Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Sindroma e zgjedhjeve pa zgjidhje


Sot, 22 nentor 2003


Ky vit, i cili nuk ishte aspak i shkëlqyer por edhe nuk përbënte një hap mbrapa, mund të mbyllet në mënyrë të trishtë. Mundet edhe më keq se kaq, ç’ka askush nuk e dëshiron, por ka të drejtë ta paralajmërojë. Sigurisht kurkujt nuk ia kemi borxh, që vitin 2004 ta nisim e përjetojmë mes një krize pazhvillimi nga ato që në siptomë të parë nuk të japin temperaturë, por ethet nga brenda shtatit gjithsesi renojnë. Ne shqiptarët po jetojmë një çast kur nga klasa jonë politike kërkohen të realizohen dy zgjidhje të rendësishme. Shumica qeverisëse duhet të kthjellojë dhe sistemojë problemet e saj të brendshme, të cilat herë pas here ja heqin mundësinë e të qënit një mazhorancë e qendrueshme dhe me efekte stabilizuese në vend, kurse Partia Demokratike dhe përgjithësisht opozita kërkon zgjidhjen e raporteve të saj me këtë shumicë nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme.
Që të dy operacionet nga politika konsiderohen të nevojshme dhe realisht janë të tilla. Partia Socialiste me një pjesë të aleatëve të saj të dikurshëm të Aleancës për Shtetin mendojnë se sigurimin e shumicës parlamentare kabineti Nano mund ta realizojë nëpërmjet Kongresit dhe aleancave pas tij, PD është e bindur se ka në dorë shumë prova, të cilat vërtetojnë që mazhoranca e sotme ka kaluar me kohë në pakicë, kështu që raportin e ri politik në shoqërinë shqiptare beson ta koregjojë me mjetin më normal demokratik: zgjedhjet e reja, por të kryera para mbylljes së legjislaturës.
Mirëpo këto gjeste dhe në fakt zgjedhje, për të cilat politika e majtë dhe ajo e djathtë kanë programuar dhe nisur aksionin e realizimit, deri tani nuk duket se do të përbëjnë doemos edhe zgjidhje. Socialistët deri tani po e kërkojnë rrugëdaljen jo nëpërmjet riformësimit të shumicës së tyre reale dhe riekuilibrimit të qendrave të shumta të pushtetit brenda vetes, pastaj rimodulimit të raporteve me aleatët e natyrshëm. Krerët e tyre kryesorë po rendin ndër mënyra të tjera operimi politik: më e fundit është projekti i një aleance të përkohshme qeveritare me partinë e drejtuar nga Genci Pollo. Një gjest i tillë rindërtimi të shumicës, mjaft i brishtë dhe jo fort i natyrshëm nga pikëpamja programore, nuk është gjë tjetër veç montimi në sistemin politik shqiptar të një mekanizmi të ri jostabilizues, thjesht sa për të fituar kohë dhe epërsi në luftën e brendshme. Rozët po ashtu në Kongresin e ardhshëm të tyre, nëpërmjet zgjedhjeve të reja dhe të gjithë kontornit tjetër, synojnë të çelin mundësinë e një stabiliteti më të madh në parti dhe pastaj këtë qendrueshmëri ta përcjellin në shumicën e tyre. Mirëpo edhe kjo mënyrë operimi nuk duket se ka shtegdalje. Një debat dhe ballafaqim në Kongres deri tani duket i projektuar për të arritur një rikonfirmim të drejtuesve të sotëm dhe po ashtu të së njëjtës mënyrë për të zgjidhur problemet e brendshme të renduara. Shpresa se kandidatët për rivalë, ku deri tani ka mbetur vetëm Edi Rama, nëpërmjet trysnisë së tyre do të krijojnë një mjedis shkundjeje nga rutina, mund për inerci apo fanatizëm të shkaktojë të kundërtën: fortifikimin edhe më të madh të partisë në pozicionet e veta konservatore.
