Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Stina e shtegtimit te politikaneve

Sot, 27 mars 2004

Shtegtimi më i fundit i një politikani është ai i Kreshnik Çollakut, sekretarit të përgjithshëm të Partisë Demokratike të Reformuar. Po qendrojmë pak çaste mbi këtë fluturim sepse mbart mbi vete të gjitha shenjat karakteristike të stinës më të fundit politike që po kalojmë. I riu Kreshnik, njeriu që PDR e stimuloi dhe e sponsorizoi me sa mundi si kandidat të saj për të qeverisur metropolin e madh e të ngatërruar të Tiranës, ka braktisur kursin e konkurimit të baraslarguar nga PS dhe PD që kanë drejtuesit kryesorë të partisë së tij. Dhe është bashkuar me të gjitha aksionet politike të Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj konstantë. Qetësisht ai merr pjesë në tavolinat e saj, në mitingjet e deri edhe dy marrshimet e fundit të protestës paqësore. Ndërsa ka përzgjedhur si alternativë logjikën me të cilën i drejtohet sponsorizuesit të tij Genc Pollo se edhe ky duhet të rreshtohet ose me Nanon ose me Berishën. Rrugë të tretë nuk ka.
Në tregtoren e madhe shqiptare ngjarja me matematikën e fundit të Kreshnik Çollakut është e zakonshme dhe mjaft e tolerueshme. Duke mos ardhur nga partitë e majta në pushtet në këtë lëvizje të tij nuk ka asgjë të pamoralshme, ajo kryhet brenda brezit opozitar, ku ai tradicionalisht bën pjesë. Çollaku thjesht ka ndryshuar “numurin e valës” së zërit të tij, duke e zhvendosur indikatorin pak më shumë në të djathtë. Në këtë pamje të dukurisë ai nuk ka kryer asnjë “tradhëti” ndaj ideve të tij politike.
Nga kjo lëvizje e zgjedhur lirisht prej ish-kandidatit reformist për postin e kryetarit të bashkisë për Tiranën është e zëmëruar vetëm partia e tij, sigla PDR. Ajo e duroi për ca kohë dhe më në fund kryesia e saj ekzekutive njoftoi pezullimin e Çollakut. Shumë shpejt do të mblidhet edhe forumi i zgjedhur drejtues i kësaj partie për të vendosur apo jo lirimin e tij nga funksioni i lartë që ka mes tyre. Asnjë gabim nuk gjendet as moralisht dhe as administrativisht edhe në këto gjeste të PDR-së dhe çiftit të saj udhëheqës Pollo-Shehu. Të mos harrojmë se i riu Kreshnik, deri dje figura e tretë më e ekspozuar muajt e fundit nga kjo parti, në punë statutesh dhe manovrimesh me nenet e tyre ka përballë (apo në brinjë) dy ish-drejtuesë të lartë e të lashtë të PD-së. Pra ka mjeshtra. Mirëpo demokratikoreformisti në vend që t’i shmanget kësaj beteje nenesh bën të kundërtën: shpall ankesën e tij se po shkelet statuti. Thua një bashkësi partiake, për aq sa e ka dimensionin politik dhe përmasën e ndikimit në elektorat, duhet të pranojë që një përfaqësues i saj i lartë të kryejë gjeste pa marrë lejen e forumeve apo shtabeve drejtuese të saj. Statute të tilla partish nuk gjenden në asnjë kend të kësaj bote të madhe.
Atëhere përse zhurrmon Kreshnik Çollaku (në sa ekrane mundet) se nga PDR i kanë hyrë në hak? Ai nuk është i pari në këtë vend që ka zgjedhur të ndryshojë rreshtimin politik. Lirinë e një shtëpie tjetër në pluralizëm e ka të garantuar e madje të mirëkuptuar. Me Partinë Socialiste në prag të vitit 1997 u bashkuan një armatë e tërë. E njëjta gjë ndodhi edhe me Partinë Demokratike në prag të vitit 1992, kur ishte tepër e sigurtë një triumf i saj. Përse duhet të tregojmë me gisht ikjen e Kreshnik Çollakut nga PDR, kur ikës (fluturues) janë edhe shumë nga figurat kryesore të kësaj partie. Të parët Genc Pollo dhe Tritan Shehu. Së fundi edhe deputetët e pakicës greke Karamelo e Goxhi. Madje mes klasës politike ka emra e personalitete të tilla si Preç Zogaj apo Arben Imami që po zhndërrohen në shtegtarë profesionistë (të dy tashmë e kanë bërë fluturimin të plotë mes PD-së dhe PS-së: vajtje-ardhje e kthim).
