|
Kater me te fortet e Tiranes
Sot, 10 mars 2003
Tani ata, politikanët tanë, nuk janë një, dy apo tre vetë, as edhe vetëm trembëdhjetë të futur gjithsecili nëpër kornizat e ndonjë fotofamiljeje siç ndodhte dikur në Partinë e Punës me ish-Byronë. Ata janë me dhjetra, madje mund të thuhet në mënyrë të sigurtë se strukturat e tyre aktive në Shqipëri numërojnë deri në dy e në mos treqind vetë. Por ky kontigjent i madh nuk përbën ndonjë shenjë të mbrapshtë për vendin tonë, mund të gjykohet edhe si tregues pozitiv. Një shumicë e tillë zgjeron mundësitë e konkurimit mes tyre, ua bën më të vështirë ngadhënjimin e lehtë, rrit ndikimin e parametrave të cilësisë së më të përzgjedhurve. Për rrjedhojë duke ua bërë më të pamundshëm monopolin e politikës vetëm disa figurave prania e kësaj shumice ia shton shanset e mbijetimit edhe vetë demokracisë sonë të thyeshme.
Rezultatet e këtij proçesi konkurimi dhe seleksionimi, i cili tek ne ka hyrë në vitin e trembëdhjetë, ka shkaktuar një diferencim të dukshëm emrash dhe mes të spikaturve ka ngritur më lart nga të gjithë disa dhjetra individualitete interesante. Por në zanatin e vështirë e të ashpër të politikës vijon prej shumë kohësh të dallohen më shumë nëpër podiumet e para ata që janë \"më të fortët\". Që të jesh \"më i forti\" duhet të mpleksen brenda një njeriu mjaft faktorë e rrethana të brendshme si edhe prej tyre që vijnë nga jashtë, duhet të treten sa më harmonikisht në një individualitet shumë tipare vetiake, shpesh edhe nga më kontradiktoret apo nga më të pavirtutshmet. Të mbërrish deri tek \"më i forti\" në politikë nuk duhet vetëm dëshirë apo lakmi, as shkollë e lartë apo e folur e bukur, as e kaluar e përndritur apo tituj shkencorë e letrarë.
Pikërisht ky seleksionim i komplikuar dhe shpesh pa ndonjë sqimë ka përzgjedhur e rreshtuar në Shqipëri si \"më të fortët\" katër emra: Sali Berisha, Fatos Nano, Ilir Meta dhe Edi Rama. Zakonisht edhe në gjuhën e politologjisë modene ushtrues të tillë të pushtetit publik thirren \"elefantë\", një nofkë e sjellshme që ka zëvendësuar dekadën e fundit një emërtim të mëparshëm disi të frikshëm: \"kafshë politike\". Mund të nënkuptohet lehtë se sa zhurrmë e zallamahi shkaktohet kur këta përleshen mes njeri-tjetrit, sidomos në një territor si Shqipëria, ku për një traditë problematike nuk ka prani të një shteti solid dhe për pasojë \"ringut\" nuk i është vënë asnjë litar kufizues.
E megjithatë në këtë hapësirë ku më së shumti mungojnë të gjitha llojet e rregullave katër \"më të fortët\" e Shqipërisë, ndërsa rreth tyre gëlon mizëria mbytëse e dhjetra e qindra të eturve për të ushtruar politikë e pushtet, kanë meritat e veta se si ja kanë dalë të mos i rrëzojnë apo heqin dot nga tribunat që prej vitit 1990, çast kur ata u shfaqën vetëtimthi në orët e para të pluralizmit shqiptar. Madje që të katër e kanë nisur udhëtimin në rrugën e mbushur me prita të politikës shumë më parë se viti 1990. Ish-presidenti Berisha ka qënë një veprimtar politik përgjatë kohës së Partisë së Punës, për të është folur që emri i tij ka depërtuar deri në një nga projektlistat me anëtarë të mundshëm të Komitetit Qendror të saj. Fatos Nano nuk mund të mos shpaloste stof politikani ndërsa ishte një nga drejtuesit e Institutit të Studimeve Marksiste dhe menjëherë, ndërsa vijonte sistemi i vjetër njëpartiak, të prononcohej në favor të reformimit të shoqërisë së mbyllur shqiptare. Me kërcim të hovshëm në politikë që në vitin 1990 mbetet edhe më i riu i katër \"të fortëve\". Ilir Meta: ai është një nga eurosocialistët e parë të shumëpartitizmit tonë. Nuk ka asnjë ditë më pak në startin e lëshimit të tij drejt politikës edhe Edi Rama. Në një artikull të botuar së fundi në një të përditshme Eduard Zaloshnja, një nga veprimtarët dhe dëshmitarët e padyshimtë të opozitës së parë paskomuniste, provon se kryebashkiaku i sotëm e ka nisur depërtimin e tij duke organizuar e marrë pjesë në ciklin e bisedave publike të quajtura \"Refleksione\" dhe e ka vijuar hap pas hapi duke sfiduar shefin e opozitës së atëhershme Sali Berisha.
