Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Korrupsion me korrupsionin



Dita, 15 shkurt 2003

Mesazhi i presidentit amerikan Xhorxh Bush, dërguar kryeministrit Fatos Nano, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta ndihmonin Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit, i mbërritur në Tiranë në më pak se njëzetë e katër orë pas fjalës së ambasadorit Xhejms Xhefri para prokurorëve shqiptarë, përveç ndonjë konteksti tjetër, përmban brenda një kumt jetik për vendin tonë. Dhe duke qenë se secili individ prej nesh mund ta sistemojë në një farë mënyre të ardhmen e tij edhe duke iu shmangur personalisht ilegalitetit, krimit apo korrupsionit, e njëjta gjë nuk mund t’i ngjasë Shqipërisë. Ajo nuk mund t’i mënjanohet dot, veç duhet që ta përballë. Në alternativën e vetme që ka për një të ardhme normale, integrimin në Bashkimin Evropian, mes kushteve kryesore, me përparësi absolute është vënë ai i luftës kundër korrupsionit. Madje në mjediset e BE-së, në Bruksel, lenë të kuptohet qartë se kjo luftë dhe rezultatet e vazhdueshme konkrete kundër tij “janë të detyrueshme” për të hyrë në familjen e madhe të vendeve të zhvilluara të kontinentit.
Mirëpo Shqipëria në të dymbëdhjetë vitet e parë të paskomunizmit të saj, duke u përpjekur të ecë me kohën, nuk ka bërë të njëjtën gjë me dukurinë e korrupsionit. Çdo kujtesë, arkiv apo kronikë që të thirret për dëshmi, do të deklarojë të njëjtën gjë: në përpjekjet për kurimin e kësaj plage deri tani nuk ka asnjë rezultat të dukshëm. Pa gabuar mund edhe të shtosh një alarm: korrupsioni është përhapur në shoqërinë shqiptare edhe më shumë, ai po tenton të konsolidohet e të legjitimohet në mënyrën tonë të jetesës, gjithnjë e më tepër po ngërthen gjymtyrët e Shtetit, zyrat e disa institucioneve të tij, ka depërtuar ndjeshëm në mentalitetin e një pjese jo të vogël të administratës, është pamje e dukshme në shumë portrete të nginjura që vërtiten pranë elitave të partive politike, ushtron peshë të rendë në mekanizmat e funksionimit të disa mediave, ka rritur forcën ndikuese në realizimin e fushatave elektorale dhe të disa emra që dalin prej tyre, po galopon i pafre në shërbimet shendetësore, është krejt i paturp tek mjaft gjykatës, është bërë proverbial në të gjitha llojet e dokumentave që falsifikohen.
Po vijoi kështu korrupsioni do të përfundojë në një virus kombëtar, në një semundje që do ta tresë Shqipërinë dhe mund të bëhet fatal për mosintegrimin normal në Bashkimin Evropian. Nuk përjashtohet edhe ajo ditë të largët, ku edhe pse sforcueshëm do të jemi të integruar në këtë komunitet, do të ndodhemi atje me statusin e “të sëmurit të Ballkanit”.
Këtë mostëardhme e paralajmëron edhe një dukuri këto kohët e fundit tepër e përhapur: lufta urgjentisht rezultative kundër korrupsionit po përdoret në mënyrë korruptive. Pra, thjesht për fasadë politike dhe teatralitet propogandistik apo edhe më keq: për të fshehur korrupsionin e vërtetë. Ky korrupsion me korrupsionin zbulon se ai e ka të ngjarë ta ketë mbyllur tashmë rreth nesh, si lak, litarin e tij.
Dalja nga kjo gjendje do të ishte shpëtimi ynë nga disa sindroma. Më së pari nga kultura e politikës për ta shpërdorur luftën ndaj korrupsionit për qëllime thjesht të karrierës vetiake. Kudo konkurenca e ndërsjelltë përmban goditjen e politikanit apo të partisë rivale me denoncimin e bëmave korruptive. Një teknikë e tillë hyn në rregullat e demokracisë jo vetëm sepse është një mjet i padhunshëm, por edhe se njerëzit e thjeshtë, zgjedhësit, janë shumë të ndjeshëm ndaj përfitimeve të padrejta dhe revoltohen shumë shpejt ndaj atyre që, duke vjedhur, jetojnë më mirë se ta. Mirëpo në mjedise të zhvilluara dhe me demokraci solide “shigjetimi” publik i të korruptuarit nuk bëhet me vetëm vullnet politik apo ca më keq, me hamendje. Gjithçka bëhet e shumëverifikuar, e dokumentuar dhe e gatshme për të përballuar një ballafaqim publik e gjyqësor. Në vendin tonë ende ka kulturë tjetër, të paktën ajo vijon që me fillesat e pluralizmit partiak, vitet njëzetë të shekullit të shkuar. Ahmet Zogu e akuzoi Fan Nolin se kishte bastisur financat e shtetit, kurse Enver Hoxha se Zogu kishte vjedhur të gjithë thesarin e Shqipërisë. Për megahajdut u akuzua edhe diktatori shqiptar nga të djathtët e ardhur në pushtet, po këto akuza u mbartën edhe mbi liderin e opozitës së atëhershme, Fatos Nano, e kështu me rradhë. Zhurrma vijon edhe sot me gjoja megavjedhje të ish-presidentit Rexhep Meidani, me llogari të fshehta bankare të Pandeli Majkos apo deklarime të përditshme të konkurentëve politikë se një kryetar bashkie si Edi Rama qenka lavatriçja e të gjithë parasë së pistë të Ballkanit. Mirëpo ashtu si deri tani nuk u dëshmua se Noli, Zogu, Hoxha apo Nano kanë qënë vjedhësa dhe ndërkohë asnjë prej tyre nuk është hequr nga karrigia e pushtetit si rezultat i veprimit të kësaj akuze. Me korrupsionin që në fillesë klasa politike shqiptare nuk është treguar një armike serioze dhe nuk ka përse në disa raste të mos dyshohet se një pjesë e saj këtë luftë ka strategjinë e mbulimit të korrupsionit të vërtetë. Sepse që valon korrupsion mes disave prej tyre nuk mund të fshihet. Nuk e fshehin as ata vetë me luksin ku jetojnë.
