Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

A mund te vije princi Alesandro Castriota Scanderbeg ne Shqiperi?

Korrieri, 3 mars 2004


Në mbrëmjen e 7 janarit të këtij viti u nisëm nga zyra e botuesit Kostanco D’Agostino, e cila ndodhet prapa Koloseut në Romë, për të dalë në jug të kryeqytetit italian, në drejtim të Institutit Kurues Shkencor Santa Luçia. Ai ishte pranë zonës së njohur Gropat Adreatine, vend ku gjermanët në Luftën e Dytë Botërore bënë një masakër të madhe kundër antifashistëve vendas. Gjer atje, nëpër trafikun e tejngarkuar të buzëmbrëmjes, do të duhej pothuaj një orë. Kështu D’Agostino kishte boll kohë për të ngarë makinën, ndërsa unë të mendoja qetësisht për atë që do të ndodhte në orën shtatëmbëdhjetë, çast i rënë dakort për t’u takuar me Alessandro Castriota Scanderbeg. Pra me Aleksandër Kastriot Skenderbeun. Saktësisht me stërnipin e heroit tonë kombëtar. Pinjolli i familjes princërore shqiptare të shekullit të pesëmbëdhjetë, Kastriotëve, ishte i martuar me belgen Caroline Tulkeus dhe kishte dy vajza, Xhulian dhe Izabelën. Ai punonte mjek dhe drejtues i nivelit të parë në qendrën kërkimore shkencore të quajtur Instituti Santa Luçia, i cilësuar si qendër kërkimore-shkencore me prestigj kombëtar e ndërkombëtar dhe spital me specializim të lartë për reabilitimin neuromotorik. Të ishe atje një punonjës dhe drejtues me gradën e parë të nivelit donte të thoshte i spikatur mes treqind specialistëve. Vetëm pesë prej tyre e kishin këtë titull.
Historia e kontakteve tona formalisht kishte nisur në janar të një viti më parë, kur botova në Tiranë në një nga të përditshmet shkrimin “Rikthimi i Skenderbeut, por në Romë, jo në Tiranë”. Në të bëhej fjalë për publikimin e pritshëm të librit “Skenderbeu-një hero multimedial”, me autor shkrimtarin dhe gjyqtarin e njohur roman Xhenaro Françone. Përgatitja e këtij libri kishte nisur në gjysmën e dytë të vitit 2001, kur me detyrën e Sekretarit të Parë të Ambasadës sonë në Itali nismën e autorit e mbështetëm me adresarin e disa të dhënave e librave rreth Gjergj Kastriotit, edhe pse duhet qartësuar se edhe në këtë profil Xhenaro Françone hulumtoi vetë kembëngulshëm në Bibliotekën Publike në Romë. Autor i mjaft botimeve dhe çmimeve kombëtare e ndërkombëtare Françone ishte edhe president i Shoqatës së Shkrimtarëve Gjykatës të Bashkimit Evropian.
Shkrimin “Rikthimi i Skenderbeut, por në Romë, jo në Tiranë” në Institutin e Studimeve Shqiptare pranë Universitetit “La Sapienza” në Romë e përkthyen në italisht dhe menjëherë e shpërndanë në internet. Ndër ata që reaguan, pasi e lexuan, ishte edhe Alessandro Castriota Scanderbeg. Në bisedën telefonike me botuesin D’Agostino ai kishte qënë mjaft i emocionuar. I gëzuar nga libri, i cili do të delte së shpejti nga shtypi, por edhe për atmosferën interesante që ngjarja shkaktonte në Shqipëri. Shkrimi kishte shërbyer edhe si një rast nëpërmjet të cilit të mund të gjente një kontakt me atdheun e stërgjyshit të tij. Ca më tepër ishte edhe i grishur, por edhe po kaq i tronditur, nga projekti i botuesit italian (mik i njohur i Shqipërisë), që pas prezantimit në Romë, të mund të organizonin të njëjtën gjë edhe në Tiranë. Në këtë veprimtari, sipas idesë së D’Agostinos, mund dhe duhej të ishte patjetër edhe vetë Alessandro.
