Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Tre emrat e mbare



Dita, 21 janar 2003


-Romano Prodi, Silvio Berluskoni, Kostas Simitis-


Numuri tre jo rrallë përbën në mentalitetin e popujve të ndryshëm parathënien e sigurtë të një fati të mirë. Këtë numur e ka përdorur dukshëm krishtërimi në formulimin e lutjes dhe përbetimit të tij kryesor. E ka pëlqyer jo më pak edhe politika. Miti i treshit ka qënë në themel të parrullës kryesore të revolucionit francez, devizë e njohur edhe për demokracitë e sotme perëndimore. Ai nuk mungon edhe në sloganet kryesore të partive të ndryshme, duke filluar nga republikanët në SHBA. Herë si një art për të komunikuar sa më qartë thelbin e një alternative më të mirë qeverisjeje, herë thjesht si hajmali e varur në qafë apo edhe si demagogji e rendomtë, “treshi” ka vijuar pa e humbur pushtetin e tij hipnotizues. Në jetën shqiptare ka patur mjaft modelime të tij, më i fundit ka qënë ai i tre “B”-ve.
Duke gjykuar gjithsesi se një mënyrë e tillë e të parashikuarit të ngjarjeve më shumë se realizëm përbën jo pak edhe atavizmin e një bestytnie të lashtë, na vjen sërish mirë që po dallojmë për lexuesin një rast të ri të shfaqjes së tij. Numuri “fatsjellës” ka të bëjë me një problem jetik të shqiptarëve: atë të mobilizimit të tij për të plotësuar standartet e hyrjes në Bashkimin Evropian.
Rishfaqja e tanishme e mitit të “treshit” ka në themel të vërtetën se këtë vit proçesi i fillimit të negociatave me BE-në nis dhe kalon fillimisht nëpër tre emra: Romano Prodi, Silvio Berluskoni, Kostas Simitis.
I pari është kryeministri i BE-së, në fund të muajit janar vjen realisht në Shqipëri për të çelur proçesin e negocimit.
I dyti është kryeministri i Italisë, realisht në gjashtëmujorin e dytë me mandat për drejtimin e Bashkimit Evropian.
I treti është kryeministri i Greqisë, aktualisht kryetar i mandatit gjashtëmujor të BE-së.
Rreshtimi i këtyre tre emrave mbi faqet e një gazete nuk ka të bëjë fare me mendësinë e atyre që mbi suprinën e një tryeze hedhin disa letra për të shtënë fall. Emrat e Prodit, Berluskonit dhe të Simitisit nuk janë as shenja zodiakale, ata përfaqësojnë figurat më kryesore që do të na ndihmojnë të shohim më qartë të ardhmen tonë si popull. Në këtë kuptim ata janë më të pushtetshëm se të gjitha llojet e falleve që mund të sajohen apo të fundfixhaneve që mund të shihen.
Ish-kryeministri italian nga më jetëgjatët dhe tani kryetari me emër të mirë i qeverisë së përbashkët të vendeve më të zhvilluara të kontinentit, ka një histori jo të vogël njohjeje me Shqipërinë. Me të lidhet viti i vështirë 1997, ajo periudhë turpëruese ku shqiptarët me dëshirën për të bërë një atdhe më të lulëzuar, kokëerrur nga politika pritimtive, për disa muaj i vunë kazmën atij. Në këtë çast Romano Prodi u bë një nga figurat kryesore të qetësimit të gjendjes dhe i stabilizimit të saj. I ardhur në Shqipëri pikërisht në mes të katrahurës së përgjithshme atij iu desh shumë shpejt, paradoksalisht për kontributin e tij stabilizues, të përballet me një foto rastësore, ku në celuloid pranë tij ishte vendosur edhe Myrteza Caushi. Këtë pamje, me të cilën ai nuk kishte asnjë lidhje, do ta paguante shtrenjtë në luftën politike brenda vendit të vet. Vetëm për ta gërvishur sadopak mikun e madh e të mirë të shqiptarëve një revistë ish-e majtë arriti për dyzetë e tetë orë të traumatizonte një pjesë të opinionit italian, duke përhapur lajmin se Zani kishte arritur të ikte nga burgu i Tiranës dhe ato ditë gjendej në Romë me mision organizimin në vendin fqinj të bandave të armatosura shqiptare. Sipas artikullit të bujshëm shpifarak Myrtesa Caushi kishte hyrë në Itali fshehurazi për të vënë në jetë atë model trazire që kishte nismuar në vendin e vet
