|
Mund te na vije ca turp
“Korrieri”, 16 shtator 2006
Ka diçka që nuk funksionon mirë në ndonjë nga parametrat kryesorë të identitetit tonë. Kjo ka të bëjë me aftësinë e vetrregullimit të jetës së shoqërisë. Shteti ngrihet mbi këtë shoqëri dhe formohet prej duarve të saj. Një bashkësi që e ka veti natyrale të jetojë dukshmërisht në mënyrë individualiste patjetër që një shtet me këtë karakteristikë do të formatojë. Po të ndodhë që shoqërisë sonë nuk i pëlqen të ketë rregull kur ble një mall (pra të marrë nga shitësi faturën e pagesës), kur ble e përdor një telefon celular (por nuk kërkon ta regjistrojë), kur ndërton apo ble një shtëpi (dhe nuk ngul kembë që në krye të ndërtesës, pallatit, vilës apo apartamentit të ketë një numër) atëhere me këto vese do të ketë edhe shtetin e administratën e tij. Lus të sillni ndër mend për vetëm pak çaste çfarë na shohin sytë kur televizionet publikojnë reklama. Në rast se doni të regjistroheni përshembëll në një shkollë me emrin “Aristoteli” a e dini se ku sipas reklamës do ta gjeni? Ja koordinatat e saj: 50 metër mbi shkollën e Baletit në Tiranë. Një tjetër shkollë apo klinikë dentare, në rast se do t’ju duhet të vraponi deri atje, mos kërkoni që adresa të ketë elementët më të njohur botërisht të saj si lagjen apo kodin e rajonit, emrin e rrugës, numurin e pallatit, të shkallës dhe atë të apartamentit. Jo, në Tiranë dhe në Shqipëri këtë objekt që kërkoni se keni një nevojë të ngutshme, do ta gjeni me të dhënën “100 metra mbi Tregun Elektrik”. Një të tretë agjensi, sallë teatri apo studio fotografike do ta kërkoni në bazë të të dhënës “prapa Kafe Europa”. Institutin Arsimor “Gëthe” do ta shihni me sy e prekni me dorë vetëm në adresën “tek Selvia”, kurse një simotër të tij “te Poligrafiku”. Ekzistojnë “adresa” ala shqiptarçe edhe me dy të dhëna të tipit të mësipërm. Përshembëll Mobileri Perloni gjendet te Fusha Ali Demi, 200 metër nga Komisariati i Policisë. Ka “adresa”, po deshët, edhe me tre koordinata të variantit tonë: një firmë bisnesi thotë në reklamën e vet se gjendet “te Rruga e Elbasanit, përballë disko Kalvin, pranë Fakultetit të Gjeologjisë”.
Ushtarakët, por edhe ata që në kohën e realkomunizmit kanë bërë sbor, e dinë shumë mirë se koordinatat me objekte terreni bëhen vetëm në situata dhe fushë lufte. Përshembëll në rast se një mitroloz do të urdhërohet për të hapur apo zhvendosur zjarr në një drejtim të ri atij i jepet komanda “lisi i veçuar, majtas tridhjetë metra, kaçubja pa gjethe, zjarr!” Kjo do të thotë se shenjuesi duhet të orientohet nëpërmjet objekteve në terren, duke filluar nga më i dukshmi, lisi, për të shkuar me vështrim dhe pastaj qëlluar te kaçubja, ku ndodhet i pozicionuar “armiku”. Mirëpo në Shqipëri ka 62 vite që nuk ka ngjarë asnjë luftë. Si shpjegohet atëhere që qytetet e fshatrat tona janë akoma si në “kohë lufte?” Po të udhëtosh në një nga autostradat vetëm pak vite më parë përfunduar, mund të gjesh në anë të saj një tabelë që tregon se aty afër gjendet fshati me emrin filan, por nuk do të gjesh kurrë sapo të hysh në një segment të gjatë të saj ndonjë tabelë sintetike që të tregojë të gjithë qendrat e banuara, me distancat përkatëse, që do të ndeshësh gjatë rrugës. Qytetet tona në mënyrë masive jo numura shtëpish apo emra rrugësh nuk kanë, të paktën të shkruara, por kanë akoma lagje pa emra. Edhe realkomunizmi që ishte sistem nopran e çdo gjë e identifikonte me një numër, emër apo kod (dhe këtë e bënte më shumë për ta mbajtur të kontrolluar popullin) jo vetëm në një rast nuk i vendoste emër që në fillim një lagjeje. Ndodhte që nuk e emërtonte edhe për shumë kohë edhe pasi ajo përfundonte. Kështu me siguri ju kujtohet se këto lagje pa emër atëhere thirreshin “lagjia e re”. Në rast se do ta kapërxejmë edhe pak periudhën e realkomunizmit e do të gjendemi në atë të monarkisë, sërish do të ndeshim në mënyrë të sigurtë termin “mëhalla e re”. Eshtë e vjetër kjo sëmundja e jonë. Ka të ngjarë të jetë organike, e lidhur genetikisht me adn-në tonë kombëtare.