Në fund të pranverës libri “Skenderbeu-një hero multimedial”, i shoqëruar me një parathënie nga vëllezërit Alessandro e Giulio Castriota, u botua dhe pak kopje të tij iu dërguan në Shqipëri disa prej personaliteteve të Shtetit, të politikës, medias dhe botës shkencore. Po ashtu edhe Ambasadës në Romë, ku shefi i përfaqësisë diplomatike të Shqipërisë është në të njëjtën kohë edhe një nga historianët më të talentuar të mesjetës kombëtare, Pëllumb Xhufi. Ishte një fat që nëpërmjet tij në rrugë institucionale, por edhe verifikuar shkencërisht, do të kalonte realizimi i të gjithë projektit.
Gjer atë çast të shtatë janarit të këtij viti kur makina ngutej të delte në pjesën jugore të Romës për të arritur në kohën e premtuar në Institutin Kurues Shkencor Santa Luçia, ngjarjet kishin rrjedhur me shpejtësi inkurajuese. Alessandro Castriota Scanderbeg kishte bërë vizitën e parë në Ambasadë, ishte ftuar më pas në festimet e Ditës së Flamurit, 28 nentor. Po ashtu ambasadori Xhufi, i shoqëruar prej tij, kishte realizuar edhe vizitën e takimin e parë shumë inkurajues me drejtorin e Institutit Santa Luçia, dot. Luigi Amadi, për të siguruar bashkëpunim dhe ndihma për sistemin shendetësor shqiptar. Pasardhësin e heroit tonë kombëtar e kishte takuar edhe poeti Visar Zhiti, i cili duke qënë në të njëjtën kohë edhe mik i ngushtë i Xhanaro Françones, gjatë kohës së shërbimit si diplomat në Romë pati mundësinë të realizonte një njohje shumë të mirë të komunitetit shqiptar në Itali, përfshi edhe familjen princërore të Kastriotëve. Visari për ta bërë të njohur këtë ngjarje botoi në “Korrieri” dy faqe speciale, të cilat nxitën një trupë televizive shqiptare të Shkupit që të vraponte drejt Romës dhe të regjistronte intervistën e parë me Aleksandrin. Dhjetë ditë më pas asaj pragmbrëmeje që ne nxitonim drejt Institutit Santa Luçia, më 17 janar, përvjetor i vdekjes së Skenderbeut, Ambasada, siç prej vitesh ishte traditë në Romë, do të bënte në Sheshin Shqipëria, pothuaj në qendër të Kryeqytetit italian, ceremoninë e ngjarjes. Në të do të ishte për herë të parë edhe ai, Kastrioti shkencëtar.
Bisedën telefonike e kishim bërë paradite, ç’ka ndodhi pothuaj rastësisht. Isha në zyrën e botuesit D’Agostino kur ai, befasues si gjithnjë, nxori celularin dhe formoi me të shpejtë një numër. U kuptua që në fjalët e para se përtej valës fonike ishte Aleksandri. Ftesës së mikut italian për t’u takuar me pinjollin e Skenderbeut nuk e kundërshtova, jo vetëm për edukatë. Kisha patur kohë për të kthjelluar brenda vetes përgjigjet e pyetjeve “inatçore” se ku kishin qënë deri tani këta Kastriotë. Shqipërinë e kishte përfshirë një shekull i gjatë trazimesh dhe pafati, kishte provuar pushtime deri edhe nga italianët, diktatura e dhunë, pluralizëm plot vështirësi dhe luftë për çlirimin e Kosovës, përpjekje rindërtimi. Kishim patur vite urie e izolimi, pashprese dhe ëndërrash të vrara. Ndërkaq Kastriotët italianë nuk ishin ndjerë. Nuk kishin lëshuar asnjë mesazh. Kronikat shkruanin se Ahmet Zogu kishte ftuar në një përvjetor 28 nentori një trashëgimtar të tyre nga Napoli dhe se pikërisht një pasardhës të po kësaj dege të Kastriotëve pak vite më parë e kishte fokusuar në një telereportazh interesant regjizori Namik Ajazi. Ai quhet Xhorxho (Gjergj) dhe TVSH e televizione të tjera e kanë transmentuar disa herë këtë film.
