Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

NJĖ SURPRIZĖ QĖ FSHIHET NĖ JAVOREN VJENEZE “DAS INTERESSANTE BLATT” NĖ NUMRIN E SAJ TĖ 28 NĖNTORIT 1912
FESTAT 28-29 NĖNTORIT 1945 DHE LOJA E ENVER HOXHĖS ME FJALĖN DEMOKRACI Pjesa e dytė
FESTAT 28-29 NĖNTORIT 1945 DHE LOJA E ENVER HOXHĖS ME FJALĖN DEMOKRACI Pjesa e parė
LAJMI I SAJUAR MBI NGRITJEN E FLAMURIT DHE SHPALLJEN E PAVARĖSISĖ NĖ DURRĖS
AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISĖ ITALIANE ME MBIEMRIN ĒIFTELIA (Pjesa 2)
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Çfare fshihet e nuk duket pas Partise Republikane?


Dita, 2 shkurt 2004

Vëzhguesit e politikës e dallojnë çfarë nuk duket sa duhet pas biografisë trembëdhjetëvjeçare të Partisë Republikane, ndërkaq shumica kanë të drejtë të mos kenë kaq interes e kureshti. Ka të ngjarë që edhe ta kenë të mveshur pamjen e ngjarjeve përreth nga rutina e jetës së përditshme, e cila i tërheq me forcë në halle më të mëdha se kurioziteti politik. E megjithatë ka shumë kohë që pas veprimtarisë së partisë së sipërcituar një kend i saj vijon të mbetet i pandriçuar mirë, i mbështjellë vazhdimësisht nga mjegulla e zallamahisë së përgjithshme. Një heqje, qoftë edhe kohëshkurtër, e këtij zmogu do të bënte të dallonim një realitet për të cilin mund të binim në mendime dhe ta vlerësonim klasën politike shqiptare disi më ndryshe.
Republikanët u bashkuan për të krijuar një parti të tyre menjëherë pasi Lëvizja e Dhjetorit nxorri në krye të saj Partinë Demokratike, forcën e madhe historike që ato çaste kishte energji, inteligjencë, vendosmëri, shpirt tolerant e radikal për t’i dhënë fund regjimit enverist. Kur PR mori jetë si parti e tretë e pluralizmit shqiptar, nuk vonuan të shfaqeshin edhe formacione të tjera, ku më interesanti ato kohë pas republikanëve do të ishin socialdemokratët. Skenën do ta mbushnin brenda vitit 1991 me shpejtësi edhe mjaft parti të tjera, ndërsa në dyzinën e parë të viteve pluraliste numuri i tyre do të kapte rekordin e afro tetë dhjetësheve. Tani që hymë në dyzinën e dytë të shumëpartitizmit, ndërsa PD dhe PS gjenden të ngujuar në dy polet e kundërta të shoqërisë shqiptare dhe imponojnë shumicë të alternuar, PR vijon të mbesë një formacion i patronditur nga zbehja apo rënimi. Solidë në dimensionin e tyre të përhershëm elektoral republikanët shqiptarë nuk u mpakën kur ishin në qeverisjen e tranzicionit dhe ca më pak firuan nga grindja e brendshme dhe etja për pushtet kur hynë në periudhën e gjatë të të qënit në opozitë. Dukuria PR, ndërsa përreth nesh bën potere e tym makina e “politikës së konfliktit” apo lufta frontale e “politikanëve të vjetër”, pra kur disa protagonistë të rinj të saj kërkojnë hapësirën e tyre e po të jetë e mundur edhe revansh, meriton të rilevohet e ekspozohet më dukshëm para bashkëkombasve. Kjo sepse në këtë zymti të përgjithshme na jep gjithsesi shpresë se edhe mes “partive të vjetra”, tradicionaleve, gjallojnë risi dhe vlera.
Askush nuk dyshon se në kulturën e përgjithshme dhe atë partiake të një formacioni politik ka rendësi të madhe themeluesi i saj. Në historinë botërore nuk ka vetëm një shembull, ku për të argumentuar peshën e njëshit themelues, dëshmohet se edhe parti të mëdha numerikisht kanë lindur dhe vdekur me emrin e modelin e kryetarit të tyre. Ose që, edhe pse kanë qënë parti me jetë njëshekullore, janë rënuar bashkë me liderin e tyre. Ose që kanë përcaktuar fatin e prosperë të mëvonshëm nëpërmjet identitetit dhe energjisë së njërit prej shumë kryetarëve që kanë patur. Në historinë moderne shembuj të tillë me autoritet vital për partitë e tyre mund të konsiderohen Miterran, Bler, Klinton, Kohl, Aznar, Andreoti, Papandreu apo Simitis.
