Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

ĒFARĖ FSHIHET PAS MUNGESĖS SĖ FOTOS PĖR NGRITJEN E FLAMURIT NĖ 28 NĖNTOR 1912?
AMERIKĖ, PSE TĖ DUAN KAQ SHUMĖ SHQIPTARĖT
FLAMURI QĖ U NGRIT NĖ VLORĖ DHE KASTRIOTI I PESTĖ, ALEANDRO
22 NĖNTOR 1944, QYTETI I TIVARIT: ARRATISJA E BALLIT KOMBĖTAR NĖPĖR NJĖ DET TĖ MINUAR
PASARDHĖSIT NĖ ITALI TĖ SKĖNDERBEUT NĖ KRYE TĖ MBROJTJES SĖ PAVARĖSISĖ SĖ PORSASHPALLUR
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Enver Hoxha kandidat per Oskar?

Korrieri, 9 shtator 2006

Filmi amerikan “Njeriu i brendshëm” (Inside Man) në Tiranë u shfaq në fillim të muajit gusht dhe hollësinë se në të ka një fragment disa minutash me zërin e Enver Hoxhës e bëri të ditur menjëherë Top Channel. Lajmi u përhap shumë shpejt dhe jo pak frekuentuesë të sallave të kinemave e ndoqën filmin me këtë risi të çuditshme. Ndërkohë nuk pati pak bashkëkombas, të paktën në Tiranë, që këtë film e shkarkuan nga interneti dhe e futën në arkivën e tyre. Pas shuarjes së këtij kurioziteti dhe patjetër edhe diskutimesh të mbyllura në rrethe miqsh e shokësh, ngjarja më tej kaloi pa tërhequr vëmendjen as të opinionit dhe as të pushtetit të lirë që ndikon mbi të, medias. Përzgjedhja nga media e heshtjes nuk përbën asnjë gabim. Kaq ishte lajmi, më pas “Inside Man” me në celuloidin e saj zërin e Enver Hoxhës nuk e kishte më këtë status. Le të hynin në lojë, po të donin, komentatorët. Por edhe këta e anashkaluan. Shumica e tyre ishin të zënë me përplasjet spektakolare të politikës së ditës, e cila, duhet pohuar, shpesh është më joshëse e më mahnitëse se një film. Jo sepse nga kolegët u la diçka mangët, por për ngasjen se sidoqoftë ka mbetur ende ndonjë gjë pa u thënë, nisëm këtë shkrim. Shkak ndoshta ishte qarkullimi i thashethemit se regjisori i shquar amerikan dhe autori i këtij filmi, Spike Lee, do të dëshironte që në edicionin e pritshëm të çmimit Oscar të konkuronte me të. Në të vërtetë që kur ky film nisi të shfaqet në kinematë amerikane, në mars të këtij viti, ai u cilësua si më i miri i 2006-tës, edhe pse ky vit sapo kishte nisur. Pothuaj të gjithë të mahnitur nga cilësia e tij pohuan se ishte një film tipik për Oskar. “Inside Man” pas triumfit në vendin e vet ngadhënjimin mediatik e vijoi edhe në Evropë. Pastaj në të gjithë globin. Kështu bashkë me regjisorin e tij të famshëm dhe aktorët Denzel Washington, Clive Owen apo Jodie Foster filmi “Njeriu i brendshëm” vazhdon të rendë i suksesshëm në të gjithë botën. Mbase nuk do të jetë vetëm thashethem se ai do të konkurojë për Oskar. Duhet pritur muaji dhjetor ku shpallen filmat kandidatë.
Në rast se do të ndodhë ashtu siç përflitet dhe ca më shumë të ndodhë që ta marrë këtë çmim, surpriza për ne shqiptarët do të jetë më e madhe. Kjo sepse për katër-pesë minuta në këtë film-Oskar do të gjendet edhe Enver Hoxha, diktatori ynë i një gjysëmshekulli. Le ta tregojmë shkurt subjektin e filmit dhe posaçërisht atë fragment ku shfaqet bashkëkombasi ynë që dorën e hekurt e keqpërdori.
