Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Strategjia Meidani


Dita, 13 gusht 2003

Situata politike e një vendi shpesh ngjan me gjendjen e tij klimatike: mund të ketë mjegull, ditë plot diell, natë me stuhi dhe qiell të mbushur me yje, shi dhe breshër, errësirë sa mund të të nxjerrë sytë tjetri apo shkelqim të artë hëne. Këtë fillim gushti klima politike shqiptare është e nxehtë dhe kthjellët, nuk ka mjegull, shiu bie aq sa e përvëlon më shumë ajrin, politikanët mund t’i dallosh prej së largu, me sy fare të xhveshur, pa u munduar të përdorësh për analizë mjete të posaçme “optike”. Konturet e tyre, pra, janë fare të qarta. Kështu Ilir Meta ka dalë hapët përballë Fatos Nanos në një tur mitingjesh dhe debati me të, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, secila për llogari të vet, kanë përcaktuar kandidatët për kryetarë bashkie, partitë e vogla pothuaj u ndanë mendjen kush do të jetë në krah të të mëdhave dhe kush në vetmi elektorale, Edi Rama dhe Spartak Ngjela gjenden të ngurrosur në një armëpushim të detyruar nga pushimet dhe garën zgjedhore do ta fillojë në gjysmën e dytë të muajit gusht, opozita po bën gati lojën që në shtator të organizojë spektaklin e madh të mocionit mosbesues ndaj Kryeministrit e kështu me rradhë.
Në këtë panoramë të përgjithshme të kthjellët e me konture të qarta bën reliev më i perceptueshëm edhe profili politik i ish-presidentit Rexhep Meidani, jo përherë silhuetë e dukshme. Për ravijëzimin e tij të fundit kanë ndihmuar jo vetëm shkrimet që publikon si edhe intervistat që herë pas here jep, por edhe interpretimet që i bën gjestikulacioneve të tij bashkëpunëtori i vet i ngushtë dhe një nga analistët më të mire e më të informuar, Mentor Nazarko. Disa ditë më parë i intervistuar nga një televizion kombëtar ish-këshilltari i zotit Meidani e shpjegoi përafërsisht kështu një prognozë të mundshme të lëvizjeve politike të ish-Presidentit: në rast se elektorati socialist, pra PS, e kërkon një ditë për ta patur si kryetar të saj, ai nuk ka përse e refuzon. Vetë nuk ka ndonjë kembëngulje apo synim të organizuar posaçërisht në këtë drejtim.
Në këtë formulim nuk ka vetëm një finesë diplomatike, por me sa duket edhe realitet. Mjafton të kundrosh veprimin politik të ish-Presidentit për të kuptuar se ai personalisht nuk po “punon” në mënyrë të posaçme për të qënë një ditë lider i socialistëve. Sa herë që këtë supozim e bëjnë vëzhguesë apo media të veçanta ai, pa u vonuar, lë të kuptojë nëpërmjet shkrimeve apo intervistave të tij (me të vetmet mjete që përdor për të komunikuar me opinionin dhe për pasojë edhe me socialistët) se nuk ka asnjë kurs veprimesh të tilla. Me këtë gjetje ai ka arritur sadopak të zbutë reagimin e kryetarit aktual të Partisë Socialiste, agresiviteti, zhndëvjelltësia dhe forca e pamëshirtë e të cilit kundër tij u përshfaq gjatë periudhës elektorale të përzgjedhjes së kandidatit të ri për kryetar Shteti. Rexhep Meidani, sigurisht jo se ka personalisht frikë, i druhet rënies në gjiratoren e zezë të debatit dhe garës së zhvilluar si përfolje dhe ndotje. Me kulturë, por edhe mentalitet akademik, ai nuk është i përgatitur dhe i gatshëm të luajë në terrenin e përbaltur të politikës shqiptare. Edhe përzgjedhja më 1997 si President, edhe pse e merituar dhe e justifikuar më pas me kontribut e qendrim korrekt, ka krijuar tek zoti Meidani ndjesinë, si edhe preçedentin, se në parademokracinë dhe kaosin tone tradicional mund të realizosh kapje pikash të rendësishme të pushtetushtrimit edhe me shumë pak investime. Një rast i tillë, pothuaj identik, u konstatua më pas, më 2002, edhe me presidentin aktual.
