Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Takimi i mundshem ne Tirane i pasardhesve te Skenderbeut


Dita, 12 maj 2003

Projekti kulturor \"kokëkrisur\" i një botuesi italian

Ne jemi populli që në të gjitha trojet me banim shqiptarësh e kemi pranuar Gjergj Kastriotin, të thirrur Skenderbeu, si heroin dhe prijësin më të madh kombëtar. Adhurimi për të, i pandërprerë dhe i pafikur nga asnjë lloj regjimi që historikisht kemi kaluar, për çudi duke mos mbërritur asnjëherë në kult, ka frenuar apo parë me dyshim çdo përpjekje për t\'i zbuluar dhe identifikuar ndonjë të metë bëmës së tij. Bustet e tij, sidomos ato në miniaturë, ende blihen masivisht e mbarten me vete, pothuaj si hajmali, nga qindra mijra emigrantët bashkëkombas. Fat më të mirë se ky nuk ka për një njeri që nuk jeton më që prej pesë shekujsh e gjysëm.
Por si është fati i pasardhësve të gjallë të Gjergj Kastriotit? Sigurisht nga më enigmatikët, nga më të mbajturit nën terr informativ dhe sa më larg hyrjes në trojet tona, veçanërisht në Shqipëri. Kronikat thonë se në një nga përvjetorët e shpalljes së Pavarësisë Ahmet Zogu kishte të pranishëm si të ftuar nderi njerin nga pinjollët gjenealogjikë të Skenderbeut. Nga kujtesa e pesëdhjetë viteve të periudhës puniste nuk rezulton ndonjë ngjarje e tillë e përafërt. Atëkohë Italia, vendi ku jetojnë, më e pakta ishte shpallur vend \"imperialist\" dhe territor fqi antishqiptar. Ndërkohë politika jonë aktuale, duke mos patur asnjë bezdi nga konkurentët e vdekur, shqetësohet shumë nga të gjallët. Pasardhësit e Princit Gjergj Kastrioti, edhe ata vetë princër e dukë, jo vetëm para vitit 1912, por ngulmësisht edhe më pas janë trajtuar si rrezik i përhershëm për personat që kanë drejtuar Shqipërinë. Teknikat e vetshpalljes mbret apo të ndalimit të ashpër dhe kategorik të hyrjes në territorin amë të familjeve kombëtare me tituj fisnikë nuk kanë qënë gjë tjetër veç një shprehje e drejtpërdrejtë e kësaj dhune historike.
E megjithatë pasardhësit e Skenderbeut ekzistojnë dhe janë në Itali, për njerin prej tyre në Napoli telegazetari Namik Ajazi ka prodhuar një dokumentar, të cilin vite më parë e ka shfaqur TVSH. Nismë e bukur ditët e fundit është ajo e pragbotimit të librit \"Skenderbeu dhe Pasardhësit e tij\" me autor italianin Karlo Padilione. Siç posaçërisht kësaj ngjarjeje i bënte një reçensë stimuluese gazeta \"Shekulli\", nismëtarë të këtij publikimi janë dy vëllezër nga Ulqini, të cilët kanë mbiemrin simbolik Flamuri. Por libri i Padiliones, patjetër tepër i rendësishëm dhe që përbën ngjarje kulturore, është hartuar e botuar për herë të parë më shumë se një njëqindvjeçar shkuar. Me siguri do të konsiderohet një evenimet jo i vogël kulturor edhe botimi këto ditë në Romë i librit të Xhenaro Françones \"Skenderbeu, një hero multimedial\". Françone është një avokat i shumënjohur italian, autor i dhjetra librave, president i Bashkimit të Juristëve Shkrimtarë të Bashkimit Evropian. Një nga nxitësit e këtij publikimi është edhe vetë botuesi i tij, Kostanco D\'Agostino.
Pikërisht ky mik i Shqipërisë ka në kokë dhe në letra një projekt sa të thjeshtë aq edhe të bujshëm, nismë që mund të mirëpritet gëzueshëm dhe po aq të anashkalohet me indiferencë, veprimtari thjeshtësisht kulturore, por që mund të sulmohet me agresivitet e keqkuptuar apo tinëzisht e interpretuar si ndonjë aksion i qëllimshëm diversiv politik. Ngjarja e pazakonshme, në thelb më tepër se e bujshme një risi për opinionin kombëtar, e fuqishme aq sa të ndikojë sadopak në reformimin e mentalitetit tonë dhe në shkallën e pranimit të qytetërimit proevropian që inspirojmë, ka një histori të vetën. Në dhjetor të vitit të kaluar autori i këtyre rradhëve, edhe ai një përkrahës moral dhe nxitës modest i shkrimit të librit për Skenderben nga Xhenaro Françone, u takua me botuesin dhe mori tekstin e përfunduar. Ideja dhe propozimi i tij për botuesin dhe autorin ishte që krahas një hyrjeje profesionalisht shpjeguese, e cila do të bëhej nga Elio Mirako, dijetar arbëresh, autor i shumë përkthimeve në gjuhën italiane nga letërsia jonë moderne, drejtues i Institutit të Studimeve Shqiptare në Universitetin \"La Sapienza\" të Romës, do të ishte mirë të kishte edhe një prononcim në fare pak rradhë nga Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu. Të dy miqtë tanë ranë dakort kur iu shpjegua se kryetari ynë i Shtetit përbën në jetën politike të vendit tonë rastin e parë madhor në Shqipërinë paskomuniste të zgjedhjes unanimisht me konsensus të Presidentit nga pothuaj të gjithë deputetët e Kuvendit. Kështu libri \"Skenderbeu, një hero multimedial\", në fillim në italisht e më pas mbase i përkthyer edhe në gjuhën shqipe, do ta niste rrugën e vet të pavarur kulturore jashtë përplasjeve të brendshme politike. Me një artikull të publikuar në fillim të janarit në një të përditshme hartuesi i këtij shkrimi theksoi edhe misionin i këtij botimi si edhe të ndërhyrjes me shkrim të Presidentit: rikonfirmimin e fjalëve të vetë Xhenaro Françones se Gjergj Kastrioti ishte një nga pionierët simbolikë më të hershëm të Bashkimit Evropian të sotëm. Ky Hero Kombëtar mund t\'i shërbente edhe njëherë atdheut të tij ndërsa Tirana zyrtare dhe e gjithë Shqipëria po përgatitet për firmosjen e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE-në.
