Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Politikanet e “Seksit te dobet“

Dita, 7 mars 2004

Triptik për Gruan


1.
Politikania shumë e qetë dhe po aq radikale Josefina Topalli, duke shkuar më tej në idenë e quajtur gandiste të demonstrimeve paqësore të opozitës, në një rast u pa mes marshimit të 21 shkurtit me lule mimozash në duar. Ky detaj nuk i kishte shpëtuar një kolegu, i cili nëpërmjet lulemimozave i jepte një argument të ri idesë se ajo ishte një grua e bukur. Sepse është grua, do të shtonim ne, Jozefina Topallit i shkoi mendja tek lulet delikate të mimozave. Ajo është edhe politikania shqiptare që në luftën ndërpartiake ka përdorur më shumë qiririn. Sado “të egra” të jenë politikushtrueset tona, sërish janë më “të butat”, më të brishtat, më poetiket dhe më të bukurat mes klasës që përfaqësojnë.
Sepse për fat edhe pse përfaqësimi femror në strukturat elitare dhe qeverisëse të shoqërinë shqiptare lë shumë për dëshëruar (kështu ndodh edhe në fushën e politikës) politikanet e seksit të dobët janë femra të hijshme. Madje disa edhe dukshëm. Ky eshtë një transformim interesant që po ndodh në Shqipëri, në gjysmëshekullin punist kishte ngjarë një mashkullim gradual i tyre. Thua ky denatyrim i gjinisë femërore, seksit të bukur, realizohej në kuadrin e krijimit të “njeriut të ri”. Përgjatë Luftës Antifashiste ato që merreshin me luftën ilegale në qytete dhe pastaj me atë të njësiteve partizane në male ishin më tej se të bukura: nën kasketat ushtarake tiparet e fytyrave të tyre ishin magji. Pastaj duke kapërxyer dekadat e regjimit bukuritë e paharruara të Margarita Tutulanit erdhën dhe u pakësuan, prej brezit të saj mbetën pak: Nexhmije Hoxha, Vito Kapo e ndonjë tjetër. “Realiteti socialist” nisi të pëlqente gratë me shpatulla, krahë dhe pulpa burrash. Femrat e hijshme gjithnjë e më pak nisën të mbushnin sallën e Kuvendit Popullor të kohës, përherë edhe më të shumta ishin gratë me zë mashkullor që mbanin fjalime, shkonin si të dërguara të “partisë” në rrethe apo fshatra, u shumuan në zyrat e shtetit realkomunist funksionaret që kishin qafë si druvare apo qeshnin me zë si bubëllimë. Që lexonin orë të tëra gazetën “Zëri i Popullit” dhe “veprat e shokut Enver” dhe mbanin konspekte shumëfaqëshe. Gra që dëgjonin shumë pak muzikë, që vishnin kostume civile me përgjasim modelesh të uniformave ushtarake, femra që vallzonin vetëm “populloret”, sepse kërcimin e tangove shteti e kishte kufizuar gjer në minimum, kurse “tjuisti” të linte kalamajtë në mes të rrugës.
Nga ky transformim i pandalur prej “njeriu të ri” në vitet tetëdhjetë shumicës së femrave politikane u kishin mbirë qime në faqe dhe dale “mustaqe”.
Ndërsa gjysmëshekulli punist femrat e bukura të gjysmës së parë të viteve dyzetë i mashkulloi, ngjau e kundërta me ato që i hynë kësaj karriere në vitet e pluralizmit. Këto u bënë përherë e më “femra”. Sot në faqet e revistave me ngjyra duken gati si ish-mise bukurie Jozefina Topalli, Ermelinda Meksi, Arta Dade. Mahnitëse është Xhoana Nano. Shumë të hijshme janë Lidra Meidani, Liri Berisha, Makbule Çeço. Mjaft origjinale dhe duke u feminizuar e rafinuar përherë e më shumë është Monika Kryemadhi. Mund të shtosh edhe emra të tjerë, mjafton të vësh në punë kujtesën. Rezultati është i njëjtë: politikanet shqiptare të pasdiktaturës janë shumë femërore. Po ashtu edhe bashkëshortet e politikanëve.
Në modularët e Bashkimit Evropian, ku detyrohemi çdo muaj e vit të përmbushim standartet e mundësisë së integrimit në të, një kërkesë e tillë nuk ekziston. Në të vërtetë nuk ka përse. Veç po të ishte një kusht zyrtar Shqipëria do të delte ndër më të përparuarat e do të vinte në vështirësi gare edhe vetë vendet themeluesë të këtij bashkimi.


