Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Legjenda metropolitane e Edi Rames

Dita, 22 shkurt 2003

Në kendin e lojrave “7 XHUXHAT” ka një pllakë të mermertë, në të cilën thuhet se ai kend shlodhës e zbavitës për fëmijët është realizuar me mbështetjen e kryetarit të bashkisë së Tiranës. Dukshëm në të e mes thonjëzash është vendosur emri “EDI RAMA”. Mund të gabohesh natyrshëm dhe ta marrësh emrin e kryebashkiakut si emër të kendit të lojrave. Fare lehtësisht pllaka me këtë mesazh publik, e sistemuar në një nga arteriet më të populluara të Tiranës dhe në kendin lodrues më të njohur dhe më të frekuentuar të kryeqytetit, mund të rishkruhet korrektësisht për të shmangur keqkuptimin. E ravijëzuar modestisht ajo përmban një kumt civil, edhe pse të bëhet ta pyesësh veten për çfarë arsye në këtë Shqipëri me dymbëdhjetë vite pluralizëm nuk gjen rast tjetër ku një pllakë e mermertë të mbajë natyrshëm edhe emra qeveritarësh të tjerë me jo pa merita në realizime të tjera akoma mè të spikatura.
\"Dua që qytetarëve t\'ua kthej qytetin e tyre\" citohet një deklaratë e Edi Ramës e botuar nga një revistë e huaj. “Tirana ka nisur të bëhet kryeqyteti i shpresës së rilindur të të gjithë shqiptarëve” tha kryebashkiaku në fjalën e tij të 31 janarit, mbajtur para këshillit shumëpartiak të kryeqytetit. Qarkullojnë edhe shumë shprehje të tjera të tij, madje ai ka edhe një motiv kenge a spoti radiofonik të incizuar me zerin e vet. Nuk ka asnjë dyshim se Edi Rama e do sinqerisht qytetin e tij dhe po kaq çiltër beson se do të bëjë një “Tiranë të shekullit të ri”. Ai e kupton më shumë se mjaft të tjerë prirjen e një qyteti të zakonshëm shqiptar për t’u shndërruar në metropol, në një fenomen të jashtzakonshëm për të gjitha trevat shqiptare. Tirana ka formë metropoli perëndimor në mendjen e Edi Ramës, prandaj edhe pak nga pak po merr në terren atë formë të imagjinuar: të metropolit. Por edhe të vetë Edi Ramës. Sepse deri tani udhëtojnë bashkë rrugët e gjëra e urat e bukurndriçuara të Tiranës me ngjyrat e shumëdiskutuara të fasadave, vepër kjo e drejt për drejtë e shijeve të tij personale. Piktori Rama e ka kryeqytetin edhe komunitet që duhet ta qeverisë mirë, edhe vepër arti nga ato tè studios sè vet. Prandaj nëse ka një problem në dashurinë e kryebashkiakut për Tiranën, kjo nuk ka të bëjë me ndonjë demagogji politike të rradhës, por me një raport posesiviteti dhe njëkohësisht subjektiviteti me të.
Sigurisht si realitet apo edhe si pjesë e lojës politike, mbi të rëndojnë edhe akuza. Fillimisht ato kanë ardhur nga e majta (“kantjere të lëna përgjysëm”) dhe më pas e në vazhdim nga e djathta (“pastrues i parave të pista të të gjithë Ballkanit”). Mbi Edi Ramën peshojnë edhe vlerësime të spikatura: ato nisin nga lajkat si “ai gëzon puthje nga femrat dhe plumba nga mafia” e deri nga më seriozet “Radio21 (OKB, 31 tetor: Edi Rama është një \"fenomen\" në Shqipëri. Kryetarit të Bashkisë së Tiranës Edi Rama, iu dorëzua dje në orën 18:00 (ora lokale) në Nju Jork çmimi i Kombeve të Bashkuara për vitin 2002. Ceremonia u zhvillua në Pallatin e Qelqit…kanë qenë të pranishëm, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Annan dhe Administrator i Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (UNDP) Mark Malloch. \"Kryebashkiaku Edi Rama, është një fenomen në Shqipëri\", citohet të ketë shprehur zyrtarisht këtë karakteristikë për z. Rama, Komiteti Seleksionues i Çmimit ndërsa është cilësuar si një magnet mediatik dhe një personazh shumëgjuhësh që punon për rilindjen e vendit të vet\").
Në këtë hepim të madh e tejet kontradiktor të vlerësimeve, provë se sa larg akoma shkon në jorealizëm politika tek ne, ka ndërhyrë edhe një faktor tjetër: fushata e pritshme zgjedhore. Ajo mund ta çmeritë edhe më shumë këtë tablo siç edhe mund ta kthjellojë më mirë. Tiranasi i gjetur në këtë zmog të ballafaqimit elektoral ka nevojë të shohë mirë dhe të mendohet po aq mirë për të votuar kryebashkiakun e ri. Prandaj edhe i duhet t’i njohë kandidatët. Tre vite të shkuara fushata zgjedhore në Tiranë ishte nga më të qytetëruarat, tani që kryeqyteti ynë vlerësohet nga të gjithë të huajt si një zbulim i kendshëm dhe ndërkohë është bërë akoma më i zhvilluar e i civilizuar, patjetër që duhet ta përfshijë një fushatë zgjedhore edhe më e kultivuar demokratikisht.