Në Nju Jork një grup i vogël kaçakësh, pra jo vjedhësish të mirëfilltë, projektojnë hyrjen e fshehtë në një bankë. Në të vërtetë nuk synojnë mbushjen e thasëve me para, por hapjen e një kasaforte ku gjenden dokumenta kompromentuese për drejtorin e saj, i cili për të siguruar përfitime nga nazistët nuk mbrojti nga genocidi i tyre mjaft çifutë. Planin e këtij grupi e pikasi policia. Duke e përgjuar e ndërsa po afrohej çasti që aksioni rrëmbyes në bankë të niste, nëpërmjet bashkëpunëtorëve të vet policia arriti që brenda disa picave dërguar kaçakëve t’u vendosë fshehurisht mikrofona. Kështu ajo ndihej e sigurtë se po kontrollonte çdo gjë që ata flisnin. Kur aksioni i ndjekjes dhe përgjimit të tyre ishte në kulmim, në një çast policia dëgjon nga mikrofonët e fshehtë të shqiptohej një gjuhë e huaj. Në fillim u tha se dukej si gjuhë ruse apo polake, më pas se ishte një e folme diku afër Ballkanit. Duke mos e ditur se e kujt populli ishte, pasi edhe një polic që njihej si shumëgjuhësh tha se nuk e kuptonte të folurën, zgjodhën si më të arsyeshme ta transmentonin atë tekst enigmatik menjëherë në altoparlantët e vendosur jashtë në rrugë. Në Nju Jork ndër kalimtarët ka mjaft të huaj dhe besonin se dikush do ta gjente përkatësinë e asaj gjuhe. Rezultati nuk mungoi dhe dikush nga dëgjuesit e pranishëm, një zjarrfikës, tha se e dinte: gjuha ishte shqip. Ai ishte i sigurtë për këtë gjë sepse e kishte gruan shqiptare dhe për shumë vite kishte bashkëjetuar në Nju Jork me prindërit e saj. Policët i thanë ta thërriste menjëherë bashkëshorten, por ai ngurroi. Atëhere telefonuan urgjentisht konsullatën shqiptare, veç rezultoi se nëpunësi për shërbimin ose kërkonte pagesë ose e shtynte këtë punë një muaj. Policët kembëngulën sërish tek zjarrfikësi dhe bashkëshortja e tij, shqiptarja, erdhi. Ajo u shfaq tërë dëngla, e zhurrmshme, tymoste cigare dhe u lëshoi menjëherë në dorë një pako me fatura të ndryshme të papaguara, të cilat kërkoi t’ia hiqnin në shkembim të shërbimit që po u bënte. Kur ia trasmentuan tekstin e regjistruar ajo nisi të qeshë me të madhe. Tha se ai ishte zëri i ish-presidentit të Shqipërisë Enver Hoxha. Policët u habitën se si ishte brenda bankës dhe po merrej me plaçkitje vetë ish-presidenti i Shqipërisë, por bashkëkombasja jonë sqaroi menjëherë se Enver Hoxha kishte njëzetë vite që kishte vdekur dhe se ai gjithë kohën sa ishte gjallë deklaronte se “kapitalizmi ishte i keq dhe komunizmi i mirë, ne shqiptarët jemi popull i pavdekshëm, rroftë Lenini e bla-bla-bla”.
Në fund të filmit sërish përdoret fjala shqiptar. Kur banda u kap dhe njëri prej kaçakëve deklaroi se ishte armenas, oficeri i policisë e pyeti “Shqiptar?”. Armenasi kembënguli për etninë e tij. “Po mirë” bëri të habiturin polici, “shqiptar dhe armenas nuk janë e njëjta gjë?”
Kinematografia amerikane e ka zbuluar Shqipërinë, të paktën që nga viti 1998 kur shikuesit e shumtë mbushën kinematë për të parë filmin “Bishti tund qenin”. Ky film kishte për temë projektin e zyrës së Presidentit, i cili për të rritur votat e konsesusit personal në prag të zgjedhjeve planifikoi shpërthimin e një lufte në vendin tonë. Edhe pse imazhi i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, nga ky intenerar i shkurtër në kinematografinë amerikane, nuk del agresivisht i keq, gjithsesi nuk është lumturisht i mirë. Dalim gjithkund si një vend i çuditshëm, disi i veçantë dhe jo me të gjitha standartet në kufijtë e normalitetit.
