|
Abdyl Kellezi dhe coprat e munguara te Shtetit
Dita, 28 janar 2004
Ministri Arben Malaj jo shumë kohë më parë i kishte kërkuar bashkëpunim Jovan Janit, autor i disa librave, ku ndër më interesantët është ai për historinë e doganave shqiptare, që të mund të bënte një historik të shkurtër të financave të vendit tonë. Ministri kishte ngritur një grup pune për t’ja dal mbanë projektit të tij të hartimit të kësaj historie, Jovani do të ishte njëra hallkë. Përshembëll ky autor shumë i vëmendshëm për të jetëshkruar ekonominë e shtetit shqiptar nuk kishte marë asnjë detyrë për të siguruar edhe fotot e ministrave të financave të nentëdhjetë e dy viteve të pas pavarësisë. Në përbërje të grupit dikush tjetër duhej të ishte ngarkuar, E megjithatë duke qënë nga natyra skrupoloz, jo pak edhe i ngacmuar edhe nga kërshëria, nisi edhe punën e gjetjes së fotove.
Këtu disa kërkime ndeshën në të papritura. Jo tek fotot, por tek vetë ekzistenca e ministrave. Përshembëll Jovan Jani vuri re se mes 57 krerëve të financave shqiptare ekzistonte edhe Aleks Verli, ministër prej vitit 1960 deri më 1973. Gjatë gjithë periudhës së diktaturës realsocialiste i sipërcituari përbënte edhe rastin e ministrit më jetëgjatë në krye të Financave, mes nentë kolegëve që kishte patur gjatë tërë gjysmëshekullit komunist. Por ky minister me karrierë kaq të gjatë në llogaritë shqiptare nuk gjendet i cituar në Fjalorin Enciklopedik, botimin e ri, atë “pluralist”. Atje përmenden shumë emra, disa edhe shumë më minorë se identiteti e Aleks Verlit, e megjithatë njeriu me trembëdhjetë vite ministër finance nuk ekziston. Por surpriza më e madhe për autorin e hartimit të historisë së shkurtër të llogarive kombëtare do të vinte më pas, tek në këtë Fjalor do të kërkonte të ndeshte emrin e Abdyl Këllëzit, ministër finance mes viteve 1954-1959, më pas një Zv/kryeministër i njohur i periudhës enveriste, anëtar me autoritet i udhëheqjes së lartë të kohës, në vijim i dënuar me vdekje dhe i ekzekutuar si “armik”.
Por as Abdyl Këllëzi nuk ishte një Fjalor.
Bëmë edhe ne një provë të gjejmë gjurmët e tij. Hyjmë në “motorrin” kërkues më të fuqishëm online të Internetit. Emrit Abdyl Këllëzi nuk i përgjigjet pothuaj asnjë e dhënë thelbësore anë e kend Shqipërisë, jo më përtej saj, nëpër botë. Provojmë vetëm mbiemrin Këllëzi dhe menjëherë të shfaqen e gjallojnë nëpër botë shumë bashkatdhetarë me këtë mbiemër, emigrantë të thjeshtë gjer në Kanada, tek kanë firmosur një letër për Presidentin e Shqipërisë, shefa zyrash të larta në Tiranë, studjues të financave në Gjenevë apo në udhëtim të përhershëm nëpër takimet shkencore të kontinetit. Quhen Natasha, Ramazan, Blerina apo Evis. Eshtë emocionuese tek u prek jetëshkrimet apo kumtesat që mbajnë, tek u shfleton titujt dhe faqet e studimeve. E megjithatë është shumë tronditëse që ka zbrazësinë e hiçgjësë për Abdyl Këllëzin.
Të mësuar t’i politizojmë gjërat gjer edhe tek fakti nëse berberin apo bukëpjekësin e kemi “tonin”, të majtë apo të djathtë, apo që ky e ai që po kalojnë në rrugë janë ose “komunisti i qenit” ose “ballisti i fëlliqur”, mund të ketë ndonjë që pas kembënguljes për të gjetur mes nesh pak gjurmë nga Abdyl Këllëzi sheh nostalgjinë për gjysmëshekullin bolshevik. Ish-shefi i diplomacisë për pesë vite pluraliste, Paskal Milo, në përpjekjen e tij për të zbatuar një rregull të zakonshëm të gjithgjendur në të gjitha vendet kolege, midis tyre edhe nga ata që kanë kaluar kolerat e fashizmit apo të realkomunizmit, gjeti “belanë”. Shumëve u kujtohet se deshi vetëm të vendoste në një nga korridoret e MPJ-së portretet e të gjitha ministrave të Jashtëm të shtetit tonë që nga viti 1912. Midis tyre, donte apo nuk donte ish-ministri në fjalë dhe çdokush tjetër, ishte edhe Enver Hoxha. Një portret mes dhjetrave, mes zogistëve dhe antizogistëve, mes komunistëve dhe antikomunistëve, siç edhe e kemi ne shqiptarët të mbushur jetën tonë, gjer në grykë me armiq të përbetuar të njeri-tjetrit. Por ndaj nismës së njeriut të diplomacisë, menjëherë pas kësaj tentative, opozita e djathtë shpërtheu një sulm marramendës. Furtunë akuzash, njëzetë e katër orë për njëzetë e katër, thua një portret rutinë në një historik ministrie ishte rehabilitim i një diktatori. Por ndërsa sensibilitetin e kuptueshëm të ish-të përndjekurve politikë nga enverizmi mund ta mirëkuptosh dhe në atë korridor të dikasterit të diplomacisë për ca kohë, në rradhë me fotot reale të ministrave të Jashtëm të më pak se një shekulli të