Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Lufta ne Irak: Partive shqiptare nuk u dridhet as qerpiku



Dita, 30 mars 2003


Eshtë e jashtzakonshme dhe e zakonshme në të njëjtën kohë. Lufta për çarmatosjen e diktatorit Sadam Hysein, presioni i madh ndaj tij prej administratës së Shtëpisë së Bardhë dhe inspektorëve të OKB-së, më në fund edhe fillimi i operacioneve ushtarake brenda territorit të Irakut, në çdo qoshe të globit i ndanë në dy kampe njerëzit, institucionet shtetërore, organizmat jashtëqeveritare, mediat e ndryshme, analistët dhe politikanët, të rinjtë dhe të vjetërit në moshë, punëtorët dhe intelektualët, artistët dhe të rendomtit, ata që banonin afër Polit të Veriut dhe të tjerët që i aviten brezit të Ekuadorit, Meridianit të Gremviçit apo Polit të Jugut, popujt racëbardhë apo ata me ngjyrë…gjithë bota u nda mëdysh. Por klasa politike shqiptare jo. Asaj nuk iu dridh fare as qerpiku. Prej saj ishte vetëm Hysni Milloshi me një grusht manifestuesish enveristë që demonstroi kundërshtimin e tij ndaj “imperializmit amerikan” (por edhe ky duke pranuar se “imperializmi” më 1999 i kishte ndihmuar shqiptarët në zgjidhjen e çështjes kombëtare). Krejt papritur shpalli baraslargimin e tij nga teza e luftës edhe deputeti Taulant Dedja, duke përbërë të vetmin mes deputetëve shqiptarë që abstenoi vendimin për dërgimin në luftën e Irakut, në mbështetje të koalicionit të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të një trupe modeste ushtarake kombëtare. Kur gazetarët e pyetën Dedjen për të ditur përsenë e kësaj vote “të bardhë” deputeti shpjegoi se gjestin kundër rrymës së përgjithshme e kishte bërë për shkak të bindjeve të veta pacifiste. Mirëpo deri atëhere e gjithë veprimtaria parlamentare apo shtetërore e tij nuk kishte dhënë asnjë shenjë kulture pacifiste, kjo mendësi e ekspozuar e tij nuk ka gjetur edhe më pas ndonjë rast tjetër për t’u shprehur.
I vetmi njeri që u ngrit hapur i pari kundër alternatives së luftës në Irak dhe ende e vijon rezistencën e tij, ishte dhe mbetet publiçisti Fatos Lubonja, njeriu që me kohë i ka shpallur kundërshtimin e vet edhe politikës tradicionale shqiptare. Disa media i kanë dhënë liri të plotë atij për të shprehur këtë disens të vet, shenjë e sigurtë jo vetëm e një fryme të konsoliduar pluraliste në shoqërinë tone, por edhe dëshmi e tërthortë se me frymën e Lubonjës qarkullojnë mbështetjen e tyre edhe mjaft të tjerë. Një prove e kësaj pranie ishte një koncert të rinjsh, i cili me një koordinim të çuditshëm me kohën kur zhvillohej ndeshja e futbollit mes ekipit tone përfaqësues dhe atij rus, përcollën mesazhin pacifist “jo luftës”. Ndërsa u zhvilluan këto ngjarje u vu re se ndaj manifestuesve enveristë apo atyre pacifisatë nuk pati asnjë agresivitet jo vetëm të policisë (në kronikat e disa vendeve të zhvilluara pamjet e prangimeve të demonstruesve kundër luftës në Irak nuk janë fort të kendshme) por edhe të vetë opinionit publik. Njerëzit e Milloshit dhe ata të rinj që ishin “kundër të gjitha llojeve të luftrave” u lanë të patrazuar në idetë e tyre, të cilat i shprehën edhe në një konferenca shtypi apo në intervista për median. Ky gjest respekti i shqiptarëve për ata që janë kundër alternatives, të cilën për luftën e Irakut zgjodhi klasa politike e vendit të tyre, është mjaft i admirueshëm dhe kuptimplotë. Jo pa kërshëri mund të hidhet vështrimi edhe në një pamje tjetër të ngjarjes: disa analistë shprehën shqetësimin se mos rreshtimi i hapur i qeverisë shqiptare në mbështetje të alternatives së zgjidhjes ushtarake të krizës së Irakut do të lendonte dukshëm marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Një preokupim i tillë, temë ende latente, megjithatë nuk përcolli jo vetëm ndonjë alarm, por nuk pati as edhe ndonjë jehonë të dukshme mes shqiptarëve. Mbase duke dyshuar se ende bashkështetasve tanë nuk u është formuar ndërgjegjia e mjaftueshme demokratike sa ta çelin gojën për të kritikuar supershtetet SHBA dhe BE, ndonjë nga analistët theksoi se lufta e Irakut i kishte ardhur Shqipërisë bash në momentin më të papërshtatshëm, atëhere kur ajo është nën një provë të hekurt nga Brukseli për fillimin e negociatave të Marrëveshjes së Asocim-Stabilizmit. Por edhe në këtë rast nga thellësia e shpirtit popullor nuk mbërriti ndonjë sinjal se logjika e hollë e këtij arsyetimi e kishte vënë në mendime.