“Po kthehen plangprishësit” ironizonte dhe gjithaq gëzohej një e përditshme afër të djathtës, në përpjekje për të dhënë një vlerësim për këtë që po ndodhte. Në të vërtetë kjo që po ngjan kohët e fundit nuk mund të mos fotografohet për t’u fiksuar në kujtesë dhe në arkivat e zhvillimeve korrente. Drejt Partisë Demokratike po vrapojnë e ngarendin dukshëm dhjetra e dhjetra emra. “Minjtë po e lenë anijen që fundoset” parodizonte ish-Presidenti duke përtallur një braktisje të majtësh brenda të majtës. Sigurisht pa patur aspak parasysh me fjalën “minjtë” njerëzit e spikatur që po bashkohen së fundi me të. Detyrimisht duke mbledhur rreth vetes të gjithë ata që i afrohen e do t’i shërbejnë arritjes së numurit të nevojshëm për të përmbysur balancën zgjedhore, meraku i liderit të opozitës nuk mund të mos ekzistojë se mes ardhësve, ka nga ata që i janë avitur vetëm për t’i bërë brerjen nga brenda. Bërr-bërr. Gërr-gërr. Nga pak e çdo ditë.
Sigurisht Kreshnik Çollaku nuk është një politikan brejtës. Ca më pak i nivelit që mund të kanosë brenda partisë së tij të re autoritetin e Sali Berishës. Kanosëse është dukuria. Shumë nga shtegtarët në Partinë Demokratike kanë bërë zakon të mos rrinë në rreshtat e fundit apo edhe rradhët e para të mbledhjeve, konferencave të shtypit apo “tavolinave të rrumbullakta”. Ata kërcejnë drejtpërsëdrejti në tribuna. Që prej andej bëhen më të zjarrtë se vetë demokratikasit, më besnikë, më të vendosur dhe më konseguentë se vetë partia ku kanë bujtur. Kështu tashmë po tërhiqen në plan të dytë figurat më stoike të PD-së dhe të koalicionit, ata që i përkushtuan karrierës politike qendrueshmëri dhe “mosfluturim”. Si pasojë e ngazëllimit të pandalur të politikanëve shtegtarë deri edhe nëpër editoriale gazetash të rendësishme gjen artikuj (duken si të porositur), të cilat bëjnë të ditur në opinion për projekte e plane që paska ish-Presidenti për të larguar si të ngathët apo të konsumuar Jemin Gjanën apo Bamir Topin, Shaban Meminë apo deri edhe Spartak Ngjelën. Konturet e këtyre projekteve reformuesë brenda partisë më të madhe të opozitës (tani që mundësia e rikthimit në qeverisje është më e mundshme se dy-tre vite më parë) shkojnë deri edhe tek Jozefina Topalli, të cilës “megjithatë Berisha e ka të vetmen që nuk e ngacmon”.
Ka një rregull fare të thjeshtë të luftës ndërpartiake: më lehtë është ta dobësosh kundërshtarin tend nga brenda se duke e goditur nga jashtë. Në pajtim me këtë kod ekziston edhe e vërteta tjetër: kur partitë rrëzohen nga pushteti kjo ndodh kryesisht nga vetërënimi i tyre.
Ja pse “fenomeni Kreshnik Çollaku” bie në sy në këtë rrëmujë të madhe përreth nesh. Jo nga dëshira për ta përgojuar. Nga një shqetësim se mos vjen ai çast, kur e ndërruar në qeverisje, vendi nuk do të administrohet më nga rregulli i funksionimit të pluralizmit partiak, por nga loja e kameleonizmit të një grupi njerëzish. Të një tufe shtegtarësh politikë profesionistë. Dhe kështu do ta dënojnë e vrasin shumëpartitizmin, një nga të paktat vlera të parademokracisë sonë. Ky “loby”, duke u fuqizuar nga mandati në mandat e nga legjislatura në legjislaturë, do të shuajë çdo pasion për ballafaqim dhe konkurim real të njerëzve me identitet e bindje realisht të majta apo të djathta.
Tani që ka shenja të sigurta se persona të veçantë dhe grupe rreth tyre kanë futur në komë institucionin e zgjedhjeve të lira, përse të mos shqetësohemi se po lëshon hije të zezë mbi shqiptarët edhe fantazma e një shumëpartitizmi fals. Hipokrit.


Ylli Polovina




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com