Mirëpo nga ekzagjerimi banal i bëmave korruptive, ndërsa askush nga të akuzuarit deri tani nuk e ka pësuar, Shqipëria e ka vuajtur dhe e vuan shumë. Një breshër sondazhezh kanë vite që e kanë kallzuar vendin tonë para të gjithë botës si shtetin më të korruptuar. Askush, pershembëll, nuk citon faktin se edhe një shtet shumë më i vjetër dhe historikisht më i konsoliduar, si Serbia, i pagjendur për këtë mëkat deri tani në asnjë kronikë apo artikull gazete, në statistikat e një shoqate ndërkombëtare për luftën kundër korrupsionit, të quajtur Transparency International, zë vendin e 96-të në një listë me 127 vende që figurojnë si të mbërthyer nga ky infeksion.
Mosidentifikimi i përmasave reale të korrupsionit mes nesh si edhe të individëve që e praktikojnë ka bërë që ne të mësohemi se kjo gjëmë na ndodh vetëm neve, shqiptarëve dhe aspak fqinjëve tanë. Ne ndihemi si “delja e zezë e Ballkanit”, na bëjnë të vuajmë jo pak nga kjo sindromë. Porse vatrat e lbyrta e të mëdha të korrupsionit, po ta ndjekësh me vëmendje hartën e shtrirjes së tij në kontinent, të bindin për dy gjëra: se ato mbulojnë me një shpeshmëri të lartë hapësirat e vendeve paskomuniste dhe se janë mjaft intense në gadishullin tonë. Shqipëria hyn në të dy pjesëhartat. Në pamje të parë fakti që nuk jemi të vetëm, por të zhytur në mes të një kënete, duket sikur u jep shqiptarëve më shumë të drejtë për t’u vetjustifikuar, ndërsa nuk mund të dyshohet se jo pakëve u mëkon shpresë e stimul të fortë për të dalë një ditë nga kjo gjendje. Në të vërtetë mosqenia vetëm, edhe pse na e lehtëson formalisht barrën e turpit, e vështirëson dhe e vonon jo pak vetdaljen dhe shpëtimin. Rezulton se akti i çlirimit nga demonët e korrupsionit mund të bëhet sëbashku e në koordinim me maqedonasit, me malazezët, kroatët, serbët, rumunët, bullgarët, boshnjakët, të pandarë edhe nga bashkëkombasit tanë të Kosovës. Këtë strategji kanë parasysh rekomandimet që vijnë nga Brukseli për të nxitur përpjekjet e qeverive të rajonit në shkembimin e të dhenave dhe të përvojave, ndërmarrjen e aksioneve të përbashkëta në hartimin e ligjeve, në firmosjen e marrëveshjeve të ndërsjellta. Deri edhe heqja, edhe pse disi e përshpejtuar për rrethana të pashmangshme, e barrierave doganore mes vendeve të Ballkanit, aksion ku Shqipëria nuk është aspak mbrapa, nuk është veç një sipërmarrje në luftën kundër korrupsionit.
Nevoja urgjente mes nesh e identifikimit të saktë të vatrave dhe personave korruptivë, sidomos të atashuar në politikë, rrjedh edhe nga një realitet ballkanik. Gazetarja kroate, Sasha Lekoviç, e cila është në Zagreb edhe drejtuese e Zyrës së Shërbimeve të Sondazheve për agjensinë Europa Press Holding, para pak kohësh u shpreh se për të provuar aleancën e hekurt të korrupsionit me gjymtyrë të fortë të politikës do të mjaftonte vetëm një fakt: pothuaj në të gjitha vendet e rajonit numuri dhe lloji i çështjeve të hapura për opinionin dhe për hetim është në një proporcion harmonik me interesat e politikës së përditshme. Sipas saj pushteti në vendet e rajonit, edhe kur nuk e përdor apo inkurajon korrupsionin, me dobësinë karakteristike të strukturave shtetërore e lë atë të vegjetojë e të majmet. Historia e lëvizjes për katarsis në Shqipëri, aktualisht e përfunduar në vetëm retorikë, provon edhe atë që shkruan për vendin e vet gazetari maqedonas i revistës “Kapital”, Ljupco Zhikov: “Vendimi për të hetuar mbi këtë apo atë aferë korrupsioni varet nga vullneti i ushtruesve të politikës”.
