Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

ĒFARĖ FSHIHET PAS MUNGESĖS SĖ FOTOS PĖR NGRITJEN E FLAMURIT NĖ 28 NĖNTOR 1912?
AMERIKĖ, PSE TĖ DUAN KAQ SHUMĖ SHQIPTARĖT
FLAMURI QĖ U NGRIT NĖ VLORĖ DHE KASTRIOTI I PESTĖ, ALEANDRO
22 NĖNTOR 1944, QYTETI I TIVARIT: ARRATISJA E BALLIT KOMBĖTAR NĖPĖR NJĖ DET TĖ MINUAR
PASARDHĖSIT NĖ ITALI TĖ SKĖNDERBEUT NĖ KRYE TĖ MBROJTJES SĖ PAVARĖSISĖ SĖ PORSASHPALLUR
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Rikthimi i trete i lapidareve

Revista “Shqip”, korrik 2006

Shqipëria ishte pavarësuar në fund të vitit 1912 dhe lapidarët e përmendoret e para për rilindasit, frymëzuesit e mëdhenj të mëvetësisë, kishte nisur t’i përuronte pas viteve njëzetë e më dukshëm në vitet tridhjetë. Të rënët për çlirimin e vendit nga dy pushtues të fuqishëm fashistë, për fat të keq me në mes kriteret e një diskriminimi ideologjik, shqiptarët e shtetit amë kryesisht i nderuan në vitet pesëdhjetë e më tej. Në vitin 2000, kur e gjithë bota i gëzohej një mijëvjeçari të ri me më shumë mirëqënie e nivel të lartë jetese, shqiptarët këtej dhe andej kufijve zyrtarë nisën sërish të ngrejnë lapidare e përmendore të reja. Ishte brezi i tretë i tyre. U kushtohej të rënëve në Kosovë dhe Luginën e Preshevës, jetë të dhëna për çlirim nga regjimi i diktatorit të fundit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviçit. Bëhej po ashtu në nderim të atyre që në vitin 2001 në Maqedoni kishin dhënë jetën për të fituar të drejtat e plota të shqiptarëve si popull shtetformues. Statistikat thonë se ata që kanë dhënë jetën në këtë epope të tyre të fundit për t’i dhënë “çështjes shqiptare” një vend të denjë mes popujve vëllezër të gadishullit numërohen të jenë afro dymijë. Po qe se të gjithë këta vetmohues të jetës së tyre dhe liridashës të spikatur do të vendoseshin në një varrezë të përbashkët ajo do të ishte simbolikisht një përmendore gjigande e një lufte të kryer historikisht tepër vonë, me siguri kur edhe vetë shqiptarët nuk e patën dëshiruar, por për të cilën kanë qënë të detyruar ta kryenin.
Mes dymijë bashkëkombasve të rënë shqiptarë nga shteti amë nuk janë pak. Flitet për gjashtëdhjetë e katër jetë të blatuara. Këta ishin vullnetarë që lanë vendin e tyre apo shtetet ku kishin emigruar para dhe sidomos pas vitit nëntëdhjetë. Ndërsa në nderimin e tyre me dekorata apo titullin e Dëshmorit në Kosovë, Luginë të Preshevës e Maqedoni nuk kishte asnjë problem, kjo nuk mund të ndodhte në rastin e Shqipërisë. Në shtetin amë shqiptarët dolën vullnetarë dhe nuk ishte në mes si nxitës, mobilizues dhe organizator qeveria apo struktura të tjera të tij. Po ashtu këta vullnetarë të lirë ndërsa dhanë jetën jashtë kufijve zyrtarë nuk mundej formalisht të shpalleshin Dëshmorë të Atdheut. Ata në parim nuk kishin rënë për të mbrojtur shtetin e tyre, Shqipërinë e njohur ndërkombëtarisht si shtet të pavarur, por për të mbrojtur bashkëkombasit e tyre jashtë këtij Atdheu. Ligjet shqiptare po ashtu nuk kishin asnjë klauzolë që t’i shpallnin ligjërisht Dëshmor i Kombit. E gjithë kjo gropë legjislative, në thelb edhe politike si dhe çështje e mprehtë marrëdhëniesh ndërkombëtare, nuk ka sjellë pak probleme. Po ashtu edhe drama të reja.



