Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Intelektualet nen çensuren e gjithologeve

“Korrieri”, 26 shtator 2006

Ka një rizgjim të arsyeshëm të merakut se ku gjenden këto çaste intelektualët shqiptarë. Në këtë atmosferë shqetësimi për një dukuri që disa publiçistë po e emërtojnë si një mosangazhim kronik të saj, ka edhe ndonjë të përditshme me autoritet që i fton intelektualët të marrin pjesë të paktën në debatet e çelura në faqet e saj. Si mënyrë për t’i grishur në këtë debat publik ajo në fillim rekomandoi edhe një temë. Objekti ku duhej të merakoseshin intelektualët kishte të bënte me zhvillimet politike tek e majta vendase, e cila tashmë përjeton problemet e saj të të bërit opozitë. Duke e lënë mënjanë të drejtën e marrjes së një përgjigjeje përse patjetër ishte ajo temë politike sprova që do të duhej të kalonte inteligjencia jonë për t’u dëshmuar se të paktën ishte gjallë, kapërxejmë një çast atje ku si gjithkush duam të japim një kontribut qytetar. Pra të “zbulojmé” ku gjenden intelektualët tanë. Ose, siç edhe kanë shprehur një alarm inkurajuesit e temës së mësipërme: kemi apo nuk kemi ne shqiptarët inteligjencie të mirëfilltë, prirëse të zhvillimeve progresiste?
Në rast se në kërkim të kësaj të vërtete do të na shkonte mendja se gjithçka tek ne në Shqipëri shkon përgjithësisht mirë dhe se kemi “ngecur” vetëm tek apatia e inteligjencies atëhere e vlen që në fillim të pohojmë se nuk kemi gjetur shtegun e duhur për të dalë atje ku kemi dëshirën e sinqertë të mbërrijmë. Po qe se hamendësojmë se kemi më të përparuar elitën politike se ajo shkencore, inteligjencien e artit nga ajo e sektorit arsimor apo e mbrojtjes së shendetit publik, inteligjencien në administratën shtetërore më të epërme nga ajo të sistemuar në ekonominë private e kështu me rradhë sërish kemi zgjedhur një rrugëdalje të pasigurtë. Në rast se e kuptojmë që përshembëll nga mitra e përgjakur e realkomunizmit kush disi më dukshëm e kush tjetër disi më pak gjymtyrët e ndryshme të korpusit social shqiptar kanë dalë pak a shumë me të njëjtën valencë, por tanimë koha më shumë se kurrë kërkon rolin udhëheqës të inteligjencies sonë, atëhere i jemi afruar vënies së pikës mbi “i”. Duke shpresuar se nuk e kemi keqkuptuar, megjithë një lloj konfuzioni normal që qarkullon tek të gjithë ne që ndjekim këtë ftesë publike për debat, shqiptarët do t’i gëzonte shumë një rishfaqje e vrullshme e inteligjencies së tij, një protagonizëm i pritur i saj. Duke e krahasuar këtë kuotë të re autoriteti me rastin Drejfus (apo edhe me pamfletin e tij kundërpolitik “Akuzoj!”) në një farë mënyre dëshirohet që ajo të zerë hapësirën e saj të merituar në strukturën e atyre hallkave që formojnë pushtetin në Shqipëri. Kjo do të thotë se inteligjencia me të gjitha llojet e organizimeve të saj duhet të përballë dhe ekuilibrojë pushtetin e ekzagjeruar politik. Ajo duhet të ndikojë mbi të, duhet ta kritikojë e ndalë kur bën gabime, ta inkurajojë e nxitë kur reformon pozitivisht vendin e kështu me rradhë. Kjo në fund të fundit do të thotë se i duhet dhënë fund atyre listave politike ku rreshtohen emra intelektualësh të partisë ose fshehurisht të saj, të cilat për fat të keq i kemi parë të hartohen jo vetëm në seli partiake, por edhe në ndonjë medie. Me lista të tilla intelektualësh është kërkuar njëlloj të burgoseshin hierarkët e regjimit komunist dhe me po një tip të tillë liste është kembëngulur të lerë