Rezistenca e të katërve në pluralizmin e ashpër shqiptar për më shumë se dymbëdhjetë vjet dhe kombinimet e tyre të zhdërvjellta sigurisht që mbartin me vete disa \"sekrete\" të mënyrës së tyre të veprimit, por ne po ndalemi vetëm në njërin prej tyre: agresiviteti ndaj rivalit dhe kompromisi i ndërsjelltë. Në të gjithë botën nuk ka politikan që konkuron për vendin e dytë apo të tretë, ata mund t\'i pranojnë këto pozicione vetëm nga shtrengimi i mundjes. Fatkeqësia ime është që mbeta në vendin e dytë nga që ti ke kapur vendin e parë, thotë brenda vetes së tij edhe secili nga katër \"më të fortët\" tanë.
Në tre-katër vitet e para të shumëpartitizmit ishin Fatos Nano dhe Sali Berisha dy konkuruesit kryesorë të politikës. Të pajisur me dy partitë-fronte më të mëdha të kohës, kontigjente që ndrynin brenda karkasave të tyre që nga ultraliberalët e deri tek ekstraradikalët, prej të persekutuarve nga regjimi bolshevik e deri tek vetë persekutorët e tyre të pafshehur apo të kamufluar, që nga pëllumblëshuesit e ndezësit e qirinjve e deri tek shkrehësit e armëve, ata nuk e vonuan shumë kacafytjen trup me trup. Demonstrata të një sindikate të udhëhequr nga opozita e rrëzuan dy herë, në dy përleshje, Fatos Nanon, njeriun që kishte synuar të ishte Kryeministri i vendit. Pas humbjes në zgjedhjeve e marsit 1992, çast i përleshjes së tretë, partia e vjetër e ish-komunistëve u riorganizua me një program socialdemokrat dhe lideri i saj, Fatos Nano, shpalli betejën për zgjedhje të parakohshme. Atëhere në këtë betejë të rradhës rivali i tij Sali Berisha, ato çaste President që planifikonte vetëfuqizimin dhe gjithëpushtetin, hyri me të gjithë zellin dhe energjinë e tij karakteristike sapo e konstatoi se pas parrullës së provokimit të zgjedhjeve të parakohshme fshihej mënjanimi nga podi i të parit të Shqipërisë. Goditja (apo përleshja e katërt) u organizua pa asnjë grimë vonesë: u mbush me se të mundej \"dosja e vjedhjeve dhe e shpërdorimeve\" të ish-kryeministrit Fatos Nano. Pas kësaj mënjanimin e konkurentit të tij ai e zgjidhi egërsisht dhe pa iu dridhur dora: me pranga të hedhura pabesisht që në thirrjen e parë nga prokurori dhe më pas menjëherë me burgim. Përleshja e pestë mes dy \"më të fortëve\" ndodhi më 1997, edhe kjo e stilit shumë të ashpër. Sali Berisha u mund thellë dhe u rikthye në opozitë. I mënjanuar rendë dhe gati i pashpresë se do të ridilte edhe njëherë tjetër në \"ring\", ai përbuzi kryelartë çdo tentativë e plan për ta nxjerrë edhe nga Shqipëria, territori ku ushtronte prej shtatë vitesh politikën. Kështu i pari doli e triumfoi Fatos Nano. Ky përgjatë gjithë periudhës së mëpasshme si kryetar qeverie përhapi idenë se një kryeministër shqiptar duhet të udhëhiqet nga modeli dhe kompetencat e një kancelari të shumëpushtetshëm gjerman. Por rivalit të tij i mjaftoi vetëm një vit për t\'u mëkembur dhe për t\'i dalë përballë: në javën e dytë të shtatorit 1998 u bë edhe përleshja e tyre më e egër, e gjashta. Dhe humbën të dy. Për të mbushur boshllëkun e krijuar e zënë vendet e hamendësuara si relativisht të liruara u afruan tek zona e luanëve të vjetër shumë pretendentë të rinj, u gjallëruan madje edhe ca të ikur si të mundur në diasporën shqiptare të SHBA-së, por vetëm njeri prej tyre ishte i pajisur me cilësinë e depërtimit të pakthyeshëm: Ilir Meta. Në vitin 2000 kryeministri tridhjetëvjeçar ishte shndërruar në njeriun më të fuqishëm të vendit. Ai arriti ta mbajë Fatos Nanon në vendin e dytë dhe madje më poshtë se kaq, kurse \"luanit\" tjetër, Sali Berishës, i cili nuk donte të jepej dhe nxorri turmat në rrugë, i tregoi zyrat e një komisariati të Tiranës.
