Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Doni të njihni shqiptarët?

(Ky libër është shkruar në vitin 2004. Pret botimin).


Politizimi

Ajo që e lëviz shqiptarët nga vendi është energjia e bollshme individualiste, porse ajo që arrin t’i mobilizojë të gjithë bashkë është vetëm politika.
Dyshimi i parë që të lind, tek konstaton këtë dukuri, është mendimi se kjo traditë ka ardhur drejt për së drejti nga periudha komuniste, nga ai një gjysëmshekull, në të cilin u politizua gjithçka. Por kjo nuk është veç një grackë e krijuar nga shkurtësia e kujtesës.
Në një libër të Theodor Ippenin, albanolog e konsull i Perandorisë Austrohungareze në Shkodër në fund të shekullit të 19-të, me titullin “Shkodra dhe ultësira bregdetare e Shqipërisë së veriut” (1907) shkruhet: “Në ditët e tjera të javës pazari është i qetë dhe i braktisur. Bakajtë dhe zejtarët i bëjnë vizita njeri-tjetrit, pijnë kafe, tymosin cigare dhe merren shumë me politikë”.
E ardhur jo nga periudha enveriste, por nga thellësia e shekujve, prirja drejt marrjes me përfolje politike nuk mund veç të interpretohet si pasion popullor. Një dëshmi e kësaj karakteristike të natyrshme të racës sonë mund ta gjesh në atë kordon të madh shqiptarësh që kanë administruar për periudha jo të vogla gjigandët e kohës së shkuar: Perandorinë Romake, Papatin, Bizantin dhe Perandorinë Turke. Po ashtu ata janë ndier fort në prag të krijimit të shteteve modernë grek, turk, libian, egjiptian dhe italian.
Pra pasioni i shqiptarëve për politikën, në thelb tendenca e tyre e dukshme për protagonizëm, është shumëshekullor. Kjo sepse ne më shumë se të priremi për ndonjë shkencë ekzakte apo humane, më tepër se të pëlqejmë filozofinë, të lexuarin e librave apo muzikën, preferojmë pushtetin. Dhe drejt pushtetit të ndjell ushtrimi i politikës.
Sigurisht në gjysmëshekullin e quajtur të “diktaturës proletare” ndikimi i politikës në shoqërinë shqiptare arriti një kulm të pazakonshëm, efekti i të cilit vijon edhe sot, madje herë-herë vepron edhe si një stres i rendë mbi shoqërinë. Për të karakterizuar kuotat ende të larta të politizimit të jetës shqiptare ka një ironi të disafishtë të shkrimtarit të humorit, Niko Nikolla: “Shtypi dhe media elektronike më shumë se çdo gjë kanë në faqet dhe emisionet e tyre dy kategori njerëzish: Politikanët dhe të vdekurit”.
Megjithatë kurba politizante e periudhës komuniste ka prirje të ulet. Pas një kulmimi të dytë të shpejtë dhe kohëshkurtër në mes të viteve 90-92, gjersa u bë e sigurtë përmbysja e komunizmit, niveli i politizimit të shqiptarëve nisi rënien e sigurtë. Ndërkohë Partia Demokratike, e cila e qeverisi vendin në periudhën 1992-97, nuk bëri asnjë përpjekje për ta ç’politizuar jetën e vendit dhe sidomos të shtetit dhe të strukturave të saj. Madje veproi në të kundërt, kjo edhe për arsyen se lideri i saj, atëkohë President i Republikës, manifestoi një kuotë shumë të lartë personale të vetpolitizimit. Më pas vitit 1997 dukuria politizante mes shoqërisë shqiptare rinisi në mënyrë më të shpejtë të humbasë përmasat ekstreme të kulturës enveriste, për të mbërritur pak nga pak në atë dimension që me sa duket si popull ne e kemi brenda natyrës sonë. Pas luftës së Kosovës, ku klasa politike shqiptare tregoi para opinionit se kishte edhe një përmasë jo të vogël të kombëtarizmit, kurba e politizimit bëri edhe më poshtë. Edhe pse shumica e politikanëve u përpoqën që për objektiva të marrjes apo ruajtjes së pushtetit ta ngacmonin nervin tonë të vjetër, ai nuk reagonte më si më parë. Përpjekjet e fundit për të realizuar një stuhi mitingjesh u bënë përgjatë vitit 2001 nga lideri i opozitës më të madhe, Sali Berisha, pasionant i njohur i grumbullimeve të mëdha me synim demonstrimin e superioritetit. Më pas prej tij nuk u bë asnjë tentativë për të grumbulluar masivisht njerëz veçse në prag fushatash elektorale.
Kështu ra edhe numuri e bëmat e fansave të politikës, ca më shumë nisën të firojnë edhe kllejkërit, të paguarit për të duartrokitur “shefin” e partisë si edhe për të bërë, me këtë rast, të gjitha llojet e ulërimave entuziaste.