Nuk do të ishte një zgjidhje politike edhe projekt-provokimi i zgjedhjeve të reja të parakohshme nga vetë udhëheqja e socialistëve, gjithnjë si një mënyrë për të ruajtur epërsinë në terrenin elektoral. Matematikisht mund të gjykojnë se kështu me një goditje (zgjedhje e parakohshme) PS çkoklavit njëherësh edhe mosndërrimin e drejtuesve të saj aktualë si edhe qenien parti e parë. Mirëpo zgjedhje të parakohshme kërkon edhe opozita dhe në dukje politika shqiptare, majtas dhe djathtas, lë përshtypjen sikur po ndërmerr një nga aksionet e saj më harmoniozë dhe të kombinuar shkencërisht. Të dy karvanet, rozë dhe blu, mund të takohen në stacionin e zgjedhjeve të parakohshme ose pranverën e ardhshme, ose në fillim të vjeshtës. Opozita do të ngulë kembë që zgjedhësit shqiptarë të hyjnë nëpër qendrat e votimit kur sapo çel gjethi, pra sapo del dimri. Nuk ka çast më fatlum për ta, ndërsa dihet që në Shqipëri mars-prilli me çmime të larta dhe drita të pakta shkurtojnë politikisht edhe fatet e partive në pushtet. Pozita e dalë nga Kongresi, ngulëkembëse në rrugën e saj të tanishme, do të bëjë lëshime të gjithfarëllojshme për të mbërritur deri në shtatorin e butë e plot me zarzavate e fruta. Mirëpo e gjithë kjo lojë manovrimi me zvarritje nuk do të bëjë tjetër veç do ta shkarkojë paqendrueshmëri në vend.
Zgjedhjet e parakohshme, kaq të dëshiruara hapët nga blutë dhe fshehtas nga një pjesë e rozëve, nuk do të çojnë në ndonjë zgjidhje reale të krizës politike shqiptare edhe për një arsye shifrore: numurat e dalë nga kutitë e votimit të 12 tetorit nuk konfirmojnë jo vetëm ndonjë epërsi të sigurtë të socialistëve, por as edhe të demokratikasve. Këta duken dy pikë më poshtë se rivalët e tyre, por edhe po të sforcojmë llogaritë e të përmbysim për një çast shifrat, pra ta konsiderojmë apriori PD-në në epërsi me dy përqindë mbi PS-në, pasoja do të jetë e njëjtë. Mosepërsi e dukshme, sipas rezultateve të 12 tetorit, konstatohet edhe në raportet mes dy koalicioneve. E njëjta gjë do të vinte si pasojë në rast se edhe njëherë të dytë do të sfocoheshim dhe epërsinë disi të dallueshme të bllokut të majtë ta arbitronim formalisht si të koalicionit të djathtë.
Në këtë prag Viti të Ri, të cilin kemi të drejtë ta festojmë edhe më mirë se dymbëdhjetë muaj më parë, PS dhe PD me zgjedhjet që kanë ndërmend të bëjnë nuk po i çojnë ngjarjet drejt zgjidhjes reale. Kjo situatë qerthulli dëshmon se është politika dhe jo shoqëria shqiptare ajo që ka hyrë në krizën e mendësisë dikur të re, por që tashmë është vjetëruar. Duket qartas që këto çaste shoqëria jonë dhe klasa e saj politike nuk po ecin në harmoni: e para jep shenja që po del nga kriza e tranzicionit, e dyta që po vërtitet rreth vetes. Nga njëra anë rri shoqëria shqiptare, e cila edhe pse pjesë-pjesë e në mënyrë spontane, po vetreformohet e përshtatet me sistemin e hapur, nga ana tjetër qendron politika, e cila i largohet vetreformimit. Nuk guxon të vetreformohet sepse bart mbi shpinë pështjellimin dhe panikun se mos ndërkaq humbasin vendet dhe pushtetin e tyre shumica e ushtruesve të saj aktualë.
Në fund të fundit kjo do të thotë se njerëzit e thjeshtë janë gati të rishkojnë tek kutitë e zgjedhjeve të reja, problemi është se ata jo vetëm janë të tronditur nga mënyra se si ua trajtojnë votën, por edhe partitë e mbetura në ngërçin e palëvizjes nuk garantojnë asnjë ndryshim të jetës së tyre.

Ylli Polovina






Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com