Astrit Suli ndoshta është një nga të rënët më me “fat”. Ai e dha jetën në 27 maj 1999, vetëm 23 vjeç. Ra në rrethinat e Gjakovës, mbi një kodër, dhe pas gjashtë vitesh cikli i nderimit të tij u mbyll me një lapidar të vendosur në qendër të qytetit të Kuçovës. Do të përpiqemi ta rrëfejmë për lexuesin sa më shkurt këtë rast, ca më tepër sepse do të na duhet në paraqitjen sa më të plotë të problemit që kemi marë përsipër të nxjerrim në pah.
Astrit Suli ka qënë një i ri që bashkë me tre vëllezërit e tij në fillim të viteve nëntëdhjetë emigroi ilegalisht në Greqi. U vendosën të gjithë në qytetin Sparta dhe bënin punë krahu. Përveç Astritit të gjithë vëllezërit e tjerë deri në vitin e trazuar 1997 nuk siguruan dot dokumenta qendrimi, kështu që vetëm ky i fundit pati mundësi që këtë vit të vështirë të rikthehej në Shqipëri sa për të parë se si i kishin dy prindërit. Pasi u sigurua që nuk kishin patur pasoja fizike nga supertrazira Astrit Suli kapërxeu sërish kufirin dhe rinisi punën e krahut në Spartë. Dy prindërve të tij nga ditët e pakta që kaluan me të birin u ranë në sy dy gjëra të reja: ai kishte bërë një fizik shumë muskuloz dhe herë pas here shante Millosheviçin e sërbët që i shkonin verbërisht nga pas. Madje në një çast u kishte pohuar se me ato që po hiqnin shqiptarët e Kosovës vetëm përgjigjia me armë do të ishte zgjidhja e shpëtimit. Në një rast tjetër kishte shtuar “më parë se serbët të na vijnë këtu, le të shkojmë ne atje”.
Ndërsa u duk që Astriti u normalizua me punën e rendomtë në qytetin e Spartës dhe po ashtu ndihej i qetë që u bë edhe mjeshtër ushtrimi i sportit të karatesë, në mes të vitit 1998, më 20 prill, ndodhi e papritura. Ai u thotë të vëllezërve se kishte takuar një anglez, i cili i kishte premtuar ta sistemonte me punë në Britaninë e Madhe. Këtë lajm e morën menjëherë edhe dy prindërit e tij dhe pas kësaj Astrit Suli për një kohë të gjatë nuk u ndje për të vetët. Shqetësimi i prindërve mori fund kur një person u solli në shtëpi një letër prej të birit. Aty ai pohonte se nuk kishte e qënë aspak e vërtetë që kishte njohur një anglez dhe se ai gjoja e kishte ndihur të sistemohej në Britaninë e Madhe. Gjithçka e kishte bërë për të justifikuar një veprim tjetër: nga Greqia ishte larguar për të rihyrë në Shqipëri e për t’u vendosur në një rajon të caktuar të saj, ku stërvitej ushtarakisht me shumë bashkëkombas të tjerë të ardhur nga emigracioni. Misioni i tyre ishte që pasi të stërviteshin mirë, të hynin në Kosovë dhe të merrnin pjesë në formacionet e ushtrisë së saj çlirimtare. Madje letra e vetme, e cila u kishte rënë në dorë të dy prindërve që nga çasti kur kishte braktisur Spartën, përmbante edhe lajmin e ri: pas disa ditësh ai bashkë me një grup bashkëluftëtarësh do të kalonin kufirin e do të hynin në zonën e Gjakovës. Që prej këtij çasti as prindërit në fshatin Lumas dhe as tre vëllezërit në qytetin grek të Spartës nuk morën asnjë lajm. Dihet që në këtë kohë edhe telefonia celulare nuk punonte në shumicën e hapësirës së Kosovës, veçanërisht në zonat malore ku zhvilloheshin pandërprerë luftime.