Nuk u duk se mbërriti ndjeshëm tek shtresat e gjera të opinionit edhe fakti se në një artikull të Kryeministrit të botuar në gazetën e rendësishme amerikane “Boston Globe”, duke mbështetur qendrimin e administratës së Presidentit Xhorxh Bush, Fatos Nano kishte rendur më tej nga sa duhej, kur mbështetjen për SHBA e kishte kompletuar edhe me arsyetimin e borxhit që vendet evropiane i kanë fuqisë së madhe demokratike për sakrificat e saj njerëzore për çlirimin e kontinentit nga pushtimi fashist.
Kronikën e reagimit të shqiptarëve ndaj luftës në Irak mund ta plotësojnë edhe disa detaje të tjera (më i jashtzakonshmi ishte ai i një irakiani të zakonshëm të martuar normalisht me një vajzë nga Lushnja, i cili përfundoi i ndaluar në komisariatin e këtij qyteti dhe u desh një ftohje e nevojshme gjaku që të mund të lihej i lire), por përgjithësisht ajo mbeti e zbrazur nga ndonjë ngjarje e rendësishme qendrimi të kundërt ndaj alternatives së zgjedhur nga angloamerikanët dhe aleatët e tyre për t’i dhenë fund me forcë regjimit të Sadam Hyseinit. Në këtë kuptim qeveria shqiptare e ndërmori veprimin e saj të rreshtimit të hapur me Shtëpinë e Bardhë, pa patur ndonjë problem nga opozita. Po kështu asnjë problem nuk pati edhe politika nga populli, nga zgjedhësit e vet, nga opinioni, grupet e intelektualëve, media apo shoqëria. Këtij demonstrimi të saj nuk iu shfaq përballë as edhe ndonjë shqiptar me apo fare pa rendësi që të delte në mbrojtje të Hyseinit dhe kështu politika jonë të përfitonte një pretekst për të bërë shou besnikërie të palëkundur ndaj SHBA. Portreti i Sadamit për shqiptarët është identik me Stalinin kështu që për një diktator të tillë, po ta heqin qafe, askush nuk gjen arsye të derdhë ndonjë pike loti. Bashkëkombasit tanë do të çuditeshin në rast se do të dëgjonin që në Itali ka një politikan të njohur siç është presidenti i rajonit më të pasur të vendit, Lombardisë, i cili në fillim të viteve nentëdhjetë bëri një vizitë në Bagdad dhe deklaroi se Sadam Hyseini nuk ishte diktator. Ky dy-tre ditë më parë, më 27 mars të këtij viti, u deklaroi në mes të Romës gazetarëve vendas se “amerikanët pas rënies së Murit të Berlinit po sillen si padronët e botës”dhe se shpreson të takojë sërish në Bagdad Sadamin dhe \"mikun tim Tarek Hazis\".
Tashmë mund të thuhet se për shqiptarët përsa kohë do të zgjasë ngjarja e heqjes qafe të Sadam Hyseinit, nga “fronti i luftës në Irak nuk do të ketë asgjë të re”. Pra ata as do të lëkunden nga vendosmëria e tyre e rreshtimit me Xhorxh Bushin, as do t\'u nxiten e shumohen idetë pacifiste, as do t\'u shtohet ndonjë prirje antiamerikane. Kjo në pamje të parë të bën të mendosh se çfarë dreq populli jemi ne që ndryshojmë kaq shumë nga mjaft të tjerë. Mos jemi hipokritë e servilë të më të fuqishmëve të botës, kukulla proamerikane e kundërevropianë të fshehtë, njerëz të pazhvilluar mjaftueshëm shoqërisht e kombëtarisht, qënie mendimcekëta, moskokëçarëse dhe të pandjeshme ndaj nevojës për të kundërshtuar apo mos jemi zemra që nuk prekemi lehtë nga skenat e luftës dhe e gjakut.
