Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

TA SHPĖTOJMĖ BALLISTIN MORINA APO.... Tė shpėtojmė prej tij?
PROVOKUESIT SHQIPTARĖ TĖ HISTORISĖ KOMBĖTARE DHE KROATI MILAN SHUFLAJ
PARTIZAN-KOMUNIZMI I JAUP LILĖS: LUFTĖTAR DHE QYTETAR I PĖRRUNJUR I ATDHEUT
SKĖNDERBEU ME LIDHJE TĖ SHUMĖFISHTA ME SLLAVĖT
KUJTESA KOMBĖTARE NĖN AGRESION
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Rikthimi i Skenderbeut


Korrieri, 11 janar 2003

Në Romë, por jo në Tiranë

Që heroi ynë më i madh nacional, Gjergj Kastrioti, e ka një statujë të tij në një nga sheshet më të mëdha të Romës, këtë e dinë jo pak bashkëkombas.
Ndërkohë vetëm një pjesë modeste e dinë që ngjitur me Presidencën Italiane, pranë shatërvanit të famshëm Fontana di Trevi, ndodhet njëherësh një rrugicë që mban emrin e Skenderbeut, një restorant për turistët si edhe hoteli ku në një pllakë bronxi shkruhet se aty mbreti ynë ka bujtur përgjatë vizitës së tij në Romë në mes të shekullit pesëmbëdhjetë.
Jo shumë prej nesh e dinë se në Itali përveç librave të shumtë, të shkruara nga arbëreshët, stemave, distinktiveve, flamurëzave, statujave të mëdha e të vogla, vetëm klube letrare, rrethe apo shoqata kulturore, çmime artistike e deri restorante dhe hotele në zonat e banuara nga arbëreshët, të cilat mbajnë emrin e Skenderbeut, mund të jenë rreth njëqind e pesëdhjetë.
Ndërkohë jo pak mund edhe të kenë harruar se libri i vyer dhe i bukur i Sabri Godos, “Skenderbeu”, prej vitesh është i përkthyer dhe i botuar në gjuhën e popullit fqinj. Dhe i pëlqyer.
Pak e dinë se edhe një libër me emrin “Moto di Scanderbeg” (“Motorri i Skenderbeut”), me autor Karmine Abate, botuar vetëm dy vite më parë, ende merr çmime kombëtare.
Akoma më pak e dinë se regjimi komunist, një diktaturë që me të drejtë ja kemi zhvlerësuar shumë mburrje, u ka dhuruar të gjitha vendbanimeve arbërore në Itali, që janë rreth pesëdhjetë, nga një bust të madh për ta vënë në qendër të sheshit kryesor të komunave të tyre.
Por sigurisht lexuesit tanë akoma nuk e dinë se për Gjergj Kastriotin ka shumë shpejt edhe një ngjarje tjetër: në Romë gjendet në prag të botimit libri i Giennaro Francione (Xhenaro Françone) “Scanderbeu, multimedial hero”.
Ndokujt ky lajm mund t’i duket fare i zakonshëm dhe pa joshjen e ndonjë noviteti. Për heroin tonë kombëtar në mjaft gjuhë të botës, e jo vetëm në italisht, janë shkruar aq shumë libra sa me kohë është kaluar shifra njëmijë.
Veç libri “Skenderbeu-një hero shumëmediatik” ka diçka që nuk duhet lënë të rrëmbehet nga rutina.
Autori i saj, Xhenaro Françone si edhe botuesi Kostanco D’Agostino, librin e kanë projektuar, shkruar dhe në mars të këtij viti edhe e nxjerrin në treg, veçanërisht për turistët e shumtë që vizitojnë Romën, me një motiv të caktuar. Ata mendojnë se mbreti ynë, Gjergj Kastrioti, është një pionier i Bashkimit Evropian.
Pas kësaj që kumtuam lexuesi ka të drejtë të të thotë “tani ndale pak penën, o mik, se e teprove!”
Dhe duke e ditur fare mirë se pionierët e BE-së, ëndërrimtarët, projektuesit e themeluesit e tij, gjenden në hapësirat e qendrës së kontinentit dhe aspak në juglindjen e tij të thellë e ca më shumë në Shqipëri, lëçitësi i nderuar i këtij shkrimi do të humbasë besimin se po i themi një lloj të vërtete. Ai është i sigurtë se po e bëjmë viktimë informative e njërës prej atyre dengëlave të shpeshta, sipas të cilave disa ekspozita, botime librash apo koncerte me autorë shqiptarë përshkruhen sikur mahnitin Londrën, tronditin Parisin, shtangin Berlinin dhe lenë pa mend Nju Jorkun.
Por ne, gjithnjë në shenjë respekti për lexuesin, do të tregohemi më kembëngulës për të shpjeguar se vërtet botuesi Kostanco D’Agostino (dy vite më parë “Rilindja Demokratike” i kushtoi një interviste me të dy faqe speciale) njihet nga rrethi i miqve të tij si edhe nga ambasada jonë në Romë si një mik mjaft entuziast i Shqipërisë. Ta lemë për një çast mënjanë atë edhe si autor i librit “Shqipëria do të bëhet mrekullia e pasvitit dymijë”.