Ja përse pa ndonjë investim të dukshëm “pune” politike (mitingje, takime me grupe apo politikanë të veçantë, organizimi i posaçëm në forume që kanë objektiv hapjen e shtigjeve drejt pozicionit të kryesocialistit, aleanca të veçanta me grup deputetësh apo lobe në Komitetin Drejtues të kësaj partie, përpjekje ngulmuese për t’i shkaktuar kriza liderit Nano) ish-Presidenti shpreson t’i avitet edhe njëherë çastit kur u bë kryetar Shteti i shqiptarëve. Kësaj rradhe për t’u bërë kryetar i Partisë Socialiste. Gjithnjë nëpërmjet variantit që shpjegoi qetësisht këshilltari dhe bashkëpunëtori i tij i kulturuar dhe i matur. Duke iu afruar formulës “po qe se këtë gjë e dëshirojnë dhe e kërkojnë vetë anëtarët e kësaj partie”. Ata shqiptarë që sadopak e njohin nga jashtë arenën politike të vendit të tyre ku më shumë se ceremoni me kartëvizita bëhen përleshje toreadorësh, sapo dëgjon këtë arsyetim qesh nën buzë dhe të gjithë zhbirrimin logjik të tij e mbyll me një konkluzion të përafërt me shprehjen “e kush ta bën gati që ta gjesh të shtruar?!” Ata që prej profesionit të tyre bashkëjetojnë më afër me politikën mund të jenë më të kujdesshëm në nxjerrjen e konkluzionit, veç nuk janë pakicë ata që përftojnë idenë se ish-Presidenti ka në projekt një “deus ex machina”. Në vend të Zotit që në dramat antike bëhej të zbriste nga qielli për të zgjidhur artificialisht konfliktin e saj, në projektin “në rast se këtë gjë e kërkon…” rolin e Zeusit e luan anëtarësia socialiste. Në një farë mënyre forumet e saj drejtuese, një mbledhje e Komitetit të Përgjithshëm Drejtues apo një Kongres, do të zbresin në minutat e fundit në tribune dhe do të thërrasin “Këtu e ka vendin profesor Meidani!”
Po a mund të ndodhë një gjë e tillë? A mund të ngjasë që një konferencë e KPD-së e ca më shumë një kongres të kërkojnë me shumicë konsensusi që në krye të vijë ish-Sekretari i tyre i Përgjithshëm i kapërcyellit të viteve 1996-97? Përgjigja më e sigurtë do të ishte një ”jo”. Kjo alternativë mohuese do të rridhte natyrshëm nga fakti i thjeshtë se Partia Socialiste do të duhet të jetë e përgatitur dhe e gatshme të largojë nga posti i kreut liderin e saj historik, Fatos Nano. Sprovat për këtë kanë përfunduar për dymbëdhjetë vite me rezultatin zero. Ndërkohë edhe në ndodhtë ky zhvillim i ri mes socialistëve ka mjaft figura të tjera që do ta realizonin këtë mision për një mandat modest apo të mbërrinin gjer në kufirin e udhëheqësit. “Ethet kongresuale” hapët apo fshehtas kanë kohë që kanë zënë jo pak eksponentë rozë, nuk mund të akuzohet për këtë gjë vetëm Ilir Meta, konkurenti që shpenzon për objektiva të qartë politikë volume të mëdha e të përditshme të energjisë së tij. Atëhere si do të ndodhë që disa pretendentë normalë për misionin e kryesocialistit të pas vitit 2003 do të sakrifikonin synimet e tyre për t’ja lënë lehtësisht ish-Presidentit, madje njeriut që i mbërthyer për pak çaste në dëshirën për një rimandatim, u rrëfeu gjithë shqiptarëve se përvoja disa mujore e bashkëpunimit me socialistët pothuajse kishte qënë një episod aksidental në jetën e tij?
E megjithatë formula eterike “në rast se këtë e kërkojnë…” mund të bëhet një çast të papritur e të pabesueshëm realitet i patundshëm. Mund të ndodhë që debati aktual Meta-Nano, i shtyrë gjer në ekstrem e lodhje, të prodhojë mes anëtarësisë së thjeshtë socialiste dhe shumicës përbërëse të forumeve të saj një ortek të rrokullisshëm e të pandalshëm gjer në Kongres, rrjedhojë e parë e së cilës mund të jetë zgjedhja e një emri të tretë. Me imazh shumë të pranueshëm si njeriu i tretë mes dy të tjerëve që ndeshen papushim, Rexhep Meidani i përmbush të gjitha kriteret.


Ylli Polovina





Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com