|
Udhetimi i trete i Mimma Aloisit: Dritero Agolli
UDHËTIMI I TRETË I MIMMA ALOISIT: DRITERO AGOLLI
Mimma Aloisi është siçiliane dhe jeton në qytezën Mineo, në lindje të ishullit, disa qindra shtëpi që hapin dritaret e nderin saksitë e shumta të luleve nga kaltërsia e thellë dhe e pafund e Mesdheut. Ajo nuk është arbëreshe, ndryshe do të ishte vendosur në jug të Siçilisë, atje ku ndodhen shtatë vendbanimet e hershme të emigracionit shqiptar të gjashtë-shtatë shekujve të shkuar. Mimma është mirëfilli një italiane nga nëna e saj Anunciatina dhe nga babai i saj, don Injacio. Por flet një shqipe të pastër, të kulluar. Në fillim kisha një korespodencë të thjeshtë me të, pastaj ndodhi takimi i parë në Sheshin San Pietro të Vatikanit, ku ajo, sëbashku me shumë minezë u kishin hipur dy autobuzave dhe duke udhëtuar afro pesëmbëdhjetë orë, kishte ardhur nga skaji më i largët i Italisë në Romë për të marrë pjesë në një meshë të Papës. Pikërisht në atë shesh, ku mblidhen pelegrinë katolikë nga e tërë bota dhe ku më shumë se në çdo objekt turistik të rrallë të Romës, mund të dëgjosh të gjitha gjuhët e globit, e folura pastërtisht shqip e italianes Mimma Aloisi të emociononte gjer në prag ngashërimi.
Më pas do ta zhbirroja më mirë e kuptoja jetën e saj, këtë lidhje gati amësore me gjuhën shqipe dhe me Shqipërinë. Historia e kësaj italianeje mund të tregohet në mjaft mënyra, ne po zgjedhim njërën: atë të tre udhëtimeve të saj në Shqipëri.
Udhëtimi i parë
Mimma është një shkrimtare e qytezëz së saj Mineo dhe e provincës Katania. Njeri nga librat e saj titullin e ka \"Luis, historia e një familjeje me shtatë fëmijë\" (\"Luis, storia di una famiglia numerosa\"). Në afro dyqind faqet e tij italiania nga Mineo rrëfen historinë e lidhjes së saj me Shqipërinë. Mimma Aloisi, e cila ka botuar katër libra, nuk ka asnjë botim tjetër që të përshkruajë jetën e familjes së saj, veç këtij, \"Luis\". Ai është e vetmja autobiografi e saj. Arsyeja e kësaj veçansie është tejet e thjeshtë: Mimma vitet e fëminisë dhe rinisë së saj të parë i ka kaluar në Shqipëri. Këtu ajo ka jo pak, por dhjetë vite nga më mbresëlënësit e jetës së vet, vite nga më të paharruarit dhe që sa më shumë moshohet aq më tepër i rishfaqen dhe e mbushin me kujtime. I jati i saj, i cili më shumë ishte përpjekur ta mbante familjen e vet duke kryer punë jo të vazhdueshme në qytetin e Barit dhe në Pulia, viti 1939 e gjen në një moshë të mobilizueshme ushtarakisht. Kështu Ingacio Aloisi thirret nën armë dhe që në ditët e para në kazermë i thonë se shumë shpejt do të nisen për në një shtet të huaj. Marrshimi drejt shtetit të huaj ndodhi më 7 prill dhe kështu Aloisi, italiani i thjeshtë dhe baba i shtatë fëmijëve, do të marë pjesë në pushtimin e Shqipërisë. Eshtë në kolonën marshuese mbi Durrës, pastaj reparti i tij ndjek rrugën për në Rogozhinë, Elbasan e më në fund dislokohet në Pogradec. Çdo ditë marrshimi ushtarak dhe pushtimi ishte një letër e dërguar tek gruaja e tij e dashur Anunciatina. \"Oh, Ohri! Është një mrekulli\" shkruante ai në letrën e mbërritjes në Pogradec. Fotot me kolegët e tij me uniformë zgjasin vetëm një vit, shuhen në fillim të vitit 1940. Të gjithë ata ushtarë që ishin të ditëlindjes 1906 sipas ligjit u takonte të liroheshin. Injacio, i thirrur nga shqiptarët Luis (një shkurtim i mbiemrit Aloisi) bëhet gati të hedhë në shpinë çantën e madhe të udhëtimit dhe të bëjë rrugën e rikthimit: Pogradec-Elbasan-Rogozhinë-Durrës-Bari. Por rrjedha e jetës së ushtarit të liruar befasisht ndryshon: ato ditë në Pogradec kishte mbërritur me ngut Vaselli, pronari i firmës së ndërtimit me të njëjtin emër, me të cilin kishte punuar né Bari. Ky kishte marë nga qeveria italiane të drejtën e rindërtim-zgjerimit të rrugës Pogradec-Korçë dhe iu lut të punonte me të. E paguante mirë, Injacio ishte një njeri plot inisiativë dhe aq i fortë sa e thërrisnin \"njeriu me njëmijë shpirtëra\". Pranoi menjëherë.