Mirëpo deri tani kjo shpresë duket e mekur, duke rrezikuar që në kohën e provës së vështirë për çeljen e bisedimeve për marrëveshjen e Asocim-Stabilizimit me Bashkimin Evropian, të japim një dëshmi vetrendonjëse. Askush nga partitë politike, që do të ballafaqohen, nuk ka interes ta rrukullisë gjendjen deri këtu, as personat që do të rivalizojnë. Nuk përfton imazh të mirë një Tiranë që po zmadhohet dhe modernizohet me shpejtësi, një qendër e madhe bisnesi e kulture, një kryeqendër e tre universiteteve, që t’i lëshohen nga ekranet e televizorëve shprehjet “bandit” apo “zog gomari”. Zoti Berisha, pa hequr dorë nga vendosmëria e tij për ta vënë me shpatulla në mur kryebashkiakun, mund të jetë shumë më i përmbajtur në fjalorin e tij, shumë më i sjellshëm duhet të jetë edhe Edi Rama ndaj një ish-Presidenti dhe lideri historik të opozitës. Nuk e bën aspak më të dobishëm për votuesit imazhin e qytetarit të parë të Tiranës një faqe e parë e “Zerit të Popullit”, e cila evidenton si kryetitull fjalët \"Edi Rama: Tiranas, Berisha po u merr jetën\". As bën figurë të mirë e përditshmja tjetër partiake, rivalja, “Rilindja Demokratike”, me një intervistë të ish-kryebashkiakut duke e rilevuar me supertitullin “Brojka: Në zyrën time lashë një zagar\".
Dëshmia e një konkurence elektorale me kulturë qytetare, e cila nuk përjashton
edhe akuzat apo paditë ndaj korrupsionit, aktualisht ka disa garanci pozitive në
Tiranë, në këtë qytet me traditë tolerance. Dy ballafaquesit më të fortë zgjedhorë,
Partia Socialiste dhe ajo Demokratike kanë në krye të tyre për kryeqytetin dy figura
me moral solid, përvojë dhe etikë moderne: Musa Ulqini dhe Vili Minarolli. I pari
tashmë ka një fizionomi të konsoliduar prej socialisti të moderuar, të edukuar, të
palekundur në parimin e ndershmërisë politike, tepër luajal me opozitën dhe punëtor i
madh partiak. Cilësi mjaft qytetare ka edhe kolegu i tij, një intelektual mirëfilli,
familje tiranase me traditë civilizimi, autoritet i palëkundur në besnikërinë
ndaj PD-së, partiak që përherë ka ditur të vetkontrollohet edhe në motet më të nxehta
të politikës, moralisht një kristal.
Të dy këta garantë duhet të ridalin në skenë, partiakët kryesorë nuk kanë përse vetkonsumohen që tani publikisht, edhe pse për rendësinë që ka ballafaqimi në kryeqytet, nuk duhet të lëshojnë nga duart organizimin e të gjithë fushatës. Ata në vijim mund të shfaqen publikisht në momentet më kyçe, patjetër edhe muajin e fundit, në të cilin normalisht nuk duhet e nuk do të mungojnë turet mobilizuese nëpër të gjithë Shqipërinë. Një strategji e tillë është e volitshme edhe për faktin se nisja kokënxehtë që i është kësaj fushate që të nesërmen e festës së Vitit të Ri, tetë muaj para se me ligj të ekzekutohet, i detyron palët në konkurencë të jenë shumë të matur me përmasën e teprimit. Dhe në u ngjirrën e dështuan në këtë log beteje lokale si do t’ja dalin në atë të madhen, kombëtaren, zgjedhjet politike për deputetët e Kuvendit Popullor?
Një përballje elektorale e stilit perëndimor do të sillte frute jo vetëm në kulturën tonë të përgjithshme, ende gjysmake, por edhe në vetë rezultatin pragmatik të fushatës. Kësaj rradhe alternativat me të shpërvjedhur ndonjë tufë me vota janë shumë më të vështira se më parë. Në Tiranë ky shans hajnash do të jetë edhe më kufizuar se kudo. Atëhere nuk rezulton rrugë tjetër përveç zhvillimit të një fushate me kritere parlamentare. Asnjë gur nuk i lëvizi fortesës së Edi Ramës për sa kohë u përzgjat bojkoti i grupit të këshilltarëve të opozitës, asnjë cifël nuk i u shkëput nga muret kur erdhën për të marrë pjesë për herë të parë në parlamentin e tyre lokal dhe ….nuk bënë gjë tjetër veç kërkuan menjëherë dorëheqjen e Edi Ramës. Vetëm në çastin kur u kujtuan se përbënin në sallën e bukur të godinës së rikonstruktuar të Bashkisë jo një grusht votash, por aq shumë sa mund të blokonin çdo nismë të kryebashkiakut dhe ta paralizonin, ndodhi çudia: teknika më se e zakonshme dhe madje fare fillestare e luftës parlamentare funksionoi. I fuqishmi Rama, polemisti i shkëlqyer dhe manjeti mediatik, i pamundshmi sipas disa opinionistëve, nxori para kamerave nënkryetaren e Bashkisë, një grua gjakftohtë dhe qè flet shkurt e pa asnjè ngarkesè politike, për të sqaruar se çfarë kishte ngjarë që nuk po i ecte më firma.