vendin dhe të dalë jashtë politikës ky apo ai ushtrues i saj. Kjo rishfaqje e dëshiruar e inteligjencies po ashtu synon që autoriteti i saj i munguar ta kufizojë hegjemoninë e elitës politike në dobi edhe të pjesëve të tjera të saj, sepse me të vërtetë nuk gjendet klasë tjetër që mund ta frenojë. Që të paktën të mbërrihet deri kaq dhe të mos dyshohet se ekziston apo jo në Shqipëri një inteligjencie normale ftesëdebatuesit në të përditshmen me merak qytetar kërkojnë t’i japin asaj “gojë“. Ata i vënë në dispozicion hapësirë publikuese dhe intelektuali pas kësaj duhet të ulet e të shkruajë. Duke lënë mënjanë diskutimin nëse një gazetë apo televizion e ka më të lehtë ta grumbullojë këtë opinion të inteligjencies duke ua rekomanduar temën e debatit, vënia në shërbim të evidentimit të tyre publik është një gjest që politika duhet ta marrë si shembëll. Lexuesit me siguri duhet t’i ketë renë në sy në fushatën zgjedhore të 3 korrikut se si të gjitha partitë pa asnjë përjashtim nuk e përfillën në mënyrë demonstrative inteligjencien. Më parë, më shpesh sigurisht për demagogji, kishim parë këtë apo atë kandidat për deputet e prijës partie që krahas mitingjeve me zgjedhës të organizonte edhe ndonjë takim me intelektualët e qytetit apo edhe të mbarë vendit. Nuk e bëri kush. U mjaftuan me grupime intelektualësh të prononcuar partie. Kurse në të vërtetë kjo pjesë është një grimcë fare e imtë e inteligjencies kombëtare. Shumë mirë kur ajo vihet në dispozicion për programin e një partie, por shumë keq kur ajo bën sikur është vetë inteligjencia nacionale. A keni ndeshur një rast, përshembëll, kur në një mjedis akademik të jenë mbledhur për ta ndjekur një debat shkencor politikanët tanë? Asnjëherë nuk ka ngjarë kjo çudi, veç pritet e kundërta, të rreshtohen intelektualët në sallat e partive. Pjesëmarrja e vakët e ndonjërit politikan në ndonjë mjedis shkencor më së shumti ka qënë pjesë e detyrimit protokollar si qeverisës. Ky është thelbi i asaj përse nuk duket inteligjencia jonë. Elita partiake kërkon ta përdorë dhe për t’ja dalë kësaj i ka të gjitha mjetet e pushtetet e nevojshme. Në doni edhe t’ju ngrihet ndonjë bust në mes të qytetit duhet të keni një përkatësi partiake dhe të bëni vetëm durim që partia juaj të vijë në pushtet. Ja përse ndodh që inteligjencia nuk duket. E pëson fatin e saj të dhimbshëm jo se nuk dëshiron, por nuk e lenë. Dhe nuk është vetëm politika ajo kërkon të ketë të gjitha të drejtat ekskluzive të udhëheqjes së vendit. Sigurisht ky mentalitet totalitar në kushtet e një shoqërie që kërkon të demokratizohet sa më shpejt e mbarë është përgjegjësi kryesor përse nuk rehabilitohet tek ne një inteligjencie aktive dhe me autoritet udhëheqës. Me të gjithë intelektualët e tjerë ngjan njëlloj si me publicistët dhe gazetarët që në letrën e shkruar apo në ekranin televiziv ngrejnë probleme për përparimin e vendit, por pothuaj asnjë nuk i dëgjon. Këtë të vërtetë të hidhur tashmë e dinë të gjithë. Kur pjesa agresive e pushtetit politik shpërfill fjalën e një gazetari që po të dojë të rikthehet e të vë nën penë edhe njëmijë herë të tjera, si mund të mendohet që me dhënien e një hapësire të caktuar botuese dhe ftese të sinqertë për debat do të ngjajë e kundërta me intelektualët? Si mund të kemi naivitetin që segmenti hegjemon i politikës do të hapë rrugë e do të lëshojë një pjesë të pushtetit të tij mbi shoqërinë? Ata mezi lëshojnë mes njeri-tjetrit.
