Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“Kepucelidhesit“ dhe prefekti i Tiranes, Artan Nelaj


Dita, 18 prill 2003

Shoqëria e hapur u krijon shanse shumicës së pjesëtarëve të saj, fate të tilla ka mbi dymbëdhjetë vite që afron edhe Shqipëria e pasdiktaturës. Kështu u krijua klasa e bisnesmenëve, ajo e avokatëve, e emigrantëve, e politikanëve shumëpartiakë, ajo e trafikantëve të drogës apo shitjes së fëmijëve, shtresa e të huajve të emigruar për punë në Tiranë dhe qytete të tjera…Më në fund, pa humbur kohë nga rënia e menjëhershme e komunizmit, e mori veten dhe u riformua me të shpejtë edhe klasa e “këpucëfshirësve”, shërbyesve të pushtetit, lakejve të qeverisësve të fuqishëm.
Tani kjo aradhë nuk është më një shtresë apo grup shoqëror, vitet e fundit ajo po shndërrohet në një klasë. Përfaqësuesve më të rinj të kësaj klase të re të pluralizmit tonë mund t’u vendosësh edhe një emër të ri: këpucëlidhës. Një “këshilltar” i një politikani e qeverisësi të fuqishëm bashkëkohas është parë e fotografuar duke i lidhur këpucët shefit të tij. Kjo historia e veçimit të detajit të “lidhëses” ndoshta na ndihmon për të bërë më të qartë se cilët lakej të pushtetit kemi parasysh kur u themi “këpucëfshirës” dhe kujt u drejtohemi me nëntekst me fjalëformën e re “këpucëlidhësa”. “Lidhësat” që ata lëvizin shkathët nëpër gishtat e tyre, që i shkojnë mbi njera-tjetrën dhe formojnë me to mbi këpucët e të pushtetshmëve gjithfarëlloj “fjongosh”, jo rrallë përpiqen tua ngjitin drejt fytit, duke ua shndërruar shefave në lak. Lakejtë ta bëjnë lakun si ta duash, mjafton që një çast të humbësh pushtetin e mëparshëm apo, pasi i ke njohur se cilët janë, i largon. Apo kur nuk të duhen më dhe i flak. Në të gjitha rastet zemërimi i “këpucëlidhësve” do të thotë më e pakta një cikël artikujsh kritikë kundër.
Duhet thenë se në ndryshim nga kohëqeverisja e djathtë, ku këta përfaqësues nuk mungonin, në periudhën e qeverisjes së të majtëve ata gëzojnë triumf. Shumimi mbi kuotën normale që përherë një shoqëri e vegjeton, ka të bëjë jo vetëm me periudhat e gjata të ushtrimit të pushtetit të disa prej figurave më kryesore të vendit, nga mandatet e përsëritura të qeverisjes, por edhe nga qarkullimi vitet e fundit të platformës se “tregu i lirë ekziston edhe për njerëzit, kam të drejtë të blej dhe të shes”. Ky mentalitet pazari përbën edhe klimën e pëlqyer të pllenimit të tyre.
Por ç’ka të bëjë me këta “këpucëlidhës” prefekti i Tiranës, Artan Nelaj? Në një fare mënyre ka të bëjë. Ky funksionar i lartë i administrates, i cili mbulon një hapësirë të përfshirë nga qyteti e qarku i Tiranës e deri tek Kavaja dhe qarku i saj, është diametralisht njeriu i kundërt i tyre. Pesëdhjetë e pesë vjeçari që ndershmërinë e tij e shpjegon shpejt e shpejt me arsyetimin se “kështu jemi ne brezi disi i vjetër, nuk ndryshojmë dot”, panjollosjen e vet e ka që herët, të paktën që kur ishte student në fund të viteve gjashtëdhjetë në Fakultetin e Gjuhë-Letërsisë në Universitetin e Tiranës. E ruajti edhe më pas, kur u bë mësues në rrethinat e më vonë në qytetin e Vlorës. Po ashtu kur sherbeu në fund të viteve tetëdhjetë në një nga strukturat qendrore të shtetit të atëhershëm, po i tillë mbeti edhe përgjatë viteve nentëdhjetë, instruktor në aparatin qendror të Partisë Socialiste. Nuk ndryshoi dot edhe kur partia e tij në fillim të viteve 2000 rifitoi një mandat të ri dhe dalloi se si shumë nga kolegët kishin nisur të bënin një jetë tjetër, frikshmërisht komode dhe larg nga hallet e njerëzve të thjeshtë. Artan Nelaj nuk dëshiroi të ndryshonte edhe kur kryeministri