Apogjeu i Ilir Metës dhe tërheqja e Nanos dhe Berishës liroi vend për një \"të fortë\" të katërt: Edi Ramën. Ky ishte thirrur të bubullonte në mes të Tiranës nga vetë lideri socialist, gjithnjë me shpresën se do t\'i shërbente si gjeneral, duke mbetur vetë strateg. Rama nuk ngurroi të luante për Nanon dhe partinë e tij, duke e bërë atë menjëherë edhe parti të vet. Gjer në çastin kur gjykoi se për të ishte më mirë të rreshtohej me të suksesshmin e vitit 2000, Ilir Metën. Ata të dy do të ishin çifti i ri konkurues i dy luanëve të vjetër. Ishin po aq agresivë sa ta, po aq kembëngulës, të vendosur dhe kokëfortë në arritjen e objektivave për zotërimin e pushtetit publik në Shqipëri. Madje ishin në disa drejtime edhe më superiorë, më të kualifikuar e shumë më afër kohës. Ata të dy mund t\'i jepnin fund epokës së mbretërimit të Nano-Berishës.
Por kjo nuk ndodhi. Dy luanët e vjetër vunë në lëvizje të gjithë agresivitetin e tyre e sidomos dinakërinë dhe tabloja nisi të ndryshojë e të përmbyset me shpejtësi. Përleshja e re e rradhës, tashmë jo vetëm e dy vetëve, por e të katërve, ishte më spetakolarja e ndodhur gjer atëhere. Gjithnjë e pamëshirshme dhe e egër, por për fat, edhe për meritë të shoqërisë sonë më të konsoliduar, ajo u zhvillua në një \"ring\" ku varej e tundej në erë një lloj litari kufizues. Berisha e kishte gjetur veten më kompatibël me luftën parlamentare dhe Nano shungullimat brenda Partisë Socialiste i realizonte \"pa destabilizuar vendin\". Punë tjetër në tronditeshin dhe humbnin qendrueshmërinë normale institucionet e veçanërisht administrata e madhe e shtetit të dobët.
Nën një manovrim e silurim të tillë të furishëm dha dorëheqjen kryeministri Ilir Meta dhe në rreshtimin e ri këtij iu desh jo pak agresivitet dhe shkathësi për të ruajtur hë për hë një pozicion shumë afër të dytit. I rikthyeri tek lartësia e humbur, Fatos Nano, e pranoi tërheqjen jo të plotë të shemrit të tij të paepur, ai nuk gabonte kur një llogari e thjeshtë dhe gjakftohtë i rezultonte se ishte çasti të ndante një pjesë modeste të gjithëpushtetit. Inteligjenca e tij e pamunguar kurrë për të bërë gjithfarë kompromisesh e këshilloi se kishte shterrur shans periudha e konkurimit me vetëm agresivitet përplasjeje, ky ferment ishte i dobishëm edhe për të realizuar pakte. Atëhere, në vrap e sipër, i dha një seri goditjesh të shpejta presidentit Rexhep Meidani, i cili në prag të përfundimit të mandatit të tij pesëvjeçar heshturazi nuk kishte hequr dorë nga nanuritja e pasionit për t\'u rikthyer në një mandat të dytë dhe vijuar sprovën e tij të pafat për t\'iu bërë Nanos konkurent e sfidant. Sigurisht me heqjen qafe të profesorit të njohur të fizikës, punë aspak e vështirë për Fatos Nanon, ishte i njëmendjeje edhe luani tjetër, Sali Berisha. Këtu lindi në thelb pakti mes tyre, i shpallur më pas dhe i perfeksionuar si një Marrëveshje pozitë-opozitë, pastaj i mpakur si pakti Nano-Berisha dhe shumë shpejt i rënuar në asgjë. Në këtë rikompozim të ri të rendit të të katërve Ilir Meta nuk priti të pësonte asnjë dizavantazh: ai u shfaq publikisht brenda të njëjtës ditë si komponent i rëndësishëm i Marrëveshjes dhe i lojës interesante të dy të vjetërve. Rregullimi i ri u bë shumë shpejt: Meidani ishte shtyrë e lënë në periferi, Presidenti i ri. zëvendësuesi i të parit, u caktua nga ata që përmbushnin një kod të vjetër të politikës: të kishte imazh të mirë, të ishte njeri i drejtë dhe pa asnjë lobing politik. Pastaj për aq kompetenca sa i kishte lenë Kushtetuta ai, edhe sikur të vinte nga përvoja e politikushtrimit agresiv, nuk përbënte asnjë kanosje. Kështu në mes të vitit 2002 çifti plot përvojë Nano-Berisha e kishte vënë nën