Atëhere mund të shtrohet problemi se duhet të jetë vetë inteligjencia e aftë dhe e ndërgjegjshme për t’u vetafirmuar. Dakort, po si? Inteligjencia për natyrën e saj nuk është e pajisur me aq agresivitet sa të kërkojë pjesën e saj të pushtetit mbi shoqërinë. Eshtë shoqëria ajo që me nderim i hap vend. Në rast se një intelektual i mirëfilltë boton një studim, bën një libër apo merr një çmim ndërkombëtar a e dini se i duhet vetë personit t’ju a dërgojë mediave lajmin me shpresë se mund ta sistemojnë në dy-tre rreshta? A e dini përshembëll se Shqipëria ka lista zgjedhësish, por nuk ka të intelektualëve më të spikatur dhe të vlerave të tyre? Mos kërkoni, nuk gjenden gjëkundi. A e dini se në korridoret e institucioneve publike, deri edhe ato muzeale, janë shtrirë sa gjerë e gjatë të gjithë llojet e politikanëve, ministrave apo kryetarëve të bashkive dhe nuk gjen asnjë kend për dijetarët? Madje janë zhdukur nga themelet apo po rënohen shtëpitë e Migjenit apo Lazgush Poradecit. Në Tiranë vetëm dy shtëpi, ajo e aktorëve Naim Frashëri dhe Sandër Prosi, kanë nga një lloj pllake përkujtimore. A e dini (përshembëll) se Mehmet Elezi ka hartuar e botuar një fjalor të gjuhës shqipe, i cili është i barasvlershëm si volum pune e si nivel shkencor me një institut të tërë. Ai fjalor është një kryevepër e padyshimtë dhe një kontribut kombëtar i përmasave të mëdha, mirëpo në rast se është botuar deri tani ndonjë lajm për të kjo është kembëngulje personale e autorit, i cili ka edhe fatin të jetë publicist. Duhej të ndodhte krejt ndryshe.
A e dini po ashtu se për të vendosur në një nga sheshet kryesore të Bukureshtit një bust të Naim Frashërit, i cili kushtonte vetëm pesë mijë dollarë, u deshën në Tiranë plot katër vite? Autoritetet rumune e kapërxyen procedurën për vetëm disa muaj, tek ne tërkuza u mpleks me indiferencë dhe u desh gatishmëria e ministrit aktual të kulturës që i tha edhe faleminderit institucionit koleg të Punëve të Jashtme, i cili kishte përballuar të gjitha tratativat diplomatike.
Nuk është kryesorja e megjithatë mund të shërbejë si shembëll e nismë. Media që duket me kembëngulëse për t’i dhënë protagonizëm e autoritet inteligjencies duhet të bëjë edhe ajo një akt çlirues brenda rradhëve të saj. Ajo duhet të refuzojë gjithologët, ata publiçistë që rreken të tregojnë se i dinë të gjitha. Duke ua lenë vendin e nderuar për ku janë profilizuar (për fat të keq shumica pothuaj vetëm në analiza e vëzhgime politike), në rast se ka histori, gjuhësi, sociologji e çdo dije tjetër le tua lënë hapësirat botuese dhe titujt e faqeve të para specialistëve. Sepse duhet pranuar: gjithologët që kanë patur gjithnjë sukses për akses të privilegjuar në media janë sot ndër çensuruesit më të mëdhenj të inteligjencies. Janë edhe ata ndër gojëmbyllësit e saj.



Ylli Polovina






Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com