|
Krimi i organizuar del ne prite
Sot, 10 tetor 2003
Tani në vendin ku një kiler, me sa duket profesionist, vrau në Tiranë njeriun e thjeshtë, shoferin Genci Sina, ka lule. Janë të afërm, por edhe miq të tij që i kanë lënë ato buqeta mbi trotuar, atje ku tashmë nuk gjendet asnjë ngulç nga gjaku i tij. Me siguri në këtë vend, ku ja morrën jetën një punonjësi të mirë të Shtetit, me zemër dhe me mendje ka vënë lule çdo shqiptar. E megjithatë Sinën nuk e kthen më në jetë asnjë njeri. E bashkë me të mund të ndodhë që ne, shqiptarët, të mos arrijmë të rikthejmë në jetë Shtetin tonë. Në të vërtetë kjo dramë e përleshjes mes krimit të organizuar dhe gjysmështetit tonë po zhvillohet prej kohësh para syve tanë dhe nuk po jemi aq të ndërgjegjësuar se të japim alarmin pa na kapur paniku. Alarm madje edhe mes debatit, polemikës dhe konkurencës zgjedhore.
Genci Sina u vra buzë Shëtitores me emrin simbolik Dëshmorët e Kombit, në qendër të kryeqytetit shqiptar, të përfshirë si asnjëherë nga posterat elektoralë, mitingjet dhe koncertet. Atij ia morën jetën padrejtësisht para fytyrave të gëzuara dhe premtuese të kandidatëve për kryetarë bashkie. E qëlluan drejtpërsëdrejti në zemër në hapësirën zyrtare të Shtetit, atje ku jo më shumë se njëqind metra larg ndodhet Kryeministria dhe janë zyrat e Kuvendit, gjenden shumica e ministrive dhe ngrihet solide godina hijerendë e Ministrisë së Rendit Publik. E bënë atentatin në atë kryqëzim ku prej disa muajsh ka më shumë përqendrim punonjësish policie se në çdo pikë tjetër strategjike të Tiranës. Genci Sinën e vranë dhe dy ditë rresht nga Prokuroria e prej disa specialistëve të tjerë vijoi të përhapej arsyetimi se krimi kishte ndodhur për çdo shkak të tipit të rendomtë, por kurrsesi për qëllime të qarta mafioze. Deri sa me një shpejtësi tronditëse faktet e grumbulluara ndriçuan terrin e ngjarjes. Atëhere menjëherë një dyzinë makinash të reja të blinduara iu vunë në dispozicion prokurorëve.
E njëjta pamje e gjërave kishte proceduar disa muaj më parë, kur u vra Komisari Gani Malushi. Edhe atëhere për disa ditë rresht breshëria e plumbave të hedhura mbi shoferin e tij u shpjegua si pjesë e rendomtë e një rregulli të vjetër të Kanunit gjakmarrës dhe si plumba të marrë gabimisht, por nuk u desh shumë kohë të kuptohej se i gjithë skenari i krimit përmbante në thelb logjikën e ftohtë të një atentati për të hequr qafe një nga punonjësit më të devotshëm të Shtetit shqiptar. Atëhere nuk u fol për makina të blinduara, por pati një rrebesh shkarkimesh ndër punonjësit e lartë dhe të ulët të policisë në qytetin e Lezhës. Në Tiranë, pas ngjarjes së Sinës, dha dorëheqjen shefi i Policisë Kriminale në Drejtorinë e Policisë së kryeqytetit.
Me sa duket vala e vrasjeve ndër grupet kriminale të qyteteve të ndryshme, kryesisht ritual i zakonshëm i larjes së hesapeve brenda llojit, u motivua si një spasmë e vitit të mbrapshtë 1997. Po me kaq siguri u shpjeguan edhe krimet brenda familjes, të ndodhura në fillim të këtij viti. Tepër rrënqethëse dhe shqetësuese gjithsesi ato perhapsën gjithkund psikozën e rutinës se vrasja, kaq shumë e përhapur në Shqipëri, kryhej së shumti për motive të dobëta. Interpretime të kësaj natyre u dhanë edhe kur orteku i vrasjeve profesioniste (me kiler, persona të paguar) përfshiu botën e bisnesit. Mirëpo pas atentateve kundër Gani Malushit dhe Genci Sinës nuk mund veç të pranohet se bota e krimit është pjekur. Ajo është maturuar në mënyrë të mjaftueshme për të mos goditur me plumb vetëm familjen apo shoqërinë shqiptare, por për ta drejtuar më në fund armën e saj me silenciator edhe kundër Shtetit.