Lajmi i rënies së tij mbërriti vetëm pas disa muajsh nga momenti kur kishte ndodhur. Astrit Sula ishte vrarë në 27 maj. Sipas një shoku të tij ata sapo kishin përfunduar me sukses një betejë me milicinë sërbe dhe Astriti i ngritur në kembë po i grishte shokët që të përfitonin nga ky çast dhe të vijonin ndjekjen nga pas të armikut. PIkërisht këtë çast afër u ra një predhë artilerie. Astriti vdiq menjëherë, kurse shoku i tij u plagos rendë dhe vetëm pas tre ditësh gjendjeje kome, kur erdhi në vetëdijë, mori vesh që shoku i tij nuk jetonte më.
Si për të gjithë të rënët atje ku gjithsecili kishte dhënë jetën Kosova vendosi nga një bllok guri dyzetë centimetra me dyzetë, duke shënuar emrin bashkë me ditëlindjen e ditëvdekjen. Pastaj Astrit Sulin Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së e shpalli Dëshmor të Kosovës dhe me një letër e dërgatë të posaçme shkoi tek prindërit, tashmë të larguar nga fshati Lumas e të vendosur në qytetin e Kuçovës. Aty u lutën t’u jepnin lejen që eshtrat e birit të tyre të sistemoheshin në varrezat e dëshmorëve në Prizren. Pas disa herë bisedimesh më në fund familja e quajti të arsyeshme që t’i kishte eshtrat e të birit sa më afër dhe kthyen përgjigjen se Astrit Suli do të vendosej në Berat, atje ku edhe janë varrezat e dëshmorëve të zonës. Mirëpo ndërsa vendosja e eshtrave në çdo varrezë dëshmorësh në Kosovë ishte punë e lehtë, ajo e pranimit të tyre nga një varrezë dëshmorësh në Shqipëri jo vetëm që ishte një hall më vete për nga struktura burokratike, por edhe një problem mjaft i ndërlikuar ligjor. Bisedimet me krerët e pushtetit lokal nisën me prefektin e Beratit dhe përfunduan me të pas një formule të edukuar refuzimi. Funksionari i quajtur K.S. i siguroi se i kuptonte fare mirë, se ishte i tëri me ta dhe se po ashtu nuk e fshehte dëshirën që eshtrat e Astrit Sulit të vendoseshin në varrezat e dëshmorëve të Beratit, veç fuqinë ligjore për këtë gjë mund ta çelte vetëm Presidenti i Shqipërisë, Rexhep Meidani. Nëpunësi i lartë K.S. po ashtu u tha prindërve të të rënit se përveç mendimit të ardhur nga Presidenca ishte shumë e nevojshme dhe një leje nga Qeveria, e cila nëpërmjet Ministrisë së Mbrojtjes kishte kompetencën ligjore për ta shpallur Astrit Sulin si Dëshmor të Atdheut. Të qënit deri atëhere si Dëshmor i Kosovës nuk e lehtësonte problemin e vendosjes së eshtrave të tij në varrezat e dëshmorëve të Beratit. “Çdo gjë duhet të vijë në rrugë zyrtare\" kishte kembëngulur deri në fund prefekti dhe kështu të dy prindërit dhe njëri prej vëllezërve i ardhur me ngut nga Sparta ngjitën shkallët më lart tij. Dy të parët nisën nga Ministria e Mbrojtjes, i dyti, duke qënë një veprimtar i pasionuar i opozitës së asaj kohe, Partisë Demokratike, shkoi gjer në majë të piramidës së saj.
U mirëpritën dhe pak nga pak u afrua zgjidhja.
Që me nderimin për Astrit Sulin po merrej Presidenti i Shqipërisë e njoftuan në 14 qershor 2000 jo vetëm disa agjensi të shumënjohura botërore, por edhe vetë televizioni amerikan CCN. Në lajmin e shpërndarë paraditen e kësaj date, referuar agjensisë Reuter, CCN bënte të ditur se “Presidenti shqiptar Rexhep Meidani kishte nderuar dy të rënë shqiptarë, të cilët kishin luftuar vitin e shkuar kundër forcave sërbe të rreshtuar në separatisten Ushtri Çlirimtare të Kosovës (UÇK)”. Më pas CCN theksonte se “Meidani, duke kujtuar përvjetorin e parë të hyrjes së trupave të NATO-s në provincën sërbe, ka pranuar për herë të parë rolin e luajtur nga vullnetarët shqiptarë, duke dekoruar me “Shqiponjën e Artë” Indrit Carën dhe Astrit Sulin”. Sipas atij lajmi Cara kishte lindur në Kavajë dhe më pas emigruar në Britaninë e Madhe. CCN me këtë rast nuk harronte të vinte në dukje se Presidenti shqiptar për kontributin e dhënë kishte dekoruar me Urdhërin Skënderbej komandanin e NATO-s Uisli Klark si edhe Sekretarin e Përgjithshëm të saj Havier Solana.