Të merremi pak me autorin e librit, Xhenaro Françionen. Ky është një ndër gjykatësit më të njohur italianë, vendimet e tij në favor të emigrantëve kanë gjetur jo pak hapësirë polemike në gazetat më të mëdha të Italisë, përfshi edhe “Corriere della Sera” me tirazh një milion kopje. Françone është edhe një shkrimtar i dëgjuar, autor i mbi njëqind librave dhe fitues i shumë çmimeve. Ndërkohë është edhe presidenti i Bashkimit Evropian të Shkrimtarëve Gjykatës.
Ja ku dolëm tek BE. Pra, tek një njeri përfaqësues i këtij komuniteti të madh të vendeve të zhvilluara të kontinentit dhe ku dëshirojmë të bëjmë pjesë një ditë, me të drejta e detyrime të plota, ne shqiptarët.
Sigurisht Xhenaro Françone nuk është Doris Pack, për deklaratat e së cilës e tërë politika shqiptare bëhet e vëmendshme dhe e gjithë masmedia jonë jep pa kursim hapësira informimi. Veç ne kemi të drejtë që një deklaratëze të shkrimtarit bashkimoevropianas, e thënë tani për tani në intimitet dhe mbase në pranverë të këtij viti e shkruar edhe në parathënien e librit, t’i japin rëndësinë normale: ta shpallim para publikut.
Sipas Xhenaro Françones gjenerali dhe mbreti shqiptar Gjergj Kastriot Skenderbeu, duke qënë një mbrojtës i famshëm dhe i përkushtuar i Evropës, ka të drejtën morale të quhet edhe një nga pionierët e hershëm të saj.
Sepse, shtojmë ne, BE e sotme nuk është gjë tjetër veç Evropa e djeshme, kontinenti i hershëm që tashmë vit pas viti po e rikompleton gjeografinë e tij me pranim të shteteve historikisht të vet, por që plotësojnë jo kushtet e rendomta të të bërit pjesë në të njëjtën hapësirë, por standartet e larta dhe inteligjente të demokracisë dhe të zhvillimit.
Skenderbeu luftoi për këtë të ardhme të këtij kontinenti, jo për ndonjë alternativë që s’do të mëkembëte më kurrë shekuj më vonë ndonjë BE. Dhe për një çerek shekulli treti në këtë sakrificë sublime të gjitha energjitë e popullit të vet, blatoi në këtë altar jetët e mijrave nga stërgjyshërit tanë.
Madje që të mos e pikturojmë bartësin e idesë së guximshme dhe sfidante se Skenderbeu mund të konsiderohet një nga pionierët e hershëm të kontinentit tonë të fortë e të prosperuar, shtojmë se ndryshe nga miku i tij, botuesi D’Agostino, Xhenaro Françone nuk vuan nga ndonjë entuziazëm i veçantë për Shqipërinë. Libri “Skenderbeu, një hero shumëmediatik” do të publikohet pasi në dhjetor të vitit që shkoi doli në treg botimi tjetër i tij: “Domine Dracula”. Në afro gjashtëqind e pesëdhjetë faqet e tij rrëfehet jeta dhe lufta e princit rumun Vlad Tepes, i thirrur nga populli i vet “I Pamposhturi”.
Si edhe Skenderbeu prijësi rumun luftoi për të mbrojtur identitetin perëndimor të Evropës nga pushtimi lindor osman.
Xhenaro mendon se edhe rumunët kanë të drejtë morale ta konsiderojnë princin Vlad Tepes si një nga pionierët e Bashkimit Evropian.
Sigurisht BE është një projekt e realitet i vonë, askush as në Rumani dhe as në Shqipëri nuk ka ndermend ta zëvëndësojë Shumanin, ministrin e jashtëm francez, të njohur botërisht si pionieri i parë i projektit të Bashkimit Evropian, as me mbretin Gjergj dhe as me princin Vlad.
Thjesht duke bërë publik një ide miqësore të presidentit të Bashkimit Evropian të Shkrimtarëve Gjykatës për “rikthimin e Skenderbeut”, pra ritingëllimin e veprës së tij, mendim i formuluar në Romë në fund të dhjetorit të shkuar, i përcjellim Tiranës një stimul për misionin e madh të integrimit në BE që ka përpara.
Dhe propozimin: mund t’i rikthehemi edhe ne Skenderbeut.


Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com