|
Perse vde heshtur veterani i Luftes?
Korrieri, 11 gusht 2006
Pas një sëmundjeje të rendë, por që e përballoi denjësisht siç dinte ai, veterani i luftës Musa Hysi ndërroi jetë në fund të javës së shkuar. Tek ngushëllonim familjen për humbjen e njeriut të saj të dashur në arkivolin frigorifer në mes të njërës dhomë ai qendronte i veshur me kostum, elegant siç kishte qënë gjithë jetën e tij. I gjatë, trupdrejtë dhe burrë i bukur. Sytë nuk mund tja shihnim dot më, i kishte patur me një rrezëllitje të kaltër. Pas infaktit të tretë vetëm në pak sekonda jetë të mbetur ja kishte dalë vetë të mbyllte sytë, të shtrinte trupin, të vendoste drejt kembët dhe duart. Gjithë karrierën e tij kishte qënë oficer artilerie. Të afërmit sipas rregullit vetëm ia lidhën me një shami pjesën e përparme të kokës që të mund edhe goja të prehej me buzët e cikura qetësisht. Përreth fytyrës e bardha rrezëllitëse e shamisë i mbulonte lehtas shenjët e plumbit që në betejën e Qafës së Kiçokut në korrik 1943 ia kishte çpuar tej për tej pjesën e sipërme të qafës dhe që për pesë muaj e kishte mbajtur tek buza e vdekjes. Përreth tij atë ditë të përzishme kishte shumë njerës, tepër shumë. Veterani i luftës që ndërroi jetë është pjesë e një fisi të madh, i cili nëpër vite nuk u mpak kurrë, por lulëzoi, u shumua dhe u bë më i fortë. Ngjitur pranë xhaxhait të saj më të madh, e bija e të ndjerit, Shqiponja, duke bërë përpjekjen e shumëmundimshme të tregohej e fortë, i shpjegonte zëulët se dukej gati e parealizueshme që nga Komiteti Kombëtar i Veteranëve të Luftës, të paktën dega e tyre në kryeqytet apo në lagje, të kishte një fjalë të shkurtër. Shqiponja me zërin më të ulët të mundshëm i thoshte xhaxhait të vet se shkoi tek njëri prej veteranëve të Komitetit dhe pa se ai mezi gjeti fuqi të delte deri te dera. Ishte shumë plak dhe i sëmurë. Kur shkoi te i dyti, po edhe ai mjaft i rrëgjuar nga mosha, përveç pafuqisë konstatoi se nuk dëgjonte mirë edhe nga veshët. Tek i treti shkoi me një shpresë të kotë, sepse e dinte që edhe me syze nuk shihte mirë dhe mund të ndodhte që rreshtat e ndonjë fjale të mundshme ti ngatërronte. Kështu ndodhi që veterani i luftës Musa Hysi, i shoqëruar në varrezat publike nga qindra të afërm, miq e shokë, u përcoll në jetën tjetër me një fjalë shumë të shkurtër të një pjesëtari të familjes.
Mirëpo ngjarjet nuk duhej të zhvilloheshin kështu. Kishte ndërruar jetë një Veteran i Luftës dhe më e pakta një përfaqësues i pushtetit lokal, një i ngarkuar posaçërisht nga bashkia apo minibashkia, duhej të ishte aty, në çastin e varrimit të tij. Patjetër me një fjalë të shkurtër. Sepse një veteran lufte është një Veteran Lufte. Nuk kanë rëndësi nga cila krahinë e vendit është apo se ka apo nuk ka ndonjë bindje partiake. Veterani i Luftës, pra ai që gjatë epopesë së madhe kombëtare e botërore të viteve dyzetë të shekullit të shkuar u rreshtua me armë në dorë në aleancën e madhe antifashiste, për shoqërinë është e mbetet një njeri me status të veçantë. Trajtohen si të tillë kudo në vendet demokratike, janë individë me kontribut të posaçëm kombëtar dhe ndërkombëtar. Të drejtën e vlerësimit të tij publik për këtë status që nuk e ka kushdo e meriton sidomos në rastin kur veterani i luftës ndërron jetë. Atë deklaratë vlerësimi mund tja bëjë vetëm një përfaqësues i shtetit. Komiteti Kombëtar i Veteranëve apo Organizata e Bashkuar e Veteranëve të Luftës së Popullit Shqiptar dhe çdo forum tjetër me të njëjtin funksion, duke qënë organizata vullnetare me autoritet, janë vetëm njëra pjesë e vlerësimit. Ato nuk janë gjithsesi shteti. Kjo në parim. Por edhe thjesht për arsye organizative përse ceremonia e përcjelljes së një Veterani Lufte duhet të përfundojë në kërkimin e disa të tejmoshuarve që nuk mund ta kryejnë dot fizikisht këtë detyrim publik.
