Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Si miu mund te pjelle malin

Sot, 7 shtator 2003

Që urtësia popullore thotë “gjëmoi mali e polli një mi” e dinë të gjithë, madje jo rrallë e citojnë për të shpjeguar mjaft shembëlltyra të përditshme njerëzish që e matin veten me hijen e mëngjezit. Por pas ngjarjes së Lezhës, kur ndodhi që në një takim të Kryeministrit me elektoratin e shumicës qeverisëse në sallë për diçka më shumë se njëzetë minuta u ndërpre energjia elektrike, mund të pohohet se një fjalë tjetër e urtë ka gjasë të hedhë shtat: “miu mund të pjellë edhe një mal”. Mënyra se si po formëzohet proverba e re është mjaft interesante, në materializimin e saj po kontribuojnë veçanërisht mediat. Ndërsa e lindi politika, kjo e bekuar që jo gjithnjë gjen kohën e përshtatshme për të folur apo çastin e duhur për të heshtur. Tani që edhe ka nisur fushata zgjedhore për administrimin e pushtetit vendor ca më shumë ndodh një dukuri e tillë proverbë apo gjëagjëzëformuese. Tani fjalët mund të shpenzohen pa hesap, shndërrohen në mallin më të lirë. Madje ato në një fushatë elektorale janë gratis, lëshohen qesim nga të katër anët. Pershembëll një kandidat për kryebashkiak në kryeqytet në fjalën e tij konkuruese gjatë çeljes së fushatës gjeti më të udhës të deklarojë se do ta bënte Tiranën si Nju Jorku. Pas këtij qesimllëku i bie që në rast se kryeqyteti ynë për tre vjet mund të bëhet Nju Jork, ky i fundit mund të jetë bërë i tillë vetëm brenda tre muajve.
I rikthehemi historisë së miut që po nxit krijimin e lendës së një fjale të re të urtë. Kryeministri ishte duke kryer një fushatë elektorale normale, ndërsa përfundoi mitingun në Shkodër, atje ku janë problematikë për shumicën në qeveri njëherësh si mbështetja politike ashtu edhe ajo e sigurimit të pandërprerë të energjisë elektrike, ndodhi që gjithçka rrodhi pa asnjë problem. Nuk u konstatua asnjë incident me ndonjë zgjedhës (një ditë më vonë nga kjo ngjarje aktorin e famshëm amerikan Shvarceneger, i cili konkuron për governator në Kaliforni, e goditën disa herë me vezë). Nuk pati po ashtu asnjë ndërprerje energjie. Më pak e pritura në takimin e dytë elektoral, në Lezhë, ndodhi pikërisht këtu. Ndërsa zoti Fatos Nano po fliste dhe pjesëmarrësit po e shoqëronin me entuziamin karakteristik të militantëve, iku drita në sallë, u ndërpre edhe fuqia çudibërëse e amplifikatorëve të zërit. Kjo gjendje, thonë njerëzit e KESH-it, zgjati vetëm njëzetë minuta, disa të tjerë të pranishëm konfirmojnë kohën e tridhjetë minutave, shtypi kritikues i qeverisë e fryn edhe ca më shumë tollombacen dhe minutazhi sipas tyre është dyfish.
Por thelbi i ndodhisë që po shfaq elizirin e formësimit të një superngjarjeje sa elektorale aq edhe politike, kulturore e folklorike, është tjetër gjë: përse ndodhi që një ndërprerje e përkohshme energjie elektrike në një Shqipëri që e ka këtë gjë prej më shumë se dy dekadash dukuri të rendomtë, u mvesh me efektin e një ndodhie të pazakonshme? Me një fjalë përse po ndodh që miu, i cili akuzohet se ka shkaktuar masën e shkurtër elektrike në pajisjet e nënstacionit elektrik të Lezhës, u bë papritmas personazh shumë i njohur, duke dalë portret, si një politikan i vërtetë aktiv i kësaj fushate zgjedhore, në ekranet e tv-së dhe deri në faqet e para të gazetave? Nuk ka çudi që ky reputacion i beftë e shpërthyes i këtij miushi të futet me shpejtësi në spotet elektorale të opozitës e në mos të bëjë udhë të lumtur e triumfuese edhe më tej, të sendërtohet në logos apo lejtmotiv zgjedhor dhe konkurues të saj përmatanë 12 tetorit të këtij viti. Ka një traditë të vjetër të luftës politike të opozitës së sotme me ndërprerjet e energjisë elektrike që nga fillimi i lëvizjes për rrëzimin e diktaturës dhe vendosjen në Shqipëri të shoqërisë së hapur. Por ndërsa në biografinë e lëvizjes studenteske, djepit të revolucionit demokratik, disa prej ndërprerjeve rutinë të energjisë elektrike u