|
Kuarteti elektoral me daulle dhe violine
Sot, 14 shtator 2003
Tashmë fushata zgjedhore pothuaj e ka krijuar shtratin e saj të rrjedhjes dhe ngarend e po oshëtin brenda brigjeve natyrshëm të veta. Në këtë buçimë të saj elektorale nuk ka asgjë të jashtzakonshme e fryrje ujrash që mund të dalin jashtë kontrollit. Në shtat një lumë e në mendje një përrua ajo bashkë me kakofoninë e saj të pashmangshme dhe rutinën, cinizmin dhe agresivitetin, foklorizmin dhe delirin ka edhe nota melodioze, vetëpërmbajtje e vrull elegant, karakteristika arti luftarak modern dhe tipare siluete të bukur, sinqeritet dhe përdorim sloganesh e nofkash mjaft interesante.
Karakteristika e saj më themelore është pjesëmarrja njëzetë e katër orë për njëzetë e katër e dy liderave kryesorë të formacioneve partiake kryesore: Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike. Si pasojë e kësaj strategjie të zgjedhur jo për herë të parë dy regjizorët dhe ekzekutuesit e saj janë Fatos Nano dhe Sali Berisha. Ka dymbëdhjetë vite që i shohim të bëjnë garë, duke kapërxyer nga njera zgjedhje në tjetrën fitimtarë apo humbës elektoralë, por përherë ngadhënjimtarë politikë e partiakë. Me sa duket ky bilanc pozitiv personal u ka dhënë shtysë sërish që ta përsërisin skemën e vjetër, edhe pse që të dy për plot dymbëdhjetë vite janë qortuar se i kanë personalizuar të gjitha fushatat. Kësaj rradhe të dy bajlozët politikë janë shfaqur duke manifestuar më shumë përvojë se herët e mëparshme, por pa hequr dorë nga një armë e vjetër e tyre: demonizimi reciprok gjer në kriminalizim. Ky barot i këtij topi të lashtë, edhe pse bën shumë tym të hidhur që na i nxorri sytë, rezulton se luftës elektorale për këta nismëtarë dhe përdoruesë të saj ia del përtej. Sigurisht kjo përmasë kriminalizimi në brendësi të proçesit të djallëzimit të kundërshtarit dhe rivalit (Berisha emërtohet si Millosheviç dhe Nano si padrino mafieje dhe i pafe) për një pjesë të opinionit shqiptar është mënyrë e tejkaluar ushtrimi të politikës, e patolerueshme mbetet edhe për kulturën e përgjithshme demokratike që duhet të përhapim e konsolidojmë mes nesh. Më e pranueshme do të ishte zëvëndësimi i mllefit të reciproktë me risinë e demonizimit të kundërshtarit nëpërmjet nofkave që mbartin tallje apo sarkazëm si sëfundi fjala Nastradin që hyri në përdorim nga ish-Presidenti, fenomen që e kemi parë të lulëzojë në fazën parazgjedhore nëpërmjet batutave të Edi Ramës (Pinoku, Mamadhija etj). Në ballafaqimin e përditshëm të dy lojtarëve kryesorë të kësaj fushate, çka çdo ditë e më shumë do të bëhet konsumuese dhe gërryese për ta si edhe mjaft lodhëse për elektoratin, po vihet re rënie drastike e fantazisë së tyre për gjetje mjetesh e formash të reja tërheqëse. Në rast se duelin Nano-Berisha, i cili është aktualisht edhe lokomotiva e garës zgjedhore, aksioni zgjedhor do ta shtrengonte të binte në rutinë të rendë, efektin negativ do ta ndjenin të dy partitë që ata përfaqësojnë e mbartin me vete, duke shtuar kontigjentin e mosvotuesve. Kryesocialistin nuk do ta ndihmonte për të shpalosur novitet asnjë miting i organizuar gjer në detaj si një shfaqje lumturie popullore dhe as kryedemokratikasin çdo grumbullim masiv me njësite dygishtëshish nëpër sheshe. Nuk mund të konsiderohet tani për tani ndonjë investim i sigurtë të korrash të mira elektorale edhe përdorimi ekspansiv i pllakateve me vetëm foton e Fatos Nanos (në qendër të Tiranës ato janë tre reklama të mëdha dhe imponuese elektronike), siç nuk të lë përshtypje qendrimi të arsyeshëm modestia gjer në asketizëm i Sali Berishës me mungesën totale të ekspozimit të fotos së tij. Sidoqoftë përdorimi mediatik si sfond i vetvetes prej ish-Presidentit i pllakatit masiv Eja me ne, ku në një të kaltër të butë e të bukur lodrojnë shumë portrete e gëzime njerëzore, mund të quhet një nga gjetjet e kësaj fushate zgjedhore.
Por risia e vërtetë e kësaj beteje elektorale janë patjetër Edi Rama dhe Spartak Ngjela. Ky çift elektoral edhe pse nëpër kronikat televizive vendoset gjithnjë pasi kryhet informimi për veprimtarinë ditore të dy liderave politikë kryesorë, interesimi për gjestet e tyre është më i madh. Ata manifestojnë shumë pak rutinë dhe shkarkojnë përherë mbi opinion pamje të reja të ushtrimit të garës elektorale. Duke e sfiduar mediatikisht duelin Nano-Berisha, punë e bërë aspak qëllimshëm, Rama-Ngjela dëshmojnë se brenda shoqërisë partiake shqiptare ka mjaft dëshirë, hapësira, kapacitet dhe aftësi për ta bërë politikën ndryshe.
