Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

ĒFARĖ FSHIHET PAS MUNGESĖS SĖ FOTOS PĖR NGRITJEN E FLAMURIT NĖ 28 NĖNTOR 1912?
AMERIKĖ, PSE TĖ DUAN KAQ SHUMĖ SHQIPTARĖT
FLAMURI QĖ U NGRIT NĖ VLORĖ DHE KASTRIOTI I PESTĖ, ALEANDRO
22 NĖNTOR 1944, QYTETI I TIVARIT: ARRATISJA E BALLIT KOMBĖTAR NĖPĖR NJĖ DET TĖ MINUAR
PASARDHĖSIT NĖ ITALI TĖ SKĖNDERBEUT NĖ KRYE TĖ MBROJTJES SĖ PAVARĖSISĖ SĖ PORSASHPALLUR
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Hije qe bien mbi Levizjen “Mjaft“


Sot, 23 janar 2004

Mes një simpatie të heshtur nga një pjesë dhe indiference tradicionale shqiptare nga shumica e bashkëkombasve Lëvizja Mjaft për disa muaj me rradhë u mobilizua me luftën kundër varfërisë, me atë të denoncimit të gjakmarrjes, me akuzën publike ndaj zakoneve të prapambetura, me mbrojtjen e dinjitetit të gruas dhe me çdo gjë tjetër që synonte të ndihte emancipimin demokratik, progresist dhe europerëndimor kombëtar. Lëvizte Lëvizja çdo ditë e më shumë, shtoheshin me të edhe pasuesit. Pothuaj që të gjithë të rinj.
Pastaj kërceu vrullshëm në një protestë pranë Ambasadës së Greqisë, për të sensibilizuar opinionin brenda vendit tonë, por edhe zyrtarë të Tiranës dhe Athinës, për t’i dhënë fund dhunës që ushtrohet ndaj disa emigrantëve shqiptarë nga segmente policie apo njësi të ushtrisë helene. Këtë çast nisi të dilte nga dremitja një pjesë e atij opinioni që vegjeton gjumin e indiferencës. Pa u larguar shumë nga ky aksion MJAFT u hodh në përmbushjen e një misioni tjetër: të denonconte ngritjen e papritur dhe jo transparente të faturave të reja të Albtelekomit dhe atë të energjisë elektrike. Objektivi i saj ishte adresuar kësaj rradhe në dy struktura të mëdha ekonomike që i ka monopol Qeveria. Ndërkohë paralelisht dhe në harmoni me të lëvizte edhe një protagonist tjetër jopartiak, edhe ajo një Lëvizje. Ndikuesi i ri në jetën shqiptare quhej Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve. Një kordon njerëzor nëpër rrugët e Tiranës, i quajtur “Telefoni i Prishur”, një gjetje spetakolare proteste, u krye bashkarisht prej të dy vepruesve.
Kështu u kapërxye, me këto risi që shqiptarët kishin shumë vite pa i përjetuar, viti 2003 dhe nisi 2004. Gjersa monotoninë gri të pas festimit të Vitit të Ri, e tronditi 9 janari. Ndërsa një pjesë e politikës kryesore vijoi edhe njëherë të gjente në ngjarjen e re, edhe pse mjaft të dhimbshme, lendë për një përleshje të re gojëlëshuar, mes dy lëvizjeve jopolitike ndodhi një zhvillim jo fort i pritur: MJAFT e hodhi kembën sërish me shumë energji dhe shkeli për herë të parë në territorin e kontrolluar nga klasa politike. Ajo organizoi një miting të madh para selisë së Kryeministrisë dhe kërkoi dorëheqjen e drejtuesit të kabinetit qeverisës. Ajo mbrëmje e 16 janarit nuk mund të mvishet shpejt nga mjegulla e harresës. Tubuesit dhe tribunarët e shumtë të protestës kërkuan njëri pas tjetrit dorëheqjen e Fatos Nanos. Tepër ngulshëm, madje njëri prej drejtuesve dhe organizatorëve të saj e harmonizonte thirrjen Mjaft me atë të qindra të ngrumbulluarve. E shqiptonte me zë të lartë, bërtitës, me një ritëm e teknikë të njohur të stimulimit të turmave, nxitje që tubuesit e kthenin me ton akoma më bërtitës: Mjaft!Mjaft!Mjaft!Mjaft!Mjaft!
Lëvizja kishte nisur të kushtronte. Të hynte në terrenin e politikës dhe të përdorte pothuaj të njëjtat mjete. Parrullat e asaj mbrëmjeje kundër “politikës së vjetër”, të padëgjuara, të pashkruara, të paafishuara ndonjëherë e në mos asnjëherë të programuara në ditën e themelimit të Lëvizjes, nuk ishin gjë tjetër veç shprehje e një protagonisti të ri që ishte shfaqur me pasionin e lakminë për të konkuruar. Këta ishin “politikanët e rinj”.
