Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Pak per mesazhin Roberta Sibona


Sot, 17 janar 2004

Roberta Sibona është gazetare në përbërje të redaksisë së lajmeve të Raiuno, kanalit të parë televiziv dhe më kryesor italian. Për të krijuar sadopak një përfytyrim të shpejtë mbi profesionizmin dhe autoritetin e këtij stafi do të mjaftonte të citonim një fakt: edicionin e tyre informativ të mbrëmjes, atë të orës njëzetë, çdo ditë e ndjekin mezatarisht dhjetë milionë shikues. Né këtë ekip Roberta kohët e fundit përgatit dhe shpesh edhe kumton me zërin e saj lajmet rreth zhvillimeve më të fundit né Irak. Njihemi sëbashku prej disa vitesh, saktësisht që nga ai çast kur një emision special i Rait transmentoi një reportazh të saj rreth dramës së prostitucionit të detyruar të shqiptareve në Itali. Ishte fillimi i vitit 1999 dhe krijesa e saj televizive, gjithsej jo më shumë se dhjetë minuta, e transmentuar né një orë të vonë afër mesnatës, të befasonte jo vetëm me dinamikën e filmimeve apo me të pazakonshmen e portreteve e të jetëve të shqiptareve viktima të intervistuara, por edhe me kembënguljen e saj për t’u thënë bashkëkombasve se plagët e Shqipërisë mund të shëroheshin dhe për t’ja dalë mbanë kësaj pune fisnike italianët dhe gjithë të huajt më së pari duhej të ndryshonin opinion për popullin e këtij vendi. Vetë Roberta atë vit kishte botuar sëbashku me një kolegen e saj librin “Skllavet e Perëndimit”, me temë denoncimin e prostitucionit përdhunës të shqiptareve në Itali. Ky libër, prej kohësh i përkthyer edhe në shqip, në muajin e parë të botimit nga shumë librari të vendit të saj u trajtua si një bestseller. Né Romë një nga libraritë më të mëdha të kryeqytetit italian, “Rizzoli”, një kat i tërë elegant disa metra pranë rezidencës sé Kryeministrisë, Pallatit Kixhi, e mbushi një nga gjashtë vitrinat e saj të mëdha me një piramidë të ndërtuar vetëm me kopje të librit të Sibonës.
Kur kolegia italiane bënte thirrjen e saj plot dlirësi për t’i mirëkuptuar problemet e shqiptarëve, në fillim të vitit 1999, numëroheshin me gishta ata publicistë dhe gazetarë të gadishullit apeninas që e kishin këtë largpamje. Shumica, edhe pse nuk kishin asnjë prirje a shtysë të paragjykuar për vendin tonë, e linin me lehtësi veten të binin né rutinën e përgjithshme: shqiptarët janë një popull me probleme dhe shumë nga emigrantët e tyre në Itali nuk mbeten veç bartës të krimit ordiner dhe atij të organizuar. Ishte koha kur edhe shefat e tyre e konsideronin lajm një informacion rreth shqiptarëve vetëm kur ata kishin hedhur në erë në vendin e tyre ndonjë shtyllë tensioni të lartë, kishin vjedhur ndonjë vilë në qytezat e pasura të Lombardisë apo kishin përfunduar në duart e policisë vendase pasi një operacion i këtyre të fundit i kishte zbuluar si klandestinë tek bënin një sy gjumi të shqetësuar në ndonjë kthinë fabrike të braktisur periferive të qyteteve.
Në ditët e para të janarit të këtij viti, tek sa u takuam në Romë në Piazza di Spagna dhe shkuam të pinim një kafe aty afër, në një nga baret e “Rrugës sé Karrocave”, Roberta Sibona sërish pyeti: “Si po shkon Shqipëria?” Dhe po vetë dha përgjigjen “Mua më duket mirë”. Pastaj shtoi “Keni një kryetar bashkie né Tiranë, një socialist. Ai është mahnitës”.
Pothuaj e gjithë biseda më pas, e ndërprerë rrallë nga ndërhyrjet e bashkshortit të saj, një shkrimtar me një botim të fundit me tirazh tridhjetë mijë kopje, u zhvillua nën këtë “shenjë zodiakale”: Shqipëria po ringjallet. Kjo mënyrë arsyetimi e Sibonës në fillim të vitit 2004 nuk të befason më. Kjo pioniere e inkurajimit në median italiane të rilindjes sé Shqipërisë që kur kjo gjë dukej si terr i një tuneli të pafund, tashmë ka të rreshtuar në këtë pasion fisnik me dhjetra gazetarë italianë. Vetë Raiuno një vit më parë për këtë kthesë të mbarë të Shqipërisë realizoi dhe transmentoi një telereportazh mbi një orë. Në kronikat e vendit fqinj tashmë janë të rralla citimet rreth keqbërësve të ardhur nga “Vendi i Shqiponjave” dhe përfaqësuesit politikë në qeverisje apo opozitë disa herë shprehen me konsideratë për fillimin e përmirësimit të imazhit të Shqipërisë, duke u bërë të parët mbrojtës dhe nxitës të kësaj kthese.