Zëmërimi im i fillimit, tashmë në fikje, ishte ndezur edhe në kërkim të përgjigjeve për pyetje munduese se si ishte e mundur që, në ndryshim nga bashkësia arbëreshe në Itali, Kastriotët nuk dinin asnjë fjalë shqip. Madje, siç thoshte një bashkëkombase jonë, e cila e ndiqte me vëmendje këtë afrim të Alessandro Castriota Scanderbeg, të paktën ai të mund të shqiptonte fjalën “mëmëdhe”. Po ashtu ishin mjaft të dobësuara, në mos të këputura prej kohësh, edhe lidhjet e Kastriotëve me bashkëkombasit që emigruan bashkë me ta në Itali pas vdekjes së Skenderbeut.
Si ta kishte zbuluar këtë rrjedhë mendimesh brenda meje Kostanco D’Agostino, ndërmjetësi i këtij afrimi, tha të vetmen togjalësh të atij udhëtimi të heshtur nëpër trafikun pështjellues: “A e di se Aleksandri më ka kërkuar një fjalor italisht-shqip për të mësuar gjuhën e stërgjyshit të tij dhe unë ja dërgova?”.
Instituti Santa Luçia u shfaq menjëherë pas rënojave muzeale të Gropave Adreatine. Ishte një kompleks ndërtesash moderne dhe pas parkimit të makinës e para gjë që do të na bënte përshtypje befasuese ishte fakti se të paktën tre kate të atyre grehinave ishin nën tokë. Studio e Aleksandrit ishte pikërisht në këtë pjesë të Institutit. Duke shmangur ashensorin e zbritur nëpër shkallë punonjësit me bluza të bardha mplekseshin herë pas here me pacientë që kuroheshin. Një kalim nëpër korridoret e shumtë të nëntokës shpjegoi menjëherë një nga arsyet përse njëra pjesë e trupit të madh të Institutit ishte futur nën dhe: atje ishin vendosur aparate të sofistikuara për studime dhe kurime nëpërmjet rezatimesh.
Kur më në fund u takuam me të përshtypja e parë ishte ajo e përcaktuar nga botuesi D’Agostino: “Aleksandri ngjan me aktorin e famshëm Riçard Gir”. Nuk mund të konstatoje veç të vërtetën e kësaj përqasjeje të kendshme. E megjithatë pavullnetshëm ndërgjegjia ime, sy dhe mendje bashkë, me ethe nisën të punonin për të gjetur gjurmë të përbashkëta të përngjasimit të shkencëtarit të ri neurolog me stërgjyshin e tij prijës ushtarak dhe politik të popullit të vet gjashtë shekuj më parë.
RIZGJIMI I NATYRSHEM I “GJAKUT BLU”
Takimi zgjati më shumë se një orë. Ishte i përzëmërt dhe i mbushur plot me mendime. Duke qënë mirëfilli shkencëtar Alessandro Castriota Scanderbeg pëlqente idetë dhe fjalët e pakta. Gjithçka e shpjegonte qartë dhe pa lënë nga pas, prapa dëshirës së tij që një ditë të vinte në Shqipëri, shijen e hidhur të ndonjë prapamendimi spekulativ apo sharlatanesk. Kjo ishte në realitet edhe një nga pjesët e nxehta të dyshimeve të mia të dikurshme, dyshime që me të drejtë mund të jenë edhe këto çaste të shumë bashkëkombasve. Vetë Kastriotët e vërtetë kanë pësuar jo pak nga shpërdorues të shumtë të trashëgimisë skenderbejane. Heroi ynë gjithshqiptar gëzon një emër të madh në të gjithë kontinentin evropian, po ashtu edhe jashtë tij. Ai gjendet i vlerësuar deri edhe në Enciklopedinë Amerikane. Prej një reputacioni të tillë global ishin bumyer nëpër shekuj edhe mashtruesit. Ata ishin spanjollë e deri rusë, shumë edhe italianë. Mes këtij falciteti kishin mbërritur më në fund, të paktën në Itali, ta provonin autencitetin e tyre vetëm të vërtetët. Këta Kastriotë realë aktualisht përbëjnë në Itali vetëm dy degë: atë të Xhorxhos me residencë një kështjellë modeste në Napoli dhe ajo e Pulias, prej ku vjen edhe Alessandro.
