Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Mbaje “makinen“, o shqiptar i mire!


Tani që në Tiranë supershëtitorja e Buzë Lanës po përfundon pak nga pak në të gjithë gjatësisë së saj dhe ndodh që rruga e gjërë për qindra metra është e drejtë dhe e shtruar bukur mirë, ata që ngasin turrën e madhe të makinave u japin atyre një shpejtësi që mund të jetë e pranueshme vetëm në autostradën e kryeqytetit drejt Durrësit. Mirëpo ndryshimi mes të dy brezave të gjerë të asfaltuar është tepër i madh: në Tiranë është më së pari shëtitore ku kalojnë çdo sekondë qindra njerëz dhe tek tjetra ata ndalohen rreptësisht të lëvizin. Kështu ndodh që makinat nëpër Buzë Lanë të vërsulen mbi njerëz që kalojnë nëpër udhëkryqe dhe t’i rrezikojnë ata me shtypje. Këta ruhen më shumë kur kapërxejnë këtë magistrale se sa të ishin mes një sheshi ku shtihet me armë. Disa ditë më parë jo më pak se dhjetë njerëz po kapërxenin, pasi zbritën nga autobuzi urban, vijat e bardha të rrugës para Ministrisë së Shendetësisë, kur mbi ta u vërvit me të gjitha hekurat e llamarinat e saj një veturë. Ulëriti frikshëm një nga kalimtarët dhe iu vërsul ngasësit, që ai të frenonte, me fjalët “mbaje makinën, o shqiptar!?”. Por kjo skenë, e cila është bërë fare e zakonshme gjithkund dhe ca javë më parë rrezikoi edhe jetën e gjuhëtarit të shquar e të moshuar, Shaban Demiraj, nuk mbyllet këtu. Shoferi doli i revoltuar nga makina e tij dhe nisi ta fyente njeriun që ndërhyri për ta ndalur e kështu për të mbrojtur veten dhe të gjithë ata që ato çaste po kapërxenin rrugën rreptësisht në vijat e bardha.
Në këtë ngjarje të rendomtë mund të gjesh të gjithë kodin e adn-së sonë kombëtare: jo vetëm zellin e tepruar për të qënë patjetër më superior se tjetri apo dukshëm mosvlerësues ndaj jetës, por edhe vrundullin e madh të emocioneve që na sundon mbi arsyen. Do të ishte një gëzim i madh e në mos një thesar shumë origjinal nëse tepria e emocioneve do të ishte përdorur për ta bërë më të bukur jetën. Përshembëll nëpërmjet dëshirës së madhe për të kenduar edhe kur të kap mërzia apo punët të ecin dëshpërueshëm. Si romët. Apo të hartojmë kaq shumë e magjishëm kengë dashurie si grekët dhe italianët. Ta duam vallen, përshembëll, kaq shumë sa sllavët. Por nuk ndodh kështu, furia e emocioneve nuk na e zbut zemrën. Përkundrazi na e ashpërson dhe vrazhdëson. Se na kapin të tilla ndjenja kaq shpesh babai vret vajzën për një “turp” të supozuar, fqinji fqinjin për një gardh, një i ri bashkëmoshatarin e vet për një gërvishje të makinës. Prandaj edhe në fjalorin tonë mbarten e pështyhen kaq fjalë të renda.
Sigurisht edhe politika për këtë arsye bëhet edhe më e egër se edhe vetë standarti i pranuar i luftës për pushtet. Nga që emocionet na errësojnë sytë mund të ndodhë që veprimtaria e opozitës për 21 shkurtin të kërcënohet nga ky ves “shqiptar”, nga kjo “makinë” që nuk ndalet. Që nuk dëshiron të frenojë sadopak për të lënë bashkëkombasit të kapërxejnë “rrugën” drejt ëndërrës kombëtare të bashkimit me Evropën. Manifestimi i 21 shkurtit, i gjetur në përkujtim të shembjes së një simboli diktatorial, përmendores së Enver Hoxhës, i kodifikuar nga opozita me emërtimin “Lëvizja Nano ik” dhe i projektuar nga ish-Presidenti Berisha si manifestimi më i madh i joviolencës në Shqipërinë pluraliste, mund të përjashtohet nga të gjitha rreziqet e manipulimit si ngjarje posaçërisht destabilizuese. Në vendin tonë nuk ka asnjë faktor dhe subjekt politik që inspiron manipulimin e kësaj proteste për të futur vendin në paqendrueshmëri. Nuk ka po ashtu asnjë lob ekonomik, mediatik apo krahinor që synon të njëjtën gjë. Nuk gjendet asnjë faktor rilevant as në rajon. Qendrat më të mëdha e të pushtetshme në botë, jo vetëm në Uashington apo në Bruksel, kanë interesa të qarta stabiliteti në Ballkan dhe në Shqipëri. Edhe një thyerje xhami, po të jetë parathënie e një gjëme të ardhme dhune, do të gjykohet e ndëshkueshme prej tyre.