* * * * * *

Jo thjesht për arsye utilitare kryeministri dhe kryetari i socialistëve nuk po i përgjigjet me të njëjtën gjuhë dhe metodë lufte elektorale shefit të opozitës. Edhe pse nuk është fare koha për fishekzjarre feste, ajo nuk duket e mbarë as për tamburet e luftës. T’i bjesh këtyre pa pushim jo gjithnjë është kushtruese e mobilizuese. Fatos Nano po e mban polemikën brenda shtratit të klimës që u krijua në fillimverë të vitit të shkuar dhe që stimuloi brenda dhe veçanërisht jashtë vendit reputacion të mirë për Shqipërinë dhe vetë politikën vendase. Tani ai gjendet i sulmuar përditë nga partneri i tij, ky është çmimi i politikës dhe nuk ka kujt t’i qahet, por mbrojtja normale që i bën punës së Ramës (e përsërisim: punës së tij) ka bërë të davaritet edhe thashethemnaja se periudha e armëpushimit me ish-Presidentin, ndërsa ky nuk i ndërpreu “qitjet” drejt silhuetës së gjatë të Edi Ramës, ishte thjesht një qetësi fronti e përgatitur enkas për kokëngrenien e të fortit të kryeqytetit.
I zëmëruar apo ndoshta për ndonjë strategji ende të pashpallur, lideri i opozitës u ka proklamuar duel politik njëherësh të dyve: Fatos Nanos dhe Edi Ramës. Sigurisht kjo do t’i bashkojë edhe më shumë të dy qeverisësit e rëndësishëm dhe nga një kombinacion i tyre, madje edhe i formulës më të thjeshtë, nuk del asgjë inkurajuese për zotin Berisha.
Ndërkohë me sa duket makthi i akuzës se me ngjarjen e turpshme të portave të liqenit artificial kryebashkiaku kishte dashur të mbyste popullin e Tiranës duhet ta ketë bërë këtë të fundit të vuajë shumë dhe në mënyrë të pamerituar. Por kjo do të ishte një e keqe e vogël, e madhja ka kohë që ka nxjerrë krye. Edi Rama ka kohë që në intervistat apo prononcimet e shumta që bën, nuk citon si të akuzuar të tij një person, forum apo parti politike, ai përdor gjithandej fjalën “opozitë”. Pra ai ka kohë që është i pakënaqur dhe i zëmëruar me opozitën dhe mërinë që ka ndaj saj e lë t’i duket hapët. Mirëpo ai është qytetari i parë i Tiranës jo thjesht për të punuar për të gjithë, pa patur parasysh bindjet partiake (dhe këtë gjë e bën vërtet), por që të paktën të njihet moralisht e të respektohet nga të gjithë. Në detyrën që ka e në fjalorin që përdor, ai nuk ka asnjë të drejtë ta bëjë opozitën të akuzuarën kryesore e të përditshme të aparatit e të postit të tij bashkiak. Politikani që atë aktualisht e sulmon më shumë, ish-Presidenti, edhe pse nuk ishte aspak një shtetar duardridhur e i dobët në qeverisje, e ndihmoi rënimin e vet pikërisht kur nisi të shqiptonte përditë si të papëlqyerën e tij opozitën e kohës. As Tirana nuk mund të administrohet me sukses për një kohë të gjatë me gjuhën akuzuese kundër gjysmës së banorëve të saj. Do të ishte shumë e çmuar për të ulur tensionin e acarimit të lartë mes Edi Ramës dhe përfaqësisë politike