Ndërsa po ikën koha për të koregjuar gjurmët e imazhit tonë, tashmë shpërndarë në të gjithë botën, tek filmi “Inside Man” të zgjon e të ngacmon kurioziteti përse një grup kaçakësh në Nju Jork për të mashtruar policinë dhe devijuar përgjimin e tyre përdorën jo në disa sekonda, por në një rrjedhë prej disa minutash zërin e Enver Hoxhës dhe proçesin e verifikimit të tij. Mendimet dhe përgjigjet e atyre që e kanë parë filmin janë mjaft të ndryshme. Dikush thotë se Enver Hoxha është zgjedhur sepse figura e tij si edhe gjuha që flet është për globin shumë e panjohur dhe e komplikon intrigën e filmit. Një tjetër se kaçakët me ideologjinë dhe aksionin e tyre ngjajnë fort me komunistët radikalë dhe anarkisët apo sepse, siç shtoi një i pyetur tjetër, rasti është zgjedhur thjesht për gallatë. Të tjerë kanë mendime ndryshe. Askush nuk i jep një shpjegim të njëjtë përse regjizori Spike Lee në morinë e mijra politikanëve liberalë apo diktatorë të botës zgjodhi pikërisht një fjalim patetik kongresual të Enver Hoxhës.
Duke vënë në dukje se në film ka edhe një moment kur policia pasi gjen transmentuesin e zërit të kryekomunistit shqiptar në ekranin e vogël të aparatit për një çast duket e lexohet kthjelltasi emri Enver Hoxha, një gjë duket e qartë: patjetër nuk është një reklamë e posaçme për të, porse efektet e një publiciteti “Inside Man” i ka.
Enver Hoxha sa ishte gjallë e ka dashur publicitetin e vetes shumë, sepse dihet që rreth tij u ngrit një grehinë e tërë kulti. Shqipëria po ashtu u konsiderua një fener që ndriçonte botën. Tirana për disa kohë tentoi të bëhej qendra ndërkombëtare e një internacionaleje marksiste-leniniste. Qendrën e botës e luante edhe Radio Tirana. Veprat e librat e Enver Hoxhës u përkthyen jo vetëm në anglisht e frengjisht. Qindra mijra kopje të tyre me ngarkesa diplomatike ditën dhe deri me peshkarrexha natën kanë kaluar detin. Përfundimi: dy dekadat e fundit asnjë ndikim nuk ka emri i tij, pothuaj asnjë citim, jo vetëm pozitiv por edhe as negativ. Gjendet gati i harruar në të gjitha botimet e analizat e periudhës së Luftës së Ftohtë.
Mirëpo shih si ndodhi! Krejt befas filmi me në celuloid për disa minuta zërin dhe emrin e Enver Hoxhës për vitin e ardhshëm mund të konkurojë për Oskar. Në rast se do të kërkojmë me këtë rast një mesazh reflektimi nuk është ai i inatit ideologjik sipas të cilit Enver Hoxha me të këqijat që ka kryer nuk ka hyrë në histori. Ai ka hyrë, gjendet në histori dhe askush nuk e shkul dot. Historia nuk është qibare dhe i regjistron të gjithë ata që kanë vullnetin, ambicien, arrogancën dhe zotësinë të mbesin atje. Dihet që ne shqiptarët dëshirën për të mbetur në një kengë e kemi të thekur. Edhe ngulmues të pashembëllt të hyrjes në histori jemi.
Na vjen prapa historia, për fat të mirë e të keq. Sa mirë do të ishte që rasti i filmit “Inside Man” të na bënte të reflektonim! Popullin që të ketë kurajë të lerë në histori gjurmën e tij dhe t’u vëjë kontroll e fre sadopak disa individëve që ushtrojnë fuqi të tepruar mbi të. Kurse politikanët, ata që më shumë se kushdo na e bëjnë historinë, të jenë më të përmbajtur kur gërvishin emrat e tyre mbi të.

Ylli Polovina






Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com