Kështu më në fund pa kapërxyer viti 2001 Astrit Suli u shpall zyrtarisht në Tiranë nga komisioni përkatës qeveritar “Dëshmor i Atdheut” dhe eshtrat e tij me ceremoni zyrtare u vendosën në varrezat e dëshmorëve të Beratit.
Brenda pesë viteve ai do të bëhej edhe me lapidar. Skulptori Nezir Ago, autor i njohur në Çorovodë i Memorialit të çlirimit të Skraparit, i dy punëve të spikatura në qytetin e Beratit, më 26 prill pa tek dera e studios së tij tre njerëz shtatlartë, e folura e të cilëve dukej qartas se vinte prej trevave të Kosovës. Njëri prej tyre, Halim Rexha, përkthyes pranë TMK-së, i propozoi të bënte skulpturën e Astrit Sulit. Të gjitha shpenzimet ishin të qeverisë së Kosovës. Koha mjaft e ngushtë: një muaj. Më 27 maj, në përvjetorin e rënies, lapidari duhej të ishte në kembë.
Saktësisht më 27 maj ceremonia e mbajtur në Kuçovë u përcoll nga shtypi kombëtar. Çuditërisht në përurimin festiv të lapidarit të Astrit Sulit nuk kishte, përveç televizioneve lokale, asnjë kamera nga stacionet kryesore të vendit. Po ashtu në këtë veprimtari nuk ishte i pranishëm asnjë autoritet qeverisës apo politikan nga qendra. Tirana të linte përshtypjen se druhej nga një prani e saj e dukshme para vullnetarit shqiptar që e kishte dhënë jetën në trojet e jashtëkufirit zyrtar. E nënvizojmë fjalën “druheshin” sepse pushteti qendror gjithsesi i kishte deleguar autoritetet e veta tek prefekti i Beratit, përfaqësues i drejtpërdrejtë i qeverisë dhe i shumicës aktuale, si edhe tek kryetari i bashkisë së Kuçovës, përfaqësues i opozitës. Nuk mungonte edhe deputeti i zonës. Pa asnjë vetëkufizim në përurimin e bustit të Astrit Sulit ishin përfaqësuesit e Kosovës. Kryeministri Agim Çeku në ato çaste ndodhej në Tiranë në takime të njëpasnjëshme pune me personalitetet kryesore të vendit dhe në Kuçovë kishte dërguar këshilltarin e tij Arif Muçolli. Në ceremoninë e madhe popullore në qendër të qytetit naftëtar gjendeshin edhe kolonelët e UÇK-së, Shemsi Sula dhe Enver Dugolli, nënkolonelët Ruzhdi Saramati e Besim Rama, si dhe djali i Adem Jasharit, Lulëzim Jashari. Në rreshtat e para ishte edhe një fëmijë i vogël me emrin Astrit, të cilin shoku i të rënit, kosovar, ia kishte vënë emrin në përkujtim të dëshmorit. Organizatorët thanë se nga Prishtina, Prizreni e qytetet e tjera kishin ardhur në atë përkujtim pothuaj njëqind e pesëdhjetë vetë.



Nuk mund të ndodhte ndryshe. Vetë shqiptarët e Kosovës do të ishin shumë më të përkushtuar për nderimin e bashkëkombasve të rënë nga shteti amë. Ata nuk kishin problem lirinë e tyre, vinin nga një hapësirë e lirë për të çliruar vëllezërit e të të njëjtit gjak. Po ashtu për të njëjtën arsye më të interesuar e më të palodhur për të nderuar dëshmorët e rënë në Maqedoni janë edhe shqiptarët që jetojnë në këtë vend. Të gjashtëdhjetë e katër dëshmorët e ardhur vullnetarisht nga anë e kend Shqipërisë vërtet luftonin për çështjen shqiptare, por më së pari ranë në Kosovë për Kosovën dhe në Maqedoni për Maqedoninë.