E kendvështruar kështu zgjimi i stërnipit të Skenderbeut, realisht i konsideruar me dokumenta Princ dhe dëshira e tij për të bërë një vizitë në Shqipëri, mund të përgojohej si tentativë për të hyrë në jetën politike të vendit. Ose më e pakta një përpjekje e tërthortë për të ringjallur publikisht edhe këtu titullin fisnik që kishte. Të cilin mund ta devijonte e riformulonte si Mbret. Ndërkohë që një tjetër “Mbret” kishim. Madje ai kishte afro dy vite që ndodhej në një rezidencë të madhe e konforte në mes të Tiranës. Kështu kishte të ngjarë që një gjest thjesht kulturor (prezantimi i librit në italisht për stërgjyshin e tij) të delte nga kontrolli i synimeve të paqta të organizatorëve dhe të zhndërrohej në një manifestim politik. Në mos në një debat të nxehtë apo idiot dhe kështu do të shpiknim një problem të ri për shoqërinë shqiptare të tejngarkuar me tension. Një keqpërdorim, i cili mund të vinte njëlloj kërcënueshëm nga ardhësi prej Romës apo edhe nga ambiciozët e shumtë të Tiranës, ç’ka do të prodhonte në mënyrë të sigurtë edhe një incident.
Në mendimet që shkembyem atë mbrëmje të 7 janarit asgjë e tillë nuk projektohej në mendjen e shkencëtarit italian me origjinë të largët matjane. Në një çast të bisedës Alessandro Castriota tha se stërgjyshi i tij, Skenderbeu, ishte një Princ dhe se asnjëherë nuk u shpall apo vetshpall Mbret. Madje për t’i dalë përpara një keqkuptimi e në mos një keqinterpretimi të mëvonshëm ai i kishte dhënë një intervistë të gjatë Xhenaro Françones dhe ky i fundit, një mjeshtër i komunikimit online, e kishte shpërndarë me kohë në internet. Në të pasardhësi i heroit tonë kombëtar ngulte kembë se pikërisht ajo që familja e tyre nuk donte të ndodhte ishte të mos konsiderohej një hipokrizi malli i tyre për vendin e stërgjyshit. “Lidhja e fortë me tokën e gjyshërve tanë ka qënë për ne, të paktën deri tani”, sqaronte Alessandro, “tërësisht një fakt intim, i cili ka trazuar dhe emocionuar gjithnjë dhe vetëm ndërgjegjet tona. Dhe që nuk ka patur asnjëherë dhe nuk do të ketë kurrë asnjë formë shpalljeje dhe manifestimi të hapur. Në të vërtetë ne jemi italianë që prej një gjysëm mijëvjeçari dhe duke qënë të tillë do të ishte shumë false të paraqiteshim përballë shqiptarëve si bashkëkombas të tyre”.
Në të njëjtën kohë ai shpjegonte se “arsyet e lidhjes së fortë me tokën e të parëve tanë nuk duhen kërkuar në faktorë përkatësie të përbashkët jete dhe eksperience. Megjithatë përherë mbetet për ne një gjurmë lidhjeje mjaft e kuptueshme e historisë sonë familjare me Shqipërinë. Madje, për të qënë edhe më i qartë, kjo lidhje me shqiptarët, përbën edhe momentin më të lartë e sublim të historisë sonë”. Një shprehje kaq e sinqertë dhe e kthjellët e shkencëtarit neurolog në mënyrë mjaft më sintetike ishte formuluar që në rreshtat e para të intervistës: ”Historia e familjes sonë koinçidon me atë të Shqipërisë gjer në vitin 1468, vit i pafat kur vdekja e Gjergjit e la Shqipërinë pa asnjë udhëheqje dhe mbrojtje”.
Kur u ndamë dhe morëm sërish shkallët për t’u ngritur në mbitokë Alessandro Castriota Scanderbeg na përcolli deri sa dolëm nga labirinthet e laboratorëve dhe në ndarje shenjën karakteristike me dorën e tundur e bëri me mjaft emocion. Dhe shqiptoi fort “Forza Albania!”.