kryen posaçërisht nga kundërshtarë të regjimit komunist për të rritur kuotën e zemërimit të rinisë së asaj kohe kundër sistemit të atëhershëm të falimentuar, më pas kultura e ndërprerjes së provokuar të korrentit është përdorur herë pas here thjesht si një formë e shprehjes së mospëlqimit apo ca më keq, sabotimit të veprimtarisë politike të rivalit. Një shaka e trashë kjo, prej kushdo që e ka bërë. Në këtë kuptim ndodhia e prerjes së organizuar të energjisë elektrike vijon të përdoret edhe tani, kur po mbyllim vitin 2003. Mund të supozohet që edhe pas ndërprerjes së saj në sallën e Lezhës, në të cilin Kryeministri po fliste para mbështetësve të partisë së tij, të ketë një përsëritje të këtij akti rruge. Por defekti mund të ketë qënë thjesht edhe për shkaqe teknike. Kush njihet nga afër me punën e prodhuesve apo operatorëve të energjisë elektrike di fare mirë se minjtë janë personazhe të zakonshme të shkaktimit të masave të shkurtëra, sepse pëlqejnë të brejnë një lloj plastmasi që përdoret në impiantet elektroenergjetike. Kush njeh nga afër njerëz të këtij zanati po ashtu mund të kujtojë raste, kur në raportin shkakut të defektit, kur ai nuk është gjetur apo ka qënë shkaktuar thjesht si pasojë e neglizhencës, të shkruhet fjala “miu”. Një “mi” i tillë mund të jetë edhe protagonisti i ngjarjes së fundit më të bujshme të fushatës zgjedhore.
E megjithatë politika e majtë mund të shpëtonte fare lehtë nga ky brejtës i mundshëm i ardhshëm i reputacionit të saj. Pas ndërprerjes së enegjisë elektrike në sallën e Lezhës, gjithsesi përgjegjësi e degës së KESH-it të qytetit sepse duhej ta kishte siguruar furnizimin me të paralelisht edhe me burime të tjera (mjaftonte një gjenerator i zakonshëm) Kryeministri apo njerëzit e stafit politik apo të sigurisë së tij nuk duhej ta rritnin efektin nokdaun të ngjarjes. Jo vetëm zhurrma kritikuese apo akuzueze e bërë në prani të qindra njerëzve duhej kapërxyer me durim, sepse gjithnjë për të gjetur shkakun ka plot kohë më pas, por ndalimi në komisariatin e Lezhës të një apo disa punonjësve të degës së Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare përbën jo vetëm arrogancë dhe reminishencë regjimesh të vdekura e të groposura në Evropë, por edhe një skandal në mosrespektimin e shkeljen e të Drejtave të Njeriut.
Pak qetësi, vetëm pak qetësi e modesti lypet nga çdo politikan, kur korrenti i ndërpritet për një tufë minutash në takimet me elektoratin. Shqiptarëve kjo energji u ndërpritet me orë të tëra. Ka patur ushtruesë të qeverisjes apo të politikës sonë, të cilët i kanë kapërxyer me gjakftohtësi dhe pa zhurrmëruar raste kur errësira ka pllakosur sallën e mitingut, ndërsa jashtë saj rrinin grupe të armatosura kundërshtare dhe mes tyre dhe kallashnikovëve të mbushur rrinte një grup i vogël policësh. Situata është kapërxyer pa ndodhur asgjë.
Ndryshe “miu pjell malin”. Dhe “e pjell malin” jo vetëm një miush i vërtetë si ky brejtës anonim i Lezhës, tashmë personazh popullor i kësaj fushate zgjedhore, por edhe çdo fjalë, premtim i shqiptuar apo gjest i kryer gjatë këtij ballafaqimi zgjedhor. Sigurisht “miu e pjell malin” po të takosh elektoratin dhe si kandidat për kryebashkiak i kryeqytetit t’u deklarosh se Tiranës në fazën aktuale të ndërtimit të saj të hovshëm nuk i duhen fadromat, por referendumet (?!). Apo se do të mjaftonte një vit e gjysëm ushtrimi funksioni kryebashkiaku në selinë moderne në Sheshin Skenderbej për t’u siguruar banorëve ujë të pijshëm njëzetë e katër orë për njëzetë e katër (!?). “Miu e pjell malin” edhe po ta vendosësh çadrën elektorale, qendrën e fushatës zgjedhore, në vendin fatal të buzëliqenit artificial, atje ku gjallon ende kritika për administratën aktuale të Bashkisë si dy herë përgjegjëse: për përmbytjen e një pjesë të kryeqytetit dhe për tharjen e pragvdekjen e rezervuarit ujor më të frekuentuar të shqiptarëve.


Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com