Edhe pse nuk ka pas vetes staturën elektorale të emrave të mësipërm Sabri Godo mbetet jo vetëm një kryetar historik i republikanëve shqiptarë, por edhe një lider i tyre. Ndoshta jo një model për një pjesë të klasës sonë politike, mbase aspak edhe një shembëll, por patjetër një dëshmi me autoritet se shoqëria jonë ende në formësim demokratik, mund ta ushtrojë në mënyrë moderne konkurencën për pushtet qeverisës. Mënyra se si me personalitetin dhe maturinë e tij Godo ndikoi mbi partinë e vet përbën origjinalitet dhe këtë rievidentim nuk kemi përse e anashkakojmë. Bashkëkombasi që iu gjet afër atyre shqiptarëve, të cilët më 1991 zgjodhën si simbol të flamurit partiak një atdhe-shqiponjë të përgjysmuar nga padrejtësitë e historisë, e kishte me kohë emrin dhe autoritetin e një shkrimtari në zë si edhe e biografit më të mirë kombëtar. Godo ishte autori i talentuar i librave jetëshkrues të dy burrave më me emër përtej kufijve tanë, Gjergj Kastriotit dhe Ali Pashë Tepelenës. Mundet që puna e gjatë kërkimore dhe më pas hartuese e bëmave të dy prijësve shqiptarë të ketë ndikuar sadopak në riformatimin e tij pozitiv politik si lider pas vitit 1990. Kështu duhet të ketë ndodhur përderisa autoriteti i Sabri Godos vijon mes republikanëve të jetë në një masë të palëkundur. Një Godo i autoritetshëm që nuk ka “godoizuar” partinë, simpatizantët dhe ndjekësit e tij. Që nuk grumbulloi kurrë në duart e veta gjithëpushtet. Politikani i vetëm që u largua nga drejtimi ekzekutiv pa e përdorur këtë gjest si truk apo manovër rivlerësimi dhe rikthimi. Iku modestisht për t’i hapur udhën një të riu, por jo sepse vetë ishte në moshë të thyer dhe do t’i ledhatohej komoditetit të pensionit. Pas këtij akti Sabri Godo vijoi jetën dhe influencën e tij politike në shoqërinë shqiptare. I zgjuar gjer në dinakëri, manovrues dhe i rrëshqitshëm, kaq herë i përfolur dhe i dyshuar se bashkëpunonte mistershëm herë me të majtën dhe herë me të djathtën. Në të vërtetë ky ishte “agresiviteti” i tij, të mbijetuarit në mes për të zbutur sadopak egërsinë e përplasjes së dy poleve. Për të mbetur ndërkohë i padhunuar nga asnjë pazar i pushtetit, nga asnjë lakmi individuale, i pakompromentuar nga asnjë mllef personal ndaj rivalëve. Konseguent për të penguar socialistët, kembëngulës për të mos rënë nën tutelën e dominimin e forcës e armatës së parë të të djathtëve, demokratikasve. Një ushtrues aktiv i politikës që nuk bëri kurrë diversion dhe ekspansion brenda partive kolege. Ndërkohë që e djathta e vërtetë ishte mishëruar tek kultura e etika e tij politike: ndryshe nga modeli jo rrallë kaotik i dy partive të mëdha në program e tij u ngritën shtyllat e pronës, atdhetarizmit dhe familjes së fortë; në veprimtarinë e përditshme asnjë fjalë të përdhunshme në gojë, asnjë formë të shëmtuar të shqiptimit të tyre, asnjë britmë, asnjë kërcënim, asnjë kritikë apo akuzë pa qënë e argumentuar.
Dhe do të përfundonte me emrin e Sabri Godos e gjithë kjo risi e politikës në rast se ai do ta rrëmbente me egoizëm këtë vlerë sapo të linte postin e kryetarit ekzekutiv. Veç “pas meje le të bëhet qameti” nuk ishte mendësi e tij, ekzistojnë të tjerë që ditë për ditë përreth tyre bëjnë “shplarjen e truve” të ndjekësve dhe militantëve, “terrenin e minuar” për konkuruesit e brendshëm, “tokën e djegur” për bashkëpunëtorët.
PR pati një “të vjetër” që nuk bëri kurrë një “politikë të vjetër” dhe ka sot po ashtu një të ri, si Fatmir Mediu dhe kolegët e tij, që vijojnë të bëjnë një politikë të re.
Partia Republikane tashmë bën një kulturë të veçantë në shoqërinë politike shqiptare, ndoshta edhe një shkollë. Një provë se mes shoqërisë sonë jo patjetër hedh rrenjë dhe ka të ardhme të sigurtë ajo, e nëmura dhe e gjithgjendura, “politika e konfliktit”.

Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com