Një thirrje të tillë, gati ovacion, “Jepi Shqipëri!” e kishte thënë pothuaj nën zë edhe kur biseduam një ditë më parë në telefon. Ishte befasuar kur nga ne mori vesh se vetëm në Itali studjojnë aktualisht pothuaj shtatë mijë të rinj shqiptarë dhe se nga porti i Durrësit çdo ditë drejt bregut apeninas nisen jo më pak se dy tragete të mbushur me bashkëkombas. Se çdo ditë një avion zbarkonte nga Rinasi në Bari dhe një tjetër fluturonte për në Romë apo Milano. Se tragete drejt Italisë niseshin ndërkaq edhe nga porti i Vlorës.
PYETJA MUNDONJESE: A MUND TE VIJE PRINCI NE SHQIPERI?
Pyetja munduese në thelb ishte mjaft e thjeshtë: mund të vijë një ditë në Tiranë e pastaj të shkojë në Krujë Alessandro Castriota Scanderbeg?
Për ne përse jo, kjo mirseardhje duhet bërë edhe publike. Ai ka dëshirë të vizitojë Krujën, Beratin, Vlorën, Korçën, Lezhën, Shkodrën, gjithë Shqipërinë. Në është e mundur edhe të takojë Ismail Kadarenë, për të cilin princi kastriotas ka adhurim të veçantë. Kurse të bënte një vizitë në Kosovë për të do të ishte gati një mrekulli. Vëllai i tij, edhe ai princ, Xhulio, pak muaj më parë e kishte realizuar një vizitë “incognito” në Tiranë dhe në Krujë. Bashkë me disa shokë të tij italianë. Kishte dalë nga kjo “aventurë” e fshehtë i përmallur, por edhe duke psherëtirë “shqiptarët janë akoma shumë të varfër”.
Kjo degë e dytë e heroit tonë kombëtar, si edhe ajo e vendosur në Napoli, mbart me vete historinë gjashtëshekullore të Kastriotëve në Itali. Siç dihet pas vdekjes së Gjergj Kastriotit familja e tij u vendos në Mbretërinë e Napolit, ku Gjoni, djali i Skenderbeut, bashkë me të jëmën, Donikën, jetuan pak kohë në pronat e dhëna nga mbreti Ferdinand i Aragonës. Ato ishin në Pulia feudet San Giovanni Rotondo dhe Monte Sant’Angelo. Pastaj u tranferuan në dukatin San Pietro Galatina dhe në kontenë e Soletos, në Leçe. Vetë Donika, deri sa vdiq, jetoi në Napoli, pranë pallateve mbretërore, duke i mbyllur vitet e zisë bashkë me “mbretëreshat e trishtuara”, gruan dhe vajzën e mbretit Ferrandino. Gjon Kastrioti i martuar me Irena Brankoviç Paleologun, pasardhësen e fundit të familjes peradorake të Bizantit, lindi Pardon. Prej këtij mbijetuan në gjak mashkullor për pothuaj gjashtë shekuj vetëm dy degë të Kastriotëve. Ajo të cilës i përket edhe Alessandro (por edhe vëllai i tij Xhulio, gjykatës administrativ në Kalabri, dhe Paola, avokate çështjesh civile në qytetin e Leçes), i ka dhënë Italisë disa përfaqësues të respektuar, një kryetar bashkie të Leçes, poeteshën e njohur Izabela, e cila ka zënë vend edhe në Enciklopedinë italiane të Njerëzve të Shquar, një governator të Rexhos, një Gjykatës të Lartë, avokatin Federino, i cili u bëri një mbrojtje të zjarrtë republikanëve garibaldinë të famshëm si Luixhi Setembrini, Filipo Agresti dhe Silvio Spaventa. Po ashtu nga dega që sot përfaqësohet prej Aleksandrit, Xhulios, Paolës dhe nënës së tyre, ka në biografinë e familjes një komandant Garde Mbretërore, një bashkëshorte ministri të Brendshëm. Babai i tyre, Gjergji, i cili ka vdekur më 1996, ka qënë një avokat i shumënjohur në Leçe. Të gjithë dashurinë për të të tre Kastriotët tashmë e kishin hedhur tek nëna e tyre, Maria Tereza.