Të mbuluar me të gjitha vlerësimet në Prishtinë apo edhe në Shkup problemi mezi lëviz në Tiranë. Në një intervistë në ditoren “Shekulli” para pak vitesh një luftëtar i UÇK-së, Dritan Dyrmishaj, ish-pilot në aerodromin e Vlorës, vullnetar nga Shqipëria, deklaronte se tashmë në vendin e tij e kishin shpallur dezertor të ushtrisë. “Ky është poshtërrimi më i madh që mund të na bëhet” thoshte ai në intervistën e tij, të cilën gazeta e titullonte “Si ne, 44 luftëtarë të harruar nga Shqipëria”. Aty Dyrmishaj, 23 vjeçar e ndërkohë në rradhët e UÇK-së marë gradën e majorit, deklaronte se përveç tre pilotëve “jemi gjithsej 44 oficerë dhe ushtarë që kanë shërbyer në rradhët e UÇK-së. Unë mund ta nis këtë listë me Dilaver Goxhain, i cili në fakt është “Shpëtim Golemi” i vërtetë i UÇK-së. Goxhaj më parë ishte përzënë nga reforma në ushtrinë shqiptare, por arriti të bëhej zëvëndësshef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Nga 44 që ishim në fillim 12 vetë janë vrarë në luftë me armikun, por për aktin e tyre heroik në Ministrinë e Mbrojtjes nuk do t’ja dijë askush. Tetë luftëtarë të tjerë të lirisë janë gjymtuar dhe ata nuk kanë marë asnjë përkrahje apo ndihmë humanitare…Ne që jemi gjallë tani përjashtohemi edhe nga ushtria”.
Dyrmishaj pohonte në intervistën e tij se “Ku morët leje para se të iknit?” i kishte sulur pyetjen një graduat i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes njërit prej të ikurve. Në të vërtetë ata ishin larguar pa kërkuar e marë asnjë leje. Kodi i Punës me vetëm kaq i përjashton nga rikthimi në vendin e mëparshëm. Në bazë të ligjeve të shkruara e drejta qendron me Ministrinë e Mbrojtjes apo edhe me çdo institucion tjetër ku vullnetarët për në UÇK-në e Kosovës apo të Maqedonisë punonin më parë se të kapërxenin kufirin. Kjo thyerje formale disipline edhe tani, në mes të vitit 2006, i pengon të gjithë ata të rikthehen në vendet e mëparshme të punës.
Vështirë e kanë të gjallët e mbetur, jo edhe aq të lehtë bashkë me ta edhe të rënët. Nga të parët një pjesë kanë gjetur punë të tjera në Tiranë apo në qytetet e tyre të lindjes, një pjesë e vogël kanë mbetur përkohësisht edhe në Kosovë. Nga të dytët, të rënët, janë shpallur Dëshmorë të Atdheut vetëm diçka sa një e dhjeta e të gjithë numërit të përgjithshëm. Lapidarë kanë vetëm dy apo tre, mes tyre edhe “fatlumi” me tashmë procedurë nderimi kombëtar të përfunduar, Astrit Suli.
Në Tiranë në rrugën Mihal Duri nr.4 e ka strehën e vet që prej treqind vitesh fisi Llagami. Aty ka lindur edhe Skerdilajti, një nga vullnetarët e rënë në Maqedoni. Ai e la kryeqytetin shqiptar që në mes të vitit 1998 dhe pasi drejtoi stërvitje në një territor kufitar shqiptar kaloi në Kosovë. Skërdilajt Llagami luftoi me armë për tre vite me rradhë. E filloi kontributin e tij që disa muaj më parë se të fillonte në ish-Jugosllavi ndërhyrja e NATO-s. Pas çlirimit të Kosovës ai shkoi të luftonte në Luginën e Preshevës. Pasi aty u arrit në një marrëveshje paqësore kapërxeu kufirin dhe hyri në Maqedoni. Kur këtu u rreshtua në rradhët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare ai ishte i famshëm që më parë, i shumënjohur si Komandant Shpendi. Edhe në Maqedoni, duke u mobilizuar pranë Ali Ahmetit, vetë liderit të UÇK-së, ai luftoi si komandant i një njësiti special të sigurisë dhe kundërzbulimit ushtarak. E dha jetën në fshatin Bogovi të Gostivarit në 1 korrik 2001, ndërsa vetëm një muaj e disa ditë më pas do të nënshkruhej Marrëveshja e Ohrit, pakti i zgjidhjes paqësore të konfliktit. Madje si njohës mjaft i mirë i disa gjuhëve ai për arritjen e kësaj marrëveshjeje paqeje kishte punuar edhe në rolin e përkthyesit me disa funksionarë të Perëndimit.