opozitare të kryeqytetit, që në këto çaste të fillimit të fushatës zgjedhore të mund të uleshin sëbashku në një cikël bisedimesh e konsultimesh reciproke. Opozita ka të drejtë të ndihet se ka vënë një gur në këtë Tiranë dhe nuk është aspak e vërtetë se kryeqyteti ynë shpëtoi nga pazhvillimi vetëm tre vjet më parë. Temperamenti i papërkulshëm Rama, një artist në shpirt dhe në ato që realizon, mund të “përulet” pak para opozitës. Në situata të një vendi në kërkim të demokracisë prej pushtetit shpesh opozita ndihet e shpërfillur dhe e lënë mënjanë, si bonjake. Jo gjithnjë prej kulturës së saj ostruksioniste, por edhe prej kësaj gjendjeje psikologjike ajo nervozohet e grindoset më shumë. Edi Rama, i cili nuk i kursen vlerësimet dhe komplimentat për aparatin e vet (“unë kam shansin të punoj me një ekip të jashtëzakonshëm administratorësh të rinj…falë mundit të tyre shembullor…falë përkushtimit të paçmuar….”) mund ta inkurajojë me një fjalë të mirë edhe opozitën. Kjo si rregull edhe në vendin më demokratik nuk i nder buqetën e luleve qeverisësve, por i lèshon tufën e kritikave, prandaj kryebashkiaku duhet ta durojë. Të mos zgjedhë rrugën e padurimit, sepse ky shteg e bëri pushtetin e shtatë viteve të shkuara që të nxiste e toleronte egërsira fanatike të tij, të cilat e goditèn dhe e gjakosèn tek shkallët e shtëpisë së tij.

* * * * * *

Edi Rama nuk është as i pagabueshëm dhe as i pamundshëm. Megjithatë ai po bëhet përditë e më shumë një legjendë metropolitane, kryebashkiaku di të jetë krijues e konsumues i saj. Edhe në rast se do të ndodhë një ditë që të jetë edhe viktimë e saj, përsëri rënia e tij do të hyjë në legjendë.
Po të bëhen më pak gjakftohtë sulmuesit e tij do të ndryshonin taktikë, sepse deri tani e kanë ndihmuar legjendarizimin e tij. Të paktën do të kuptojnë shumë mirë se nuk ngadhënjejnë dot mbi të me të shara (Rama vetë është një kryesharës), as duke e gjuajtur atë politikisht përditë (Rama lëviz gjymtyrët e gjatë të krahëve dhe mediave që e mbështesin dhe i flak tej saçmat), as duke e bërë kryefajtorin më të madh të Shqipërisë (Rama fillon të imitojë viktimën). Përballë tij ka ardhur koha të dalë konkuruesi i tij, rivali, sfiduesi. Njeriu që duhet të ketë në kokë projektin e prosperuar të Tiranës si metropol. Pastaj ky duhet patjetër të citohet e vlerësohet nga gazetat më të mëdha të botës, i duhet patjetër të përballet me polemistë të stërvitur në televizione të famshme të globit, i duhet doemos edhe të marrë minimumi një çmim të lartë nga OKB-ja….I duhen shumë cilësi sfidantit të Edi Ramës që ta shkulin nga legjenda e tij.
Nuk besojmë se është mungesa e tij e gjatë në opozitë që e detyron herë pas here këtë të fundit ta mbushë pritjen e boshllëkun me ç’të mundë.


Ylli Polovina





Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com