Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Politika qe djallezon Shqiperine


Dita, 31 tetor 2003

Sigurisht akuzat më të renda mes klasës politike shqiptare u shkembyen midis 23 dhe 24 tetorit të këtij viti kur në një intervistë të gjatë në TV Klan Kryeministri dhe Kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano, tha se ish-Kryeministri socialist Ilir Meta është njeri i lidhur me krimin dhe ai e ka mbajtur afër për ta ndryshuar. Në një konferencë të shkurtër për shtyp të nesërmen ky i fundit iu përgjegj me frazën se Fatos Nano ishte një politikan i lidhur me krimin dhe se kishte qënë zëvendës i tij, pra kishte bashkëpunuar në qeverisje, për një arsye që do ta deklaronte në kohën e duhur.
Dashamirësisht për të dy akuzuesit e ndërsjelltë shumë shqiptarë, midis tyre edhe autori i këtyre rradhëve, mendon se shpallja e rivalëve si të lidhur me krimin vijon të jetë një formë e teknologjisë së konkurencës për ta demonizuar kundërshtarin dhe jo pjesë e vërtetës. E themi këtë hamëndje të fundit sepse edhe Ismail Qemali u akuzua nga kundërshtarët si filogrek dhe nuk rezultoi aspak i tillë, se Fan Noli qenkej bolshevik dhe nuk u desh shumë kohë të kuptohej se komunizmi qendronte larg idealeve të tij, se Ahmet Zogu vodhi të gjithë arkën e Mbretërisë dhe nuk doli aspak kështu, se vjedhës i madh florinjsh të fshehur publikë ishte edhe Enver Hoxha, por as kjo nuk qëlloi e vërtetë. Këta që e kanë drejtuar Shqipërinë në mote të vështira kanë mangësi të tjera, edhe faje, gjysmëdekadën e realkomunizmit edhe krime politike, por kurrkush prej tyre nuk është akuzuar ndërsjelltasi për lidhje me krimin e madh mafioz, siç ka ndodhur të funksionojë pluralizmi mes krerëve politikë shqiptarë këtë dekade të fundit.
Një gazetar i huaj, autor i disa librave, ndërsa disa vite më parë përgatitej të hynte në Shqipëri me qëllimin e mirë për të kontribuar në frenimin sadopak, me një botim të tij, të njollimit të pafre të “Vendit të Shqiponjave”, në një moment sinqeriteti tha “Shpesh edhe mua më kap depresioni dhe dëshiroj të tërhiqem nga kjo punë, sepse për një realitet të nxirë tek ju nuk flasin vetëm kronikat e shumicës së medias sonë, as qarqe dukshëm antishqiptare në rajon, por vetë drejtuesit më kryesorë dhe më të lartë të shtetit tuaj. Dy politikanët më të mëdhenj dhe më me autoritet që keni, Sali Berisha dhe Fatos Nano, akuzoinë se në Shqipërinë me shumicë qeverisëse socialiste ka një “parlament kallashnikovësh” dhe se Partia Demokratike është një “fidanishte e krimit”.
Që nga ky çast kanë kaluar disa vite dhe tashmë, sidomos që prej mezit të vitit 2002, jashtë kufijve tanë ka nisur të rënohet pak nga pak emri ynë i keq dhe të fitojë terren edhe ajo pjesë e realitetit shqiptar që përbën normalitet e në mos ndërkombëtarisht edhe ndonjë risi të re. Kjo kthesë inkurajuese, pra kjo erë e re mediatike për imazhin e vendit e kombit tonë, një impuls pozitiv të të cilit e mori me ngjarjet e Kosovës në vitin 1999, shkon në favor të aspiratave gjithshqiptare për t’u zhvilluar më në fund në përmasa bashkëkohore dhe integruar një ditë në Bashkimin Evropian. Mirëpo me një prirje krejt të papajtueshme me këtë tendencë pozitive të ngjarjeve një pjesë e klasës politike të Tiranës po lëviz ngutshëm dhe me furi përplasëse në sens të kundërt. Në një mënyrë relativisht të figurshme do ta shprehnim këtë dukuri me krahasimin se Shqipëria po shkel në udhë të mbarë, kurse ata në paudhësi.
