|
Fotua me pellumba e Ilir Metes
Dita, 22 prill 2003
Vizita e Zv.kryeministrit dhe Ministër i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, në Bosnjë-Hercegovinë do të bëhej brenda ditës dhe në Drejtorinë e Shtypit dhe të Informacionit në MPJ nuk kërkohej veç rregullit të zakonshëm: njeri nga punonjësit e saj (po e quajmë midis nesh \"i gatshmi\") të merrte në kohë informacionin që do të vinte nga stafi shoqërues i Ministrit dhe pa humbur kohë të njoftonte masmedian. Kjo do të thoshte se në fillim ai do t\'i transmentohej medias elektronike, e cila i kishte në dinamikë edicionet e lajmeve, më pas shtypit të shkruar që komunikonte me opinionin të nesërmen. Kjo lendë informative do të përbëhej si gjithnjë nga e shumta njëzetë rradhë si edhë dhe një apo disa foto. Lajmi i mbërritur nga Sarajeva erdhi i formuar siç bëhet e parashikojnë kriteret zyrtare, pak rradhë lakonike nga takimet e kryera, dy-tre citime nga thelbi i fjalëve të biseduesve kryesorë, fotua shoqëruese duhej të ishte patjetër pamje konkrete nga veprimtaria e zhvilluar. Një strukturë e tillë lajmi, sado të nxirret në pah nga ndonjë ekran televiziv apo të faqoset mirë e dukshëm nga një gazetë, për vetë formën e detyruar e shtampë zyrtare e po kaq e shtrenguar fort edhe prej kriteresh akoma më të ngurta diplomatike, nuk premton ndonjë efektshmëri të lartë depërtimi në opinion.
Megjithatë ato erdhën dhe në kohë iu përcollën medias. Atë pasdite të 15 prillit ndoshta çdo gjë do të shkonte sipas rutinës së përhershme po të mos ndodhte një gjë jo e zakonshme. Mes fotove konkrete nga takimet me anëtarët e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës apo ceremonisë së firmosjes së tre marrëveshjeve, pamje të detyruara për të ilustruar lajmet edhe si provë konkrete e veprimtarive diplomatike të realizuara, në kompjuterin kryesor e operativ të Drejtorisë mbërriti edhe një foto e veçantë: Zv.Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, bashkë me stafin e tij, në një shesh të Sarajevës. Të mbushur me pëllumba. Pas saj edhe një telefonatë: fotua duhej shpërndarë për median. Në dukje të parë kjo pamje \"lirike\" e Ministrit delte jashtë kritereve të ngurtësuara të një institucioni zyrtar, ca më tepër që merrej me diplomacinë dhe kodin e saj tepër të rreptë dhe hermetik. Por fotua sigurisht pa asnjë hezitim iu përcoll të gjithë listës zyrtare të medias elektronike dhe të shtypit të shkruar. Nuk duhej shumë vramendje për të kuptuar se ajo e kishte mesazhin e saj më të fuqishëm se pamjet e tjera standarte. Dhe duhej të komunikonte me opinionin më shpejt dhe më masivisht. Patjetër do të linte edhe gjurmë, ajo ishte \"e ngrohtë\" dhe e aftë të linte mbresë.
Atë mbrëmje ishte NEWS24 që e publikoi në rubrikën e vet të pandërprerë informative, të tjerët, sidomos gazetat, me sa duket nuk mundën, nuk e kuptuan apo thjesht pëlqyen vetëm fotot konkrete të takimeve zyrtare. Në të vërtetë fotua me pëllumba nuk mund të premtonte për median një konfirmim të sigurtë të veprimtarisë diplomatike që kishte kryer në Sarajevë shefi i saj. Dy ditë më pas ishte vetëm \"Albania\" që e vendosi si foton kryesore të faqes së parë.
Por ky pasqyrim, i plotë apo jo, jashtë rutinës apo brenda saj, nuk është thelbi i shkrimit tonë, masmedia shqiptare ka qënë vazhdimisht e interesuar dhe e sjellshme me Ministrinë e Punëve të Jashtme, e kujdesshme me aktivitetin e saj delikat. Nyja e tij është përse nga stafi i ngushtë i bashkëpunëtorëve të Ilir Metës mbërriti ajo foto mes pëllumbave të një sheshi të Sarajevës. Me siguri përfaqësuesi i lartë i qeverisë shqiptare ka dashur të përcjellë një mesazh që ndërsa i ka hipur avionit në mëngjezin e asaj dite për të shkuar drejt Bosnjë-Hercegovinës, duhet ta ketë patur të përfjetur në thellësi të qënies së tij. Muajt e fundit Zv.kryeministri me detyrë edhe Ministër i Jashtëm, ka bërë disa udhëtime nëpër Ballkan. I gjithë ekzekutivi shqiptar, Presidenca, bisnesi, një pjesë e mirë e medias kanë lëvizur tepër aktivisht nëpër kryeqytetet e shteteve fqinj të gadishullit dhe prej secilit komb kanë mbartur e sjellë në Tiranë mesazhin e bashkëjetesës, të bashkëpunimit dhe të intergimit të përbashkët në Bashkimin Evropian. Në të gjitha artikujt, lajmet, reportazhet, emisionet televizive, debatet, kronikat, fotot, deklaratat e citimet mes shqiptarëve ka hapur e gjendur vend vetëm kumti i paqes.