Kështu fillon në Shqipëri edhe ajo pjesë e paharrueshme e jetës së vajzës së tij Mimma Aloisi. Injacio i bën letër të shoqes që të vijnë në Pogradec, buzë liqenit të mahnitshëm me emrin Ohri. Familja e madhe mbërrin shumë shpejt, e gëzuar që më në fund mblidhet rreth njeriut të saj të fortë. Në Pogradec Aloisët sëbashku me një vendali hapin një bar, të cilin e quajnë \"Caffé Napoli-Llazi Vani\". Pastaj ndodhi lufta italo-greke, në kundërsulmin e saj ushtria helene hyn në territorin shqiptar dhe marrshon në vijën Korçë-Pogradec. Familja Aloisi shpërngulet për në Itali dhe me t\'u \"stabilizuar\" gjendja rikthehet tek \"Caffé Napoli\".
Pastaj nisi lëvizja komuniste për çlirimin e vendit, më vonë shpërtheu lufta në male, nuk vonoi çlirimi i Shqipërisë, vitet e para pa pushtim të huaj, por tashmë me një \"pushtim\" tjetër, kësaj rradhe nga brenda.
Në përputhje me një marrëveshje ndërqeveritare mes Romës dhe Tiranës, e cila rregullonte kthimin e italianëve në vendin e tyre, më 9 shtator 1949 familja e madhe Aloisi hipën në anijen që do t\'i sillte për në atdheun e tyre, por këtu ndodh e papritura: babai i tyre nuk gjendet në listë. E bija e tij Mimma përshkron në faqet e librit \"Luis\" se ata qanin në kuvertën e anijes që po largohej nëpër det dhe Injacio në bankinën e portit, duke tundur krahët e mbajtur lotët, mpakej e bëhej përherë e më shumë një sulhuetë e vogël. Më 10 shtator familja e madhe mbërriti në Brindisi, duke tërhequr vëmendjen e gazetarëve. Ditët e Aloisëve kalojnë nëpër kampin e refugjatëve të Viçencës, Mimma nuk harron mjegullën mbi qytet. Babai i tyre i arrin vetëm pas pesë muajsh, anija \"Laura\" e sjell atë në portin e Brindisit në shkurt 1950. Por Injacio, tek pa gjendjen pa rrugëdalje të familjes, u nis menjëherë për në Mineo. I jati i tij, Pietro, ishte në fund të jetës dhe e ndërroi atë disa ditë pas mbërritjes së familjes së djalit. Në Mineo Aloisët e rinj blenë një copë tokë në djerrinën e quajtur Viale delle Rimembranze, jashtë qytetit. Aty fillojnë ndërtimin e shtëpisë. Më 7 korrik 1986 Luis, \"njeriu me njëmijë shpirtëra\" ndërroi jetë. Në librin e saj me kujtime nga Shqipëria Mimma ravijëzon përkushtimin \"Për sa kohë të jetoj ai më pas rroftë edhe katërqind vite të tjerë né kujtesën e pasardhësve të tij\".
Libri \"Luis, historia e një familjeje me shtatë fëmijë\" mbyllet këtu, duke dëshmuar në pjesën dërmuese të faqeve të tij atë të pazakonshme që i kishte ndodhur shkrimtares italiane: nentë vitet e kaluara në Shqipëri.
Udhëtimi i dytë
Ai nis simbolikisht në verë të vitit 1990. Mimma Aloisi njihet në Mineo me një shqiptare me emrin Nadia, një nga mijra ikëset e kësaj kohe drejt Italisë. Për herë të parë pas më shumë se dyzetë vitesh ajo nis të riflasë shqip. Më 9 gusht 1992, \"pasi në Shqipëri ishte vendosur demokracia\" Mimma u nis nga Mineo drejt Barit. Prej këtu, nëpërmjet tragetit \"Tiepolo\", shpresonte që më 10 gusht të zbarkonte në Durrës, por për habinë e saj trageti ishte plot me njerëz që shkonin drejt vendit dikur plotësisht të mbyllur. Shkrimtarja që kishte kaluar në Shqipëri nentë nga vitet e saj më mbresëlënës, mbërriti në Vlorë në mbrëmjen e 12 gushtit. Një natë e paharruar në Durrës, në Hotel Adriatik, dhe pastaj, më 14 gusht, menjëherë drejt Pogradecit. Në librin e saj për këtë udhëtim të dytë drejt Shqipërisë, të titulluar \"Zonjtë e bardhë të shqiponjave (në kopertinë ka një grup shqiptarësh që, me kostumet e tyre popullore, vallzojnë një motiv tradicional) pjesa dërmuese e faqeve i kushtohen Pogradecit dhe njerëzve të Mimma kishte njohur një gjysëm shekulli më parë. Këto faqe prekëse e të mbushura me mallin e madh të Mimma Aloisit për Shqipërinë, nisin me një poezi për qytetin:Pogradec, yll i mëngjezit/më rrëfe rrugën/ o hënë e bardhë/ma ndriço udhën/kam kaluar male dhe lugina/për të mbërritur deri tek ty/sepse ti, Pogradec/po më pret për të më thënë/Mirseardhe Mimma.
