|
Misioni RAI
Ballkan, 15 maj 2003
Radiotelevizioni italian zbarkon në Shqiperi dhe në të gjithë Ballkanin “Ushtarët e Paqes”
Filmi dyserial i RAI-it, Radiotelevizionit Italian, me titullin e thjeshtë dhe emocionant “Ushtarët e Paqes”, u shfaq në kanalin e parë të tij më 8 dhe 9 qershor. Plot një javë pas Festës Kombëtare, 2 qershorit, ditë kur populli fqi ka rifilluar simbolikisht ta mbushë gëzimin e krenarinë e vet me organizimin e një parade ushtarake.
Nisma për rifillimin e këtij parakalimi, pas një pauze të gjatë, i takon Presidentit italian, Karlo Axelio Çampi, një nga personalitetet politikë më të kompletuar e njokohësisht më modestët, e kontinentit. Ishte ai që sapo nisi mandatin e Kryetarit të Shtetit, filloi t’u kujtojë bashkëkombasve të tij, veçanërisht të rinjve, se sa më shumë integroheshin në familjen e madhe evropiane, aq më shumë duhej të ngrinin vlerat e atdheut të tyre. Bashkë me këtë mesazh u perhapën mes italianëve dy dëshira të mëdha e propozime të Shtetarit të lartë të tyre: himni kombëtar dhe “ushtarët e paqes”. Rikthimi i vëmendjes së opinionit tek himni kombëtar, i cili titullohet “Vëllezër italianë”, me botime, emisione mediatike, filma ishte i hovshëm. Dëshira e dytë e Çampit, “Ushtarët e Paqes”, për herë të pare u panë të manifestonin në 2 qershor 2000 në shëtitoren e madhe të Foro Imperiale dhe në Sheshin Venecia të Romës.
Aktorë italianë, shqiptarë dhe serbë
Autori i këtyre rradhëve ka qënë i pranishëm në Romë, si shikues i thjeshtë, në paradën e parë të “Ushtarëve të Paqes”. Ajo kishte dy shenja kuptimplote në emblemat e uniformave dhe të mjeteve ushtarake: SFOR dhe KFOR. Pra trupa paqeruajtëse italiane të vendosura në Bosnjë dhe ato me operativitet në Kosovë. Parakaluan njerëzit dhe mjetet që ndihmonin popuj të tjerë, mes tyre edhe shqiptarët. Duartrokitjet e italianëve ishin të papushuara.
Ka një çast në filmin e Rai-t “Ushtarët e Paqes”, ku njeri nga personazhet kujton se këtë emërtim atyre ua kishte bërë vetë Presidenti. Për shikuesit tanë, të cilët nuk e dinë të vërtetën e këtij citimi, kjo batutë do t’u kujtonte fragmente nga filma të tejshkuar të tipit të “realizmit socialist”. Mirëpo të jesh “ushtar i paqes” për italianët nuk është retorikë, do të thotë të jesh një misionar i madh, ky emërtim për ta është një kompliment hutues. Tradita e tyre imperiale dhe pushtuese, pra koha e ushtarit pushtues, ka dekada të tëra që i është lënë historisë. Pamja e saj më tragjike, për fat të trishtë edhe shumë komike, u shfaq me ushtarin italian musolinian. Shqipëria i ka provuar nga afër edhe legjionet zaptuese e rafshuese të perandorisë së Romës, po ashtu edhe ato divizione që hynë në teritorin tonë gjatë shekullit të shkuar. Ushtari luftësjellës italian nuk ja ka dalë dot kurrë të mundë ballkanasin e shqiptarin, në shumicën e rasteve ai e ka vuajtur dramën e luftës edhe më shumë se i pushtuari. Shumë ish-partizanëve tanë nuk u hiqet nga mendja klithma e tyre “mamma mia”, thirrja e dhimbshme për nënën, ndërsa ishin mes zjarrit të plumbave të vendasve.
Kurse ushtari i ri italian, paqembrojtësi, ka arritur ta lartojë shumë imazhin e vendit të vet, ka hyrë në zemrat e njerëzve në vështirësi në të gjithë botën. Italianët mund të krenohen normalisht me historinë, muzikën apo edhe kuzhinën mesdhetare, por në këtë pasuri të tyre botërore mund të shtojnë edhe “ushtarin e paqes”.
