Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

TA SHPËTOJMË BALLISTIN MORINA APO.... Të shpëtojmë prej tij?
PROVOKUESIT SHQIPTARË TË HISTORISË KOMBËTARE DHE KROATI MILAN SHUFLAJ
PARTIZAN-KOMUNIZMI I JAUP LILËS: LUFTËTAR DHE QYTETAR I PËRRUNJUR I ATDHEUT
SKËNDERBEU ME LIDHJE TË SHUMËFISHTA ME SLLAVËT
KUJTESA KOMBËTARE NËN AGRESION
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Sqima qytetare e nje ankete per zgjedhjet


Dita, 3 tetor 2003


Fushata zgjedhore vrapon me ngut drejt finales së saj të 12 tetorit, por nëpër tymnajën e krijuar në fushë nga ndeshja është pak e vështirë të bësh një parashikim të përafërt se cila forcë politike pritet të dëshmojë epërsinë e saj elektorale ndaj tjetrës. Doemos që sondazhe të tilla do t’i verifikonte më mirë se kushdo kutia e votimit, e megjithatë nuk është aspak mirë për demokracinë tonë të re që, ndërsa kemi mëkembur me dhjetra institute, fondacione, akademi apo forume studimore, nuk kemi një institucion të pavarur që do të hetonte shkencërisht para ditës së votimit prirjet e flukset reale të zgjedhësve. Kështu opinioni ende nuk di jo vetëm tendencën e përgjithshme partiake të preferencave të votuesve, ç’ka mund edhe të mos përbëjë ndonjë problem tepër shqetësues, por nuk është i informuar në mënyrë të përafërt as për përmasën e vërtetë të atyre nënshtetasve që do të shkojnë më 12 tetor drejt kutive apo që do t’u kthejnë atyre shpinën. Në rast se pas trembëdhjetë vitesh pluralizëm nuk ka marrë ende frymë institucioni jashtëqeveritar që do të prognozonte rezultatin e votave, ai që do të vëzhgonte dimensionet e besimit kombëtar ndaj aktit sublim të zgjedhjeve duhej tashmë të kishte krijuar autoritetin e vet. Në rast se akoma nuk kemi kulturën apo ndërgjegjësimin që kanë demokracitë e zhvilluara, në të cilat organizmat e parashikimit të rezultateve elektorale ditën e votimit verifikojnë nëse kanë gabuar e shumta deri 3 përqind (ndryshe humbin besimin e opinionit dhe falimentojnë), me kohë kemi përgatitjen e përvojën për të hetuar lëvizjet e grupeve shoqërore apo territoreve elektorale në raport me përdorimin apo refuzimin e votës.
Kjo sepse nuk është dëshmi demokracie në konsolidim prania tashmë konstante e përqindjeve shumë të larta të mospjesëmarrjes. Po të testohej një gjendje e tillë me kohë nuk do të trulloseshin opinioni apo shtabet elektorale të tanishme nga protestat se ky apo ai fshat, lagje apo rrethinë, madje edhe Shoqata Kombëtare e Jetimëve, bëjnë për të mos votuar. Kjo gjendje e pandodhur më parë, në rast se do të parashikohej, do të shtrengonte partitë apo administratën shtetërore, kandidatët për kryebashkiakë po ashtu, që të tregojnë vëmendje dhe preokupim të hershëm. Ndryshe fushata do të kalojë përtej fateve të trishta të njerëzve të thjeshtë si të jetë një veturë luksoze e zbukuruar për dasmë.
Sepse mungojnë institucionet e pavarura të vëzhgimeve elektorale ndodh që përhapen sondazhe të bëra nga vetë partitë, prej logjikës së të cilave rivalja jo vetëm që është humbëse e sigurtë, por diferenca paraqitet dy me një. Vegjetimi i sondazheve partiake mund të konsiderohet më e pakta një gjest absurd, sepse në thelb ato janë edhe turp për një shoqëri të hapur. Mund të përjashtohen nga një qortim i tillë vetëm sondazhet që organizohen si pjesë e lojës inteligjente politike dhe programohen për diversion me rezultat traumatizues të shpejtë.
Në kushte të tilla nisma e gazetës “Sot” për të mbledhur dhe publikuar çdo ditë mendime të bashkështetasve tanë për rezultatin e pritshëm të zgjedhjeve të 12 tetorit, edhe pse nuk mund të zëvendësojë asnjë mungesë institucioni të specializuar, përbën një vlerë emancipimi demokratik. Po ashtu është modestisht edhe një novitet dhe formë origjinale vëzhgimi të hapur dhe të ekuilibruar, kulturë që dukshëm e gjithë media shqiptare po e manifeston. Në “Sot” të anketuarit prej saj (rreth 25 vetë në ditë, për analizë zgjodhëm 253 vetë) shoqërohen me foto, me emrin e tyre të plotë, moshën dhe profesionin. Ata nuk i përgjigjen me një “po” ose “jo” pyetjes së redaksisë “Kush fiton, PD apo PS?”, por edhe paraqesin shkurt argumentat e tyre. Jo numërimi mekanik i deklarimeve pro për Partinë Socialiste apo atë Demokratike (nxjerrja e një “rezultati të tillë” do të ishte një flagrancë, sepse ky anketim mbetet akoma larg mënyrave shkencore që përdoren nga strukturat e specializuara), por argumentat e të pyeturve përbëjnë pastërtisht një vlerë solide për t’u analizuar.