Tipari më i parë novativ i çiftit ndeshës për Tiranën është mospërdorimi i tonit të rendë dhe stresant të sharjes, kërcënimit apo përbuzjes së rivalit. Ndërsa tek dy më të mëdhenjtë e politikës shqiptare trazohet, jo rrallë në një shkallë që të shkakton dhimbje në lukth të stomakut, festa e flamujve, shajeve të ngjyrosur dhe e hiteve më në zë të melodive në anglisht sëbashku me atë të zërit të lartë dhe britmës, tek dy pasuesit kryeqytetas është përdorur shumë pak ton maestos koncertesh dhe replikat konkuruese kanë lëvizur nëpër shtratet e përdorimit të nënteksteve apo shpotive (Ngjela;Nuk mund të quhet qytet një kryeqytet pa 24 orë ujë, Rama: Jo premtime piramidale se do të dalë ujë aty ku shkel Mama Sudja dhe lindin apartamente e shpërthejnë investime ku shkel teze Shemsia). Kështu të dy kryebashkiakët në potencë i janë shmangur gjer tani me mjaft kujdes përplasjes trup me trup, çka po e realizojnë furishëm dy prijësit e njohur partiakë. Kjo shmangie e kacafytjes politike, e cila do ta ketë domosdoshmërisht ditën e saj, u jep kohë të dy palëve ta përgatisin atë si ngjarjen finale dhe më spetakolare të ballafaqimit. Në fund të fundit një betejë zgjedhore ka ritmin e dinamikën e vet, ajo nuk mund të zgjedhë si rrugë veç ngjitjen dhe shpërthimin në lartësi, si një fishekzjarr gjigand dhe verbues. Atë duhet ta shohin të gjithë dhe me efektin e saj tundonjës dhe stimulues të shkojnë drejt kutive të votimit.
Ndeshja e deritanishme Rama-Ngjela vërteton se sa të dobishme janë stafet moderne që bashkëpunojnë me secilin prej tyre dhe sidomos aftësia që zotëron kandidati për ta kuptuar dhe respektuar mesazhin e këshilltarëve. Shijet tejet të përparuara politike të Edi Ramës dhe lenda eksbicioniste që e ka formësuar me kohë identitetin e tij nuk ka ndonjë epërsi mjaft të dukshme ndaj rivalit Spartak Ngjela. Mesazhpërcjellësit zgjedhorë me biçikleta të sfidantit të qendrës së djathtë janë në thelb pjellë e të njëjtës teknologji që ka prodhuar dymijë e më tepër vullnetarët e njeriut që e mbështet e majta që nga qendra deri tek skaji. E vetmja veçansi e këtyre dy reparteve elektorale është se njësiti i parë është ndërtuar më shumë për efekt mediatik, kurse i dyti është sendërtuar që të marrë strukturën e një lëvizjeje rinore pro Edi Ramës, e cila do të hyjë e vijojë jetën e saj edhe pas 12 tetorit, gjithnjë sipas projektit të arkitektit të vet dhe rezultateve të votimit.
Inteligjenca dhe risia e çiftit ballafaques kryeqytetas dallohet në dy teknikat që përdorin për tu vetspikatur: Rama ka shtuar ritmin e makinave të punës dhe njerëzve në të gjithë frontin e ndërtimit të Tiranës metropol, nga qendra deri në periferinë më të largët, duke realizuar kantjerin më të madh të të gjitha viteve që historikisht ka përjetuar Tirana. Ngjela viziton bashkë me kamerat e televizioneve të gjitha qoshet e braktisura të kryeqytetit, duke e zbuluar rënimin e tyre para të gjithë opinionit. Ndërkohë duke lënë të nënkuptohet se nuk e kanë interceptuar plotësisht forcën kanosëse të kësaj teknike denoncimi Edi Rama bashkë me Kryeministrin Nano ekspozuan për ekranet e medias të nesërmen e vizitës së Spartak Ngjelës në zonën e ish-Kombinatit të Tekstileve një projekt pothuaj ëndërrimtar të një megaqendre kulturore, e cila brenda vitit 2005 do të ngrihet në hapësirën ku pikërisht janë strehuar në kushte mjaft të këqija me qindra banorë e njëkohësisht zgjedhës. Boceti marramëndës, i vënë në lëvizje për efekt pozitiv electoral, kështu përhapi mesazhin e qartë negativ se bujtësit e sistemuar deri tani me të keq nesër nuk do të kenë as një tjegull si strehë.
Pastaj në një revansh të sigurtë momental kandidati i opozitës shpërtheu fishekzjarrin elektoral më shumëngjyrësh: Inva Mula do të jetë anëtare e Këshillit Bashkiak të Partisë Demokratike. Paraqiti edhe websitin e tij në internet, një paradhomë elektronike takimesh me njerëzit që Edi Rama me kohë e ka në nivel proverbial. Nuk harroi të kembëngulte edhe në premtimin e tij gjithnjë e më tepër të pabesueshëm se Tiranës brenda një viti e gjysëm do ti jepte ujë njëzetë e katër orë për njëzetë e katër.
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|