Do të mjaftonin edhe kaq pak të dhëna për provuar para opinionit shqiptar se prej trungut të heroit tonë kombëtar, Skenderbeut, edhe pse tashmë janë e do të mbeten italianë, kanë rrjedhur njerëz me vlera dhe me integritet të madh moral. Në të gjashtëqind vitet e jetës së princërve Kastriotë në Itali nuk gjendet as edhe një rast të ndonjë pinjolli të degjeneruar në qënie pa dituri apo me bjerrje vlerash morale. Sigurisht as që bëhet fjalë për mbështetës së regjimit fashist.
Në një fjalor italian të familjeve fisnike gjen me qindra e deri mijra emra, të cilët njihen si trashëgues të titujve princër, dukë, kontë etj. Cilësohen e trajtohen të tillë, edhe pse vendi është një republikë dhe familjen mbretërore e lejuan të kthehej në Itali në cilësinë e qytetarëve të thjeshtë. Mirëpo në histori ata janë familje mbretërore, kështu i trajtojnë me mirësjellje edhe shumë media e pjesa dërmuese e opinionit. Madje Rai, Radiotelevizioni Italian, që prej disa kohësh ka nisur në orën 21.00 një spektakël të përjavshèm, ku të ftuar si pjesëmarrës janë edhe disa princër e princesha të vendit të tyre.
Ne nuk mund të kemi, për shumë arsye, sidomos historike, një pasuri kaq të madhe familjesh me “gjak blu”. Një pjesë e tyre, si Muzakët, u vendosën edhe ata pas vitit 1468 në Itali. Po ashtu në këtë vend edhe katër-pesë dekadat e fundit disa Dukagjinë janë rishfaqur me pretendimin për këto tituj. Në Shqipëri përgjatë pushtimit turk “gjaku blu” i kontëve apo princërve shqiptarë të para pushtimit osman, të shfarrosur apo të larguar në emigrim u zëvendësuan nga një klasë e re “gjaku blu”, por që kësaj rradhe morën emrat jo fort tingëllues si Pasha apo Bej. Në këtë shkretim e devijim historik pesëqind vjeçar shekulli i shkuar na solli në histori një pasardhës të familjes princërore të Lekë Dukagjinit, i cili u vetëshpall mbret. Më pas erdhën komunistët dhe e delegjitimuan edhe këtë familje me “gjak blu”, duke ringritur një kastë “pashallarësh të kuq”. Vetëm pas më shumë se gjashtë dekadash një familje e llojit “blu” jeton në Tiranë dhe ka po ashtu një djalë simpatik, i cili në një republikë të palëkundur shqiptare mund të përfundojë nga shkencëtar e deri në një diskograf. E megjithatë është një “Princ”.
Tani që ne si popull inspirojmë eurointegrimin, jo për snobizëm e imituar britanikët, spanjollët, apo edhe italianët, kemi nevojë për të përmbushur mes shumë standarteve të vështirë ekonomikë, politikë, shoqërorë, kulturorë, të sigurisë e bashkëjetesës edhe një boshllëk të zbrazur e boshatisur mes nesh: familjet fisnike. Përshembëll cili prej nesh në intimitet nuk do t’i thoshte “shkëlqesi” Jusuf Vrionit, një princi gjenealogjikisht por edhe një “princi” të kulturës kombëtare.
Ndërkohë në Itali kemi disa princër, madje pasardhës të më të madhit shqiptar që kemi, Gjergj Kastriotit. Heroit tonë që na lidh më shumë se çdo udhëheqës që kemi patur, me Evropën.
Nuk do të ishte romanticizëm i vonuar apo demagogji kombëtare, as truk politik dhe ca më pak dinakëri e hipokrizi ballkanase, t’i evidentonim edhe më tej këto familje fisnike. Kuptohet rasti ynë nuk shkon gjer në hartimin e një fjalori të ”gjakut blu” shqiptar, por modestisht t’i shprehim mirseardhjen në Tiranë e kudo, ku dëshiron të shmallet, italianit Alessandro Castriota. Çast më të bukur, më të gëzuar e më të ligjshëm nuk ka se sa momenti i prezantimit të librit “Skenderbeu-një hero multimedial” të Xhenaro Françones.

Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com