Kështu ndodhi edhe pas tragjedisë së fundit, asaj të 9 janarit, ku njëzetë e një jetë humburit nga tentativa e re e trafikut të klandestinëve tronditën popujt e të dy vendeve. Politikanët, por mbi të gjitha shtypi kryesor italian dhe rrjetet nacionale televizive, për katër ditë me rradhë, ndërsa u muarrën me temën e asaj ngjarjeje të dhimbshme, u përpoqën të mos bënin asnjë hap pas në rivlerësimin e konkluzionit të tyre, tashmë kembëngulës dhe bindës: Shqipëria po ringjallet dhe e ka gjetur më në fund perspektivën e saj.
Mirëpo ndërsa dhimbja kombëtare kishte drithëruar zemrat e shqiptarëve deri në Prishtinë e Shkup dhe pulsonte mesazhe solidariteti në të gjithë diasporën anë e kend globit, në Shqipëri, ashtu vjedhurazi dhe në disa raste edhe hapur, rrëshqiti ujë të turbullt fjalësh edhe një mendësi tjetër: ajo që vendi ynë u zhyt edhe më në komën e pashpresës. Kurajua dhe po kaq kuturisja e këtij mentaliteti për të bërë të kundërtën e asaj që vetë opinioni shqiptar manifestoi këto ditë, nuk vjen nga ndonjë guxim qytetar, siç përshembëll e përshfaqi këtë ndjenjë civilizimi pjesa më e madhe e medias apo Lëvizja Mjaft. Ky ujë i papastër që çurgoi nën kembët e bashkëkombasve e gjeti të përshtatshëm vdekjen e 21 bashkështetasve me ëndërrën për një jetë më të mirë, për të pshurrur të gjithë Shqipërinë. Sigurisht që ata në parim nuk e duan këtë gjë, janë thjesht rivalë politikë apo armiq personalë të Kryeministrit apo qeverisë aktuale. Apo nga ky mllef janë mpirë vetëm e vetëm se nuk e duan apo kanë prishur marëdhëniet me kryebashkiakun e Tiranës, Edi Ramën. Dhe nuk është fjala për ta shkarkuar kritikën, akuzën, denoncimin publik apo keqdashjen ndaj njeri-tjetrit këtu, mes nesh, brenda Shqipërisë. Vlerat dhe abuzimet e renda të deritanishme të luftës së brendshme politike janë pjesë e natyrshme e zhvillimeve tona në kërkim të një shoqërie sa më funksionale dhe demokratike. Ato kanë të drejtën e tyre të ligjshme të manifestohen këtu, brenda bashkësisë e shtetit tonë, ku edhe ndikojnë pozitivisht apo mbraptas, ku edhe do të korregjohen pak nga pak. Kur ravijëzojmë praninë e një çurge bashkëkombasish që tragjedinë e fundit po e shfrytëzojnë në median e huaj, kryesisht atë më të afërt, italiane, për të larë hesapet e tyre të brendshme me një qeveri apo politikan të veçantë, nuk ka përse, në të kundërt me frymën e veprimet e kolegëve të përtej detit, të japen intervista se «Tirana është mbytur nga ilegaliteti ». Këtë të vërtetë si edhe kritikat për disa veprime të qeverisë aktuale e kanë bërë me kohë mes nesh veprimtarë të shoqërisë civile si edhe organe të tëra të medias. Nën këtë presion që po rritet diçka ka prirje të përmirësohet, rezultat që aspak nuk mund të arrihet duke i denoncuar të metat tona, shpesh të zmadhuara, në median dhe opinionin e një vendi, i cili për fat ka nisur të dalë nga gracka e imazhit të keq se shqiptarët janë më të prapambeturit dhe më problemakikët e rajonit dhe të kontinentit.
«Nderja e teshave në oborrin tend », fjalë e urtë që e gjen gjithandej né kulturën e shumë popujve të qytetëruar, nuk është mendësi provinciale, është edhe respekt për tjetrin, fqinjin. Patjetër edhe respekt për veten. Në shtypin italian apo atë grek nuk gjen, përveç shqiptarëve, asnjë shkrim me autorë bullgarë, serbë, kroatë, rusë, rumunë, boshnjakë, ukrainas, malazezë, maqedonas që të përflasin jashtë vendit të tyre problemet e tyre të luftës dhe ambicieve të brendshme.
Në Itali, vendin me një media mjaft të fuqishme e që ndikon edhe në simotrën e saj botërore, rrezikohemi ta rikthejmë imazhin e vendit tonë në kuotat shqetësuese të disa viteve më parë, sidomos të periudhës së çiftit famëkeq 1997-98. Kjo do të përbëjë një bumerang jo vetëm për prosperitetin e emigrantëve tanë atje, por edhe për disa nga zhvillimet tona të brendshme mjaft pozitive dhe që pothuaj nuk kanë ndonjë lidhje me veprimtarinë e qeverive apo të klasës politike. Janë fryte kombëtare të lirisë që kemi gjetur bashkërisht. Një nga këto është edhe gjallërimi dhe riorganizimi i shoqërisë civile. Po ashtu edhe rritja e frymës së kritikës dhe presionit pozitiv të medias ndaj qeverisësve.
Në demokraci mbërrihet jo kur garantojnë qeveritë, por kur bëhet maturimi i shoqërisë.

Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com