2.

Elena Kadare në një intervistë të para disa muajve në një orë të mesnatës në televizionin Top Channel tha se shpesh bashkshorti i saj, shumë i famshi Ismail Kadare, në sjelljen e tij të përditshme me të ishte shpesh i padrejtë. Porse kur i linte në dorë fletët e fundit të dorëshkrimeve që ajo t’i hidhte në kompjuter, Elena shtoi se mrekullohej aq fort nga ato që kishte shkruar shoku i saj i jetës sa që “e falte”. I harronte menjëherë “drejtësitë” e vogla të sjelljes shtëpiake apo të intimitetit. Mirëpo kjo delikatesë të shprehuri, kjo “diplomaci” nuk është gjë tjetër veç një mënyrë për të fshehur sadopak nga sytë e botës atë ndjenjë dashurie e dhimshurie të thellë që një grua ka për burrin e saj. Emërbukura Elena Kadare sërish do ta falte një “Ismail” këpucar, karrocier apo polic trafiku. Dhe do të rrinte vetë “në hije“, në vetsakrificën e saj sublime. Ndërkohë që mund të ishte vetë një gjeni. Siç është Elena Kadare, shkrimtarja e bukur e viteve shtatëdhjetë-tetëdhjetë, më modernia, edhe pse dje dhe sot media e kurreshtia e fansëve të letërsisë shqiptare drejtohen.ekskluzivisht tek i shoqi, kërkojnë dhe u lumturohen vetëm autografeve të tij.
Kur rastisi të takohesha njëherë me Rexhina Nanon në ditët që lideri socialist kishte dalë nga burgu dhe situata në Shqipëri dhe në Tiranë, atë fillim pranvere 97, ishte e trazuar dhe në kaos të plotë. Ajo një çast vuri dorën e vogël mbi gjoks, tek vendi i zemrës. M’u duk sikur iu muarr fryma. Atëhere ia vura re zbehtësinë në fytyrë. E pyeta pas pak, pa e lenduar. Më tha se herë pas here kishte goditje ankthi: në atë rrëmujë dhe pasiguri jete të përgjithshme kishte merak se mos i ndodhte gjë bashkëshortit të saj. Pak javë më parë Liri Berisha, ndërsa presidenti i kohës kishte mbetur i ngujuar në selinë e Presidencës i mbrojtur nga vetëm një pakicë besnikësh, ajo la shtëpinë dhe qendroi pranë tij. Në një çast kaq tronditës, në një telefonatë që i ka bërë të bijës të ndodhur përkohësisht në Romë, i ishte lutur ta rriste fëmijën e porsalindur me dashurinë dhe kujtimin për gjyshërit e saj. Liri Berisha kishte shkuar pranë të shoqit që, në rast se ndodhte e keqja, të vdiste pranë tij.
Një lot i nxehtë dhe mjaft elegant i ka rëshqitur heshturazi nga syri edhe Xhoana Nanos pikërisht në mpikun e debatit në kongresin e Partisë Socialiste, ndërsa Fatos Nano konkuronte dhe “përleshej” me tre nga rivalët e tij më të fortë mes rozëve.

3.
Kam një shoqe fëminie dhe shkolle, e quajnë Afori. Kur ishte gjimnaziste, ëngjëll i urtë si të kishte lindur “nuse”, e edukuar si të ishte rritur mes fisnikësh, e bukur si të qe një pikë loti. U martua me një shokun tonë, Llazar Kacen. Ishte fillimi i viteve shtatëdhjetë. Ra shtatzanë lumturisht dhe fëmija e parë lindi po aq i bukur sa ajo. Por Aforia u sëmur, shendeti filloi t’i renohej. Në fillim arrinte të shëtiste duke e mbajtur përkrah i shoqi. Ndërkohë lindi edhe dy djem të tjerë, por më në fund nuk vonoi të zinte përfundimisht shtratin. Tek tani lengon rendë e thotë vetë se “fëmijët i linda unë, por i rriti Llazari”. Gruaja, bashkshortja, nëna Afori ka një jetë tashmë që nuk ngrihet dot më, që prej dy dekadash i rrinë tek koka e shtratit në shtëpi apo spital i shoqi me djemtë. E ushqejnë, e lajnë, e ndërrojnë si një fëmi. Eshtë e pastër, akoma e bukur si kukull, po aq e urtë.
Nëse mund të ketë një shembëll se si adhurohet, nderohet dhe shpërblehet një Grua dhe Nënë, ky i kësaj familjeje të thjeshtë është mallëngjenjës.


Ylli Polovina




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com