|
Politika “Qofte ke daja“
Sot, 3 prill 2004
“Qofte ke daja”, kështu po i vëmë një emër formalisht dukurisë që duam të nxjerrim në pah. Përderisa në vendin tonë modeli i një politike pluraliste ka vetëm trembëdhjetë vite që realizohet, patjetër profili i saj i deritanishëm nuk do të jetë as fort i përkryer profesionalisht dhe moralisht aspak jomëkatar. Bashkë me politikanët, si edhe vetë shoqërinë tonë, ngarendin vese si individualizmi dhe mosrespektimi i ligjit, protagonizmi shurdhues e përqendrimi i ethshëm i pushtetit, deliri dhe vetëbindja se historia e shqiptarëve nis dhe përfundon me biografinë e tyre. Po ashtu në fillimet e rindërtimit të një shoqërie të porsandarë nga një sistem anormal si janë diktaturat, do të ketë revansh edhe korrupsioni. Edhe në vendet e zhvilluara, tashmë me korrupsion të kufizuar, akoma vegjetojnë teori sipas të cilave praktikat e mitmarrjeve shërbejnë si vaj lubrifikant për të vënë më lehtësisht në lëvizje gjymtyrët e shtetit dhe investimet. Madje në pjesën tjetër të kontinentit bëjnë shaka me ne, shqiptarët, nëpërmjet një barsalete se si një politikan tipik bashkëkombas mori përvojën e një kolegu të tij perëndimor për të përfituar me vjedhje nga fondi publik i ndërtimit të një rruge: teknika e të sofistikuarit të përtej detit ishte ngushtimi i një autostrade në të dy krahët vetëm nga pesë centimetra. Kur bashkatdhetari ynë e vuri në jetë dhelpërinë e kolegut perëndimor, ky i fundit, i ftuar ta shihte realizimin, nuk arriti të dallonte dot asnjë metër rrugë. Modeli këtej nesh na kishte qënë vjedhje e plotë e të gjithë fondit.
Në këtë barsaletë, sigurisht një ekzagjerim artistik, thelbi i moralit është i trishtë për njerëzit e ndershëm që jetojnë me djersën e ballit. Kurse mesazhi “profesionist” për shpërdoruesin shqiptar të fondit publik është “të paktën vith me karar!” Pra, me masë, me lezet, nga pak. Merr bakshish pesë përqind të shumës, tetë, ja e shumta dhjetë. Eshtë turp edhe t’i shkruash këto hilera të hajdutëve publikë, por ato ekzistojnë dhe një shoqëri, në rast se dëshiron seriozisht të bëjë përpara, duhet patjetër të shkurtojë pak nga pak mundësinë e shtimit të “dajallarëve që hanë qofte”. Sepse ata, në të kundërtën e treguesve mazatarë të zhvillimeve në dhjetëvjeçarët e dytë të periudhave të tranzicionit, në vend që të kenë pritjen për pakësim, po realizojnë një bum rritjeje e shumimi. Klima e dy-tre viteve të fundit po qëllon për ta mjaft pjellore.
Me siguri shumëve u ka rënë në sy një tip politikani që e ushtron profesionin e vet në mënyrë disi të çuditshme. Ai shitet. Më saktë: del në treg. Politika shqiptare ca më shumë se në mjaft vende të tjera, nuk është një tregtore moderne, por një Pazar tipik oriental. Si e tillë nëpër tezgat e pafund të shitores sonë, ku ecën bashkë njeriu me qenin dhe në të njëjtën kthinë shiten pandofla dhe nxjerrin tym kukurecët, nuk ka as makinë llogari-arke dhe nuk të lëshohet në dorë asnjë copë letër si dokument për paratë që ke dhënë. Edhe në këtë bisnes të Politikës, si në një pazar përtacësh, mund të shitesh pa bërë asnjë lloj pune dhe pa marrë e lenë asnjë dokument “faturë”. Je tamam si Fondacion i para viteve 97. Je një lloj Sudje. Përshembëll rezulton se qeveria herë pas here kërkon të kalojë me shumicë një ligj apo të emërojë një ministër. Për disa arsye “të brendshme” apo “të jashtme” kjo shumicë deri ato çaste nuk sigurohet. Ndërkohë ti je deputet, madje jo nga ata symbyllur që përherë votojnë çfarë u thotë partia. Ti je deputet special. Nga ata që nuk të mbet në dorë dhe zotëron zanatin e rrëshqitjes nga e majta tek qendra, nga qendra tek e djathta, shpesh edhe kërcen hop: nga e djathta tek e majta apo anasjelltas. Këtë mundësi të fundit e ke më shumë kur je pjesë e një koalicioni. Në këtë rast, duke deklaruar fare thjesht se mund të dalësh nga aleanca e mëparshme, bën sikur po lëshon karrigen dhe ikën, kurse në të vërtetë rri në vend. Tjetri, “daja i madh”, shqetësohet dhe ofron çmimin e dytë. Këtë çast fillon të kesh vlerë dhe ti ke favorin të shitesh e rishitesh. Me euro, sigurisht, se dollari ka rënë shumë. Përshembëll duke qënë se partia në qeverisje ka patur për të paktën një vit rresht probleme të mëdha të zotërimit të shumicës, vlera e deputetëve që pëlqejnë daljen në treg, është rritur mjaft. Kurba e saj do të bëjë edhe më shumë të përpjetën, sepse përpara kemi zgjedhjet e reja dhe deri atëhere ata superpolitikanë që kërkojnë të jenë sërish në majë të piramidës, kanë parashikuar shumë manovra parlamentare. Kjo do të thotë se bursa e shkembimit në Kuvend të një vote deputeti do të rritet shumë. Disa kohë më parë një parlamentar rozë, kundërshtar i njohur i Kryeministrit, pranonte në një televizion, duke bërë të penduarin naiv, se e kishte takuar më në fund të fuqishmin dhe i kishte lënë mesazhin tregëtor “më ler vetëm pak kohë sa të bëj kthesën”. Një tjetër në kembim kishte saktësuar se pëlqente më mirë të blihej “në natyrë”. E kishte fjalën për hektarë toke në bregdet.