Përdorimi vazhdimisht edhe më intensiv i demonizimit të rivalit politik nëpërmjet akuzës së lidhjes me botën e errët të krimit të madh, të atij me “jaka të bardha”, ka një “pionier”: ky është ish-Presidenti Sali Berisha. Volumi i fjalorit dhe i zërit të tij në këtë vepër është i pashembëllt dhe në nivele “ginesi”. Edi Ramën ai e ka akuzuar si pastruesin më të madh të parave të pista në Ballkan, kurse Fatos Nanon si vetë “koka e krimit”. Nuk mund të thuhet ndërkaq se për reaksion ndaj kësaj gjuhe dhe logjike ndezën motorrat dhe lëshuan blozën mbi të gjithë shqiptarët edhe disa politikanë të majtë. Mirëpo këta të fundit kanë kohë që zmogun e fjalorit të tyre nuk e vërtitin vetëm kundër ish-Presidentit, më shumë pasioni i tyre vepron ndaj njeri-tjetrit. Kështu, të hartuara në Tiranë, kanë shëtitur nëpër botë, bashkë me kryefjalën e mafias “padrino” edhe shumë akuza për Fatos Nanon, Ndërsa ishte dhe vijon të mbetet Kryeministri i Shqipërisë. Në intervistën e Tv Klanit ky akuzoi tërthorazi për një lloj padrinoje edhe Ilir Metën, dy vite Kryetar qeverie dhe një vit të tretë Zv/kryeministër. Doris Pack jo më kot në një deklarim të saj për këtë mënyrë sjelljeje të pazakonshme dhe të pakuptimtë shqiptoi me zë të lartë atë që prej kohësh është stërthenë këtu: ose shkoni në Prokurori dhe i provoni ose heshtni fare.
Bashkëkombasve u intereson edhe e para, por edhe e dyta. Duke qënë se të parën nuk po e bën askush nga demonizuesit, ç’ka nuk po e gjykon të nevojshme ta kryejë edhe Prokuroria me zbatimin e nenit “për moskallzim krimi”, le të kapemi pas arsyetimit se dy mafiozë të vërtetë nuk i bëjnë këto punë siç akuzojnë ndërsjelltazi politikanët tanë. Mafiozët e vërtetë nuk dalin në ekran për të treguar me gisht njeri-tjetrin. Absolutisht. Ata nuk përdorin gjuhë mishi, kanë mjete të tjera për të konkuruar, plumb të forta. Në të njëjtën kohë shqiptarët e shumëvuajtur, duke qënë se nuk mund ta përfytyrojnë dot veten të rënë nga shiu i ftohtë i socialkomunizmit në breshërin kokërplumb të mafias, dëshirojnë që ata politikanë aktivë, të cilët e shpërdorin mjeshtërinë e demonizimit deri me akuza për lidhje me krimin, përfundimisht të mos bëhen recidivistë në këtë ves. Mjeshtëria e djallëzimit të kundërshtarit është e pafund dhe lë e ka boll hapësirë veprimi. Me demonizimin për lidhje me krimin e madh jo vetëm bëjnë një aksion pa asnjë efekt ndaj rivalit, por kryejnë gjithaq një punë të zezë dhe me pasoja të renda për imazhin e vendit dhe popullit të tyre. Duke qënë se u drejtohet reciprokisht figurave më kryesore që na kanë drejtuar pas vitit 1990, periudhës ku po merr ndopak frymë qënia më e pafat e shqiptarëve, shpresa, demonizimi nëpërmjet krimit mafioz provokon djallëzimin e Shqipërisë, katranosjen e pariparueshme të emrit të saj. Ndërsa shumë njerëz të ndershëm dhe politikanë gjuhënormalë brenda vendit dhe mjaft bashkëkombas të mençur në emigracion po luftojnë me shpirt në dhembë të mëkembin dinjitetin e Shqipërisë, nuk mund të lejohet më që një pjesë e elitës së pushtetit të bëjë të kundërtën, të na ringjallë tragjedinë e Kalasë së Rozafatit, fati i trishtë i së cilës ishte ndërtimi ditën dhe rrëzimi natën.


Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com