Në këtë lloj vullneti hyjnë edhe të quajturit komisione apo zyra të luftës kundër korrupsionit. Mënyra se si ato ngrihen në shumë vende paskomuniste të Ballkanit, vihen në lëvizje apo flenë e befas aktivizohen, bëhen agresive apo zbuten e tërhiqen, zgjedhin në krye apo e ndërrojnë drejtuesin e tyre, ka të bëjë me raportet e paracaktuara të një pjesë të rëndësishme të politikës. Sipas medias së rajonit ekipi i specializuar për luftë kundër korrupsionit në Kroaci, i quajturi USKOK, nuk ka veç një zyrë, vetëm një telefon dhe disa nëpunës të paktë. Po ashtu, gjithnjë referuar medias ballkanike, në Malin e Zi komisioni antikorrupsion është mbledhur vetëm njëherë. Në Maqedoni, shkruan gazetarja Jadranka Rabrenoviç, sapo është ngritur një komision parlamentar me objekt luftën kundër korrupsionit dhe jo pak kanë dyshime se ky komision si edhe një cikël arrestimesh që janë ndërmarrë në këtë vend ndaj shumë zyrtarëve mjaft të lartë të korruptuar, ngjarje që ka tronditur vendin, ka të ngjarë që më shumë të jetë një revanzh politik i kryeministrit aktual kundër rivalëve të tij të humbur nga zgjedhjet e fundit. Në rajon Shqipëria, edhe pse jo me më pak mëkate në teknikat e organizimit dhe vënies në punë të këtyre komisioneve ka formalisht më shumë se të tjerët stazh e përvojë, madje tashmë lufta antikorrupsion është pajisur edhe me një ministër.
Në angazhimin konkret e rezultativ për kufizimin maksimal të kulturës korruptive do të ndikonte jo pak vetkurimi i politikës nga sindroma e komisioneve hetimore parlamentare. Pa dyshim që komisione të tilla janë të nevojshme, madje edhe kur përmbushin edhe një vlerë të caktuar e të përmbajtur propogandistike. Nuk është vetëm Shqipëria që i përdor. Fjalën e kemi për ekzagjerimin e tyre e për rrjedhojë devijimin e luftës së vërtetë kundër korrupsionit. Vetëm për fajdet ngritëm një komision të bujshëm në fundvitin 1997 dhe në fillimvitin 2003 po ngrejmë një tjetër që në thelb nuk është veç një komision i dytë që do të hetojë të parin. Jo vetëm politikisht, por edhe juridikisht duket se pati jetën e një fiaskoje një komision tjetër hetimor, i adresuar për veprimtarinë e ish-shefit të sherbimeve sekrete, Fatos Klosi. Një fiasko tragjike pesë vite më parë pati edhe një komision tjetër parlamentar hetimor që lidhej me ngjarjet e vitit 1997. Ai burgosi pa prova ligjore edhe numurin më të madh të politikanëve të opozitës, të realizuar gjatë dekadës së parë të pluralizmit shqiptar.
Nëse një ditë do të shpresojmë ta luftojmë me vepra korrupsionin, duhet të heqim dorë edhe nga sindroma e denoncimit të tij nëpërmjet thashethemeve. Gëlimi i madh i këtyre të fundit, pjesë edhe e një kulture provinciale dhe e një mentaliteti kombëtar akoma mendërisht të mbyllur, ka arritur që në vendin tonë të realizojë deri edhe rrëzim kabineti qeveritar. Eshtë rast pa precedent. Dëshmi kokëfortë se sa pak peshon tek ne një provë juridike, një dokument autentik, një sipërmarrje apo vendim gjykate, një vendim parlamentar i mbështetur në analizë apo një skandal i vërtetë publik. Tek ne vijon që skandalet t’i tjerrin e pjellin fjalët e jo t’i nxjerrin faktet.
Markus Delakor, një nga më të spikaturit e Institutit Gjerman të Politikës Evropiane, ka vënë re se “në Ballkan të gjitha nismat evropiane realizohen me mjaft ngathësi dhe pa asnjë entuziazëm”. Në këtë konstatim mund të dallohet qartë se përtacia vjen jo nga padëshira për t’u integruar në BE, madje disa prej këtyre popujve, ku spikatin sidomos shqiptarët dhe kroatët, e duan këtë gjë të bëhet sa më shpejt. Frenimi dhe ngadalësimi i proçesit po kryhet nga trysnia që bën mbi euroreformat korrupsioni.
Sidomos korruptimi i korrupsionit.

Ylli Polovina











Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com