shtetit tonë të pavarur, në vend të Enver Hoxhës, mund të vihej vetëm emri i tij me një portret bosh, përse harresa bie kaq me cinizëm mbi Abdyl Këllëzin. Ai ka qënë një pasanik që shkriu të gjithë pasurinë e tij për Shqipërinë. Padyshim që ishte një idealist dhe mes komunistëve të tillë nuk ka patur vetëm një apo dy. E gjithë kjo klasë politike, e cila tashmë gjendet në krye të një sistemi shoqëror “antikomunist”, me ndonjë përjashtim të rrallë, ka në biografinë e saj bashkëjetesë pajtuese e komode me diktaturën, lidhje të forta shpirtërore me të, kontakte politike dhe jo pak foto gjer edhe me vetë Enver Hoxhën. Sigurisht nuk është aspak e arsyeshme ta akuzosh për këtë. Në jetë, me shërbime fisnike për popullin e vendin tend, ka boll kohë e rast për ta shlyer një sjellje që ishte kulturë masive e kohës. Çështja është përse ka kaq shumë mosmirënjohje për njeriun që la pasurinë për vendin e kauzën e tij, ashtu siç ai e kuptonte këtë kauzë. Me këtë çmirënjohje për një ministër finance të vetëm nëntëdhjetë e dy viteve shtet shqiptar, edhe pse ai u pushkatua nga regjimi si të ishte një hajn (Abdyl Këllëzi shpesh nuk ndizte në makinë as kondicionerin për t’u ngrohur, sepse kursente Shtetin) mund të ndodhë që nesër, në ka projekt edhe Arben Malaj të afishojë në një kend të korridorit portretet e 57 ministrave të financave të Shqipërisë, nëse në furtunën propogandistike kundër Abdyl Këllëzit partitë e quajtura antikomuniste do të kursehen, ka të ngjarë ta ngrejnë furishëm protestën kundër Haki Toskës apo Qirjako Mihalit. Kështu sërish do të gjendemi në qerthullin vetvrasës së një shteti që nuk e ngrejmë dot as me fotografitë.
Po të vijojmë me këtë logjikë çfarë do të ndodhte nëse sot në qeverisje dhe në pushtet do të ishin monarkistët? Nuk do të përbënte çudi që në një përpjekje të një ministri finance të kësaj qeverie të supozuar për të publikuar portretet e kolegëve të tij në ndonjë kthinë të dikasterit do të bënte të mungonte fotoja e ministrit të parë të financave shqiptare, Abdi Toptanit. Kjo do të ndodhte thjesht për faktin se këtë politikan Ahmet Zogu, duke e patur më vonë kundërshtar, e kishte dënuar me vdekje.
Duke hyrë në shoqërinë pluraliste dhe në përpjekjen për të rindërtuar për herë të parë një shtet modern, ne shqiptarët, që kemi kaq alergji nga Shteti dhe rregullat e tij, duhet patjetër të ndryshojmë mentalitet e qendrim. Në rast se harakirin me shkrimtarët e mbyllëm dhe tani botohen të gjithë të mohuarit, se nuk gjen më një rast që diskriminimi për arsye politike apo ideologjike t’i ndodhë sportistëve tanë të shekullit të kaluar, arkitektëve, aktorëve apo studjuesve, kur edhe njërit nga bulevardet më të mëdhenj të kryeqytetit i rikthyem emrin e ish-Mbretit Zog, përse duhet të mungojnë në pjesën tonë të historisë një pjesë e punonjësve të lartë të shtetit? Përshembëll ministrat, por edhe më poshtë hierarkisë së tyre. Kemi historikisht pak shtet, pak administratë me kontribut të vyer, pak biografi doganash, financash, diplomacie, ushtrie, shërbimesh të fshehta, policie e xhandarmërie. Dhe pikërisht se kemi pak ne duhet ta evidentojmë me respekt edhe këtë fragment të së kaluarës sonë. Nuk duhet të na mundë mendësia e urrejtjes tradicionale ndaj Shtetit, edhe pse ai në më të shumtën e herës në 92 vitet e ekzistencës së tij ra në duar krerësh që e shpërdorën. Historia nga vetë natyra e saj është e ftohtë, problemi është të ftohim ne kokat tona. Kultura per Shtetin nuk është një kërkesë publiçistike, as thjesht një stoli që një popull mund ta ketë të nevojshme apo jo, nuk është as çështje humori. Kjo kulturë është jetike dhe thelbësore për një vend që dëshiron të integrohet në Bashkimin Evropian. Nuk është fjala këtu përse ka kaq shumë harrim dhe çmirënjohje dokumentare për Abdyl Këllëzin apo çdo emër tjetër që ka shërbyer në strukturat e shtetit kombëtar. Fjala është se edhe sot, për shkak të kësaj mendësie kundërshtetërore, jemi një popull që hyjmë në çdo dyqan dhe nuk dalim prej andej me asnjë dokument fature për çka kemi blerë, se jemi një grumbull nënshtetasish që nuk kemi karta identiteti dhe përdorim pasaporta të përfolura, se akoma çdo muaj e pambarimisht kapen bashkëkombas që përdorin për falsifikim mbi njëqind vula institucionesh, që nuk kemi një rrjet kombëtar elektronik të gjendjes civile dhe anarkia shtrin kthetrat e saj deri tek sistemi më jetik i një demokracie, struktura e rrëmujshme e zgjedhjeve.
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|