Kjo do të thotë se kemi para një çështje e problem të vështirë e që nuk kapërxehet me propogandë partiake. Na duhet të luftojmë me veten dhe natyrën tonë që të mund të mbërrijmë ditën kur nipat tanë që tashmë kanë lindur nëpër kontinente të tjerë ta kenë të lehtë të gjejnë lagjet ku kemi jetuar, rrugicat apo banesën tonë mbi tokë dhe atë nën tokë. Thua a do të kenë aq vullnet sa kur t’i hyjnë kësaj pune për paraardhësit nuk do t’u duhet të veprojnë si një postier që diçka më tepër se një vit më parë një televizion e portretizoi si ndër punonjësit më të dalluar të Postave Shqiptare për Tiranën. Kryevepra e tij ishte një hartë të hollësishme, të cilën e kishte bërë vetë me të gjitha objektet e lagjes që mbulonte. Rrugëve dhe rrugicave që nuk kishin emër, ua kishte vënë ai emrat. Pallateve dhe shtëpive pa numër po ashtu u kishte vënë shenja dalluese. Ndryshe, pa krijuar këtë “shtet” të vetin, ai nuk mund të punonte e delte faqebardhë. Një postjer tjetër në lagjen tonë e ka zgjidhur përballimin e këtij halli vetëm me anë të kujtesës. Doli se si adresa e autorit të këtyre rradhëve paska dy të njëjta në Tiranë. Eshtë i njëjti emër rruge dhe pallati. Kështu ai në fillim, sa ja fiksoi në kujtesë postjeri vendndodhjen, humbi dy pako modeste, gjithsecila me libra brenda.
Eshtë kohë e internetit dhe e bashkëjetesës globale dhe shteti ynë pa adresar nuk po lë përshtypje të mirë. Madje sa herë që për një shërbim në internet të duhet të mbushësh formularin online ndjeshesh i turpëruar. Të kërkohet adresa dhe në rast se emër lagjeje ke, në mënyrë të sigurtë nuk e mbush dot skedën me numurin e shtëpisë. Dhe nga sikleti sajojmë adresa virtuale, sikur nuk na mungon asgjë, madje hiqemi sikur kemi edhe kode rajonesh.
E quajtura “lista e përkohshme e zgjedhësve”, duke qënë patjetër edhe një rast për t’u shfrytëzuar nga politika, në thelb është një nga dëshmitë e shumta që ne shqiptarët akoma nuk jetojmë dot me rregullin, por ndihemi rehat me rrëmujën. Me dhjetra mijra bashkëkombas brenda një shteti të pavarësuar 94 vite më parë vërtiten nëpër Shqipëri pa u merakosur të bëjnë regjistrimet e vendndodhjeve të reja. Deri dje, për ta justifikuar sadopak, e quanim këtë një pasojë të lëvizjeve demografike të pasdiktaturës. Tani, duke u mbyllur 16 vite të kësaj zhvendosjeje, duhet quajtur me emrin e vërtetë: Turp.
Turp për nivelin e qytetërimit tonë, sepse në të vërtetë jemi më mirë se kjo dukje. Në disa fusha mund të konkurojmë me standartet e një demokracie të zhvilluar. “Një dorë“ ia japim ne kësaj rrëmuje, dy duar apo tre ia japin ata që kemi mbi krye. U mbushën vite që përdorim celularë të paregjistruar. Janë bërë kaq denoncime të këtij problemi, kaq shumë presion e megjithatë asgjë nuk lëviz nga vendi. Janë patjetër një oktapod interesash joqytetare që mpleksen për të mos e vënë në jetë. Sa kohë ka që është thënë se do të na pajisin me karta identiteti? Sa herë janë caktuar tenderat dhe fituesit e tij? E megjithatë karta identiteti nuk kemi ende.
Po si të kemi karta identiteti apo numura në ballë të shtëpive tona kur nuk gjen të tillë në hyrje të shumë institucioneve kryesore të Shtetit. Atje e gjen të shkruar emërtesën e institucionit, por godina nuk ka asnjë numër. Në botë ndërtesat qeveritare kanë emra të lashtë si Palazo Chigi në Romë (Kryeministria Italiane) apo Quai d’Orsay në Paris (Ministria e Jashtme e Francës), deri edhe vetëm adresa si 10 Downing Street në Londër (selia e Kryeministrit Britanik). Sigurisht edhe banesat e tyre private shtetarët e kësaj bote i kanë me numër në krye, lagjen po ashtu. Tek ne akoma gjen politikanë apo qeverisës profesionistë që apartamentet e tyre ende i kanë të pahipotekuara apo gjenden në kate shtesë mbi projektet fillestare. Në fakt në Tiranë përveç zonave informale thuhet se gjenden edhe rreth pesëqind pallate të pahipotekuara. Një rrëmujë kolosale.
Ndërkohë a e keni vënë re se sa rregull « shembullor» kemi për disa shërbime publike? Po të na shohë në rradhët tona të gjata një i huaj mahnitet sa shumë dokumenta ka ky shtet, sa e do rregullin dhe sa rreptësisht kërkues është. Të gjitha kërkohen me shkrim, që nga çertifikatat, firmat e kundërfirmat, plotësimi i dokumentacionit për pasaporta e deri tek marrja e një dëshmie penale. Të gjitha këto shërbime në të vërtetë i bën qytetari me ec e jaket e veta raskapitëse. Institucioni kërkues bën punën më komode, e pret t’ja sjellë qytetari « dosjen» personale, ndërsa është drejtpërsëdrejti puna e tij ta sigurojë vetë tek institucioni tjetër dëshminë e penalitetit apo nëse më parë në vendlindje është marrë një paraportë të dytë. Ja pse kjo përmbytje e madhe me detyrime shkresore për qytetain përpos hile për ta plaçkitur atë, është njëlloj pjesë e antikulturës së rrëmujës.
Historitë e popujve kanë parë jo pak çudira nga këto që kemi ne, por po ashtu kanë patur fatin që të nxjerrin edhe një shtetar me vullnet të fortë, i cili e ka përmbysur gjendjen e parregullit. Diçka ka nisur edhe tek ne, edhe pse është vetëm një grimcë. Sikur marrjes me politikë partiake t’i hiqnim nja dy orë çdo ditë do të kishim njëqind e njëzetë minuta për politikën e të qënit popull me të paktën adresa.
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|