Kjo tregon se në tranzicionin tonë të gjatë dhe të shumëpolitizuar strukturat akoma të paformuara të shtetit kanë nisur ti shqetësojnë disa rrethe kriminale, qarqe që mund të jenë të lidhura fort apo jo edhe me segmente të administratës, qeverisjes, politikës, drejtësisë apo edhe shërbimeve të specializuara, të devijuara. Sepse që në piramidën e Policisë ato me kohë kanë hedhur lidhje dhe rrënjë këtë e kanë pranuar edhe figura të rendësishme të klasës drejtuese shqiptare. Shteti po goditet sepse dalngadalë ai po përpiqet që, duke përfituar nga zhvillimi demokratik dhe mbështetja inkurajuese e bashkësisë ndërkombëtare, të rritet dhe forcohet. Një dukuri e tillë është në vetë logjikën e rimëkembjes së një kombi a populli, moment që e kanë përjetuar të gjitha vendet e dala nga diktaturat e renda.
Kur u qëllua Azem Hajdari, vrasje e vërtetë politike e kryer në Shqipëri pas asaj të Arben Brozit, deri edhe vetë politika futi hundët për ta shmangur krimin nga konteksti ndërkombëtar apo nga prania e një prirjeje të kthjellët të botës së krimit për ti organizuar vrasjet me synim destabilizimin e vendit. Jo më kot vrasja e Brozit dhe ajo e Hajdarit u shoqëruan me sulme ndaj institucioneve, goditja e Shtetit ishte objektivi i vërtetë i të dy krimeve. Në të dy rastet nuk ishte politika shqiptare (llafazane) që kishte organizuar, ndërmjetësuar apo nxitur vrasjet. Ishte bota e krimit që rrinte pas atentateve, por edhe ajo e vënë në lëvizje nga kryekrimi: shërbime të huaja fqinje, të njohura në atë kohë si mirëfilli antishqiptare
Edhe sikur asgjë të mos merrte vesh nga kjo botë kileri i të paharruarit Genci Sina, kur provokoi debatin me të, e pa qartë se para tij rrinte një makinë e rendësishme dhe imponuese e Shtetit. Kaq do të mjaftonte tja ndalte dorën për të mos shkrehur pistoletën ose ta kthjellonte një çast vendimin edhe po të kishte gëlltitur një porcion droge. Eshtë e padyshimtë se kileri profesionist ka shtënë kundër Shtetit, duke patur parasysh figurën dhe personin e Prokurorit të Përgjithshëm të vendit.
Në këto çaste Politika duhet të kuptojë se, menjëherë pas mbledhjes së pikëve të inkurajimit apo kritikës nga votuesit e 12 tetorit, të bëjë një pakt dhe mobilizim kombëtar përballë Krimit të Organizuar. Në dekadat që do të vijnë puna e saj do të matet edhe më fort me kontributin për të ndërtuar Shtetin dhe do të kuptohet akoma më mirë se shqiptari me kohë e ka humbur durimin ta duartrokasë më për sloganet që hedh nëpër postera e mitingje. Asnjë shkëlqim shatërvani, prospekti madhështor buzë Lanës, premtimi për ujë njëzetëekatërorë apo për dengje me bursa studimesh jashtë vendit nuk barazitet dot me terrin e rendë të vrasjes së Genci Sinës apo Gani Malushit. Asnjë muzikë në shqip apo anglisht nuk arrin dot të lehtësojë apo harrojë për disa çaste krismat e kallashnikovëve e pistoletave që kanë nisur tu bëjnë atentate përfaqësuesve të lartë apo punonjësve të ulët e të devotshëm të Shtetit. Asnjë dekor i madh shumëngjyrësh nuk zëvendëson dot me lbyrjen e tij atë mesazh të dhimbshëm e shokues që të japin ato tufa me lule në trotuarin në udhëkryqin kryesor të Shëtitores Dëshmorët e Kombit.
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|