëheqja e partisë kryesore në pushtet. Me pak fjalë në qoftë se një fushatë zgjedhore e nisur që në janar ishte tejet e hershme, një frenim apo apati në korrik do të ishte për to një vonesë e pësueshme. Tani nuk mund të krijohen vakume, dobësime apo shpërqëndrime të interesit elektoral. Në këtë humbellë të madhe ku i ka rënë emri befasisht, pozicion aspak i pëlqyeshëm për të, Edi Rama rrezikon të zbehet. Jo vetëm kenga rrep, por edhe përshfaqja nëpër rrugët e kryeqytetit me në dorë një sopatë me teh të madh e të frikshëm (mjet që e përdorin vetëm druvarët profesionistë, nëse akoma ka ndonjë relike të tillë) nuk e shpëtojnë dot. Nuk e rinxjerr dobishëm nën vëmendjen e përgjithshme as ajo që i ndodhi mjekut të njohur Halim Kosova, thjesht i përfolur se mund të ishte i planifikuar si rivali i tij i kandiduar nga Partia Demokratike.
Vrulli ende i pandalur i debatit aktual Nano-Meta, ndërsa ka mënjanuar interesimin e opinionit për kryebashkiakun si figura e parë e ballafaqimit zgjedhor kombëtar të tetorit, nuk ka frenuar disa eskavatorë të nisin përgatitjen e rregullimit të pjesës së dytë dhe të fundit të supershëtitores së Buzë Lanës, i cili në thelb është edhe spoti më i madh elektoral i Edi Ramës dhe i partisë që e mbështet. Madje makineritë që punojnë deri në mesnatë, po shtohen, lëvizje të mëdha të trupave të tyre të hekurta ndihen edhe në shumë gjymtyrë të tjerë të kryeqytetit, në më të shumtën e herëve edhe në periferi të tij. Pra, në një fare mënyre, njeriu që asnjëherë nuk dëshiron t’i shpëtojë vëmendjes së opinionit edhe kur një pauzë do të ishte shumë herë më e nevojshme, nuk mund të rrinte tani duarkryq. Kengën për “Tironën” ai e kishte kenduar në mpikun e audiencës televizive tokësore dhe satelitore, për të gjithë shqiptarët kudo në botë, pikërisht për të startuar një hov të ri të vrapit të tij zgjedhor. Nëse këtë ngjarje të studjuar mirë nuk arriti dot ta shtrijë më në kohë, nuk la të pushojnë “kengën” e tyre eskavatorët.
Kjo heshtje në sipërfaqe do të ishte dukuri e veçuar në rast se nuk do të binte në sy edhe një pazëshmëri formale po kaq e dukshme e armikes së tij më të madhe, Partisë Demokratike. Reparti tjetër i saj elektoral, komisioni hetimor parlamentar për fajdet, i drejtuar nga opozitari Arben Imami, punon më qetësisht se pararendësi, duke bërë shumë më pak zhurrmë mediatike. Nuk po bëjnë ndonjë zhurrmë të posaçme edhe dosjet që opozita ka dorëzuar në prokurori me paramendim e dëshirë që t’i shpërthejë një nga një si mina nën kembët e kryebashkiakut në ditët e fundshtatorit.
Kështu, ndërsa debati i madh politik i ngjarë mes dy nga figurat më të njohura të socialistëve vazhdon vëmendjepërpirjen e shqiptarëve, përveç eskavatorëve në Buzë Lanë dhe dosjeve antiRama në prokurori, mes pazhurrmës po bën rrugë thuajse heshturazi, gati tinëz, edhe një aksion tjetër paralel i fushatës zgjedhore: ai i seleksionimit, përzgjedhjes dhe shpalljes së të gjithë kandidatëve për kryetar bashkie në Tiranë. Edhe pse duket si një veprim rutinë e që nuk meriton interesim të vaçantë, ka shumë mundësi që ky faktor i tretë të sfumojë jehonën e fashitur të kengës “Tirona” dhe madje të bëjë të mos dëgjohen shumë edhe eskavatorët e Buzëlanës. Mirëpo mund të jetë kontigjenti i kandidatëve të kryebashkiakut faktori vendimtar se kush do të jetë pas tetorit qytetari i parë i Tiranës. Do të mjaftonte një strategji kandidimi personalitetesh me shumë autoritet, por edhe me aftësi të njohura menaxhimi, që të mund t’i gërryenin Edi Ramës copra të imta përqindjesh, të cilat edhe pse në dukje modeste, do t’ja dilnin të shkaktonin maksimumin e erozionit të votave të tij.
Dihet se në Tiranë, në kështjellën kryesore të socialistëve, ku një fitore apo humbje e tyre do të përbënte e pakta edhe një lajm të dukshëm ndërkombëtar, diferenca mes qeverimbështetësve dhe opozitës ndahet vetëm me një grusht votash. Ja pse sigurimi i tyre edhe në shifra në pamje të parë të papërfillshme, strategji e një sulmi frontal kandidatësh kundërRamë, do të përbënte një rezultat të përfillshëm si aksion i kombinuar me taborrin e dosjeve në prokurori.
Këtij uragani mund t’i bënte ballë vetëm “hekuri” i eskavatorëve që në muajt mbetur, pa shfaqur demagogji elektorale me lojën e zhvendosjes së disa dherave, do të ridëshmonin se Edi Rama dëshiron realisht të jetë Edi “Tirona”.
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|