Ajo që të bën menjëherë përshtypje tek të vëzhguarit është kultura qytetare e dhënies së përgjigjes: asnjë fjalë e rendë, asnjë formulim i ashpër fanatik, asnjë epitet fyes për partinë kundërshtare, asnjë ekzaltim për partinë që besojnë. Madje nuk ka asnjë shprehje idolatrimi për kryetarët e partive. Kjo kulturë është trasversale tek të gjitha moshat e pyetura, përshfaqet tek studenti, i riu i papunë, tek pensionisti apo ish-ushtaraku. Një manifestim i tillë qytetar ecën në të kundërt të prirjes të gjuhës së përdorur nga krerët kryesorë partiakë të vendit, të cilët konsumojnë natyrshëm edhe fakte denoncuesë apo realizime e premtime, shpesh nga më të gjeturat, por e gjithë “paketa” zgjedhore mbështillet jo rrallë me një gjuhë jo vetëm të ashpër dhe bërtitëse, por edhe vulgare. Kjo dëshmon për praninë tek ta të një iluzioni se “rritja graduale e tonit elektoral” nuk janë faktet përherë e më goditëse, por fjalët gjaknxehta të trotuarit. Të pyeturit nga “Sot” provojnë se fjalori “pseudopopullor” është pa asnjë ndikim dhe pa asnjë rendiment.
Në mënyrë masive tek të anketuarit nga “Sot” ka hedhur rrënjë koncepti i grumbullimit të përvojës dhe i të qenit i përgatitur për qeverisje. Në shumicën e rasteve formulimi përbëhet nga fjalëforma “i gatshëm (apo jo) për pushtet”, shprehje që dëshmon tek ta ekzistencën e një proçesi njohjeje relativisht të mirë të politikës dhe të misionit të saj kryesor. Të gjykosh se je apo jo gati për të ardhur në drejtim të vendit do të thotë se më në fund në ndërgjegjen kombëtare qeverisja e Shqipërisë nuk konsiderohet gjë e lehtë apo e thjeshtë. Me kohë ka rënë zjarrmia partiake e viteve 91,92 dhe 97, kemi hyrë në një periudhë stabiliteti demokratik dhe në një mot të tillë paqeje të brendshme shoqëria i rrit dukshëm kërkesat e saj ndaj klasës politike. Trazirat janë mjegull për t’u justifikuar edhe me “suksesin e rivendosjes së rendit publik”, kur vendi hyn në një zhvillim të qendrueshëm pretendimet rriten disafish, bëhen thelbësore dhe elitare.
Në këtë vijim mentaliteti të përparuar prej të anketuarve vjen edhe “nota” për secilën parti. Ajo shprehet me gjykimet “e meriton” apo “nuk e meriton”, “e ka justifikuar” apo “nuk e ka justifikuar”. Siç duket në Shqipëri po mbyll ditët e fundit të jetës atavizma e asaj shakaje të ardhur nga qyteti i Beratit se boll që politikanët të jenë vetë në humor të mirë, pa nuk ka asnjë rendësi në njerëzit e mbështetësit e thjeshtë të tyre nuk kanë punë, ujë apo energji elektrike. Nga një realitet i tillë premtimet apo angazhimet e kandidatëve të tanishëm për kryetarë bashkie nuk kanë më si detyrime apo si tullumbace vetëm një bisht ure apo një numër telefoni, investimet kërkohen në dollarë e në miliona, janë rrugë të asfaltuara brenda lagjes apo ujë njëzetë e katër orë, shërbime në internet dhe zona turistike, komplekse argëtimi dhe sistemim trafiku, njëherësh brenda një qyteze shkollë të re, kopsht fëmijësh dhe qendër shendetësore.
Interesante, edhe pse mund të konsiderohet e dorës së dytë, djathtas drejt PD-së disa të anketuar këshillojnë se “janë shumë të shpërndarë, të rregullojnë punët brenda njeri-tjetrit” (duke nënkuptuar një fragmentarizim të dukshëm të gruppartive të djathta). Një vërejtje e tillë nuk bëhet majtas, drejt PS-së. Më e pakta e këtij kumti është se socialistët, edhe pse gjenden sëfundi sërish në një debat dhe polemikë të thellë, nuk konsiderohen nga të pyeturit-zgjedhës si të përndarë. Partia Socialiste dhe gruppartitë e majta gjykohen prej tyre si të bashkuara fort.
Duket plot sqimë mprehtësie mendimi dhe qortim therrës për klasën politike përgjigja e gjetur jo vetëm njëherë në këtë anketë, kur duke parashikuar një fitore të mundshme të socialistëve argumenti i dhënë është justifikimi “janë e keqja më e vogël”.

Ylli Polovina





Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com