Filmi dyserial i Rai-t, “krenaria e Radiotelevizionit Italian”, siç e prezantuan disa ditë më parë se të shfaqej prodhuesit e tij (RAI FICTION), mund të quhet edhe filmi që rrëmben zemrën e çdo shqiptari. Njëqind e nentëdhjetë minuta xhirim me një ritëm veprimi që të kujton kryevepra, një regjizor si Klaudio Benevento që nuk i ka lejuar asnjë aktori të bjerë në rutinë qoftë edhe për një fraksion sekonde, një skenar i pasur me ngjarje e mbi të gjitha të shkruar me prirjen për të spikatur njeriun e mire italian, shqiptar apo serb (hartuar nga Graciano Diana dhe Fabricio Rondolino), një galeri e gjallë personazhesh si Xorxho Pazoti (në film Vitorio Di Biazi), Majkëll (Fulvio Korradi), Toni Sperandeo, Nini Salerno, Stefano Kalvanja, Fabricio Temperini, Antonela Morroni e shumë të tjerë. Janë prekës dhe realë shqiptarët e intepretuar nga Nadia Kazan (Alia, përkthyesja e italianëve), Julia Manjan që interpreton Zamirën, Milutin Dap që luan Skenderin apo shqiptari Genti Kame që aktoron personazhin e serbit Rade.
RAI dhe KFOR
Duke treguar vendosjen e një kontigjentit italian të KFOR-it në Deçan të Pejës, me mision kryesor mbrojtjen e popullsisë vendase nga bandat e ekstremistëve serbë dhe shqiptarë, por edhe me detyrë mbrojtjen e Manastirit ortodoks të qytezës, autorët e filmit jo vetëm e kompletuan subjektin artistik të veprës së tyre me episode ballkanase nga më befasueset, mjaft tunduese për teleshikuesin europerëndimor, por edhe manifestuan para opinionit një kulturë të gjerë dëshire të dy popujve për bashkëjetesë. Po të kemi parasysh se filmi nuk u ndoq vetëm në Itali, por edhe në të gjithë diasporën e saj të madhe nëpër botë, është parë në Malin e Zi, në Kosovë e Maqedoni, në Kroaci dhe Bosnjë, në Slloveni dhe Serbi, sidomos në Shqipëri, mund të themi se “Ushtarët e Paqes” për dy ditë rresht u bë një manifestim i madh kulturor ballkanik, një podium artistik ku iu kushtuan fjalët dhe gjestet më të bukura paqes. Dhe nuk bëhet fjalë për një paqe disi pacifiste, e cila tek shtresa të tëra të popullit fqi ka rrenjë të thella dhe për autorët e filmit mund të ishte zhndërruar në një grackë. Rai me filmin e vet nuk përcolli figurën e një italiani që kryqëzon duart dhe lyp paqe edhe para diktatorëve, por një bashkëkombas që përgjaket me armë në dorë për ta fituar këtë paqe kundër diktatorëve dhe shtypjes etnike, si edhe për ta ruajtur atë. “Dua ta bombardoj Ballkanin me kengë dhe fjalë vëllazërore” thotë në një çast aktori kryesor Pazoti, ndërsa projekton dhe realizon, bashkë me kolegët e tij, Radio West, stacionin i shumënjohur radiofonik italian tregjuhësh. Filmi “Ushtarët e Paqes” për dy ditë rresht e “bombardoi” Ballkanin me mesazhe bashkëjetese, veprimtari që kaq dendur po e kryen diplomacia shqiptare dhe ajo rajonale, tre qendrat e rendësishme demokratike globale si OKB, Uashingtoni dhe Brukseli. Eshtë pjekuri e grupit realizues të filmit që në asnjë rast nuk ranë prehë e ndonjë simpatie të diferencuar për serbët apo për shqiptarët, siç edhe i janë ruajtur me shumë inteligjencë dhe maturi jo pak sirenave djallëzore që edhe në vendin e tyre Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës akoma e konsiderojnë si formacion terrorist apo ca më keq të lidhur e sponsorizuar nga qarqe të fondamentalizmit islamik.
Asnjëherë nuk kanë qënë të një mendjeje gjykimi dhe veprimi i RAI-it dhe i KFOR-it. Madje telefilmi “Ushtarët e Paqes” mund të konsiderohet një pjesë e pakontestueshme e misionit paqeruajtës të KFOR-it.
Mision kulturor paqeruajtës
Kemi një dyzinë vitesh që kështu lartohen para nesh portretet e ushtarakëve italianë, duke mbartur në Shqipëri makina dhe helikopterë me ushqime nga jugu në veri, pastaj duke duke mjekuar të sëmurët, po ashtu duke hapur rrugë, ngritur ujësjellësa dhe ura, merementuar shkolla. Madje bashkë me shumë kolegë të NATO-s edhe duke na ruajtur qendrat e votimit. Ata morën pjesë në koalicionin ndërkombëtar ushtarak për heqjen qafe të Sllobodan Millosheviçit, tani janë në Kosovë për të siguruar identitetin e saj të paprekur nga shovinizmi dhe radikalizmi ndëretnik, për ta shoqëruar Kosovën në rrugën e dëshiruar të Bashkimit Evropian.
Filmi dyserial “Ushtarët e Paqes” nuk është gjë tjetër veç një një “repart” aktorësh të Radiotelevizionit Italian që, siç edhe bashkëkombasit e tyre me uniformë, fisnikërisht realizuan një mision paqeruajtës në Ballkan.
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|