Fotua e Ilir Metës mes pëllumbave që kërkonte hapësirë publikimi në media, po ashtu donte të risillte këtë mesazh të paqes nga vendi, i cili gjatë proçesit tronditës të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, ishte përgjakur më shumë. Ekzekutuesi i aksionit diplomatik shqiptar me foton e tij bënte të ditur rikthimin e pëllumbave që një gjysëm dyzine vitesh më parë ishin zhdukur nga sheshet e Ballkanit. Ata nuk ishin pëllumbat e vetëm Sarajevës, por edhe të Shkupit. Shqiptarët dhe Tirana zyrtare, mes tyre edhe shoqëria civile dhe të gjitha partitë politike, kanë një meritë përndritëse që në Maqedoni nuk u vranë këta pëllumba, por mbetën të gugasin në strehët e shtëpive të saj dhe të shesheve. Shteti ynë dhe diplomacia shqiptare kanë qënë të prerë dhe të ashpër, kategorikisht refuzues, me bashkëkombas ekstremistë që kanë nisur veprimet destabilizuese në këtë vend dhe më tej. Pëllumbat e Sarajevës janë edhe pëllumbat e dëshiruar në sheshet e Prishtinës, popullit që më parë se të rrëmbente armët nga fytshtrengimi i federatës së sforcuar serbo-jugosllave, kishte dalë në sheshe duke ngritur e tundur në ajër vetëm fletë të bardha shkrimi. Këta zogj të paqes mbetën të patrazuar pranë shatërvaneve të Zagrebit, të Beogradit, rrahin flatrat edhe në Podgoricë. Autorit të këtyre rradhëve i kujtohet se si dy-tre vjet më parë shtypi shqiptar, i prekur dhe i dëshiruar për bashkëjetesë, shkroi reportazhe e artikuj të tërë për një pëllumb që, me një shifër e kod në kembëzën e tij, kishte ardhur në Shqipëri që nga Beogradi, duke fluturuar nëpër të gjithë Ballkanin.
Takimi i Zv.kryeministrit me anëtarët e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës dhe firmosja e marrëveshjeve nuk ishte vetëm një përsëdytje e pamjes së sheshit sarajevas me pëllumba. Ai ishte edhe një mesazh i një realiteti të gëzueshëm, për fat zhvillimi i ngjarjeve në rajon ka bërë që në krye të qeverisjeve të shumohen politikanët \"pëllumba\". Fajkojt\" që deri dje pushtonin qiellin e tij, tashmë janë në minoritet, diku shtrengojnë dhembët në opozitë dhe diku tjetër strehohen në ilegalitet e përpiqen t\'i shpëtojnë Gjykatës së Hagës.
Sigurisht mesazhin e bardhë të paqes do ta shpërdoronim shumë dhe vinim në rrezik në rast se do ta linim veten të na mbështillte, si me avull narkoze, euforia. Ballkani ka një të kaluar të rëndë, të mbushur me krime dhe padrejtësi, me përçarje dhe mercenarizëm për më të fuqishmit e kohës, me pabesi, me megalomani dhe përleshje ndëretnike. Edhe pse ndonjëherë e ekzagjerojnë dhe duket sikur këtë gjë e bëjnë për të tulatur shpresën, disa analistë të së djathtës paralajmërojnë të mos marramendemi nga vetëkënaqësia apo nga ndonjë utopi ballkanike. Le t\'u marrim këtyre shkrimeve anën racionale, mosdehjen. Inkurajuese është se edhe vetë Sali Berisha, frymëzuesi i tyre, ditët e fundit bëri deklaratën optimiste se për politikën rajonale ishte i njëmendjeje me kundërshtaren e paepur të tij, qeverinë aktuale.
Një eksploziv i vendosur nën një urë nga e quajtura AKSH, është më e vogla dëshmi se krimi kundër bashkëjetesës ballkanike ka nisur të gjallërohet, për fat të keq edhe nga bashkëkombas tanët. Por krimet më të mëdha kundër paqes kohët e fundit janë kryer në Beograd. Vrasja, pas disa atentateve, e kryeministrit serb Zoran Xhinxhiç, është ligësia më e madhe e kryer në rajon pas vitit 1999. Krimi më i madh, kryekrimi. Ilir Meta para se të sillte nga Sarajeva foton e tij simbolike me pëllumba kishte qënë në Beograd në varrin e mikut të tij dhe më pas ngushëlloi në familje. Teksa ishte para mermerit të banesës së fundit të bashkëballkanasit emërmirë, martir të evropianizimit dhe bashkëjetesës rajonale, njerëz të stafit të ngushtë të Zv.kryeministrit dhe Ministër i Jashtëm, vunë re se ai gjatë ceremonisë funebre për një çast \"doli nga protokolli\". Gjestin e nderimit të serbit Xhinxhiç, përkuljen para \"pëllumbit\" të vrarë në sheshin para godinës së qeverisë, e përsëriti dy herë. Para se të vendoste kurorën dhe kur e vuri atë.
Patjetër në atë foto që disa ditë më pas kësaj ngjarjeje mbërriti në Tiranë e mbushur me pëllumba nga Sarajeva, Ilir Meta ka patur të ngashëruar në gjoks edhe kujtimin e dhimbshëm për kolegun e tij.
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|