Pamjen problematike të këtij veprimi të ri të MJAFT e dëshmuan ndërhyrjet e menjëhershme të shumë përfaqësuesve të klasës “së vjetër” politike për të shprehur opinionet e tyre. Deri disa çaste më parë ata nuk e kishin përfillur nevojën për një prononcim të tillë. Në përshfaqjen e re një pjesë prej tyre i bënin Lëvizjes komplimenta, të tjerë e perkëdhelnin, disa ja ndalonin të drejtën për të shkuar gjer në aksionin e 16 janarit, jo pak ndaj saj ishin nervozë, refuzuesë e dyshuesë. Ndërkohë u përfol se njerëz të opozitës kishin depërtuar brenda MJAFT për ta bërë të administrueshëm për objektivat e tyre, madje një koleg inteligjent nënvizonte në një analizë të tij se Lëvizja duhej të ndërtonte raporte më të afërta me opozitën dhe nuk mund të përdorte të njëjtin kut edhe për shumicën e majtë në qeverisje. Një tjetër vëzhgues nuk ishte dakort me këtë të fundit.
Ndërkohë u shtuan hamendjet për një përshfaqje të befasishme në një orë X edhe të Zyrës për Mbrojtjen e Qytetarëve. Por njeriu tashmë jo vetëm i spikatur, por edhe popullor, Kreshnik Spahiu, nuk e ka bërë hapin e shkeljes në tokën e minuar të politikës. Deri tani as ka lënë të hamendësohet. Prej qetësisë dhe popullaritetit të tij në rritje sfiduese për shumë nga krerët e disa partive aktuale politike, është shqetësuar faqja e parë e “Zeri i Popullit”, e cila i ka kujtuar atij një “të metë” kohëshkuar. Erion Veliu, nismëtari i MJAFT, jo thjesht për moshën e tij shumë të re, individualisht nuk është aq popullor sa homologu i tij i ZMQ-së, madje përreth tij kanë nisur (nëpërmjet bashkëpunimit) ta konkurojnë ngutshëm edhe të tjerë, më aktivët janë gazetarë apo opinionistë.
Sidoqoftë është e qartë që të dy lëvizjet po synojnë të bëhen Ortek dhe në veprimet e tyre të kombinuara apo jo të ketë disa koinçidenca. Një vëzhgues bashkëkombas, aktualisht në punë në SHBA pranë një instituti studimor për shoqërinë shkruante në një nga të përditshmet tona më të lexuara se Mjaft ngjante shumë me lëvizjen e drejtuar në Gjeorgji nga Shakashvili dhe që përfundoi, siç dihet, me largimin nëpërmjet protestave të kontrolluara e të ushtruara masivisht (por butësisht) të ish-Presidentit Shevarnadxe. Por edhe me zgjedhjen e vetë Shakashvilit në postin vakant. Analisti përtej Atlantikut me këtë rast bënte të ditur se do të ishte mirë që siç, sipas tij, amerikanët organizuan protestën shakashvilase, edhe kryeministri italian Silvio Berluskoni të bënte të njëjtën gjë për Shqipërinë !? Për të rrëzuar…Këtë gjë nuk e saktësonte, por e nënkuptonte. Nuk druhej të bënte një arsyetim të përafërt edhe një drejtues i MJAFT, i cili nuk vetpërmbahej tek pak ditë më parë i jepte përgjigjen një gazetari se lëvizjen e përkrahte një përfaqësi e huaj. Por me një deklaratë të 22 janarit bordi i saj sqaronte opinionin se “Lëvizja MJAFT! nuk është mbështetur financiarisht nga asnjë institucion apo përfaqësi e huaj për aktivitetet që lidhen me tragjedinë e 9 Janarit”. Pra edhe me atë manifestimin e datës 16, i cili hyri qartas në sinoret e mbrojtura me xhelozi nga politika.
Nuk është vendi këtu për të ndarë delirin e vetëkënaqësisë nga maturia tek ky apo ai veprimtar i këtyre dy Lëvizjeve. As përse MJAFT hyri në fushën e politikës. Apo përse edhe në komunikatën e saj të 22 janarit, duke deklaruar njëherësh se “MJAFT! ka lindur dhe do të vazhdojë të ekzistojë si artikulim i revoltës qytetare kundër gjithë klasës politike shqiptare” ajo “mbetet e mendimit se dorëheqja e Kryeministrit do ishte shenjë e ekzistencës së moralit dhe qytetarisë”. Vëmendja natyrshëm mpikset tek fakti se realisht të dy lëvizjet po fitojnë me shpejtësi autoritet dhe përkrahje. Dhe një merak të zë tek dëgjon një parlamentar si Gaqo Apostoli që pak ditë më parë, duke bërë thirrje për përmbajtje, shtoi se nuk dëshironte të bënte Kasandrën e të parashihte trazira destabilizuese në Shqipëri, për një anketë në “Koha Jonë”, e cila kërkon të dijë “nëse Nano do të rrëzohet nga protestat popullore” apo se edhe gazeta e komunistëve shqiptarë, “E vërteta”, e publikonte parandjenjën e saj të trazirave të pritshme që në faqen e parë.
Zgjimi i apatisë publike tradicionale shqiptare dhe emancipimi i shoqërisë sonë bëhet fare mirë edhe pa trazira, qoftë edhe “të buta”. Pa të tilla tashmë mund të realizohet edhe alternimi i personave apo i partive në qeverisje. MJAFT dhe çdo protagonist tjetër i ri i shfaqur fatmirësisht mes nesh për këtë do të kishte meritë dhe jo për të imituar modele dhe skenare të të tjerëve.

Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com