Ndërsa politika “qofte ke daja” po favorizon kohët e fundit parlamentarët, prapa nuk mbeten edhe disa prej tyre që nuk i kanë këto mandate. Ky lloj i fundit ofron shitje me çmime më të vogla se të deputetëve, por gjithsesi i mban të kripura. Këta shërbejnë punë “të fisme”, por edhe “të pista”. Në të parat janë stimulimet mediatike të qeveritarëve, shkrimi i raporteve dhe fjalimeve të tyre apo edhe histori të zbukuruara realizimesh. Ndërtojnë faqe personale eletronike on-line apo qendisin curuculum vitae të tyre. Në njërën CV delte se një politikan i rendësishëm i majtë e njihte nga afër familjen Kenedi më shumë se Bill Klintoni. Një tjetër rozë sa nuk rezultonte shok shkolle me Toni Blerin. Një i tretë, që ka kenduar nga gëzimi, kur Kryeministri i sotëm u fut në burg, tani i bën “besnikun deri në vdekje” Në të gjitha këto raste “qoftet ke daja” kanë qënë më e pakta rroga një e dymilionëshe, të ardhura shtesë e shpërblime, nuk mungojnë edhe apartamentet e dyta. Ndër punët “e pista” hyjnë që nga goditjet e porositura mediatike e gjer në hetime të fshehta personale. Një tip i tillë ka nisur gruan e tij jashtë shtetit që në vendin iks të mund të mblidhte inkonjito ca të dhëna “të këqija” për një person të padëshiruar nga shefi i tij.
Kështu shitorja shqiptare zhurrmon nga gjallëria. Eshtë hapur pazar i madh edhe në koalicionin e djathtë e veçanërisht në Partinë Demokratike. Po bëhen dy legjislatura që ata nuk janë në pushtet dhe mundësia e rikthimit po shtohet. Politikanët që kanë një jetë të tërë të përkushtuar për t’ja arritur kësaj dite nuk kanë se çfarë të shesin më. Janë bërë si “proletarët”. Gjithçka e kanë dhënë për idealin e tyre dhe u kanë mbetur vetëm duart e xhveshura. Mirëpo “kallot” e shumë prej këtyre duarve punëtore mund të mos hyjnë shumë shpejt në punë. Po i lëvizin gishtat në tregtoren e madhe të politikës të tjerët, ata që shiten. Njëri syresh disa ditë më parë thoshte se ish-Presidenti Berisha mbetet më karizmatiku i politikanëve shqiptarë, ndërsa një apo dy muaj më parë deklaronte se nuk mund të ishte dakort me zgjedhjen e tij si kryeministër. Ca vite më parë po ai ngulte kembë se Sali Berisha sëbashku me Fatos Nanon duhej të futeshin në një thes dhe të flakeshin përtej kufirit. Një i dytë, i cili ka bërë një poemë të gjatë humoristike për ish-Presidentin, tani thotë se do të bëjë një libër për të si “burrë shteti”.
Mentaliteti “Qofte ke daja” po përhapet gjithkund, si kurrë ndonjëherë më parë. Ndërsa me blutë në pushtet ato ishin të rezervuara rreptësisht për besnikët e partisë dhe vetëm një grusht i vogël të majtësh hengrën, në kohën e rozëve përkatësia partiake nuk ekziston më si një lloj kriteri kufizues. Tani “qoftet”, pra përfitimet nga sherbimet që mund t’u bësh disa qeverisësve apo të fortëve të kohës, nuk kanë asnjë lloj standarti dhe modulari për të plotësuar. Je mercenar dhe kaq mjafton. Për të përfituar “qoften” (me dhe pa leng) nuk refuzohet asgjë, qoftë ky edhe një pastrim këpucësh apo një foto në faqe të parë të gazetave, duke shqyer gojën në gëlltitjen e një cope torte që ta jep Kryetari.
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|