Mbetet një rrezik hipotetik ai i mafias ndërkombëtare. Historia e trembëdhjetë viteve pasdiktatorialë ka dëshmuar për një protagonizëm të saj në të gjitha rastet e ngjarjeve kombëtare të përdhunshme dhe sidomos në rënien e përsëritur të Shqipërisë në anarki. Një hipotezë e tillë ka shumë gjasa të përjashtohet nga një ndikim i rradhës më 21 shkurt, por në ajër ende mbetet si athësirë baroti një deklarim i paradokohshëm i politikanit të majtë Gaqo Apostoli, sipas të cilit është aktive brenda vendit tonë (do të shtonim: edhe afër nesh), një mafie mjaft e interesuar për të penguar hyrjen e Shqipërisë në komunitetin e Bashkimit Evropian.
Më 21 shkurt i sigurtë mbetet një kërcënim: vesi ynë e ca më tepër i disa prej përfaqësuesve tanë politikë për të mos e ndalur “makinën”. Nga mospërmbajtja e vetes, nga moskontrolli i gjindjes së madhe protestuese dhe i forcave po aq të mëdha policore dhe trupave speciale. Apo thjesht nga pamundësia fizike a logjistike për ta kryer këtë gjë, manifestimi i pritur mund të prodhojë pasoja të padëshiruara nga askush. Thirrja e përcjellë në çdo qytet shqiptar nga shefi i opozitës më të madhe dhe realisht edhe organizatori e menaxhuesi i koalicionit të djathtë, Sali Berisha, që të gjithë mbështetësit të grumbullohen në Tiranë “për të kaluar uikendin”, në thelb nuk është vetëm një demonstrim epërsie politike ndaj Kryeministrit dhe shumicës parlamentare. Madje protestuan përse nga e njëjta datë u shmang edhe një ndeshje e rendësishme futbollistike. Psikologjia dhe mentaliteti i zhvillimit të konkurencës politike nëpërmjet stilit të “rrokjes” në shesh e karakterizon prej kohësh ish-Presidentin e djathtë paskomunist. Mirëpo në rast se në kohën e qeverimit të tij forcat policore dhe trupat speciale bënin “thyerjen” dhe “grimcimin” e masave të protestuesve të majtë (bllokoheshin rrugët nacionale në dalje të qyteteve dhe në hyrje të Tiranës, në kryeqytet manifestimi dëbohej nga sheshe të qendrës për në periferi dhe rrugët kryesore izoloheshin nga njëra-tjetra) një gjë e tillë nuk po ndodh pas vitit 1997. Që prej këtij çasti manifestimet opozitare jo vetëm organizohen përherë në Sheshin Skenderbej, por ato lejohen të shkojnë drejt Kryeministrisë. Para kësaj selie mund të ndezësh për disa ditë qirinj, mund të lëvizësh demonstrativisht një gomone apo edhe arkivol, mund të çash murin mbrojtës të policisë dhe të thuash se e bëre këtë gjë jo për të hyrë brenda godinës, por për të kundruar më mirë sheshin para saj. Madje disa mitingje janë devijuar nga leja e marrë prej autoriteteve lokale dhe zhndërruar në parakalime e marshime drejt kësaj selie. Një riciklim demonstrimi qoftë edhe “i butë” si ai tipit të 7 shkurtit mund të përndezë radikalë, ekstremistë e madje edhe tipa “heronjsh” të vjetër të antikomunizmit, por që akoma nuk kanë kuptuar se shansi për ta përsëritur sakrificën e tyre të dhimbshme ka perënduar. Një gabim në gjetjen e kohës dhe të mënyrës së ndërhyrjes, në rast emergjence, të forcave të Rendit Publik, po ashtu mund të shkaktojë humbje të kontrollit dhe të jetë fatal.
Sipërmarrja e superdemonstrimit të 21 shkurtit dhe grishja e vazhdueshme për të shumëfishuar protestues që, për shkaqe të ndryshme, mjaft prej tyre ende nuk kanë përvetësuar kulturën më fillestare të veprimit paqësor, përveçse një lakmi e zakonshme mes nesh për të qënë e dukur “më i forti”, do të mbetet një sprovë e madhe për opozitën, për shtetin dhe për të gjithë shoqërinë tonë.
Përgjegjësit qofshin të përgjegjshëm!

Ylli Polovina

Tiranë, më 18.02.2004




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com