Mirëpo siç ndodh rendom tek ne teksti i shkruar i librit dhe propozimi konkret, edhe pse u dorëzua menjëherë në rrethin e ngushtë të këshilltarëve të Presidentit, ndërsa muajt kalonin, nuk arriti kurrë tek zoti Alfred Moisiu, njeriu që patjetër do ta çmonte. Në pritjen e gjatë dhe absurde të as \"jo\" dhe as \"po\"-së, ngjarjet në Romë kishin marrë rrugën e tyre normale dhe të pandikuar nga papërgjegjësia jonë. Shkrimin e autorit të këtyre rradhëve Françone dhe D\'Agostino e shpërndanë në Internet dhe nisën shumë shpejt t\'u vinin reagimet e para. Mes mesazheve të ardhura ishin edhe të dy pasardhësve të Skenderbeut. Përshendetjen e të dyve, emra të verifikuar dokumentarisht mirë nga dy miqtë tanë italianë, tashmë ata e kanë parashikuar si hyrje të librit. Me një fjalë u dhanë atë hapësirë që do ta zinte Presidenti ynë, i gjykuar nga ne në atë botim në gjuhën italiane si një \"urë\" mes shqiptarëve të vendit amë dhe arbëreshëve të Italisë.
Për të mos krijuar kuriozitet të tepërt dhe ca më shumë një dekonspirim të parakohshëm dhe të panevojshëm të projektit kulturor të botuesit Kostanco D\'Agostino, emrat e dy nga pasardhësit e Gjergj Kastriotit, të cilët do të parathonë librin \"Skenderbeu, një hero multimedial\", nuk po i shpallim. Por do të ishte i dobishëm kumtimi i një fragmenti prej saj: \"Nuk është e vështirë për ta bërë të spikatshme rolin vendimtar të luajtuar nga Vendi i Shqiponjave dhe nga prijësi i tij i pakrahasueshëm në ngjarjet italiane të shekullit të katërmbëdhjetë, një mirënjohje kuptimplote për atë që populli shqiptar bëri, madje edhe në njëqindvjeçarët e mëpasshëm, për stabilitetin politik të Italisë dhe për afirmimin e vlerave të kulturës perëndimore...Libri i Françones ndihmon në këtë mënyrë leximi të historisë së dy popujve, i cili në një moment delikat, ndërsa Vendi i Shqiponjave po troket në portat e Bashkimit Evropian me shpresën për të gjetur tek popujt e tij po atë shpirt solidar, i cili ishte vetë thelbi i veprimit ushtarak të Skenderbeut, efektshmërisht i drejtuar për të përballuar pushtimin otoman të Shqipërisë dhe të të gjithë Evropës\".
I gjithë teksti i plotë dhe i shkurtër i hyrjes daton maj 2003. Në qershor libri i Xhenaro Françones do të hyjë në makinat e shtypshkrimit. Në muaj e mëpasshëm pritet të nisë realizimin projekti \"kokëkrisur\" i prezantimit të këtij botimi në Tiranë në praninë e pasardhësve realë të Gjergj Kastriotit. Ata do të vinë e do të ikin, dikush është jurist e madje njeri shkencëtar. Nuk do të qendrojnë disa ditë në Shqipëri për të lëvizuar ujrat e saj politike, që edhe pa këta princër të rinj, janë jo pak të trazuara. Pinjollët e Skenderbeut, krenarisht arbëreshë, kanë shekuj që janë mirëfilli qytetarë italianë dhe do të vazhdojnë jetën në atdheun e tyre. Ky është mësimi dhe rregulli që pritet të shkembejmë me ta, ndërsa leksioni i ardhjes së tyre nuk është vetëm kërshëria për t\'i njohur, jo vetëm pranimi i realitetit të tyre, por edhe pasurimi i biografisë tonë kombëtare historikisht evropiane, me kulturën e ekzistencës së princërve, kontëve dhe dukëve, gjest maturie që gradualisht dhe në respekt të historisë parlamenti ynë dhe qeveria po e bën edhe me Leka Zogun.
Ardhja e pritshme në Tiranë e pasardhësve të vërtetë gjenealogjikë të Gjergj Kastriotit, në u çoftë gjer në fund nga ideatori i saj kultuor, të paktën të mund të shlyejë atë që ndodhi dy vite më parë në Napoli, ndërsa bëhej ceremonia e përurimit të konsullit të nderit të Republikës së Shqipërisë në këtë qytet, një avokat italian. Ky kishte ftuar shumë bashkëkombas të vet dhe fare pak shqiptarë, këta të fundit ishin emra pothuaj të zakonshëm të diasporës së re. Por në ceremoninë e shenuar mungonte pinjolli i Skenderbeut, njeriu princëror për të cilin kishte shfaqur një dokumentar të gjatë TVSH. Ky nuk ishte i pranishëm jo se ndihej \"gjakblu\" apo figurë që lakmonte të përbënte tribunën e veprimtarisë, as sepse gjente një rast të bënte presion që ta trajtonim si tradhëgues të shtetit shqiptar. Jo, thjesht nuk ishte ftuar.


Ylli Polovina




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com