Udhëtimi i tretë
Ky është mirëfilli simbolik: Mimma Aloisi është \"takuar\" me Dritero Agollin. Disa vite më parë ajo, e mrekulluar nga \"Komisari Memo\", nisi përkthimin e librit. Puna ishte kembëngulëse, sepse shkrimtarja, përveç se punonjëse në administratën e komunës së Mineos, është edhe një veprimtare sociale e spikatur, shumë kohë harrxhon edhe për të ndihmuar shqiptarët. Ajo aktualisht dërgon material didaktik në shkollën e mesme Leonik Tomeo të Durrësit, mjete financiare për të ndërtuar shkollën në fshatin Zhejë, në Mamurras, si edhe është e angazhuar për të mbledhur fonde për ngritjen e një shkolle tetëvjeçare në Kosovë.
Pastaj dy vitet e fundit është edhe gjyshe e një nipi që i ka ngazëlluar jetën.
Takimi me të madhin tonë kombëtar, Agollin, për të është ritakim me Shqipërinë. Takim rishtazi me kujtimet e saj në Pogradec, kur herët në mengjez gjente poshtë derës së \"Caffé Napolit\" trakte për të luftuar pushtuesit. Pra që luftonin bashkëkombasit e saj, italianët, ata ushtarë mes të cilëve për një vit kishte qënë edhe babai i vet, Injacio. Që një italiane mund të përkthejë nga shqipja një libër me poezi, me subjekt historik apo studim raportesh të Tiranës zyrtare me qeveritë fqinje, kjo është e kuptueshme dhe e mirëpritur nga lexuesit e vendit të saj. Veç nuk është kështu kur merr përsipër që të përkthesh një libër, i cili tregon se si shqiptarët luftuan me armë bashkëkombasit e ty, edhe pse me në krye një diktaturë fashiste.
Nisma e Mimma Aloisit bëhet më e kurajshme, kur konstaton se ajo mendon keq për diktaturën komuniste, e cila tragjedisht në themelin e saj ka edhe luftën vetmohuese çlirimtare të komisarëve komunistë. Madje në librin e dytë, në krye të tij, ajo distancohet aq fort nga gjysmëshekulli bolshevik shqiptar sa ravijëzon fjalët lapidare \"Për të prishur, rindërtuar dhe mbetur në vend u shpenzuan pesëdhjetë vjet\".
Përkthimi i \"Komisarit Memo\", në këto rrethana e ca më shumë sigurimi i një botuesi serioz, siç ka bërë Mimma, është një gjest shumë kuptimplotë i shkrimtares italiane. Mjafton të kujtojmë se, mes disa librave, tre janë veprat e saj më të rëndësishme të të gjithë jetës së saj: \"Luis\" (kushtuar të jatit), \"Zogjtë e bardhë të shqiponjës\" (kushtuar nënës së saj Anunciatina, \"grua e urtë dhe shpirtgjerë\") dhe \"Komisari Memo\", përkthim i kryeveprës së Dritero Agollit, një thelb një kushtim për shpirtin e madh shqiptar të autorit. Siç shihet në të tre rastet kemi të bëjmë me lidhjen e pandërprerë e pakëputur me Shqipërinë.
Tashmë \"Komisari Memo\" në gjuhën italiane është në prag të hyrjes në rotativat e mëdhenj të shtypshkronjës dhe shtatëdhjetë e dy vjeçarja Mimma Aloisi në pritje të \"udhëtimit\" të katërtë në Shqipëri. Pastaj do të bëjë patjetër udhëtimin e pestë, të gjashtë, të shtatë. Shkrimtarja italiane me shpirtin e saj të prekshëm e kujtimet përherë e më të pashlyeshme për vendin tonë, përjetësisht do të udhëtojë në intenerarin e saj të mallit të pashuar: nga Mineo në Bari, pastaj do të zbarkojë në Durrës e do të marrë rrugën drejt buzëliqenit të Ohrit.
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|