Situata e re u konstatua nga jo pak vëzhguesë përgjatë zgjedhjeve për qeverisjen qendrore dhe sidomos më pas për atë lokale të vitit 2001. Në qytetet më të mëdha pjesëmarrja u lëkund mes gjashtëdhjetë e pesëdhjetë përqindëshit. Kishte hapësira të tëra elektorale, ku prania në qendrat e votimit binte dukshëm edhe nën këtë kufi të fundit, përmasë që dëshmonte se tashmë edhe matematikisht politika nuk kishte më mes të popullit një shumicë përkrahëse.
Ndërkohë akti i braktisjes ishte shfaqur më parë se të arrinte ky vit i rrallë. Analistët e vëmendshëm, edhe pse të paktë, konstatuan se qeverisjet qendrore dhe ato lokale kishin filluar të zgjidheshin jo me mbështetjen e shumicës, rregulli numur një i funksionimit të demokracisë, por të pakicës së shqiptarëve. Pra politika vendase po funksiononte si minoritet dhe po ndikonte në minoritet.
Kjo do të thoshte se po krijohej ngadalë një shumicë reale e gatshme t’i kthente politikës të gjithë shpinën.
Kështu me fillimin e mijëvjeçarit të tretë, vetëm një dekadë pas hapjes dhe mundësisë për të demokratizuar vendin dhe veten, shqiptarët u ndjenë të qeverisur nga parti dhe individë që nuk përfaqësonin shumicën e tyre.
Këtu filloi kriza reale e politikës ose të paktën ajo u shfaq bindshëm.
Një realitet i tillë provonte jo vetëm se shoqëria jonë ishte mërzitur nga ata që e ushtronin qeverisjen, por mbeteshin të lodhur edhe nga mënyra se si bëhej vetë politika.
Duke qënë se kultura mbarëpopullore vjen prej një tradite interesimi të dukshëm ndaj saj mosvotimi i një pjese gjithnjë e më të madhe të shqiptarëve, një lloj orteku që sa vinte e shtohej, në fillim të linte përshtypjen e parë se përbëhej nga thjesht moskokëçarës, njerëz me natyrë indiferente. Kishte që i konsideronin këta mosvotuesë edhe si antidemokratë, qënie të painteresuara për zhvillimin e vendit të tyre, madje nuk mungonin për ta edhe një pirg me nofka zyrtare. Më pas kultura e përgjithshme e shqiptarëve nisi të ndryshojë, këta jovotuesë nuk vijoi më t’i shihte si të paformuar apo të parregullt, njerëz me kulturë qytetare të munguar. Sigurisht as t’i kundronte edhe me ndonjë simpati të veçantë, por tek ta ndodhi ajo që pritej: ishte hapur shtegu prej nga ku diga e besimit të verbër e fanatik ndaj politikës po çahej.
Tashmë dallohet edhe për më të pavëmendshmin se tek ushtria e madhe e mosvotuesve janë rreshtuar edhe protestuesit ndaj saj. Kështu mund të gjejë shpjegim shifra alarmante e 2 përqindëshit, e cila u përcoll për opinion nga një sondazh i kryer ne tetor 2002 mes shumë të rinjve studentë dhe që tregonte sasinë e atyre që ende kishin mbetur të manifestonin besim tek politikanët aktualë të vendit të tyre.
Kjo revoltë e heshtur, në rast se politika nuk kryen ndonjë proçes vetkorregjimi, do të zgjerohet si njolla e vajit. Asnjë kombinacion formal i saj, asnjë ngjyrë e re fasade apo makiazh, nuk do ta shpëtojë po qe se nuk reformohet. Treguesë kaq të ulët nuk janë pasojë thjesht e një pakënaqësie të përgjithshme për shkak se tranzicioni vërtetë është një periudhë e vështirë dhe nuk mund të prodhojë me shumicë veç të zhgënjyer e të deziluzionuar. Po ashtu pranohet që edhe qeverisja më e mirë në një sistem shoqëror të hapur drejt ekonomisë së tregut nuk do t’i kënaqte dot të gjithë. Pasoja problematike e protestës së butë të shqiptarëve ndaj mënyrës se si politikanët bashkëkombas e ushtrojnë profesionin e tyre, sidomos misionin e qeverisjes, ka një arsye edhe më të thellë: ata kanë diktuar se është zgjeruar shumë hendeku mes shoqërisë dhe politikës.
Kjo do të thotë se pasioni tradicional i shqiptarëve në thelb nuk po zbehet, ai po modifikohet, po përsoset. Ai po rikthehet jo si intuitë e tifozllëk pasiv i njerëzve të shtypur, të varfër dhe të mashtruar, por si dije e tyre, si veprim, si protagonizëm inteligjent njerëzish të lirë, si shpresë se do të vijë një ditë, në të cilën trysnia e shoqërisë së sonë mbi ushtruesit e saj do t’i detyrojë këta t’i afrohen kulturës së sherbimit për popullin.
Vetëm atëhere vesi ynë për të qënë kaq të interesuar për politikën dhe lënë mbrapa saj pasionin për leximin e librave artistikë apo dëgjimin e muzikës së kultivuar, mund të kthehet në virtut.



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com