Por me sa duket asnjë nga këto dyshime të natyrshme nuk mbështetet nga argumenta të mjaftueshëm. Duke u rreshtuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe kur administrata e saj gjykon ndërhyrjen e armatosur në një shtet tjetër, shqiptarët dhe sidomos politika e tyre kanë marrë një vendim korrekt e të përputhur me të gjithë sjelljen e tyre kombëtare historike. Kaq unik është ky qendrim sa edhe në analizat që bëjnë vëzhgues të huaj për të njëjtën situatë në Maqedoni, Kosovë apo Malin e Zi (apo kudo ku në përmasë të madhe ka shqiptarë) bashkëkombasit tanë llogariten si forca apo vota \"proamerikane\". Ka vëzhguesë të huaj në këto vende që sugjerojnë frenim të kujdesshëm të veprimeve qeveritare kundër alternativës së luftës në Irak, duke përdorur si një argument autoritar faktin se dalja kundër përzgjedhjes aktuale të Uashingtonit mund të sjellë prishje të renda të ekuilibreve të brendshme të vendit, kjo pikërisht prej këtij roli të hapët e të palëkundur të shqiptarëve.
Atëhere, mund të mendohet në ndonjë kançeleri të kontinentit, se besnikëria e shqiptarëve ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk është veç një shprehje e tërthortë e prirjes së tyre jo evropiane (apo edhe antiBE). Ky do të ishte konkluzioni më i ngutur dhe po kaq edhe më absurdi. Shqiptarët janë mirëfilli proevropianë, e gjithë historia e tyre e dëshmon këtë aspiratë si më të pakthyeshmen e më të pacënueshmen. Kombi që brenda vetes ka elizirin e bashkëjetesës së mahnitshme mes tre feve, kur gjetkë ato kanë mbartur përleshje të përgjakshme, nuk ka patur, nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë ndonjë problem ta manifestojë këtë dhunti të tij në bashkëjetesën mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Presidenti Shirak u shqetësua normalisht nga qendrimi i disa vendeve të lindjes paskomuniste, që në krizën e Irakut zgjodhën përkrahjen për Shtëpinë e Bardhë, por Tirana zyrtare prej vitesh e ka vendosur Shqipërinë në Konferencën e vendeve Frankofone. Me të drejtën e vet kançelari Shrëder ka bërë zgjedhjen e tij kundër luftës në Irak, por në Kosovë shqiptarët \"proamerikanë\" e kanë për krenari që kanë jetuar në zonën e influencës së markës gjermane. Ja pse kush në Uashington apo Bruksel sheh tek shqiptarët fantazma pro dhe anti njerës apo tjetrës palë jo vetëm gabon e sheh ëndërra me sytë hapët, por bën mirë të mos i japë gjuhës shumë dhe po aq mirë do të bënte ndonjë zyrtar të mos e linte edhe t\'i dukej humori i keq i këtij paragjykimi.
Në rast se të tjerë do të hamendësonin përshembëll se shqiptarët dhe politika e tyre po sillen kështu sepse në fund të fundit nuk kanë kulturë pacifiste, kjo sërish do t\'i takonte një arsyetimi të përcipët. Historia jonë flet e dëshmon se jemi nga koka e deri tek kembët një etni e popull paqësor. Sa për variantin përgjithësisht ideologjik të paqedashjes, pacifizmin e sotëm, bashkëkombasit tanë nuk i ha shumë meraku se kuriozë të thekur siç janë për lajmet kanë vënë re se shumica e këtyre lëvizjeve tek disa nga fqinjët apo në kontinent e më tej, në më të shumtën e herëve kanë shtysë kulturë antiamerikane, janë ekstremisht të majta apo të djathta dhe nuk i ngjajnë aspak të jenë kontigjente që herë të tjera të jenë shquar për qendrime proevropiane apo proatlantike.
Eshtë e mahnitshme, por të gjitha sondazhet tregojnë se shumica e shqiptarëve janë në parim kundër luftës e në të njëjtën kohë pro kësaj alternative të përdorur ndaj një diktatori. Ky nuk është truk, është mesazh: bashkëkombasit tanë e urrejnë dhunën. Ata e dinë mirë nga përvoja e tyre se dhunën në thelb e mishëron Stalini i Bagdadit që shfarros demokracinë, aspak ata që të shtrenguar nga rrethanat, po e risjellin edhe me forcën e çlirimtarit atë.


Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com