Skerdilajt Llagami është ndër më të rrallët vullnetarë të ardhur nga shteti amë që luftoi për tre vite rresht në trojet shqiptare jashtë tij. Ai mund të konsiderohet një kryevullnetar, një nga figurat më të jashtzakonshme të kësaj epojeje e megjithatë Dëshmor i Atdheut u shpall vetëm pas një kembënguljeje të gjatë të të jatit të tij, Bardhyl Llagamit. Ky ka botuar edhe një vëllim poezish për të si edhe në krye të fondacionit me emrin “Skard” boton përmuaj revistën kulturore për fëmijë “AG”. Skerdilajt Llagami kishte vetëm 32 vite ku e blatoi jetën e tij, por deri tani në shtëpinë e tij modeste në rrugën Mihal Duri, nr.4, në Tiranë, përveç Ali Ahmetit dhe bashkëluftëtarëve të tij, nuk i ka shkelur prej pesë vitesh asnjë qeveritar i shtetit amë, qoftë edhe i një niveli mezatar. I vetmi që ka dërguar mesazh është Leka I. I thirruri “Mbreti i Shqiptarëve” në atë mesazh e njeh Skerdilajt Llagamin si Luftëtar Kombëtar dhe e ka shpallur atë Dëshmor të Kombit. Një mesazh vlerësues i ka dërguar familjes Llagami edhe Ramush Haradinaj.
Për Shpendin ka dy përpjekje individuale për bust, por tani për tani as që mendohet se në Tiranë atij dhe të tjerëve vullnetarë do t’u ngrihen lapidare. Familjes së Skerdilajt Llagamit edhe pse komisioni përkatës i Ministrisë së Mbrojtjes e ka shpallur Dëshmor të Atdheut që në korrik 2004 akoma Këshilli i Qarkut nuk i ka dorëzuar shenjat përkatëse. Në Maqedoni Komandant Shpendi jo vetëm është shpallur Dëshmor i Kombit dhe i është ngritur një Memorial, por edhe fshati Novoselë tashmë thirret zyrtarisht “Fshati i Ri Shpendi”. Edhe banorët e Selckës së Keqe, ku akoma gjendet varri i Skerdilajt Llagamit, kanë kërkuar që fshati i tyre të marë emrin Shpendi.
Brezi i tretë i lapidarëve të shqiptarëve, çështje ca fort e ndërlikuar nga rrethana e pakuptime ndërkombëtare, nga meraku se mos i shërben qarqeve të caktuara kundërshqiptare si pretekts për ta akuzuar shtetin amë se ndërhyri dikur në punët e brendshme të një shteti fqinj, duket i paralizuar. Ndërkohë vitet ikin dhe ato sjellin me vete edhe harresën. Ose moskujtimin. Këtë përfundim të gjashtëdhjetë e katër të rënët e Shqipërisë për lirinë e bashkëkombasve të tyre nuk e meritojnë. Do të jetë turp po ndodhi. Para se të na mbulojë ai duhet të veprojmë. Gjenerata e tretë e lapidarëve duhet të ngrejë shtat, sa më shpejt.
Përsa i përket Kodi të Punës dhe shkeljeve të tij disiplinore këtë çudi le t’ja lëmë tregut të barsaletave, sepse vetëm atje e meriton të rrijë. Në rast se bëhet fjalë për atë që mund të formulohet zyrtarisht si “ndërhyrje në punët e brendshme të një shteti tjetër” le të kujtojmë se këtë ndërhyrje në ish-Jugosllavinë e diktatorit të nëmur Sllobodan Millosheviç e bëri NATO. Ehe në Maqedoni po ashtu ishte NATO pala e tretë firmosëse e Marrëveshjes së Ohrit.



Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com