kontroll të plotë hapësirën politike shqiptare. Me një kombinacion të thjeshtë (Sali Berisha me të gjitha artileritë e një sulmi publik dhe Fatos Nano me një heshtje murgu) tentuan ta heqin qafe të katërtin \"më të fortë\", Edi Ramën. Akuza dukej se do të vepronte në psiqikën e tiranasve të thjeshtë: ky kishte dashur në një natë gjysmë të errët të mbyste kryeqytetin. Por kryebashkiaku turfulloi dhe nxorri kthetrat e gjata, veç kësaj rradhe nuk i nderi ato nga Nano, do të merrej vetëm dhe vetëm me Berishën. Me të kishte hesape të vjetra. Në këto rrethana të reja njeriu i bërë Kryeministër në mes të një mandati të dytë të vështirë dhe plot probleme brenda partisë së tij, ky Uliks modern që kishte kapërxyer njëherazi një divorc familjar dhe bërë dy fejesa politike, paktin me Metën (të thirrur si Pakti i Korfuzit) dhe Marrëveshjen me Sali Berishën, kreu manovrën e re, \"fejesën\" me Ramën. I pafat deri ato çaste në karrierën problematike si kryeministër, kësaj rradhe, përveç një vetmobilizimi administrativ më të dukshëm, nuk po i mungonin edhe shirat e bollshme që mbushnin pa pushim liqenet e hidroçentraleve.
Kështu rendi i ri i politikës shqiptare kishte të rreshtuar në një anë luanin e vjetër Fatos Nano dhe panterën e re Edi Rama, në anën tjetër Sali Berishën. Ilir Meta heshtëte i fortikuar në pozicionin e fuqishëm të një Nënkryeministri të pakonkurueshëm dhe një Ministri të Jashtëm të suksesshëm. Me fillimin e vitit 2003 më kot priti luani i vetmuar Berisha që afrimi Nano-Rama do ta xhelozonte \"më të fortin\" më të ri dhe të shkaktonte daljen e tij nga besa korfuzase. Priti e priti Sali Berisha, dhe akoma pret që komisioni hetimor kundër Edi Ramës të shkaktojë ndonjë tërmet në rreshtimin e ri. Shenjat e ndonjë rikompozimi favorizues për të, partinë e tij dhe bashkimin e madh opozitar që pret të udhëheqë, duken të mjegullta. Raportet e ballafaqimit dhe të përleshjes së rradhës mund të precipitojnë shumë shpejt në tre \"më të fortë\" majtas dhe vetëm një djathtas.
Këtij rreshtimi të ri vështirë t\'i bëjnë diversion projekte që duan të rifusin në zonën e luanëve figura me paagresivitet si ish-presidenti Meidani apo nxitje periferike mediatike për ta mobilizuar Ilir Metën dhe mbështetësit apo përkrahësit e tij për një sulm blic me objektiv rrëzimin në pak çaste të grehinës përherë të lëvizshme dhe po aq të rrëshqitshme të kryeministrit Fatos Nano. Por në \"vijën e zjarrit\" kundër tij nuk ka pushim, vijon të grumbullohet artileri e rendë publike dhe madje kanë filluar të hidhen edhe predhat e para. \"Do të jenë muaj të vështirë ata të kësaj vere\" parashikoi profetik në një tv një nga armiqtë e shumtë të Kryeministrit.
Mirëpo rivalët nga brenda kanë të rishfaqur para tyre me të njëjtën pamje si edhe atëhere kur ishin në opozitë Sali Berishën, panterën e vjetër dhe politikanin e ngarkuar me energji agresive sa një armatë e tërë. Ky aktualisht ka mbetur vetëm dhe mund të mbesë vetmitar gjer në zgjedhjet lokale. Dy rivalët e fuqishëm nga brenda të Fatos Nanos, Edi Rama dhe Ilir Meta, i kanë bërë zgjedhjet përfundimtare të vitit 2003: i pari mjaftohet me një mandat të ri si kryebashkiaku i Tiranës, i dyti pothuaj e mbylli plagën që mori nga gërvishjet e rrëzimit nga posti i Kryeministrit dhe ristartimi i takon menjëherë fillimit të vitit të ardhshëm.
Një sulm i tillë kundër Kryeministrit do të ishte si të gjithë këta rivalë për \"më të fortin\" të prisnin tërë qejf e verbëri degën ku rrinë. Pastaj politika edhe pse si rregull të parë ka shpërblimin me rezultat të më agresivëve, ka të rëndësishëm edhe një kod: durimin. Duhet duruar sa të mbyllet ky vit.
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|