Ajo që ndodhi me rastin konkret të cituar në fillim të këtij shkrimi ka ngjarë pafundësisht në qindra herë të tjera. Ky është edhe problemi që na takon të njohim dhe ta bëjmë, me dëshirë të mirë, të zgjidhshëm. Deri tani ndoshta ca për shkak të rutinës, pak për faj të kulturës sonë kombëtare shtetformuese jo në nivel të mirë, jo më pak edhe për përgjegjësi të mënyrës se si zhvillohet lufta politike, ndaj Veteranëve të Luftës ndihet dukshëm rënie e respektit social. Nuk bëhet fjala për të rikthyer motet e regjimit të shkuar, kur nga tepria dhe shkalla e lartë e ideologjizimit njohja e kontributit të Veteranëve të Luftës kapi kufij bezdie. Por ndërkohë pas vitit nentëdhjetë u zgjat shumë tranzicioni i rivlerësimit të tyre. Duke qënë se një pjesë e këtyre veteranëve antifashistë u mpleks më pas, krejtësisht pa dëshirën e vetndërgjegjësimin e tyre, me një sistem diktatorial, politikisht ata u trajtuan si fajtorë dhe përgjegjës për atë që ndodhi. Gjatë viteve të pluralizmit disa vlerësime financiare nuk iu hoqën, në ndonjë rast edhe iu shtuan, por ndodhi ajo që nuk duhej të ndodhte: vlera e tyre publike u harrua. Nuk është fjala për takime me rininë në qendra pune apo në shkolla. Veteranët të tregojnë për luftën antifashiste nuk i gjen në asnjë ekran televiziv. Kurse që të përcillet në banesën e fundit një Veteran Lufte sikur detyrime ndaj tij ka vetëm familja dhe jo shoqëria, kjo i avitet përmasës së një skandali.
I ndjeri Musa me rastin e të cilit morrëm shkas për të çeljen e kësaj teme ka qënë një partizan me moshe fare të re, gjashtëmbëdhjetë vjeç. Përveç shumë betejave në jug të vendit, në Shqipërinë e Mesme dhe më pas në rrethinat e Shkodrës, në ditët e para të dhjetorit 1944 për trembëdhjetë muaj luftoi dhe kreu detyra kombëtare në Kosovë. Historia e luftës së tij, një memuar intim në tre volume, dëshmon ngjarje për të cilat gjithkush prej shqiptarëve mund të ndihet krenar. Ky Veteran Lufte bashkë me shokët e tij luftoi gjer në Vishegrad për çlirimin e tokave të ish-Jugosllavisë. Të politizuarit e pasvitit 1990 këtë gjest të tyre e kanë parë me sy të shtrembët, duke u mjaftuar me etiketimin si qendrim proserb të komunistëve shqiptarë dhe jo si pjesë të një strategjie ndërkombëtare të aleancës së atëhershme antifashiste. Sot Shqipëria me aq sa mundësi materiale e njerëzore ka bën pjesë në Aleancën Antiterror dhe për këtë ndihemi entuziastë. Përse nuk e gjykojmë të së njëjtës vlerë atë që bënë partizanët shqiptarë që shkuan gjer në Vishegrad dhe dhanë jetën për çlirimin e jugosllavëve dhe serbëve? SHBA ishte në aleancën e gjashtë dekadave më parë, SHBA është tani në krye edhe të aleancës aktuale. Tani që Kosova kërkon me negociata të drejtën e pavarësimit të saj përse nuk është e dobishme tua kujtojmë përfaqësuesve të popullit fqinj serb se shumë nga bijtë tanë më të mirë kanë blatuar jetën për lirinë e tyre?
Në memuaret e tij Veterani i Luftës Musa Hysi tregon se si batalione dhe brigada partizane kanë luftuar për çlirimin e bashkëkombasve të Kosovës, se si ata janë bërë dëshmitarë të masakrave dhe pabesive të pastrimit etnik dhe se si u përlotën kur më në fund u ndanë me vëllezërit e tyre dhe u rikthyen të urdhëruar në Shqipëri. Nuk analizojmë dot në kufijtë e këtij shkrimi përse nuk guxuan të qendrojnë në Kosovë dhe ta bënin që atë kohë çlirimin e saj, por që shqiptarët e shtetit amë kanë luftuar me armë në dorë që gjashtëdhjetë vite më parë për lirinë e Kosovës, këtë përse e harrojmë? Para se të kishte qindra vullnetarë që iu gjendën bashkëkombasve në vitin 1999, në ato troje me të njëjtin ideal në mendje dhe në zemër kanë qënë Veteranët e Luftës. Kur gazetari i revistës gjeostrategjike me emër kontinental, Limes, Arjan Konomi, me një mision shumë të vështirë shkoi në maj 1998 të takonte përfaqësues të lartë të UÇK-së, në disa fshatra ia kujtuan se ishte shqiptari i dytë që vinte pas atyre që erdhën me brigadat partizane. Në këtë kontribut e të vërtetë të madhe historike çpunë ka diktatura apo komunizmi? Kur ndodhi kjo epope lirie as diktatura nuk kishte nisur, as komunizmi nuk kishte rekrutuar më shumë se një apo dy përqind të partizanëve. Madje atëhere edhe komunistët ishin struktura klandestine.
Veteranët e Luftës nuk mund të anashkalohen kështu, as të shpërdoren politikisht për ti çuar me zell vetëm gjer te kutitë e votimit. Ata janë një elitë nacionale dhe të mos vonojmë më shumë në këtë rivlerësim të tyre sepse do të jetë historia ajo që do të na turpërojë duke i ringritur sërish në piedestalin e kombit. Në dekadat e mëpasshme gjithçka nga e shkuara jonë e shekullit të kaluar, në ridimensionimin e saj normal, do të humbasë një pjesë të peshës së vet. Mes tyre madje edhe gjëma e komunizmit. Të gjitha që kanë ndodhur pas ditës së bekuar të 28 nentorit 1912 do të lënë një pjesë, qoftë edhe modeste, të rëndesës së tyre. Nuk do ta pësojë këtë gjë vetëm Lufta Antifashiste që çliroi Shqipërinë dhe po ashtu bëri një sprovë të pafat të çlirojë bashkë me shtetin amë edhe Kosovën.
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|