Megjithë rolin e tij miqësor e konstruktiv Romano Prodit do t’i bashkëngjitej tinëzisht edhe një pseudongjarje tjetër e bujshme: në një vizitë të tij në pranverë 1998 në Panairin e Tiranës, kur për herë të parë organizohej edhe ekspozimi i Fiera del Levante, Panairit të Barit, më të madhit të Italisë së jugut, u përhapën fjalë dhe u mbushën gazetat me alarmin e një atentati ndaj tij.
I theksojmë këto ngjarje jo për të dëshmuar se kryeministri i Bashkimit Evropian, komunitetit ku dëshirojmë të bëjmë pjesë, “na ka dhënë bukë dhe ne i kemi shtënë me gurë”. Të dy ngjarjet që cituam nuk janë stimuluar nga shqiptarë, bashkëkombasit tanë ruajnë respekt për këtë mik të sigurtë të tyre. Ndodhitë i cituam për të vënë në dukje se lidhjet e Romano Prodit me Shqipërinë në vendin e tij e ndoshta më tej, nuk i kanë dhënë ndonjë përfitim politik, përkundrazi.
E ravijëzojmë këtë hollësi edhe për ndonjë arsye tjetër. Kur Silvio Berluskoni bëri vizitën e tij në Shqipëri, pa asnjë dyshim shumë e suksesshme, ndonjë gazetë apo e përjavshme e vendit të tij, shkoi aq larg sa mbarësinë e saj ta njollosë duke përhapur fjalët se e gjithë vizita e kryeministrit e tyre në Shqipëri kishte të bënte me blerjen e një vile personale në bregdetin jugor të Shqipërisë.
Kembëngulim në këto fakte edhe për një arsye tjetër: Greqia në ndonjë gazetë dhe në penën e disa analistëve aspak jo inteligjentë, edhe këto ditë përkufizohet si superfuqia imperialiste e rajonit, kurse një takim i ministrit të Jashtëm të vendit me kryetarin e bashkisë së Tiranës pikërisht në ceremonialin e çeljes së mandatit të Greqisë për të drejtuar Bashkimin Evropian, cilësohet si pjesë e një boshti të vjetër kundër ish-presidentit Sali Berisha.
Duke qënë se kabineti i Romano Prodit ka njoftuart që në vizitën e tij plot ogur të mirë do të takohet në Tiranë edhe me Edi Ramën, funksionimi i stereotiptë i po të njëjtës logjikë të çon në riformulimin absurd se edhe ky takim i fundit do të kryhet në zbatim të “aleancës së vjetër antiberishë”.
Po e shtymë më tej këtë mënyrë të ushtruari të politikës na del se udhëheqja aktuale e BE-së është një njësit i organizuar posaçërisht kundër një politikani bashkëkombas dhe ca më tepër, kundër një partie historike dhe me kontribut për integrimin tonë në Bashkimin Evropian.
Përpara kemi një shans real dhe një vit nën “shenja” të mira. Po e pamë Silvio Berluskonin me syzet e të politizuarve nga e majta do të bëhemi vonë për të kuptuar se kryeministri aktual italian përbën një stimulues të madh të zhvillimit tonë, një garant e një realizues të fuqishèm tè asaj që thotë. Do të mbetemi prapa po nuk dëshiruam të shohim se me qeverinë e tij marrëdhëniet mes Tiranës dhe Romës, të anatemuara se do të traumatizoheshin me fitoren e qendrës së djathtë në Itali, jo vetëm nuk mbetën në vend, por kanë bërë kërcimin e një hopi të plotë.
Në rast se syzet i vëmë sipas stilit të disa të djathtëve tanë do të ndodhë të mos duam të pranojmë atë që Radio France e bëri të ditur publikisht më 1 janar, ditën kalendarike të fillimit të mandatit gjashtëmujor të Greqisë, se Kostas Simitis përbën novatorin më të madh të politikës greke në gjysmën e dytë të njëqindvjeçarit të shkuar e ca më shumë në këtë fillim shekulli. Risia e tij ishte pikërisht dhenia fund e politikës konfliktuale me fqinjët dhe hapja e siparit të një roli kontruktiv mjaft të spikatur.
Ose nuk do të ketë dëshirën të shfletojë historinë e Greqisë moderne apo siç këtë politikan e përshkruajnë enciklopeditë e vendeve të zhvilluara: “the pragmatic leader” (udhëheqës pragmatist) dhe si “shtetar që shtroi rrugën e Greqisë për t’u përshtatur me euron” (“that paved the way for Greece’s adoption of the euro).
Tani jemi ne qè duam tè shtrojmè rrugèn apo jo?


Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com