Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Edi Rama tani me parti, por akoma pa foto


Sot, 15 nentor 2003

Kur në fjalën e tij në sallën e madhe të Pallatit të Kongreseve, para socialistëve entuziastë që porsa kishin çelur fushatën zgjedhore të 12 tetorit, i rikandiduari për kryetar bashkie i Tiranës, Edi Rama, shqiptoi pa asnjë brerje meraku frazën se në stafin e tij të ngushtë administrativ nuk kishte asnjë socialist, pjesëmarrësit as që e mbajtën ndopak frymën për të zgjedhur mes mosaprovimit dhe ovacioneve. Zgjodhën këtë të fundit: duartrokitën aq fort sa salla oshëtiu. Eshtë punë e të mbledhurve vullnetarisht në atë manifestim elektoral që iu gëzuan aq shumë haberit të ardhur nga podiumi, ç’ka në salla të tjera në kontinent do të kishin një reagim ndryshe. Problemi që dëshirojmë të spikatim është tjetër gjë: miti i Edi Ramës. Ai këto muaj ka qënë në lulëzim të plotë, në shpërthim spetakolar. Falë inteligjencës së tij politike dhe aftësisë për të realizuar, mënyrës origjinale të paraqitjes dhe jo rrallë edhe mënyrës së komunikimit dhe depërtimit në një fashë të gjerë shtresash të shoqërisë shqiptare. Por edhe luftës obsesive dhe me kembëngulje e mjete të ekzagjeruara që i bëri ish-Presidenti Berisha. Ky i fundit jo vetëm nuk gjeti të arsyeshme të mirëkuptohet me sentencën e vjetër të politikës se “mitet ngrihen kur persekutohen”, por nuk gjeti si përvojë edhe dështimin e kësaj metode me burgosjen “shtatë pashë thellë” në qeli të rivalit të tij Fatos Nano. Të njëjtin rezultat jep kjo sindromë edhe për socialistët që e kanë mpikur garën me demokratikasit në vetëm luftë kundër personit të Sali Berishës.
Edi Rama, në kulm të konsensusit të tij brenda dhe jashtë vendit dhe në një koinçidencë jo fort të rastësishme me rrezikun e kompromentimit të zgjedhjeve në Tiranë, ende i pakonfirmuar për një mandat të dytë të dëshiruar, veproi stuhishëm. Hyri vrulltazi në fushëbetejën më të re dhe më të ngatërruar të politikës, atë të kongresit të socialistëve. E dalloi mprehtësisht se aty për të jo vetëm kishte një hapësirë dukshëm të hapur, por edhe një llogore të çelur me mund nga të tjerët e të lënë bosh. Brenda dy javësh bëri ceremoninë gati dasmore të hyrjes në Partinë Socialiste (ku sipas ritit punist nuk mungonte edhe dollia “të rrojë partia”), doli në një intervistë të gjatë në TvKlan dhe tha se i jepte Kryeministrit Nano këshillën që të jepte dorëheqjen nga posti qeveritar dhe të merrej me PS-në. Pa kaluar edhe pak dyzina orësh nga kjo proklamatë shpalli kandidaturën e tij për kryetar të socialistëve. Me një fjalë brenda tre ditësh gjëmimtare kryebashkiaku tiranas shpalosi prerë e qartë kursin e marrshimit të fandromës Edi Rama: eliminimin njëherësh të Fatos Nanos si kryeministër dhe kryetar partie. As më shumë dhe as më pak, por ky mbetet programi i rivalëve, kundërshtarëve dhe i të pakënaqurve më të paepur të kryetarit të qeverisë dhe socialistëve. Ilir Meta, ai që siç doli e ka patur këtë objektiv një konstante të palëkundur të jetës së tij politike, bëri tërheqjen taktike dhe i hapi rrugë furisë që po vinte në një çast për të fatlum. Fadroma Rama bëri me rrapëllimë më tutje. Metës dhe njerëzve të tij mesa duket i bën mirë të mos rrinë të rreshtuar pas blindit që shumë befasisht dhe mjaft para çdo parashikimi po lëviz rrapëllueshëm drejt selisë rozë dhe pastaj, nëpër shëtitoren Dëshmorët e Kombit në drejtim të godinës kryeministrore. Ata përfaqësohen në këtë betejë të rradhës në familjen e tyre me imazhin e hijshëm e të qetë të ish-Presidentit Rexhep Meidani. Në fund të fundit ky, po të triumfojë, nuk i derdh energjitë për të përmbytur e zënë të gjitha hapësirat përreth, me fitues Edi Ramën një komoditet i tillë mund të kufizohet.
Kështu në pesëmbëdhjetë ditë njeriu që ia nisi betejës së tij më të madhe elektorale, 12 tetorit, pa parti (dhe pa foto), duke e veçuar gjithnjë veten nga klasa “e nëmur” politike, hyri në të për të kapur kreun e partisë në shumicë dhe, sipas statutit, edhe vendin e kryetarit të qeverisë. Pra aktualisht pikën më të lartë të pushtetit në Shqipëri. Një kërcim i vërtetë atletik. Por edhe veprim pantere. Ai duhet të jetë ndjerë fort i rrezikuar (por edhe i tradhëtuar) nga mundësia e një kombinimi veprimesh “në largësi” mes dy kryetarëve historikë të Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike. Për kryebashkiakun në skenën politike shqiptare pozicioni më komod dhe për të më i mbrojturi ishte selia e konstruktuar rishtazi në buzë të Sheshit Skenderbej. Këtë zgjedhje Edi Rama vetë e ka shpallur publikisht, me arsyetimin se i duheshin tre mandate për t’i dhënë formë përfundimtare projektit të tij ambicioz për Tiranën. Mirëpo ai lëvizi nga fjala dhe nga kuadrati i fushëlojës, duke prishur “ekuilibrin hyjnor”. Patjetër me këtë rast vjen ose do të vijë ndëshkimi.
Partinë mund ta sigurosh lehtë, mjafton marrja e një tesere, porse “foton” është një punë tepër e vështirë. Në Shqipëri këto kohë për këtë mision në prag të pamundësisë nuk të jep dorë as ikona e Bill Klintonit dhe as ajo Toni Blerit.

Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com