Fatos Nano e thirri për t’i propozuar detyrën e prefektit të Tiranës. Pranoi, nuk mund ta kundërshtonte, të paktën për respekt, shefin e tij prej gati dymbëdhjetë vitesh. Kështu u ul në poltronin e prefektit të hapësirës më të populluar dhe territorit më me probleme të Shqipërisë. Ditën e pare veshi një nga kostumet e tij të paktë e të mbajtur mire, siç di t’i mbajë ai, një nga studentët më elegantë të kryeqytetit të fundviteve gjashtëdhjetë. Po ato kostume ndërron edhe tani apo mbase ka bërë edhe ndonjë të ri, veç asgjë nuk ka ndryshuar në jetën e tij të përkorë e korekte.
Artan Nelaj është ai që me plot gojën mund të quhet Funksionari i Shtetit. Njeriu që lëviz me devocion e papërtuar ingranazhet e renda të tij, duke e bërë të lëvizin sadopak për të lehtësuar jetën e të tjerëve. Duke mos qënë politikanë apo shtetarë të ardhur nga ushtrimi i politikës funksionarë të tillë nuk kanë nevojë e motiv për asnjë konkurencë, as të bëjnë zhurrmë, ata nuk u afrohen kamerave, nuk bëjnë deklarata, nuk japin intervista. Vetëm pak ditë më parë, pasi zëdhënësi i tij nguli kembë se disa gazeta ia donin foton në arkivat e tyre për shoqërimin e ndonjë lajmi, ra dakort në parim, por edhe në këto çaste, kur ky shkrim botohet, Artan Nelaj me siguri nuk e ka “mbajtur” fjalën.
Në këtë stinë pjellore ku tregu pluralist e i zhurrmshëm shqiptar është i mbushur deng me me të shitshëm prefekti i Tiranës ka akoma të pafikur në shpirt gjurmët e një meraku dikur të madh e që e vuajti për shumë muaj në fillimet e detyrës së tij të re. Eshtë një shqetësim që deri ato çaste nuk ja kishte thenë kurrkujt. Brenga e tij e fshehtë përmblidhej në dyshimin se mos Fatos Nano kur ia kishte propozuar detyrën e prefektit të Tiranës, po e emëronte në atë vend për ta përdorur kundër Edi Ramës. Gazetat ato kohë, por edhe më pas, ishin të mbushura me analistë që komentonin dyluftimin apokaliptik mes Kryeministrit dhe Kryebashkiakut, penëpërdoruesit ishin të eksituar sidomos pas ngjarjeve të hapjes së portave të liqenit e përmbytjes së një pjese të kryeqytetit. Bashkë me shqetësimet e punës së re, jo të vogla, ankthi se do të vinte çasti “x”, momenti kur Kryeministri do t’i kërkonte shërbimin me të cilin “e kishte blerë”, e kishte munduar dhe përpëlitur heshturazi për një kohë të gjatë. Gjersa kaluan muaj dhe më në fund gjeti forcë të shkëputej nga ky dyshim i ngacmuar nga përfoljet e disa gazetave. Por Fatos Nano nuk i tha apo nënkuptoi kurrë asgjë të përafërt me merakun e tij. Prej kësaj që ndodhi ai u gëzua dy here: më së pari se punët nuk ishin aq zi sa i tregonin “këpucëlidhësit” dhe së dyti se, po të kishte ndodhur e dyshuara, jo vetëm do të dorëzonte çelësat, por do të prishej me njeriun që e donte.
Kështu ndërsa në një nga orët e pragmbrëmjes së fare pak ditëve më parë prefekti i Tiranës në intimitet na besonte rrëfimin e vuajtjes së tij të gjatë shpirtërore dhe më pas të gëzimit që nuk kishin tentuar “ta blinin”, në një orë të vonë të mbrëmjes një kronikë televizive e një edicioni lajmesh përshkroi për disa minuta një ujësjellës të përuruar në një zonë fshatare të qarkut. Në kamera u panë të rrinin, të flisnin, të pinin simbolikisht gotën e ujit, të buzëqeshnin, të pozonin jo pak nga drejtuesit e ardhur, kurse Artan Nelajt, prefektit të hapësirës që në zemër të Shqipërisë shkon nga periferia më e largët malore e Tiranës e deri në bregdetin e Kavajës, kamerat i kapën vetëm fluturimthi profilin dhe skajin e një supi, pastaj pamja e tij përhumbi menjëherë pas silhuetave pingule të të tjerëve.


Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com